KRERËT E LËVIZJES KOMBËTARE SHQIPTARE PËR TË MBROJTUR SHQIPRINË ETNIKE NGA PROPAGANDA BULLGARO-SLLAVE NË FILLIM PËRKRAHËN LËVIZJEN XHON-TURKE/
Nga Prof. Dr. Vebi XHEMAILI/ Universiteti Shteteror i Tetoves/
Figurat kryesore të shqiptarizmit të dhjetëvjeçarit që parapriu revolucionin xhonturk të vitit 1908, ishin pothuajse të tëra figura shqiptare, qoftë edhe për një kohë të caktuar në bashkëpunim me opozitën xhonturke. Shumë prej myslimanëve shqipfolës, si Nijazi Resnja, “heroi i Revolucionit”, para së gjithash ndienin veten si xhonturk dhe jo veprimtarë të nacionalizmit shqiptar. Ndonëse disa veprimtarë të shqiptarizmit më vonë u bënë kundërshtarë të rreptë të xhonturqve, marrëdhëniet midis shqiptarizmit dhe xhonturqve ishin shumë të ngushta, siç mund të vërejmë nëpërmjet rasteve vepruese të Ismail Qemalit, Ibrahim Temos, Dervish Himës, Shahin Kolonjës, Nexhib Dragës dhe shumë të tjerëve. Siç dihet, Dr. I. Temo shpalli krijimin e “Shoqërisë së Fshehtë” që shumë shpejt u njoh si shoqëria “Bashkim dhe Përparim”. Vetë Dr. Ibrahim Temo futi në këtë shoqatë deputetët e Kosovës, Ibrahim Efendiun, Nexhip bej Dragën dhe deputetin e Korçës, Shahin bej Kolonjën. Shokët u ngarkuan të ngrinin degë edhe në qytetet më të mëdha të Shqipërisë Lindore nga Shkupi deri në Ohër.[1]
Në vitin 1907-1908 shumë oficerë ishin bashkuar me Komitetin “Bashkim e Progres”, midis tyre ishin disa oficerë shqiptarë që flisnin si shqipen ashtu edhe turqishten, si Enver Beu i Manastirit, Beqir Grebeneja në Grevenë, Nijazi beu në Resnje dhe Ejup Sabriu në Ohër. Këta, si oficerë, gëzonin shumë autoritet në mesin e popullatës. Degë të ndryshme të Komitetit ishin themeluar në Selanik, Manastir dhe Shkup. Dega e Shkupit në mënyrë të veçantë ishte themeluar nga vetë Nexhip Draga, ish- nxënës i shkollës së administratës, që u bë me kërkesën e Komitetit Osman për liri, përpara se të shkrihej dhe të hynte në KPB. Në vitin 1908, në Shkup, Nexhip Draga, ish-nxënësi i mylkies u bë një nga njerëzit e fortë të KBP. Në Mitrovicë, Suljeman Kylçe, një oficer i ri nga Tetova, iu bashkua celulës lokale.[2]
Nijazi Resnja ushtarak me origjinë shqiptare, më vonë, në revolucionin e vitit 1908, u bë një nga heronjtë më të shquar shqiptar. I lindur në vitin 1873 në rajonin e Resnjës, në jugperëndim të Manastirit, ai kishte studiuar në idadijen ushtarake të Manastirit, por profesorët i kishin futur ndjenjën e patriotizmit osman. Më vonë, në vitet 1894-1897, kishte ndjekur shkollën ushtarake të kryeqytetit. Më 1897 kishte marrë pjesë në luftën greko-turke. Më tej ishte emëruar në Ohër dhe që prej 1904, bënte pjesë në batalionin e tretë të ndjekësve të çetave. Ai u ndikua nga reformat e bëra nën presionin e Fuqive të Mëdha, pas revoltës së Ilindenit. Për të Evropa i shtynte të krishterët të ngriheshin dhe me ta ajo dëshironte humbjen e Turqisë. Turqit nuk mund t’i linin më kështu rusët dhe austriakët që të zhvillonin propagandën e tyre në Shqipërinë Lindore, me qendrat e saj në Manastir dhe Shkup. Bullgarët, njëlloj si edhe armenët, kishin arritur ta bindnin opinionin evropian dhe të fitonin simpati nga ana e tyre. Pra, Fuqitë Mëdha ishin ato që dëshironin të gjymtonin Shqipërinë. Projektet e tyre ishin që ta ndanin në dy pjesë. Ata kërkonin me çdo kusht ta fshinin pjesën e Shqipërisë Verilindore. Ata i bindën satelitët e tyre në Ballkan, Serbinë, Malin e Zi dhe Bullgarinë, që sa më parë të fshihet Shqipëria Verilindore e banuar me shumicë me shqiptarë myslimanë. (V.Xh).
