
Nga Raimonda MOISIU-SADE/
Më kujtohet një thënie e shkrimtares Isabela Aljende: “Çdo histori më intereson shumë; disa prej tyre më ndjekin pas derisa t’i hedh në letër. Në të vërtet, GAZETARIA për mua, të cilën unë e kam shumë për zemër, është portretizimi apo përshkrimi i realitetit, është etja ime për të promovuar vlera e figura kombëtare, historike, social-kulturore, përmes çfarëdo fakti ose njohurie, nëpërmjet artikujve, reportazheve, profileve, opinioneve, analizave, esse, intervista, etj, sigurisht brenda rubrikave të gazetarisë.
Kjo është një nga arësyet që më bëri mua të hyj në dialogun intervistues me figura publike të profileve të ndryshme, që kanë dominuar shoqërinë shqiptare në të kaluarën dhe të sotmen: me akademikë, shkrimtarë, poetë, pedagogë, mjekë, futbollistë, sportistë të ndryshëm, aktorë, këngëtarë, njerëz të thjeshtë, studentë, inxhinierë, agronomë, ushtarakë, që ka kombi ynë të cilët jetojnë dhe veprojnë kudo në trojet shqiptare, Shqipëri & Kosovë, në diasporë e kudo në botë. Në këto dy koleksione madhështore me 140 INTERVISTA, që janë sfida ime e rradhës e projekteve të mija botuese, ato vijnë për të treguar përvojat, eksperiencat dhe historitë e një brezi të artë që i kanë dhënë dhe ende vazhdojnë të japin shpirtin në fjalë e vepra, vrullin e talentin, nderishmërinë e dinjitetin, historitë e një brezi që është i bashkuar jo vetëm nga një qëllim i përbashkët, por edhe për vlerat e tyre të përbashkëta; detyra, përkushtimi, nderimi, mëncuria, dituria, guximi, dashuria për familjen dhe atdheun mbi të gjitha, përgjegjësia për veten, familjen, shoqërinë shqiptare, dhe kombin, që kishin dhe kanë rëndësi për historinë.
Unë besoj se ishte dhe është brezi më madhështor, ajka e inteligjencës e qytetarisë shqiptare, që ka prodhuar ndonjëherë një shoqëri, sepse ata i dhanë dhe i japin botës; shkencë, letërsi, art, kulturë, gdhendin diturinë e përvojat me një forcë njerëzore dhe shpirtërore të pakrahasueshme në kurbën e gjatë të historisë. Ndërsa disa prej tyre janë ndarë nga jeta, ndërsa disa të tjerë janë të rinj me visione ëndrra e aspirata të reja, disa të tjerë janë në muzgun e jetës aventurore dhe produktive, porse ata mbeten, në pjesën më të madhe të jetës, jashtëzakonisht modestë dhe të denjë, ata që mes dinjitetit kanë identitet. Ata kanë rrëfyer aq shumë histori, dituri e përvoja jetësore, që në shumë raste nuk i kanë treguar kurrë më parë. Në këtë libër do të takoni njerëz që e ndryshuan dhe vazhdojnë ta ndryshojnë shoqërinë tonë, si rezultat i vizionit të tyre për të ardhmen.
Shpresoj që botimi i këtyre DY KOLEKSIONEVE me 140 INTERVISTA do të jetë një TRIBUT dhe HOMAZH, për ata kolegë, shkrimtarë, dhe poetë, që janë ndarë parakohe nga jeta, porse drita e veprave, vlerave dhe trashëgimia e tyre në letrat shqipe është mbresëlënëse dhe historike, që rritin një popull dhe një komb madhështor. Kam pasur dëshirë e përkushtim të intervistoj edhe figura të tjera të shquara të botës shqiptare, porse nuk kam mundur dhe ky është edhe “pengu im”, porse vetë të intervistuarit e mij, i kanë përmendur me superlativa në intervista e tyre, kështu që ata janë në rreshtat e faqet e shumta të këtyre dy librave voluminozë që do të botohen.
Dhe në përfundim dëshiroj të përcjell një mesazh falenderimi, respekti dhe mirënjohje për të gjithë të përzgjedhurit e intervistave, që me fjalën e tyre të shkruar, mendimin filozofik, intelektual e qytetar lartësojnë ndërgjegjen dhe kulturën e kombit tonë, dhe integrojnë trashëgiminë kulturore në forma e përmbajtje të ndryshme. Ju falënderoj me shpirt e zemër, për besimin dhe seriozitetin që patët nda meje, që ju përgjigjët me përkushtim e dinjitet, ftesës time për t’u intervistuar, për të thënë fjalën tuaj.
Respekt & Mirënjohje
Raimonda MOISIU-SADE
Jacksonville, Florida USA