Çfarë krim tjetër më i madh e më i përbindëshëm duhet bërë në këtë vend që të dalësh para togave të zeza? Mos vallë duhet vjedhur një bukë si Zhan Valzhani ….e jo 7 milionë euro?/
Shkruar nga KOLEC TRABOINI/
Pse hesht Qeveria, se Opozita nuk ka çfarë të flasë meqë Fullanin me dallaveret bankare e kishte aleat për kokë kryeministrin që iku, e që largohet nga kjo temë hajdutllëku supergjigant si djalli nga temjani. Nuk ndjehen as pasuesit e ish kryeministrit që akuzojnë qeverinë edhe për incidentin më të vogël tip thashetheme fshati, se kështu e ashtu tha kryeministri në takim me të vetët, apo të gjithë këta trimosha opozitarë tashmë bëjnë pulën, sepse kanë të punësur në Bankën e Shtetit fëmijët e të afërmit e tyre. Po pse more kështu funksionon shteti, si vegël e klanit? Vërtetë kemi përpara një opozitë të qorrollepsur që nuk arrin të rinovohet sepse partia është kapur nga individë që luftojnë si hiena për pushtet, për kolltuk e karrige.
Vërtetë punë e paqme me një zgjuarsi mafiozësh, njëra dorë lanë dorën tjetër dhe të dyja fytyrën e pistë të korrupsionit e të vjedhjeve. Ndaj mos prisni qe opozita te flase për Fullanin sheikun e parave të shqiptarëve. Mirë opozita hesht sepse është e menderosur deri në fyt e nuk po arrin të bëjë adetin e shpëlarjes pas zgjedhjeve të 23 qershorit 2013, por, cilin paska korruptuar Fullani në qeverisjen e re që nuk po dëgjohet asnjë deklaratë? Pse është e friksuar qeveria që me këtë heshtje jep të kuptojë se e mbron Fullanin me prapësitë e tij. Dhe nuk mund të harrojmë se opozita e djeshme e qeveria e sotme ka bërë një luftë shëmbullore në parlament duke e demaskuar Fullanin me akuzave bindëse për shpërdorim të parave të popullit.. Po tani çfarë ndodhi! Ku ngeci entusiazmi reformues?
Qeveritarët duhet ta dinë se e vetmja gjë që kanë në dorë votuesit është të flasin dhe nëse nuk pranojnë ti dëgjojnë, atëherë s’ju mbetet tjetër vetëm të protestojnë kundër hajdutëve të djersës së tij, sepse nuk e vodhi njeri Qeverinë, nuk e vodhi njeri Opozitën, por vodhi popullin që ka 24 vjet që dëgjon vetëm të tilla mynzyra nga ata që kurrë nuk u ngopën se vjedhuri, madje edhe së vrari. E, që të jemi të ndërgjegjshëm për ato që konstatojmë, përditë e më shumë ky shtet po shkatrrohet nga antikombëtarët.
Po le ta shohim problemin nga ana tjetër. Të shumtë ishin zërat trimërorë kundër ish kryeministrit Sali Berisha, “kumbarit” të paralliut Fullanit, po tani kundër Balit të tij as që po ndjehet njeri, çfarë të bën të kuptosh se lufta ndaj Sali Berishës nuk paska qënë veç për përfitime e jo për ideale të së drejtës, e shpëtimit nga e keqja shoqërore që e kishte pllakosur këtë vend. Ky shejku i parave Fullani, me pasuri familjare përrallore, është një spekullator i vërtetë, që vetëm për blerjen fiktive të Hotel Dajtit, shteti i shtet shtetit hotelin me disa dhjetra milion euro, duhej dërguar në burg sepse ishte një korrupsion i pastër, një mënyrë gjoja legale për të nxjerr para nga thesari, që ti merrte qeveria e Sali Berishës dhe ti shpërdoronte duke darovitur sahalëpirësit e politikës, bosat e medias vizive, apo miliona të shpenzuar për koncerte partiake duke darovitur këngëtarët. Përse nuk po flitet më për këto? Qëndrimi i Qeverisë së re ndaj këtij Furfullani në dhomat e thesarit ështe letër lakmuesi që tregon të vërtetën se kemi a s’kemi drejtësi në mënyrën e qeverisjen se re, dhe a është marrë seriozisht lufta kundër hajdutllëkut në shtet apo gjithçka, mjerisht,(çfarë nuk duam ta besojmë) është një fasadë premtimesh të rreme elektorale.
Qëndrimi ndaj Fullanit, mos dënimi i krimeve dhe hajdutëve, ministrave milionerë që i përmbysi populli me votë e vullnet të lirë, është një gur prove se çfarë qeverisje kemi. Njerëzit nuk janë budallej. Nuk e japin votën për sytë e bukur të askujt por për të punuar me ndërshmeri e me drejtësi për këtë vend. Nëse vazhdohet kështu është jo vetëm e frikëshme por edhe e neveritshme dhe populli duhet të lëvizë e të tregojë se nuk është aq durimshumë që ta përdorin si kalë në lëmë.
3 gusht 2014
Mark Gjonaj says
Jo vetem ngjarje e rende, fyerje per taksapaguesit e shtetit(popullin), por dhe dukuri per te pare dhe numeruar rastet e korrupsionit te qeverise ne detyre! Kjo eshte nje pike e forte dhe te mos marrim asnje rast tjeter para ketij, le te numerojme sa do te kete deri ne zgjedjet elektorale 2017-te. More, po kaq shume universitete, istitute te mbrojtjes se te drejtes kemi, po nje te dorheqjes nga detyra nuk e kemi ndertuar akoma, per te mesuar nepunesit qe ne momentin qe kapet sejcili qe abuzon, shperdoron detyren dhe vjedhe pronen, drejtuesi minimalisht duhet te dorhiqet, per t’i hapur rrugen drejtesise. Perse ne shqiptaret nuk e njohim kete gjest respekti qofte te emruarit, apo te zgjedhurit! Kete kritike e kam per qeverine e sotme se e para, ishte si ishte, zv. kryeministri I. Meta u dorhoq, Ylli Pango u dorhoq! Pa lere per ta arrestuar, qeveria akoma se ka mprehur briskun…!