Artan Nati/
Disa njerëz lindin të prirur për të shkruajtur, lindin si të pushtuar nga kjo ndjenjë, lindin si të thuash me një kruarje që duhet ta gërvishtin.Talenti godet një objektiv që askush tjetër nuk mund ta godasë, ndërsa gjeniu godet një objektiv që askush tjetër nuk mund ta shohë. Sigurisht që është çdo gjë përveç kësaj, por shkrimtarët gjenialë që e lënë talentin e tyre të zhvillohet, të cilët punojnë për të, janë ata që dalin në krye. Janë ata që koha i nxjerr, por që krijojnë kohë edhe vetë. Ndoshta gjithçka përmblidhet në këtë: nëse mund të zhvillosh një audiencë të madhe dhe t’i argëtosh, atëherë je një shkrimtar i shkëlqyer, por nëse mund të zgjosh interesin dhe frikën e elitave diskriminuese, atëherë je një gjeni. “Kohët e errëta sjellin surpriza të pakëndshme, por të bukura”, ka thënë dikur Kadare në një intervistë. “Letërsia shpesh ka prodhuar vepra madhështore në epoka të errëta, sikur të kërkonte të korrigjonte fatkeqësinë e shkaktuar mbi njerëzit,”
Ashtu si Homeri, Dante, Servantesi, Shekspiri dhe Gëte, edhe Kadare prodhoi vepra madhështore duke e rradhitur ndër emrat më të mëdhenj të letërsisë botërore dhe me të drejtë mund ta quajmë atdheun tonë si Shqipëria e Kadaresë, siç thuhet Italia e Dantes, Spanja e Servantesit. Anglia e Shekspirit apo Gjermania e Gëtes. Kadare u frymëzua nga Makbethi i Shekspirit si fëmijë, dhe mbante Danten, Gëten dhe Servantesin, ndër heronjtë e tij. Për ironi, diktatori Hoxha vinte nga i njëjti qytet malor, si për të na treguar se hyjnorja triumfon mbi djallëzoren.
Kadareja, duke qenë mjeshtër i penës, tregoi aftësinë që, duke shkruar dhe punuar në kohën e komunizmit, kaloi përtej standardeve artistike të realizmit socialist. Ai shfaqi një shumëllojshmëri stilesh si modernizëm të lartë, por edhe surrealizëm gjithashtu edhe realizëm magjik duke kritikuar regjimin komunist nëpërmjet miteve, surrealizmit si edhe parabolave në mënyrë të tërthortë . Në këtë këndvështrim, mund ta shohim Kadarenë artistikisht si disident. Statusi i tij si disident është një çështje e diskutueshme në Shqipëri dhe shumë shqiptarë janë shumë kritikë ndaj tij. Ai kishte pushtet dhe privilegj gjatë komunizmit, por, në të njëjtën kohë, u përball me një kontroll dhe ngacmim të konsiderueshëm nga partia. .Kadareja kishte një audiencë relativisht jo shumë të madhe në perëndim, sidomos në botën anglo-saksone, tipike kjo për shkrimtarët elitar, por lexuesit e tij ishin besnike dhe të përkushtuar. Ata vlerësonin sesi Kadareja ndriçonte ndërveprimin midis miteve dhe realitetit dhe e përdorte këtë për të zbuluar marrëdhëniet e pushtetit diktatorial me masat. Kjo mund të jetë njëra nga arsyet e suksesit të tij në lexuesit cilësorë në perëndim dhe në rrethet elitare të shkrimtarëve botërorë. Gjithashtu ekzotizmi i tij nga këndvështrimi perëndimor si edhe talenti i tij i veçantë si rrëfimtar bëri të mundur që figura e tij të krahasohej me Kafkën apo Orwell.
Shumë shkrimtarë shqiptar, xheloz për veprën e tij, por edhe shumë të persekutuar të regjimit, duke mos kuptuar veprën, stilin dhe humorin e tij të zi ndaj regjimit komunist, arritën të krijojnë një perceptim të padrejtë për Kadarenë. Këtë fenomen Kadareja e ka shpjeguar me mjeshtëri te libri i tij Dosja H”, ku disa shqiptarë mashtrohen nga kleri serb, duke sabotuar promovimin e kulturës tonë në botën anglo-saksone.
