Prof. Dr. Musa Ahmeti
Center for Albanian Studies – Budapest
Letërsia shqipe është sunduar për afro një shekull prej kultit të epopesë. Shkrimtarët e mëdhenj rilindës e shihnin veten përgjegjës ndaj epopesë kombëtare. Nga kjo përgjegjësi lindën vepra të rëndësishme prej më të mëdhenjve të letrave shqipe, që prej De Radës e Naimit deri tek Fishta.
Edhe në periudhën postromantike, deri tek Migjeni, letërsia shqipe ka përjetuar një ndjenjë detyrimi ndaj epopesë. Naimi shkroi poemën e gjatë epike „Istori e Skënderbeut“, kurse De Rada mblodhi e botoi „Rapsodi të një poemi arbëresh”. Një lloj epopeje në stilin e vet është edhe „Qerbelaja“. Ndërsa “Lahutën e Malcis” disa studiues (M. Lambertz) e kanë konsideruar “epopenë e madhe” të shqiptarëve, duke e fqinjësuar me ciklin e kreshnikëve, si “epope e vogël”.
Sikurse shumica e popujve europianë, shqiptarët e kishin kaluar “shekullin e krijimit të epopesë gojore legjendare” qysh në kapërcim të mijëvjetëshit të parë a ndoshta më herët. Eposi legjendar me kohë ishte formuar si gojëdhënë letrare kombëtare dhe bënte jetën e vet si art gojor. Por kjo epope do të mbetej jashtë vëmendjes kombëtare e ndërkombëtare deri vonë. Për herë të parë bëhet e njohur se ekzistojnë këngët epike legjendare të shqiptarëve në vitin 1896, prej një teksti të tejshkruar dhe botuar nga gjuhëtari G. Majer.
Në konceptin për epopenë dhe qendrimin ndaj saj jemi të prirur t’i mbahemi mendimit klasik të shprehur nga Gëte e Shiler, se objekt i epopesë është e kaluara epike etnike, “e kaluara absolute”; që burim i epopesë është ndërgjegjja dhe kujtesa e bashkësisë, jo përvoja individuale e subjeteve të marrë veçmas dhe që epopeja është kulti i të parëve të fisit, në kuptimin e burimit etnik të një populli.
Ky koncept përbën një referencë të rëndësishme për të vënë kufij terminologjikë ndërmjet prirjeve për të historicizuar epopenë, pa rënë në gabimin tjetër, të vjetërimit fiktiv (artificial) të saj. Kur kënga epike popullore doli prej stadit të gojëdhënës kombëtare, në lavdërimin e bëmave të heronjve të përveçëm, shekulli i epopesë u mbyll e në vend të saj nis të zhvillohej miti historik. Miti historik dhe miti legjendar qendrojnë përkundruall njëri-tjetrit si historia me prehistorinë. Me anë të miteve legjendarë popujt shkojnë në burimin e tyre, kurse me anë të mitit historik identifikohen përpikërisht në një mjedis. Në mitin legjendar ka kohë („hronos“), kurse në mitin historik ka kohë dhe „kohëtore“ („hronos“ dhe kronikë).
Në kuadër të këtij koncepti, puna dhe lidhjet e De Radës me traditën e poezisë gojore mund të shihen në dy pikëpamje: si ndikim i folklorit në krijimtarinë vetjake të poetit dhe si kontribut i tij për mbledhjen dhe botimin e letërsisë gojore.
Janë bërë shumë studime për të dyja këto aspekte, që prej Nikollë Jenos e Markianoit, deri tek Çabej e Shuteriqi, Kastrati e Varfi, Uçi e Sejdaj, Haxhihasani e Xhiku dhe studiues të tjerë më të rinj. Disa çështjeve u është dhënë zgjidhje teorike, disa të tjerave u është dhënë zgjidhje praktike. Një zgjidhje e tillë është ajo që zbatoi Instituti i Folklorit në Tiranë në vitin 1961, duke e përfshirë në tërësi lëndën e veprës “Rapsodi e një poemi arbëresh” në vëllimin e parë të “Mbledhës të hershëm të folklorit shqiptar”.
Problemi është ndërlikuar disi nga fakti se, për nevoja të njohjes, vetë letërsia kulte e De Radës është prurë në shqipen e sotme nga disa autorë, në shumë variante; proces që ende nuk mund të quhet i mbyllur. Ekzistenca e saj në variante, sido që e shpjegueshme me shkaqe gjuhësore, formalisht shtron problemin e funksionimit të letërsisë sipas parimeve të qarkullimit folklorik.
