Inesa Sulaj/
Mjeda politikan – Gjatë viteve 1912-1915, Mjeda u angazhua kryesisht me politikën kombëtare, ndërkohë që eshte“thyer”pendën poetike. Pas 1912-ës kishin ardhur kohë vendimtare për fatet e Shqipërisë, prandaj Mjeda vendosi të sakrifikojë punët dhe planet e vjetra:ai iu kushtua plotësisht politikës kombëtare. Mjeda mori pjesë aktive në jetën parlamentare 1921-1924 duke u rradhitur në opozitën shqiptare,ku u shqua për opsionet,për përgatitjen e gjithanshme, për hartimin e ligjeve, për drejtimin me kompetencë të komisioneve parlamentare, si dhe për debatet në seancat plenare. Mjeda u zgjodh si deputet i Shkodrës që në krijimin e Parlamentit të parë Shqiptarë në vitin 1921.Që në fillimet e parlamentit, Mjeda u zgjodh si anëtar i komisionit parlamentar të bujqësisë, ku u dallua per kontributin e tij. Ai qe mjaft aktiv në debatet për bujqësinë shqiptare dhe për ndihmesën që dha për hartimin e projektligjit mbi favorizimin e bujqësisë shqiptare. Mjeda interesohej për Zadrimën, fshatrat në zonën e Luginës së Drinit, Barbullushin në periudhën që ishte deputet në Tiranë , për të zgjidhur ankesat dhe problemet e fshatarëve. Më 20.07.1921, Mjeda votoi kundër projektit të qeverisë së Xhafer Ypit për futjen e duhanit të huaj në Shqipëri,me qëllim mbrojtjen e prodhimit vendas.
Angazhimet e Mjedës në bujqësi lidheshin ngushtë me aspiratat e tij atdhetare e demokratike. Ai ishte i pari që solli veglat bujqësore për fshatrat e Zadrimës dhe shpenzoi një pjesë të mirë të kohës për tu marr me bujqësi. Mjeda synonte përmirësimin e jetës së popullit , kryesisht përmes punës së vetë njerëzve. Pas drejtimit të komisionit bujqësor, Dom Ndre Mjeda së bashku më Mustafa Krujën u caktuan në Komisionin Parlamentar të Drejtësisë. Mjeda pati një veprimtari të gjerë në këtë komision parlamentar kryesisht për hartime projektligjesh. Mjeda u përfshi dhe në çështjen e Mirditës , në 03.07.1921 Mjeda dhe deputetët e Shkodrës , i drejtohen Kryeministrit, Iliaz Vrioni ku përshkruanin gjëndjen e vërtetë Mirditës, duke treguar rrugët e zgjidhjes së çështjes së Mirditës. Ai ishte krejtësisht i angazhuar në drejtim të ruajtjes së pavarësisë dhe integritetit kombëtar.
Në 11 tetor të këtij viti u krijua me iniciativën e Avni Rustemit Bashkimi i Shenjtë që përbëhej nga 40 deputetë ku morën pjesë dhe Ndre Mjeda, Gjergj Fishta dhe Luigj Gurakuqi të cilët punuan për krijimin e një qeverie të aftë për të përballuar situatën e rëndë të krijuar nga ndërhyrjet jugosllave. Bashkimi i Shenjtë u shpërbë dhe filloi lufta mes dy partive politike të dy partive të mëdha: popullores dhe asaj përparimtares ku bënte pjesë dhe politikani Ndre Mjeda. Nuk ishin të gjithë deputetët në nivelin e Mjedës që të arrinin të përcaktonin bashkëjetesën në mes të diversitetit dhe unitetit , asaj që ishte e tanishme dhe asaj që do ishte e ardhme, e vetjakes dhe përgjithshmes.
Mjeda është ndër politikanët shqiptarë ndoshta i pari që solli praktikën e lobingjeve në Shqipëri, praktikë kjo e vendeve të qytetëruara, ku lufta politike dallohej për tolerancë e civilizim. Në vitin 1923 Ndre Mjeda së bashku me Hilë Mosin përgatitën projektligjin për zbritjen e taksës për lejet e gjahut të peshkut . Mjeda ngriti zërin në seancat e parlamentit, në mbrojtje të interesave të vegjëlisë, të qytetarëve katolikë, për shtresat e varfëra të popullit si dhe për arsimimin e tyre. Në 05.03.1923 Mjeda u zgjodh në Komisionin e Arsimit, Punëve Botore e Bujqësi. Mjeda u tregua ndër më vepruesit në punimet e parlamentit duke punuar njëkohësisht në 2 ose 3 komisione parlamentare.
