– Në 90-vjetorin e lindjes/
Nga: Prof. Murat Gecaj/
1
Mbaj mend se ndër orët më të këndshme të leksioneve tona në degën e gjuhës e letërsisë shqipe, të Fakultetit Histori-Filologji, ishin ato me pedagogun dhe shkrimtarin e shquar, Jakov Xoxa. Ai mishëronte tiparet e njërit ndër intelektualët më të spikatur, jo vetëm të Fakulteit tonë, por dhe më gjerë në Universitetin e Tiraznës. I thjeshtë, i qetë, i matur e “i butë” në shikim, fjalë e veprime; depërtues e këmbëngulës me mendimet e veta, i frymëzuar nga jeta e njerëzv tanë dhe historia e tyre shumëvjeçare-këto e cilësi të tilla shfaqte hapur, para nesh. Prandaj leksionet e tij i prisnim me dëshirë dhe sikur ndiheshim më të lirë e më të qetë në to. Kur hynte në auditor, gati pa u kuptuar, na tërhiqte menjëherë timbri i zërit të tij melodioz, i cili u ngjante notave muzikore, me ngritjet dhe uljet e tij të qeta. Ndoshta, kjo kishte të bënte dhe me leksionet, që na jepte për lëndën “Teoria e letërsisë”. Pasi fliste për figurat e ndryshme stilistike, mendimet e veta i ilustronte me vjersha të krijuesve tanë, sidomos nga autorët shqiptarë të Rilindjes Kombëtare, të Pavarësisë ose ata të viteve ’30-të. Veçanërisht, e kishte për zemër Migjenin dhe me vargjet e poezive të tij sikur bëhej më i frymëzuar dhe më i kapshëm për ne, studentët.
Pas leksioneve, në kohën e lirë dhe të pushimit, shpesh bisedonim lirshëm me profesor Jakovin, i cili sikur kishte sjellë me vete në biseda aromën e fushave të Myzeqesë, thjeshtësinë, çiltërsinë dhe qetësinë e banorëve të asaj krahine. Para nesh shfaqej sa pedagog, aq shkrimtar, krijues i disa veprave, të cilat lanë gjurmë të veçanta në letërsinë shqipe. Vinim re se i bëhej mjaft qejfi, kur i flisnim për këtë ose atë vepër letrare, që kishim lexuar ose kur mendimet tona i shoqëronim dhe me pjesë nga ato vepra.
Një lidhje të veçantë për mua pati me këtë pedagog e shkrimtar edhe fakti se bashkëshortja e tij, e mira dhe e urta Dhurata Xoxa, shërbeu disa kohë redaktore në gazetën “Mësuesi”. Atë e drejtoi, që në fillimet e saj, pedagogu, shkrimtari e psikologu i shquar, prof. Bedri Dedja, më vonë Akademik. Në këtë redaksi punoi, në fillim, sekretar i kolegjiumit Sofokli Afezolli dhe redaktorë: Nako Bezhani, Myzafer Bejleri, Bekim Çomo e të tjerë, me radhë. Unë, siç mund ta kem shënuar dhe diku tjetër në këtë libër, pata fatin që të bashkëpunoja me këtë gazetë, qëkur isha student. Aty gjeta përherë dhe dashamirësinë, ngrohtësinë e ndihmën e pakursyer të vetë Dhuratës, e cila gjithashtu u nda shpejt nga jeta. Në mendjen time, çifti Xoxa simbolizonte dy intelektualë të përkryer, që secili nga ata plotësonte tjetrin. Në vitet e mëpastajme, kam patur rastin të takohem me djemtë e tyre, Agronin e Arbenin dhe kam ndjerë kënaqës, se ata janë bërë pasardhës të denjë të tyre, kanë dhënë e japin ndihmesën e pakursyer, në arsimin dhe kulturën tonë kombëtare.
Në vitet e fundit të jetës, Jakov Xoxa punoi shumë e po kaq shumë i dha vepra të arrira lexuesit shqiptar. Por, për fat të keq, stërlodhja e arsye të tjera, e çuan në atë, që ai të ndahej shpejt nga jeta, pra kur ishte në kulmin e krijimtarisë së tij letrare dhe mund të jepte përsëri shumë për arsimin dhe shkollën tonë të lartë.
Ne, studentët e degës së gjuhë-letërsisë shqipe, në fillimet e Universitetit të Tiranës, jemi takuar shpesh, në përvejtorë të plotë të kryerjes së studimeve të larta. Ndër bisedat tona, një vend të veçantë ka zënë kurdoherë kujtimi i paharruar për figurën, jetën dhe krijimtarinë e pedagogut Jakov Xoxa.
2.
Jakov Xoxa ka lindur në qytetin e Fierit, në vitin 1923, në një familje nëpunësi të thjeshtë. Mësimet e para i mori në vendlindje, në Vlorë e në Berat. Ndërsa shkollën e mesme e ndoqi në disa qytete, pra në Kavajë, Korçë, Elbasan dhe Tiranë. Ishin vitet e lëvizjes së madhe antifashiste, të cilën e përqafoi edhe Jakovi i ri. Mbas çlirimit, i ndoqi dhe i përfundoi studimet e larta për filologji jashtë shtetit, në vitin 1952. Punën e nisi në ish-Institutin e Shkencave, bashkë me figura të njohura të gjuhësisë, letërsisë, historisë etj. Pastaj punoi gazetar e pedagog në Institutin Pedagogjik 4-vjeçar të Tiranës dhe që nga viti 1957, pra me krijimin e Universitetit të Tiranës, në Fakultetin e Historisë e Filologjisë, ku dha lëndën e teorisë së letërsisë. Më vonë, doli në krijimtari të lirë.