Eshtë për t’u vënë re se shpesh lidhjet e De Radës me folklorin janë vështruar si lidhje rrjedhimore, kryesisht si raporte të një poeti romantik me kulturën kombëtare. Madje ka pasur studime që i kanë teorizuar e funksionalizuar aq shumë këto lidhje, sa ta kushtëzojnë shpjegimin e tyre me çështjen homerike, me opozicionin e përjetshëm të unitarianëve dhe separatistëve dhe me çështje të tjera globale të historisë dhe të teorisë së letërsisë, veçmas të epit.
Çështja që kërkon parashtrim është shumë e thjeshtë: vëmendja e De Radës ndaj folklorit, sidomos ndaj epopesë, ishte e vetvetishme, e lidhur me qenien e tij poetike, apo për shkak të frymëzimit të tij romantik?
Përkundër disa vlerësimeve të njohura, duket se lidhjet e De Radës me traditën gojore nuk burojnë nga ndonjë teori dhe nuk janë aplikim, aq më pak thjesht një rrjedhim i romantizmit. Këto janë lidhje që do të mbeteshin të nënçmuara duke i kushtëzuar me teoritë dhe shkollat letrare, cilatdo qofshin ato, pavarësisht se nuk mund të mohohet ndikimi i tyre.
Kulti i epopesë tek De Rada është pjesë e mitit të së shkuarës, e hyjnizimit të “motit të madh”. Nëse kjo çështje do të shihej në mënyrë teknokratike, atëherë do të duhej të pranohej se romantizmi i De Radës është romantizëm prapavajtës. Karakterizimi teorik i romantizmit si drejtim dydegësh, futurist-utopik dhe retrospektiv, do të bëhej pengesë për të kuptuar në tërësi veprën e tij.
De Rada dhe poetë të tjerë të Rilindjes iu drejtuan epokës arbërore jo për ta arratisur veten dhe lexuesin në thellësitë e historisë, por pikërisht për të nxitur frymën e ndryshimit dhe besimin për një Shqipëri tjetër.
Kulti i epopesë tek De Rada dhe tek disa shkrimtarë të tjerë të fillimeve të Rilindjes shfaqet gati-gati në formën e një ankthi. Nuk është se De Rada, siç ishte në modë tek romantikët, kishte ndonjë paragjykim letrar, se duke i paraqitur veprat e veta si traditë popullore do të fitonte më shumë lavdi. Shqetësimi për epopenë në thelb tek De Rada nuk është një shqetësim përjashtimisht letrar, por shqetësim që lidhet me pohimin e identitetit kombëtar.
Nëse pranohet se romantizimi nuk përbën një arsye të vetëmjaftueshme për të shpjeguar vlerësimin dhe vëmendjen e De Radës për folklorin, rezulton i tepërt çfarëdo diskutimi nëse ai mistifikoi, manipuloi apo mashtroi, duke shërbyer letërsinë si folklor apo anasjelltas, duke ndjekur Merimenë apo Makfersonin, kur vendosi të botojë “Rapsodi të një poemi arbëresh” si një përmbledhje këngësh popullore, apo “Rrëfimet e Arbërit”.
Që lënda poetike e “Rapsodisë shqiptare” është mbledhur nga këngëtarë popullorë dhe nuk është fabrikuar si imitim i saj prej De Radës, kjo është një çështje tashmë e provuar. Vetë De Rada pohon se një pjesë të këngëve të librit “Rapsodi e një poemi arbëresh” nuk i kishte mbledhur vetë, por miku i tij Engjëll Basileu (1834). Një pjesë tjetër e këngëve gjendet edhe tek “Shtojca” e “Gramatologjisë shqipe” të Kamardës. Nga studiuesit më vonë është bërë e ditur se një numër këngësh të kësaj përmbledhjeje janë të njëjtat me ato që përmban “Dorëshkrimi i Kieutit” (1737), i cili ishte mbledhur një shekull e ca më herët se botimi i De Radës. Motive thuajse përpikërisht analoge të këngëve të “Rapsodisë shqiptare” rezultojnë të jenë mbledhur jo vetëm prej veprimtarëve arbëreshë të letërsisë, madje më herët se De Rada, si Vinçens Dorsa e Zef Ferrari, por edhe nga Thimi Mitko, që përfundimisht është më i padyshimti për manipulim me tekstet e letërsisë gojore. Veç kësaj, sikurse është provuar prej breznive më të reja të mbledhësve të folklorit, duke përfshirë Ndon Belushin, ka shumë motive të tjerë që kanë mbijetuar në formë gojore deri në vitet 1960-1970 të shekullit të 20-të.
