Nga Sadik ELSHANI*/ Siç duket për një pjesë të shoqërisë kosovare, dhe asaj shqiptare në tërësi, përfshirë këtu edhe institucionet shtetërore, ende po është e vështirë që të largohen (distancohen) nga e kaluara komuniste. Kjo po manifestohet me vazhdimsinë e disa praktikave, disa shprehjeve çoroditëse, demagogjike të asaj periudhe të errët nëpër të cilën kaloi kombi ynë. Është e pakuptimtë që disa shprehje, thirrje absurd të përdoren edhe sot, 30 vite pas shembjes së sistemit komunist. Këto ditë duke lexuar një artikull në gazetën KOHA.net (29 prill, 2020) që bënte fjalë për dënimin me gjyq të deputetit të Kuvendit të Kosovës, Etem Arifi, nga Partia e Ashkalinjve, e pashë të bashkangjitur edhe kopjen e aktgjykimit, vendimit gjyqesor. Ajo që më habiti ishte se në fillim të këtij aktgjykimi qëndronte shprehja e shkruar me shkronja të mëdha: NË EMËR TË POPULLIT.
Është kjo shprehje, parullë që kur e dëgjon duhet t’ia rrëqethe trupin çdo shqiptari. Me këtë parullë në gojë janë burgosur, interenuar, pushkatuar shumë shqiptarë të pafajshëm. Janë shkatërruar me mijëra familje, jetëra të pafajshme – është shkatërruar një popull i tërë. Kjo shprehje është përdorur me djallëzi nga sistemi komunist për t’i ikur përgjegjësisë, për t’i hedhur popullit hi syve, për t’i përligjur krimet e tyre se, nuk po të dënojmë ne, por populli. Lista e krimeve të kryera në emër të popullit është e gjatë dhe e dokumentuar mirë, prandaj nuk është nevoja që t’i ripërsërisim në këtë shkrim të shkurtër. Populli kurrë nuk e ka autorizuar askënd që të flasë në emër të tij, lëre më që të kryej krime makabre në emër të tij dhe kundër tij.
Populli nuk e dënon dhe nuk mund ta dënojë askënd, por ligji. Prandaj kjo shprehje duhet të largohet njëherë e përgjithmonë nga aktgjykimet, praktikat gjyqësore, sepse nganjëherë e besa edhe shpesheherë, drejtësia po bën edhe lëshime, po jep gjykime jo të drejta, po e shtrembëron procesin gjyqësor. Besoj se populli nuk do të pajtohej kurrsesi me këto praktika gjyqësore, padrejtësira. Nuk ma merr mendja se kjo shprehje përdoret në aktgjykimet e ndonjë shteti demokratik. Sa për kurreshtje e bëra një kërkim në Google për të njëjtën shprtehje në gjuhën serbokroate: U ime naroda (Në emër të popullit), vetëm për të parë se a është duke u përdorur ende në ndonjë shtet tjetër, ish republikë të Jugosllavisë: Ende ishte duke u përdorur në Serbi.
Të mos përdoret emri i popullit vend e pa vend dhe të mos manipulohet me emrin e popullit për t’i fshehur padrejtësitë, vendimet e gabuara, paaftësitë e gjyqtarëve, trupit gjykues. Është shumë e thjeshtë: qytetarin në gjykatë e dënon. e gjen të fajshëm, apo të pafajshëm, gjyqtari, ligji (n’Amerikë, juria e përbërë nga qytetarët e zakonshëm). Thjesht të thuhet: je i paditur në bazë të këtij e atij ligji dhe pastaj gjatë procesit gjyqësor të dëshmohet fajësia, apo pafajësia. Po ashtu, pas procesit gjyqesor të merret vendimi në bazë të ligjit, nenit përkatës dhe jo: NË EMËR TË POPULLIT. Mjaft është keqpërdorur emri i popullit!
Philadelphia, 10 maj, 2020
*Sadik Elshani është doktor i shkencave dhe veprimtar i bashkësisë shqiptaro – amerikane.