
Kastriot Fetahu/
Një jetë në fund të botës, apo një botë në fund të jetës?
Ashtu si parku në shi është i bukur por trishtues dhe i vetmuar, ashtu edhe unë isha ndjerë më i vetmuar se ai park në jetën time. E kaluara më zhyt në mendime për të theksuar se çfarë të mirash i kam bërë kësaj bote, për të cilën nuk më duhet shumë kohë. Nuk e di kush më rriti në moshë, vitet e ikura pa vëmendje apo detajet që nuk mund t’i harroj akoma? Çfarë më kanë mbetur, janë pak gjëra, ku disa numra qëndrojnë si ngarkesë e pandryshueshme në çantën e shpinës. Një pjesë e imja vdiq në kohërat me ngjyrë të kuqe, ajo pjesë që nuk e dinte ç’është jeta, përtej asaj ngjyre.
Lotova kur pashë në kinema filmin “Burri me pantallona të shkurtra” (isha adoleshent) dhe mund ta përsëritja edhe me filmin “Erin Brokoviç”.
Po “Kulaçi” do të qante për fëmijët e vendit tim?
Kur po shkruaja frazën e fillimit ngeca në idenë se kë duhet të quaj “një jetë në fund të botës” midis dy jetëve në dy vendet e konsumit të tyre. Në një botë tjetër Adriano Celentano e tejkalonte dritën e prozhektorëve të skenës, pasi ishte nën dritën e yjeve. Ndërsa unë nuk isha kurrë ai njeriu i skenës së shkollës, që të gjithë e duartrokisnin, turpi që më mbante peng ushqehej nga dilemat se nuk e ndieja veten fort të ditur dhe të pashëm. Se di, pse ideja se isha një fotokopje, nuk më çlironte kurrë dhe origjinalin nuk e mësova se ku e kishte origjinën. Çelentano një qiellor, më dukej sikur të gjithë ne ishim personazhe dytësorë të vetvetes, pa jetë individuale. Ëndrrat e gjumit të pagjumë i anulonim në mëngjes. Njëherë kisha ëndërruar një natë në Kubë duke pirë puro kubaneze. Ndjeva frikë kur u zgjova.
Jetoja me psikozën sikur isha vetëm një burg larg vetes.
Ujqit në Alaskë e ndiejnë aromën e njeriut edhe tetë kilometër larg dhe e ndjekin derisa e gjejnë, pasi atje nuk ka ushqim. Po njerëzit “e uritur” që janë shumë më të mençur se ujqit? Më kaploi kjo ide për disa ditë, aq sa nuk doja të flija netëve, se mos më tradhëtonte vetja përsëri edhe pse më dukej një klon i “Pavel Vllasov”, që nuk kishte jetë individuale. Në gjykimin tim, nuk janë as historia, as sistemet dhe as ideologjitë, po vetëm një, unë dhe jeta ime. Askush nuk e di se vendi më i sigurtë që zgjidhja për dashuri ishte “varrezat” dhe puthjen e parë e kam dhënë atje. Të vdekurit mbetën të besuarit tanë të përjetshëm. Pse ne nuk i takojmë më shpesh ata? Sa pak respekt kemi ne të gjallët…
Enigmat e tyre do të na hapnin shumë dyer po ti mësonim.
Shpesh fajësojmë fatin, por ndonjëherë më duket sikur jemi vetë arkitektë të tij dhe koha vetëm sa na shërben si databazë e hedhjes së ideve tona prej të cilave gatuhet edhe fati. Kërkojmë një “autoftesë në introspeksion” për një njohje më të mirë të vetes, për të kthyer çikrikun e kohës në favorin tonë. Dilemat tregojnë se trajektore lineare në këtë jetë nuk ka dhe autenticiteti na zbulon origjinalitetin pa sisteme referimi të vërtetë. Ndërsa planifikimi dhe ëndrrat nuk na qëndruan kurrë besnikë. Nuk di pse po i shkruaj këto, kur paqja ka rrethuar qënien time dhe nuk më lejon të rizgjoj zjarret që janë shuar. Nuk e di nëse isha protagonisti apo vetë shfaqja e jetës sime?!