Po ashtu, një oficer tjetër shqiptar që i ka bërë shumë dëm Lëvizjes Kombëtare Shqiptare ishte edhe Beqir Grebeneja, i lindur në vitin 1882, në fshatin Çorhlu afër Grevenës, i cili kishte ndjekur të njëjtin arsimim ushtarak si Nijazi Resnja, fillimisht në Manastir, ku ishte ndikuar nga propaganda kundër absolutizmit hamidian, dhe më vonë në shkollën ushtarake të Stambollit, ku ishte diplomuar në vitin 1903. Merr pjesë për tre vite në luftën e Jemenit. Më 1907 ishte emëruar udhëheqës në vendlindjen e tij, në batalionin që ishte i ngarkuar të luftonte çetat. Në dhjetor 1907 iu bashkua Komitetit “Bashkim e Progres”. Pak pas transformimit, në vendlindje, më 1908, mësoi se Nijazi Resnja kishte dezertuar, Ai bëri të njëjtën gjë dhe vendosi të formonte çetën e tij në anën e Grevenës, për të “shpëtuar atdheun Osman”. Ky ka denoncuar çetat greke të organizuara nga kisha greke dhe të mbështetura nga qeveria greke, si dhe mos veprimin e administratës osmane përballë tyre. Mbi të gjitha gjykonte se myslimanët gjendeshin në një situatë shumë më të vështirë se sa të krishterët. Këta të fundit kishin pasur fuqishëm edhe patrikanën e tyre. Ky ishte me shpirt turkoman, prandaj deri në fund luftoi për Perandorinë turke, kur nuk u pajtua me shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë, në fund i përgatiti edhe atentat Ismail Qemalit. Dhuna ushtarake mbi shqiptarët u denoncua botërisht nga shqiptarët e Stambollit. Në fund të tetorit u formua një Komitet nismëtar Kombëtar, i përbërë nga doktor Zenel Abedini, doktor Ibrahim Temoja dhe Mehmet pashë Deralla (Tetova), i cili organizoi në Aksaraj të Stambollit dy tubime të rëndësishme, njërin më 27 tetor dhe një tjetër më 5 e 8 nëntor 1909.
SHKUPI DHE MANASTIRI DY QENDRA KRYESORE TË LËVIZJES KOMBËTARE SHQIPTARE
Në këto kondita të reja, në Shqipërinë Lindore (Maqedoninë e sotme), rrethanat e veprimit të lëvizjes xhonturke ishin të favorshme. Ajo tani mundohej ta vënte nën kontrollin e saj lëvizjen shqiptare që kishte marrë hov të madh në Manastir dhe Shkup. Por edhe krerëve shqiptarë u konvenonte lëvizja xhonturke, pasi ishin të bindur se nëpërmes xhon-turqizmit do të frenonin lëvizjen për autonominë Maqedonisë, që shkonte në dëm të bashkimit kombëtar shqiptar. Siç dihet lëvizjen maqeonase me të madhe e mbështetnin Bullgaria dhe Rusia me të gjitha mjetet financiare. Prandaj ajo për shqiptarët mund të quhet vetëm si kryengritje e imponuar. V.Xh).