Si gjithmonë, siç ndodh shpesh në vendin tonë, vetëshkatërrimi pati efekt mbi shumë kritikë letrarë në perëndim, që më parë e lëvdonin Kadarenë, por më vonë filluan ta kritikonin, megjithëse vepra e tij nuk kishte ndryshuar. Mendoj se shumica e tyre nuk e njihnin realitetin brutal të Shqipërisë, me të cilin duhej të përballeshin autorët shqiptarë, ndaj dhe besuan shumë lehtë në thashethemet nga skena letrare e përçarë shqiptare si edhe nga prapambetja e madhe kulturore Shqiptare. Kjo prapambetje e madhe mesjetare, si pasojë e otomanizmit dhe regjimit komunist në Shqipëri, bëri të mundur të krijonte një mjegull ndaj gjeniut të letrave shqipe dhe ta dënonte atë si Sokratin në Greqinë e lashtë(sepse po helmonte mëndjen e të rinjve me mendim kritik), duke i mohuar çmimin nobel. Me komunizmin e Hoxhës, duke qenë një degë e stalinizmit, Shqipëria nuk ishte vendi ku mund të rebelohej vërtet. Shumica e disidentëve ishin ose të vdekur ose të burgosur.
Kadareja vetë është shprehur se i është dashur të bëjë kompromise, siç është rasti i romanit “Dimri i madh”, ku diktatori Hoxha përshkruhet si udhëheqës madhështor dhe diktatorit i pëlqeu shumë portretizimi i tij saqë ai nuk e ndëshkoi autorin për veprat pasardhëse me tone të qarta politike. Kjo edhe për faktin se me eleminimin e Kadaresë, do të zhdukej edhe libri i tij me portretizimin e Hoxhës. Ky libër garantoi mbijetesën fizike të Kadaresë dhe shërbeu si siguracion politik për të.
Kështu romani i tij më i njohur “Pallati i Ëndërrave”, i cili është cilësuar nga disa kritikë si romani i tij më i mirë, mund të konsiderohet një disidencë e hapur artistike. Ky roman u shkruajt si një alegori pë regjimet totalitare, ku autoritetet kontrollojnë gjithë jetën e njerëzve, përfshirë këtu edhe nënndërgjegjen e tyre, nëpërmjet ëndërrave të tyre.
Kadare la një trashëgimi të qëndrueshme që ne e shohim pothuajse çdo ditë Një trashëgimi është diçka që kalohet në breza, që mund të jetë ose e mirë ose e keqe. Kadare la një trashëgimi librash dhe fjalësh dhe famën e të qenit një nga shkrimtarët më të mëdhenj në botë, të paktën në hemisferën perëndimore. Në jetën e tij ai krijoi shumë vepra letrare dhe fjalë që njerëzit i përdorin kudo çdo ditë sot.
Kadare është në qendër të Letërsisë Botërore. Emri i tij lidhet me mendjet më të shkëlqyera në histori. Ai është në vetë historinë e evolucionit të kulturës.
Sigurisht, Kadare pati një efekt pozitiv në Shqipëri, Ballkan dhe në botë, sepse ai ndryshoi krejtësisht mënyrën se si ne e shohim letërsinë. Ai iu përkushtua punës së tij. Ai kishte një talent të tillë për të shkruar, sa mund të thuhet lehtësisht se ishte një gjeni. Ai ishte i njohur gjerësisht për novelat dhe romanet e tij. Romanet e tij vazhdojnë të studiohen në skenë në shkolla anembanë globit. Puna e tij ishte themeli i shumë filmave dhe shfaqjeve televizive. Letërsinë e tij e njohin njerëz nga çdo vend. Ne vazhdojmë të mësojmë dhe studiojmë veprën e tij. Një nga shumë gjëra të tjera që bëri ishte ai krijoi shumë fjalë dhe fraza fjalori që përdoren ende sot e kësaj dite.. Ai pati një ndikim të madh në gjuhën shqipe. Ai na dha mënyra unike të gjalla për të shprehur shpresën dhe dëshpërimin, pikëllimin dhe tërbimin, dashurinë dhe epshin.