“Jeta është e shkurtër si shkëlqimi i një ylli në rënie”, nuk më frymëzonte, sepse e kisha aq me tepri dhe nuk dija ta përdorja. Ti shtoja vite jetës, apo jetë viteve, nuk ishte kurrë një opsion.
Jetoja dhe vetëm lulet dukej sikur trishtoheshin për ne, ato sikur ta dinin se njëherë kisha menduar se çfarë ndodh po të kthehet njeriu sipas dëshirës një kërpudhë e vogël në pyll. Midis tyre nuk i doja më tulipanët, origjina e të cilëve nuk është Holanda, po Persia. Nuk kam një ide nëse kopështet e varura të Babilonisë kishin tulipanë. Nuk gjej dot lidhjen e Persisë me Iranin e sotëm, kur e mësova nga “Një mijë e një netët” se Persia ishte plot me tulipanë. Se di pse gjërat që dua, ose do të jenë të pamundura, ose do zhvlerësohen për 1001 arsye? Ndërkohë që lartësitë e mureve nuk i kuptova kurrë, urat konsideroheshin tradhëtare.
Po idetë e kanë origjinën absolute apo relative?
Njëherë mendova se sa mirë është të jesh në botën e kafshëve, atje nuk ka enigma dhe as projeksione të padukshme të vetes, atje nuk ka vija të bardha dhe as njerëz misteriozë me kostume njëngjyrëshe, po nuk ja thashë askujt, se do më merrnin për të çmendur.
Euforia frenetike se fitova të drejtën e studimit në Universitet u shua shpejt.
Nuk provova fatin të isha student i profesoreshës Hannah Arendt, por i profesoreshës Zana Sh, ajo kishte gjithmonë një buzëqeshje, që dilte nga një make-up Perëndimi të zhytur në pellgun e Lindjes.
Po të isha student i Hannah çfarë do të kisha ndryshe?
Nuk e kuptova pse e sfiduam Zotin sikur të ishim një “anë e panjohur horizonti” midis Perëndimit dhe Lindjes. Atëherë pse duhej të na besonte Zoti ne?
Ishim të dënuar të lumtur, sepse njohëm lumturinë e të padënuarit. Kërkimi im për të vërtetën fillonte nga ndërtimi i një të ardhmeje me zgjidhje të matematikës diferenciale. Isha njeriu që kërkoja të njihja infinitin e kohës, por “Euklidi” nuk e arriti dot atë. Mendimi i dyzuar është thikë me dy tehe, nga e cila ekziston mundësia e bumerangut të tij. Se di pse vendosa atëherë të mos përfundoja me vajzën e një fatorinoje treni, apo punonjësi hekurudhe?
Telashet e jetës ishin pa dimensione dhe të njëvlerëshme, po asnjëherë të bukura dhe të adhuruara si tek “Pulp Fiction”. Më dukej se vesi dhe virtyti kishin ndërruar shenjën algjebrike. Shpesh veset ishin virtyte me maskë. Raca njerëzore është plot pasion, po ne a kishim pasion? Dyshoja ndonjëherë në llojin e racës tonë, sepse nuk e mendoja dot se asaj duhej t’i mungonte liria dhe objekti i pasionit. Akoma më vret mendimi pse lirinë individuale e konsideronin ves?!
Çdo mbrëmje zhvilloja një betejë me veten për ta ndalur atë. Guximi im civil nuk kalonte përtej saj.
Prehja ishte në dukje një figurë enigmatike inspiruese. Kinematikën e saj se njihte askush veç meje. Durimi im ja kalonte atij të gjahtarit. Një burrë i trazuar nuk do të thotë se është publikisht i tillë. Zëri i arsyes nuk është kurrë i njëjtë me zërin e zemrës. Zemra nuk ka arsye, por pasion, intuitë dhe instikt. Sinqeriteti ynë i përket parasëgjithash instikteve, që nuk na pyesin kur vendosin të shprehen.