Xhonturqit u përpoqën qysh në fillim t’i vinin klubet shqiptare nën ndikimin e tyre dhe t’i shkrinin ato në klubet xhonturke. Me anën e elementëve të moderuar, ku ndër përkrahës të parë të bashkëpunimit në fillim me xhonturqit ishin: Midhat Frashëri, Mehdi Frashëri dhe Abdyl Ypi.[3] Komiteti “Bashkim e Progres” ushtronte ndikimin e vet mbi udhëheqjen e dy klubeve të Selanikut dhe atë të Stambollit, të cilët donin të ruanin rolin udhëheqës mbi klubet e tjera shqiptare. Por patriotët shqiptarë e demaskuan veprimtarinë e veglave të xhonturqve në klubet shqiptare, siç ishte rasti me klubin e Selanikut dhe me qëndrimin e mbajtur nga Mehdi Frashëri dhe Mid’hat Frashëri.[4]
KRERËT E LËVIZJES KOMBËTARE SHQIPTARE NË KRYE ME ISMAIL QEMALIN U VUNË NË MBROJTJE TË INTERESIT KOMBËTAR
Në rrethanat e paraqitura në mbrojtje të interesit kombëtar, krerët e Lëvizjes Kombëtare Shqiptare e përkrahën Komitetin “Bashkim dhe Progres”, pasi ky Komitet në fillim i plotësonte kërkesat e shqiptarëve duke u dhënë atyre të njejta të drejta me kombësitë tjera të Perandorisë, që nënkuptonte edhe mbrojtjen e shqiptarëve. Kjo e shtyu Ismail Qemalin që në Kongresin e Parisit të turqve të rijë, që në atë kohë i mërguar politik, të deklarojë se ishte në favor të gjithëve një regjim konstitucional. Prandaj më 1908 shumë shqiptarë ishin bërë anëtarë të këtij Komiteti, i njohur si Komitet “Bashkim dhe Progres”. Pasi ishin të bindur se xhonturqit me ardhjen e tyre në pushtet do të mbronin tërësinë territoriale të Perandorisë që nënkupton edhe të shqiptarëve dhe do të stoponin reformat e filluara në vilajetin e Manastirit dhe Kosovës, si zona më të rrezikuara të Shqipërisë, pas reformave të Myrstagut.
Edhe Mit’had Frashëri ndante mendimin e krerëve shqiptarë ku do të deklaroj: ”Një autonomi sllavomaqedonse do të rrezikonte bashkimin kombëtar shqiptar, mbasi do të përmblidhte nën autonominë e saj toka shqiptare”.[5] Pasi në këtë kohë Bullgaria haptazi kërkonte zgjerimin e saj territorial, mbi tokat shqiptare në emër të Maqedonisë së Madhe e cila shkonte në drejtim të Manastirit, Shkupit dhe disa pjesë të Kosovës.[6]
Shqiptarët në fillim të shek. XX nuk e lanë fatin e tyre në duar të Fuqive të Mëdha, por vendosën të veprojnë në të gjitha fushat për homogjenozimin kombit.
Një ndër pikat kryesore në prag të Kongresit të Manastiri është vendimi i marrë në vitin 1908 në një mbledhje e shqiptarëve të krishterë ortodoksë në Shtet e Bashkuara të Amerikës, ku vendos që të hiqet dorë nga kisha greke dhe të krijohet kisha e pavarur shqiptare në krye me Fan. S. Nolin. Kjo ndarje ishte një shtytje e fuqishme për të zhvilluar ndjenjat kombëtare shqiptare drejt bashkimit kombëtar.
Ndërsa në trevat lindore Dervish Hima është më meritori në formësimin e nacionalizmit shqiptarë deri në shpalljen e Pavarësisë nga dora e Ismail Qemalit në Vlorë 1912. Në këtë kohë Dervish Hima kishte rreth vete mbi 10 mijë simpatizantë që luftonin për lirinë e Shqipërisë Etnike dhe alfabetin latin.[7]
[1] Në Selanik, në vitin 1906-1907 u shpërngul qendra e Komitetit Qendror të Partisë “Bashkim dhe Progres”, Ky Komitet, ka patur bërthama ose degë të kësaj shoqërie. Në Shqipëri vepronin Dervish Hima dhe Hamdi Ohri, etj, përmes të cilëve Dega e Kostancës e drejtuar nga Temoja, mbante lidhje me Manastirin, Strugën, Elbasanin, Dibrën, Shkodrën, Tiranën, Durrësin, Ohrin, Korçën, Starovën, Beratin, Janinën dhe me qendra të tjera. Pavarësisht peripecive që hoqi Dr. Temo në Strugë në verën e vitit 1889, duke u arrestuar nga agjentët e Stambollit. Ky deri në vitin 1895 në Stamboll u arrestua edhe katër herë të tjera. Në Rumani, agjentët e Stambollit tentuan disa herë ta helmonin, të dënuarin me burgim të përjetshëm nga Porta e Lartë e Stambollit. Vetëm gjatë vitit 1908 tentuan dy herë t’a eliminonin fizikisht.
[2] Nathalie Clear, vep e cit. f. 514.
[3] Historia e popullit shqiptar II, f. 284.
[4] Po aty.
[5] Stavro Skendi, Mendimi politik dhe veprimtaria kryengritëse shqiptare 1881-1912, New Jork 1958, f. 17.
[6] Stavro Skendi, Mendimi politik dhe veprimtaria kryengritëse shqiptare…, f. 8.
[7] Raport e konsullit Luba Mihajlloviç nga Shkupi, dërguar Ministrit të punëve të Jashtme të Serbisë, më 18 janar 1910.