Kulti i epopesë tek De Rada përjashton manipulimin me lëndën bazë. Ai shprehet kryesisht në përpjekjen për t’u dhënë teksteve gojore të mbledhura frymën dhe pamjen e një poeme, të një libri të pandashëm. Por a ishte ky një gabim i poetit? A kishte të drejtë De Rada ta kërkonte në popull epopenë dhe a sillte deformim në letërsi e në folklor krijimi, në vend të saj, i një epopeje imagjinare, me lëndë popullore?
Kur De Rada nisi të punojë për përgatitjen e botimit të “Rapsodi të një poemi arbëresh” mbledhësit e folklorit ende nuk e kishin prekur eposin e kreshnikëve. Nga cikli legjendar i së shkuarës absolute nuk kishin gjë as Mitkoja, as Spiro Dine. Do të duhej të kalonin edhe disa dekada, derisa në vitin 1896 G. Majer do të botonte të parën këngë të ciklit të kreshnikëve dhe pak vite më pas do të shtohej diçka në “Gramatikën shqipe” të Gasper Jakova – Merturit. Në këtë kuptim, De Rada i dha formën e një epopeje përmbledhjes “Rapsodi e një poemi arbëresh”, në kushtet e mungesës së një epopeje të vërtetë legjendare. Kjo qe një punë mjaft e mundimshme, sepse, në konceptin e De Radës, ishte i qartë dallimi ndërmjet së kaluarës absolute dhe së kaluarës relative, të cilave në pikëpamjen letrare u përgjigjej epopeja legjendare dhe epopeja historike.
Nuk e dimë nëse De Rada e kërkoi eposin legjendar tek këngëtarët arbëreshë. Dihet se gjurmë të eposit tek arbëreshët nuk u gjendën as atëherë, as më vonë; sikurse nuk u gjendën as tek arvanitasit, madje as të ngulimet relativisht të vonshme, si arbëreshët e Zarës e kelmendasit e Sremit.
Eshtë një çështje e mprehtë, që kërkon shpjegim prej shkencës së etnologjisë, pse tek shqiptarët e shpërngulur mbijetuan mirë lirika, kënga e dasmës, vajtimi, fondi i baladave, urimet dhe ngushëllimet, përshëndetjet dhe mallkimet, deri në një farë mase edhe epika historike, kryesisht ajo për Skënderbeun, kurse gjurmë të eposit nuk mbetën. Duke mos e vënë në dyshim arritjen e kësaj shkence në përfundimin se eposi shqiptar ishte mbyllur në kohën e fillimit të periudhës osmane, do shpjeguar pse nuk u ruajt në mjedisin e ri kulturor. Argumenti se popullsia e shpërngulur në mjediset e reja demografike (Itali, Greqi, Kroaci) nuk vinte prej “zonës së ciklit legjendar” jo vetëm që nuk është i mjaftueshëm, por, madje, mund të qortohet shkencërisht. Dihet se shpërnguljet e shqiptarëve kanë qenë stacionare. Në zonën bregdetare jugore të Shqipërisë përsëriten edhe sot emrat e mbiemrat tripjesësh karakteristikë të malësorëve të Shqipërisë së veriut (Gjidede, Gjipali, Gjonkutaj). Në poemat e De Radës dalin krahas njëri-tjetrit si toponime të të njëjtit mjedis Himara dhe Scutari. Të mos flasim për kelmendasit e shpërngulur në fillim të shekullit të 18-të e të vendosur në Srem dhe Hrtkovc, që gjithashtu nuk ruajnë gjurmë të epikës legjendare.