Në vitet e para të çlirimit, Jakov Xoxa i ri bashkëpunoi me shkrimtarin e publicistin e paharruar Tuni Papuçiu (po nga Fieri) dhe nxorën gazetën “Përpjekja e rinisë”. Shpejt nisi të botojë shkrimet e para të tij, si: skica, reportazhe e tregime, me një gjuhë të pasur, të mbështetur në tabanin popullor. Në shkrimet dhe tregimet e tij gjeti pasqyrim myzeqari i thjeshtë e i varfër, por i etur për liri e dituri. Libri i tij i parë, me tregime e novela, doli në vitin 1949 dhe më pas drama “Buçet Osumi”. Krijimet e viteve ’50-të i përmblodhi në librin “Novela” (1958). Po në atë vit doli dhe drama tjetër e tij, “Zemra”. Këtu mbyllet periudha e parë e krijimtarisë së Jakov Xoxës, kur formoi personalitetin e tij. Për tematikën, stilin, gjuhën e rrjedhshme etj., janë pëlqyer për lexuesit tregime të tilla, si: “Kurorat e Masar beut”, “Frika e xha Llukanit”, “Tre pleqtë dhe Mihali katër”, “Gjeti ustai-ustanë”, “Ai që tallej me urinë e tjetrit”, “Kapedani”, “Njeriu, që s’kish parë diell me sy” etj.
Si rrjedhojë e pjekurisë së tij dhe e vullnetit ta pashoq, Jakov Xoxa iu fut me guxim prozës së gjatë. Kështu, më 1964, botoi romanin, tashmë mjaft të njohur për lexuesit tanë, “Lumi i vdekur”, libër voluminoz, mjaft me vlera për stilin, gjuhën, idetë, këndvështrimin. Është një pasqyrim i gjithanshëm i jetës së thjeshtë dhe të vështirë e tronditëse të fshatarit shqiptar, në të kaluarën. Ai është mishëruar mjaft bukur përmes figurës së personazheve: Pilo Shpiragu, në fshatin e imagjinuar Trokth, Koz Dynjaja a Kiu Gremi dhe familjeve të tyre. Për këtë roman të bukur e mjaft domethënës për kohën, autori u nderua me “Çmimin e Republikës” të Klasit I. Më tej, duke njohur nga afër dhe në thellësi jetën e njerëzve të thjeshtë të fshatit myzeqar, mblodhi materialin e duhur dhe botoi romanin e tij të dytë, “Juga e bardhë”(1971) dhe më vonë shkroi romanin tjetër të njohur, “Lulja e kripës”(botuar më 1982, pas vdekjes).
Në vitin 1983, vepra letrare e Jakov Xoxës u përmblodh në 6 vëllime. Tre romanet e marra së bashku janë një trilogji, që pasqyrojnë një tablo shumëplanshe të jetës shqiptare, në përgjithësi dhe të Myzeqesë, në veçanti. Ka skalitur një galeri tipesh e karakteresh, si Kiu Korroziu a Peri i Këputur; ka përshkruar mjedise të ndryshme, plot vërtetësi e kolorit.
Jakov Xoxa ishte punëtor i palodhur i krijimtarisë, skalitës i fjalës shqipe dhe stilist i rrallë. Prandaj dhe pati se për çfarë t’u fliste, pedagog i letërsisë shqipe, brezave të studentëve, në auditoret e Fakultetit të Historisë e Filologjisë, të Universitetit të Tiranës. Përveç fjalës së tij tërheqëse dhe të goditur, ai u vuri në shërbim brezave të studentëve tekstin mësimor “Hyrje në shkëncën e letërsisë” dhe më pas “Teoria e letërsisë”(stilistika), kurs teroik e praktik; Tiranë, 1970.
Studiues të ndryshëm e kanë vlerësuar krijimtarinë e J. Xoxës me fjalët më të mira dhe më të ngrohta. Njëri nga ata, kolegu i tij, prof. Koço Bihiku ka shkruar edhe këto radhë: “Jakov Xoxa u largua nga gjiri i shkrimtarëve në një kohë, kur forcat e tij krijuese ishin në lulëzim të plotë. Por, për të gjithë ata, që do të ndjekin rrugën e bukur, po të mundimshme të shkrimtarit, veprimtaria e tij letrare duhet të jetë model i një pune të palodhur dhe me vullnet të madh, i përpjekjeve të ngulmëta për të njohur jetën e popullit të tij dhe për ta paraqitur atë me art mjeshtëror”.(Jakov Xoxa, “Vepra letrare-1”, Tiranë, 1983; parathënie).
Vdiq në Tiranë, në vitin 1979, i nderuar dhe i respektuar nga qindra e mijëra kolegë, studentë dhe lexues të veprave të tij. Është nderuar me medalje e urdhëra të ndryshëm dhe me titullin “Mësues i merituar”.
(M.Gecaj, “Filologë që nuk harrohën”, Tiranë, 2002, faqe 39-42)
Parajumpers norge says
Every weekend i used to visit this web site JAKOV XOXA, PEDAGOG DHE SHKRIMTAR I HAPËSIRAVE TË MËDHA – Dielli | The Sun , as i want enjoyment, since this this web page conations truly pleasant funny material too.