Ndre Mjeda që kishte njohur rregullat e lojës në perëndim, këmbëngulte për hartimin e ligjeve, rregulloreve që rregullonin veprimtarine e parlamentit. Njohës i mirë i ligjeve si dhe gjuhëve të mëdha europiane , ai kishte mundësi të shfrytëzonte përvojën e shteteve me tradita demokratike. Mjeda u caktua nga Komisioni i Drejtësisë dhe hartoi ligjin e Këshillit ligjgatitës të cilin e ndau në 4 kapituj me 25 dispozita , kapitulli 1 përmbante Krijimin dhe organizimin e Këshillit, kapitulli 2 përmbante Sekretarinë, kapitulli 3 përmbante Të drejtat dhe detyrat e Këshillit dhe kapitulli 4 përmbante Dispozitat tranzitore. Ndre Mjeda hartoi rregulloren e parlamentit Rregullorja e brendshme e Parlamentit e cila u miratua nga Parlamenti Shqiptar. Këto dispozita përcaktonin ligjin për formimin e komisionit për shqyrtimin e zgjedhjeve të deputetëve, si dhe funksionimin e tij.
Mjeda kryesoi komisionin parlamentar të arsimit , ai shqyrtoi organikën e Ministrisë së Arsimit , nga pozita e tij si specialist i vjetër i kësaj fushe . Ai paraqiti në cilësinë e kryetarit të komisionit të arsimit, 3 projektligje të rëndësishme për arsimin kombëtar: ligji organik për profesorët e shkollave të mesme, ligji mbi mësuesit shëtitës dhe ligji mbi revistën pedagogjike.
Në vitin 1923 Parlamenti Shqiptar krijoi komisionin parlamentar të posacëm, Komisionin e Arkeologjisë me në krye Ndre Mjedën. Mjeda njihej për interesimin e tij për gjetjet arkeologjike në vendin tonë, i cili i konsideronte si një nga burimet më efikase për të vërtetuar autoktoninë e shqiptarëve. Me këtë rast u angazhuan studiuesi nga Viena, Dr. Karl Patsch, Justin Godart i cili ishte shef i kërkimeve arkeologjike franceze në Shqipëri dhe Leon Rey arkeologu francez. Ndre Mjeda së bashku me ministrin e arsimit bënë përpjekje për të kufizuar zonat në të cilat ishte planifikuar për të bërë kërkime arkeologjike nga pala franceze në Durrës edhe pse qeveria franceze donte të kishte të drejtë të bënte kërkime në gjithë territorin shqiptar.
Në 12.05.1923 në parlament pasi filluan bisedimet mbi projektligjin mbi komunitetet fetare , Mjeda ngriti zërin për të drejtat e qytetarëve katolike ndërkohë që njihet për përpjekjet për të respektuar besimet e të tjerëve, për të bashkëpunuar e dialoguar me të tjerët.16 Përpjekja e Mjedës për të biseduar me deputetët ortodoksë, flet për botëkuptimin e tij demokratik. Në 1925 Mjeda u tërhoq përfundimisht nga jeta politike , dhe vendos ti shërbejë atdheut në një fushë tjetër në atë të gjuhësisë.
Mjeda Teolog – Ndre Mjeda filloi të shquhej që në moshë të rë për një talent natyror në fushën e letrave dhe shkencave humane.Kjo gjë u dallua dhe u kultivua në kohën e studimeve të gjata të viteve 1880-1895,kur që në moshën 16 vjecare ai u dërgua për studime nga jezuitët në vende të ndryshmë të Europës si: Itali Cremona,Chieri), France(El Pog ,Cosse-le,Vivien),Kroaci (Kraljevica), Spanjë (Porta Coeli,Ara Christi) dhe deri në Poloni)Krakow. Këtu Mjeda përfundoi studimet e larta u shugurua për meshtar të kishës katolike e më pas u laurua dhe Doktor në Teologji. Me kthimin në atdhe , Ndre Mjeda realizoi një prej planeve të tij më të zjarrta: të bëhej misionar. Ai ishte një nga teologët më të shquar të etërve jezuite. Ai botoi shumë libra në ndihmë të meshtarëve si dhe katekizma për të mësuar doktrinen e krishterë. Në 15 qershor 1895 Ndre Mjeda merr kungimin si prift dhe shpallet At i Shoqërisë së Jezuitëve në Kroaci.