Meriton të njëjtën vëmendje edhe fakti që, ndërsa në ngulimet e hershme shqiptare jashtë vendit kujtesa e eposit u errësua, përkundrazi, në hapësirën historike shqiptare mbijetoi eposi legjendar, por epika historike për Skënderbeun u shua dhe në traditën folklorike heroi kombëtar mbërriti në kohët moderne vetëm “mbas gojëdhanash”. Ndoshta teoritë letrare nuk do të mjaftonin për një shpjegim përmbyllës. Njëfarë ndihme mund të vijë prej teorive frojdiste e post-frojdiste, duke ditur që lirika është e lidhur kryesisht me ciklin e jetës njerëzore, “prej djepit në varr”, me dashurinë, martesën, lindjen dhe vdekjen, nocione që kanë kuptime të ndryshme nën censurë e mbi censurë, nën vetëdije dhe në vetëdije.
De Rada i ka shprehur në mënyrë terminologjike raportet e veta si mbledhës dhe botues i përmbledhjes “Rapsodi e një poemi arbëresh”. Eshtë thënë se në titullin e kësaj përmbledhjeje fjala “rapsodi” ka kuptimin e këngës, kur dihet mirë se De Rada përdor fjalën arbëreshe “kangjelje” për “këngë”. Në përdorimin terminologjik fjala “rapsodi” ka kuptimin e bashkëlidhjes së rrëfimeve popullore. Në një kalkim prej greqishtes, të cilën De Rada e njihte, rapsodi do të thotë “qep, lidh”, nga rrënja “rapt” dhe “epe, rrëfime, këngë”, po nga greqishtja “ode”. Në të vërtetë De Rada bëri pikërisht punën e bashkëlidhjes dhe renditjes së këngëve popullore, sipas termit që zgjodhi, duke kryer detyrën e vështirë të bartjes së kumteve gojorë në kumte të shkruar.
Shërbimi më i rëndësishëm që i bëri De Rada traditës folklorike shqiptare është identifikimi, përzgjedhja dhe botimi i këngëve popullore të ciklit të Skënderbeut. Bota arbëreshe është e vetmja që ruajti epikë historike gojore për Gjergj Kastriotin, duke e shpëtuar traditën folklorike shqiptare në përgjithësi nga një mangësi e madhe. Se sa burimore janë këngët e këtij cikli, kjo dëshmohet prej frymës dhe formës njëherësh. Në këngët e arbëreshëve të Italisë vdekja e Skënderbeut paralajmërohet si një gjëmë qiellore. Moti gjëmon nga vetëtimat dhe bubullimat, toka tronditet e çahet. Ky përfytyrim të sjell ndërmend përshkrimet evangjelike të kryqëzimit të Krishtit.
Në mesin e viteve 1950, Stavro Skëndi, një dijetar shqiptaro-amerikan, duke u marrë me lidhjet e eposit shqiptar me eposin e bosnjakëve muslimanë dhe më gjerë me këngët epike sllave në përgjithësi, pa lënë jashtë kujdesit këngët akritike greke, pati vënë re me mençuri ndikimin e motiveve dhe figurave biblike në këngët e hershme historike ballkanike, në radhë të parë në ciklin e Skënderbeut tek shqiptarët dhe pastaj në ciklin e Krajleviq Markos tek sllavët. Skëndi bën një përpjekje që mund të vlerësohet e suksesshme për të theksuar “një frymë të krishterë” të këtyre këngëve. Vetë kjo frymë është një fakt që provon hershmërinë e këngëve të ciklit të Gjergj Kastriotit. Pa dyshim se arbëreshët u ndanë nga atdheu i tyre duke marrë me vete si kujtim lavdinë e kryezotit Skënderbe si heroi i besimit. Shkenca do të zbulonte më vonë heroin kombëtar.
Tejshkrimi i kumteve gojorë në kumte letrarë është një proces i vështirë edhe sot, kur mjetet e teknikës kanë bërë të mundur ruajtjen e dëshmive zanore dhe matje të përpikëta fonologjike. Për këtë arsye folkloristët njohin tejshkrime me shkallë të vogël apo me shkallë të lartë gabueshmërie. Ky rrezik nuk ekziston për letërsinë. Prandaj shpesh për të dalluar tekstet folklorikë prej atyre letrarë kërkohen “lapsuset” dhe paqartësitë kuptimore. Të tilla mund të gjenden edhe tek „Rapsodi e një poemi arbëresh”. Eshtë me vend të përmendet se në ciklin e këngëve për Skënderbeun, siç ruhet tek arbëreshët, pikërisht në këngën për martesën e Gjergj Kastriotit, kur flitet për zgjedhjen e tij, thuhet: “Katar dërgoni tek zonja / te Donikë Marinëza”. Këtu emri i vajzës së princit të Arianitëve del si epinom, sikurse ishte ruajtur në gojëdhënat e arbëreshëve dhe sikurse del edhe sot tek shqiptarët e Bregdetit: “Skënderbeu u martua me Marinën, të bijën e Aranitit, princit të Himarës”. Në të dyja rastet kemi të bëjmë me një përdorim përkëdhelës të emrit “Maria”. Ndërsa leximi i këtyre dy vargjeve duket se ka shkaktuar keqkuptime pikërisht për shkak të tejshkrimit të gabuar të fjalës “kartë“ (“Kartë dërgoni te zonja / te Donikë Marinëza“), gabimisht e kuptuar si toponim, thuajse në të gjitha botimet (“Katar“). Këto “gabime“ në transkriptim janë pjesë e procesit të kalimit prej oralitetit në literalitet, prej gojshmërisë në letërsishmëri.
