JENI TE FTUAR!/
nga Ernesto Anderle/
Përgatiti dhe komentoi Rafaela Prifti /
Fjetëm në një botë … dhe u zgjuam në një tjetër.
Papritmas Disney nuk ka më magji,
Parisi nuk është më romantik,
Nju Jorku nuk ngrihet dot në këmbë,
Muri kinez nuk është më fortesë
dhe Meka nuk ka pelegrinë.
Puthjet e përqafimet papritur bëhen armë gjuetije,
mosvizitat te prindër e miq kthehen në akt dashurie.
Toka frymon jetën e saj dhe endet bukur fare,
në kafaz vendos vetëm qëniet njerëzore.
Mendoj se na sjell një mesazh: Nuk je thelbi.
Ajri, toka, uji dhe qielli pa ty janë mirë.
Kur të ktheheni kujtohuni që të ftuar jeni,
Dhe kurrësesi Padronët e mi.
Ernesto Anderle është autor i librave të ilustruar dhe novelave grafike shumë të suksesshme. Ai shquhet për paraqitjen vizuale të muzikës italiane dhe për lirikën grafike të imazheve të dala nga peneli i tij. Kritika e vlerëson talentin dhe stilin e patjetërsueshëm me të cilin Anderle jetëson subjektet që ka përzgjedhur t’i ilustrojë si De Andrè, Guccini, Dalla, De Gregori, Piero, Alberto Angela dhe së fundi Vincent Van Gogh. Pasioni i Ernesto Anderle-s është shprehja vizuale e një gjendje emocionale e shpirtërore që të shtyn të mendosh. Krijimet artistike dhe ilustrimet e tij grafike prekin thellësitë e botës së brendshme të lexuesit sepse ai zotëron mjeshtërinë e komunikimit në formë universale me shpirtin njerëzor.Në kohën e vetëmbylljes kur ekzistenca kolektive bëhet më delikate dhe vetmia individuale dallohet më fort, Ernesto Anderle ‘kap’ mendimet që enden në mendje dhe shpreh ndjenjat që përjetojmë në shpirt. Momentet kur ndihemi të palëkundshëm dhe të pushtetshëm janë kalimtare në mos iluzore, Momentet kur jemi të prekshëm dhe të lëndueshëm zbulojnë më qartë sesa i fuqishëm është universi dhe sa delikat njerëzimi në të.