Ndonjëherë pyeta veten nëse isha fija e shkuar në gjilpërë apo vetë gjilpëra?! A duhet të pendohem pse nuk bëra atë që duhej të bëja në jetë? Nuk isha rebeluar kurrë me zë dhe figurë. Havjarin, jo Harvardin, e mësova teorikisht shpejt në biologji, ndërsa “Diplomacinë e Havjarit” e kuptova vonë. Një jetë në fund të botës, apo një botë në fund të jetës? Tani duket sikur njerëzit po ikin të gjithë, si zogjtë e ulur në të njëjtën degë të pemës drejt asaj të dytës. Nuk e duan vetëm zogjtë lirinë…Bota kërkon të vetekzekutohet pse krijoi dy hemisfera të kundërta politike. Kanti do të thoshte se në një botë realisht morale nuk ka vend për gënjeshtrën. Kush është bota realisht morale midis “Një jetë në fund të botës, apo një botë në fund të jetës” sipas Kantit?
Askush nuk më pyet “Sa e ke numrin e telefonit?” në botën në fund të jetës. “Bora Bora” e panjohur edhe si emër, nuk është enigmë tani, pasi nuk është larg nga këtu ku jetoj. Do ta vizitoj, edhe pse dua të mësoj ku ka jetuar Paul Gauguin, kur u nda nga dy vëllezërit Theo dhe Vinsent Van Gogh në Holandë. Pse nuk ka “Bora Bora” në Shqipëri? Ndoshta do të banonte Andy Warhol midis nesh…New York, Chicago, Boston dhe qytete të tjerë nuk i përkasin ndonjë planeti tjetër tani.
Nuk mendoj se do ta njihja natyrën radikale të së keqes, nëse nuk do të kisha lindur e jetuar në “një jetë në fund të botës” në një vend pa ëndrra njujorkeze.
Këtu e kam ndalur makinën shumë herë, kur më kanë ndërprerë rrugën patat e egra, ketrat apo sorkadhet, më duket sikur nuk jam rritur, pasi gëzoj shumë edhe pse nuk e shpreh. Do të shkoj të bëj turin e balenave në Atlantik së afërmi. Fantazmagorike më duket. A ekziston vërtetë historia e “Moby Dick” dhe Kapitenit Ahab?
Në Tiranë nuk munda ta takoja ndonjëherë Kadarenë, as Whitman nuk munda ta takoj dot këtu, po kjo sepse Whitman nuk jeton më. Më duket se këtu investoj në rezultate të prekshme e jo në ëndrra të trishtuara.
A është një privilegj special të jetosh jashtë shtetit?
Nga ëndrrat e trishtuara fillon dhe ndodh transformimi drejt suksesit. E di, që jo gjithmonë është gjë e bukur të ecësh i vetëm, kur dëshira për të folur luhatet si një variabël midis arsyes dhe pasionit. Tani di shumë të vërteta dhe nuk kam kujt t’ia them. Të pyesësh veten thjesht i vështirëson gjërat dhe nuk i zgjidh enigmat.
Sa dua të marrë kohë borxh këtu, por banka kohe nuk ekzistojnë. Askush nuk më ka treguar se a mashtrohet vdekja?
Vij nga një turmë enigmash, ku dhembja është kolektive. Po nëse nuk e ndjen kurrë dhembjen në jetë, si do e kuptosh kur je i lumtur? Jam mësuar të jetoj me enigma, po ku ti gjej këtu? Në një ceremoni graduimi në një universitet prestigjioz asistova në një mënyrë festimi shumë të veçantë nga një grup njerëzish afro-amerikanë. Ata klithnin me zë basi ca britma si kafshë të egra në xhungël me duart para gojës, por që unë nuk ja di kuptimin edhe pse ju bashkova atyre me një gëzim fëminor.
Sa pak gjëra di nga kjo botë…
Kur kthehem në “një jetë në fund të botës” nuk më sugjestionon lumi, pasi kam parë oqeanin.
Kush është bota e duhur? Lumi ynë rrjedh gjithmonë në stinë shirash…
Kur fillon të shkruash një roman, shikon gjithë jetën tënde përballë teje, që po të vështron.
Sa doja të jetoja në botën më të mirë, po ajo çfarë mbeti përqëndrohet në fitoren ndaj vetes në lojën e shahut me të dhe loja e shahut në lëvizjen e 40 ka më shumë enigma sesa yje ka qielli.