De Rada kishte njohuri të thella gjuhësore dhe me ekzigjencë ka paraqitur jo vetëm vlerat fonologjike të arbërishtes, por edhe disa dukuri gjuhësore me burim të moçëm, si dyfishimi i zanores së theksuar dhe sidomos theksi tonik dhe, herë-herë, ai gnomik-topik, që kërkon leximin përkatës, leximin e kënduar. Identifikimi i këtyre arkaizmave gjuhësore, brenda ligjërimit arkaik të arbëreshëve, është shumë i rëndësishëm për të provuar burimin gojor të teksteve dhe për të vërejtur se në ç’masë vuri dorë poeti.
Një çështje që nuk mund të shmanget në rastin e shqyrtimit të raporteve të De Radës me epopenë përgjithësisht e me “Rapsodi të një poemi arbëresh“ veçmas është nëse ai arriti ta çlirojë veten nga ankthi i ekzistencës së një epopeje kombëtare, një vlerë etnoformuese dhe etnoidentifikuese për atë periudhë. “Rapsodia shqiptare“ lejon të konkludohet se poeti arriti të krijojë një epope historike, me një Shqipëri ideale, të mbushur me bujarë, fisnikë, baronë, kontë, zotër e kryezotër, princër e dukë, familje të mëdha patronimike, peshkopë dhe klerikë të lartë, heronj dhe kryetrima. Me “Rapsodi të një poemi arbëresh“ De Rada u krijoi bashkatdhetarëve një atdhe shpirtëror dhe shqiptarëve një Shqipëri ideale.
Epopeja që formoi De Rada me këngët e popullit ka një gjeografi dhe toponimi historike reale. E njëjta gjë ndodh edhe me emrat e përveçëm të zotërve arbër. Kjo është aq e vërtetë, sa autoriteti i toponomastikës letrare të De Radës u imponua edhe mbi toponomastikën që kishin krijuar arbëreshët në botën e tyre të vogël shqiptare përtej Adriatikut. Zor se mund të jetë përsëritur ndonjëherë që emri gjeografik letrar të ketë zënë vendin e emrit historik-real, siç ndodhi, pikërisht nën autoritetin e artit të De Radës, ndërrimi i emrit të “Piana dei Greci“ në “Hora e Arbëreshëve“. Kjo ndodhi edhe me heronjtë e këngëve të poemit arbëresh, duke përfshirë Pal Golemin me psherëtimën e tij gjëmëtare. Për shkak të fuqisë së këngës, me botimin në përbërje të “Rapsodisë“, prej shumë arbëreshëve konsiderohej një personazh historik.
De Rada pati një vështirësi të madhe për të krijuar epopenë. Lënda popullore që gjeti në thelb kishte një problematikë homocentriste, kurse epopesë i duhej një lëndë etnocentriste. Lënda poetike popullore kishte heronj të idilizuar, pa trimërira të bujshme, pa epizëm deklamativ. De Rada arriti të krijojë një epope me folklorin që mblodhi duke e kërkuar fatin e bashkësisë tek fati i individit, përkundër rendit që do të kërkonte një epope.
“Rapsodi e një poemi arbëresh“, duke qenë një përmbledhje këngësh që u ruajtën në një mjedis kulturor ishullor, ku zakonisht zhvillimet ngadalësohen dhe proceset ruajtëse përforcohen, merr një rëndësi të posaçme për krahasimin e zhvillimit të traditës gojore prej mesjetës në kohët moderne.