
QSPA/
Me këtë studim, Gualtieri e rizbuloi De Radën, duke e parë atë si poet romantik dhe duke e inkuadruar në kohën e vet, pa ia mohuar origjinalitetin e papërsëritshëm. Ndonëse Gualtieri ka në bazë të vet metodën historiko-krahasuese dhe nuk ka arritur te formalizmi, di të gërmojë në formën e pasur të poezisë së De Radës, shpjegon fragmentarizmin e tij, jo si të metë por si parim krijues të lidhur me romantizmin; afrimin e tij me poezinë popullore si përbërëse të rëndësishme të origjinalitetit të tij, afrimin e tij me vargun e lirë si zbulim estetik që e afron me modernitetin; shpjegon dallgëzimet e frymëzimit që e bënë në disa raste të dobësonte formën e varianteve të ripunuara, me “etjen për pafundësi” karakteristike për romantikët dhe me fazën e re që do të kalojë romantizmi i tij. Për herë të parë kjo vepër studimore zbulon, jo vetëm lidhjet e De Radës me romantizmin europian, por nxjerr në pah edhe nivelin europian të arritur nga krijimtaria e këtij arbëreshi në planin estetik. Kjo monografi është shkuar me frymë objektive e origjinale dhe është e pasur me vëzhgime të mprehta dhe me një qasje largpamëse.
Librin “Jeronim De Rada, poeti arbëresh”, në versionin online, mund ta gjeni duke trokitur në këtë vegëz: https://heyzine.com/flip-book/3c254dff7e.html#page/1