

Të larguarit e ambasadave, korrespondencë me familjarët
Shkruan: Eneida Jaçaj/
‘Era e ndryshimit’, sapo kishte nisur! Ishte viti kur shqiptarët gjetën forcën dhe guximin për të dalë nga errësira e një sistemi komunist gjakatar, që e la vendin të prapambetur ekonomikisht dhe me një mendësi të kalbur kundër së resë e zhvillimit. Varfëria, vuajtjet, torturat e shpirtit kishin arritur deri në atë pikë saqë populli shqiptar u ngrit në këmbë për të shpartalluar atë sistem mizor, duke u drejtuar drejt Perëndimit, për një Shqipëri të zhvilluar europiane dhe me mentalitet të lirë dhe demokratik. Viti 1990 ishte viti i përpëlitjeve të fundit të kultit të individit dhe regjimit vrastar, më të egër që përjetoi Europa Juglindore. Kryengritjet e shqiptarëve do të hapnin një faqe të re për Shqipërinë, e cila do të quhej ‘Porta e Lirisë’. Ngjarja e 2 korrikut 1990, e quajtur si eskodi i shqiptarëve, të cilët u dyndën drejt dyerve të ambasadave të huaja, ishte goditja e parë që iu dha komunizmit në Shqipëri. Përtej kangjellave të ambasadave, shqiptarët ndjenin lirinë; lirinë e fjalës, të mendimit, atë fizike, frymën e re të zhvillimit dhe demokracinë. Kjo ngjarje e trembi shumë kupolën e lartë drejtuese, e cila u orvat me çdo kusht për të përndjekur dhe mbajtur nën vëzhgim të gjithë ata mijëra shqiptarë që u larguan drejt botës së lirisë. Pavarësisht se Shqipëria nuk kishte asnjë marrëdhënie me vendet e tjera të Europës Lindore, erës së ndryshimit nuk do t’i shpëtonte kurrsesi as vendi ynë. Ambasadat e huaja i mbështetën shqiptarët, pasi u jepnin plotësisht të drejtë për të rrëzuar regjimin. Ish-ambasadori gjerman, Werner Daum, në një intervistë ka thënë se, i urdhëroi asokohe punonjësit që të linin dritat ndezur dhe dyert e ambasadës hapur, atje ku arritën të futeshin 3 mijë shqiptarë. Kjo ngjarje u pasua me Lëvizjen e Dhjetorit dhe më pas me rënien e bustit të Enver Hoxhës në 1991, duke shembur që nga themelet “vampirin gjakpirës” të popullit shqiptar, dhe duke hapur një faqe të re të historisë. Censurimi i dokumenteve postare Largimi i shqiptarëve drejt vendeve të tjera, vuri në lëvizje aparatin shtetëror komunist, kryesisht Sigurimin e Shtetit. Kupola drejtuese dhe bashkëpunëtorët e Sigurimit nisën përndjekjet e shqiptarëve, si dhe arritën të filtronin të gjitha dokumentat apo shkresat postare të të larguarve, në korrespondencë me familjarët e tyre. Censura nuk ekzistonte zyrtarisht, pasi përbënte shkelje të të drejtave të njeriut sidomos në këtë rast, por hapja e letrave postare u mbajt sekret. Sipas një dokumenti të Ministrisë së Punëve të Brendshme, që mban datën 27.7.1990, pra disa ditë pas eksodit të shqiptarëve, dërgohej një kopje e plotë e korrespondencës private 𝘯𝘦̈ Drejtorinë e Sigurimit të Shtetit, ndërsa origjinali shkonte në destinacion. Kontrolli i brendshëm raportonte konkretisht se me dt. 27.07.1990 u kapën letra të personave të larguar në vende të ndryshme, si Gjermani, Francë, Turqi, Hungari, etj që ua dërgonin familjarëve të tyre në qytete të ndryshme të vendit, p.sh. Tiranë, Elbasan, Durrës, Shkodër, Mirditë, Berat, Krujë, etj.Korrespondenca me familjarët Futja e shqiptarëve nëpër ambasada, ka qenë një shok i rëndë psikologjik për familjarët që lanë pas. Korrespondencat postare ishin e vetmja mënyrë e mbetur për familjarët e të larguarve, për t’u informuar mbi gjendjen e tyre. Por censura e regjimit arriti të kontrollojë edhe dokumentat postare, megjithëse regjimi ishte në prag të fundit të tij. Në informacionin e kontrollit të brendshëm thuhet se të larguarit informojnë familjarët për strehimin e tyre dhe flasin për një botë tjetër, larg asaj të Shqipërisë, në kushte të këqija ekonomike dhe me censurë në mendim dhe fjalë. Ata u premtojnë familjarëve se do të dërgojnë të ardhura sapo të stabiliziohen në një punë. “Në datën 25 dhe 26.7.1990 mbërritën në vendin tonë 850 letra të dërguar nga persona të larguar, nga të cilët 638 u përkasin personave të larguar në Hungari; 179 në Francë; 13 nga Zvicra; 10 nga Greqia; 6 nga Turqia; dhe 4 nga Hungaria. Personat në Gjermani janë të stabilizuar në 18 qytete, ata janë të shpërndarë në grupe nga 40 deri në 300 vetë pasi janë të strehuar në hotel, konvikte, spitale, kapanone e deri në anije. Një pjesë e konsiderueshme u premtojnë familjarëve se do të kthehen së shpejti. U premtojnë familjarëve se pas 2-3 vjet punë do të kthehen, pasi siç shprehen nuk kanë ikur për qejf, por për të përmirësuar jetën e tyre dhe të familjeve në Shqipëri. Nga qendrat ku janë stabilizuar përkohësisht shkruajnë se trajtohen me ushqim dhe veshëmbathje falas dhe se u jepen nga 10-50 marka për nevojat e përditshme të tyre. Pretendojnë se me pagën që do të marrin pasi të stabilizohen në punë do të bëjnë një jetë të shkëlqyeshme për vete dhe do t’u dërgojnë edhe lidhjeve të tyre”, thuhet në informacionin e ministrisë të datës 27 korrik 1990. Ata flasin për një Shqipëri në errësirë të plotë, dhe shprehnin optimizmin se me marrjen e dokumentave dhe fillimit të punës, do të ndihmonin familjet e tyre, duke i nxjerrë nga mjerimi. “Përveç paraqitjes së shkëlqyer të kushteve, shkruajnë që deri më sot nuk kanë ditur se ç’është bota, se tani kanë lindur në të vërtetë, se paskan qenë në një errësirë të plotë, se këtu nuk të lënë të pish ujë, por vetëm birrë, pije freskuese. Siç shkruajnë ata, ky trajtim I shkëlqyeshëm u bëhet se konsiderohen emigrant politikë, ku për këtë do të pajisen me të gjitha komoditetet e një milioneri”, thuhet në dokument. Shumë shqiptarë sot që prej vitit 1990, punojnë dhe jetojnë jashtë vendit, dhe kanë luajtur një rol parësor ekonomik, pasi remitancat më të larta vinë nga puna e tyre në emigrim, duke mbajtur familjet e tyre.