Disa prej hartimeve dhe përkthimeve biblike që u botuan gjatë jetës së tij studentore: Jeta e Shën Gjon Brechmansit(1888), Përngjasimi i Zojës së Bekuar përkthyer nga spanjishtja në Romë (1888). Këtë aktivitet Mjeda e vazhdoi dhe pas kthimit në atdhe , duke qënë kjo edhe një fillim i mbarë për zhvillimin e mëtejshëm të arsimimit kulturor e fetar, të cilin ai e kultivoi tërë jetën. Gjatë punës shumëvjeçare baritore e shpirtërore në famullitë: Vig , Mnelë (1899-1900), Dajç të Zadrimës (1902-1906), Kukël (1907-1937) dhe disa famulli të tjera përreth , duke parë nevojën e mësimeve biblike në shqip Mjeda vazhdoi të merrej me përkthimin dhe hartimin e librave shpirtërorë e teologjik. Në vjeshtë të vitit 1898 Mjeda u largua nga Shoqëria e Jezuitëve , një ndarje me karakter të qetë e diplomatik.Në 1899 me kthimin në atdhe , ai u vendos famulltar i Vigut ku qëndroi deri në 15 mars 1902. Gjatë periudhës që Mjeda ishte famulltar i Vigut, krahas angazhimeve të shumta në fushë të letërsisë, gjuhësisë e historisë, ai reformoi gjithë veprimtarinë e tij famulltare. Në këtë mes përfshihet dhe puna e tij për restaurimin e banesës së famulltarisë, dhe kishës.
Në vitin 1901 ai hartoi një doracak të vlefshëm me alfabetin e jezuitëve për famulltaritë e fshatrave, por edhe besimtarët, me titullin “E diela ndër kisha t’katundeve” me një gjuhë të pastër e të kuptueshme duke shpjeguar veprimet që bëhen në kishë,si nga prifti ashtu dhe nga besimtarët. Ndërsa pjesa e dytë që përfshihej në këtë doracak ishte një katekizëm i shkurtër i doktrinës së krishterë më titull T’mbledhunit e vocërr e msimit t’Kshten”. Në prill të vitit 1902 Mjeda vendoset sekretar i Ipeshkvit te Sapës dhe qëndroi në këtë detyrë deri në vitin 1906.
Dom Ndre Mjeda ishte kryetar i Apostullimit të Uratës, si dhe anëtar i Komisionit të ndërtimit të kishave. Mjeda vetë ndërtoi kisha e qela të ndryshme, si Kishën e Shën Mëhillit në Vig , Kishën e Mnelës, Kishën e Kodhelit, Kishën e Nënshatit ku mori pjesë dhe drejtpërdrejtë në ndërtimin e saj. Mjeda ka kontribuar dhe ka qënë bashkëpunëtor i revistave Elcia, Kumbona e së Diellës, Leka, Hylli i Dritës dhe Zani i Shna Ndou. Ndërkohë që jepte mësim në Dajç të Zadrimës në vitin 1904 Ndre Mjeda ka bërë shërbime fetare në ndihme të një famulltari Imzot Lazër Lisma .
Në 17 mars 1905 Mjeda mori detyrën në një nga famullitë më të vjetra në Grash , ku hartoi dhe ndërtoi një qelë me dy kate ku banoi dhe vetë. Në vitin 1907 kur Mjeda u vendos në Kukël, kisha qelë ashtu sikurse i gjithë fshati ishin në gjëndje të vajtueshme . Ai shërbeu plot për 30 vjet në famullinë e Kuklit . Fillimisht ai filloi ndërtoi shtëpinë famullitare dhe më pas Kishën me ndihmën financiare të Perandorisë së Austro –Hungarisë. Mjeda për nevojat e kishës ,për shtresën rinore përktheu dhe botoi, librin Historia Shejtë të teologut të njohur të Kishës Katolike Roberto Ballarminit dhe Katekizmi i Madh e cila ishte një përmbledhje e shkurtër e mësimit të krishterë, i cili gjatë vitit 1927 pati 4 botime. Për edukimin e brezave të rinj shqiptarë, Mjeda përktheu edhe librin e njohur për rininë europiane “Shën Luigi Gonxage”, botuar në Shkodër 1927. Duke vlerësuar rolin që në historinë shqiptare kishte Zoja e Bekuar –nëna e Jezu Krishtit , Mjeda e vuri pendën e tij të mbrehur në funksion të kësaj shenjtëreshe. Ndaj botoi në Shkodër në vitin 1929 edhe pjesën e parë të librit Lumni e Zojës së Bekueme, libër që u përkthye që nga koha studentore. Më pas ai përgatiti një libër tjetër Jeta e se Lumës Virgjin Mri nxjerrë nga vepra Ceta e Profetëve P.Bogdan, botuar në Shkodër 1930. Mjeda, me anë të shkrimeve, hartimeve, përkthimeve të shkëlqyera, shpalosi njohuritë e thella që kishte në fushën e teologjisë.