
Sokol Paja/
Selia e Shenjtë, selia shpirtërore e katolikëve të të gjithë botës, gjithmonë përbën ngjarje të jashtëzakonshme për vizitat e besimtarëve, udhëheqësve fetare, politikanëve, botës së shkencës, dijes e biznesit. Shqiptarët në Vatikan, janë ndjerë gjithmonë si në shtëpinë e tyre. Vizitorët shqiptarë, besimtarë të të gjitha feve, në çdo kohë e kanë parë Vatikanit jo vetëm si një vend të shenjtë, por mbi të gjitha si një simbol të orientimit perëndimor të shqiptarëve, si një pikë graviteti, qendër referencë të kulturës e aspiratave europiane të popullit e kombit shqiptar. Kleriku i Teqes Bektashiane Shqiptare në Michigan Eliton Baba Pashaj i shoqëruar nga kryetari i Këshillit të Teqes z.Mynyr Nazifi, z.Agim Lumani anëtar nderi i Këshillit Drejtues, dhe anëtarë të Teqesë takuan më 26 Tetor në një vizitë historike Atin e Shenjtë Papa Françeskun. Një vizitë që tregon jashtë mase shumë, një vizitë që frymëzon, që orienton, që dëshmon një trashëgimi dhe vazhdimësi historike fisnike të veçantë shqiptare. Një vëllazëri fetare që trashëgohet ndër shekuj, një harmoni fetare që merret shembull dhe në popujt e tjerë, një bashkëpunim ndërfetar shqiptar që na bën krenar në përpjekjet kombëtare për shqiptarinë. Kleri Fetar në Shqipëri është nderi i kombit tonë. Roli i udhëheqësve fetare në trojet tona etnike ka përcaktuar historinë kulturore dhe kulturën historike të popullit shqiptar.
Udhëheqësit Bektashinj shqiptarë gjithmonë kanë spikatur në edukimin e formësimin e ndjenjave patriotike të besimtarëve. Kombi dhe feja ka qenë devizë e pa ndarë e veprimtarisë klerikale të klerikëve Bektashinj. Shqipëria mburret me trashëgiminë e shkëlqyer fetare, patriotike e letrare të krijuesve bektashi. Kleriku i Teqes Bektashiane Shqiptare në Michigan Eliton Baba Pashaj është një shembull i gjallë i vazhdimësinë dhe historisë së lavdishme të Bektashizmit në Shqipëri e në mërgatën shqiptare të Amerikës. Përveç se një lider fetar i përkushtuar ndaj besimit, besimtarëve e veprimtarive klerikale, Eliton Baba Pashaj është një veprimtar i jashtëzakonshëm në komunitetin shqiptar të Michiganit, njeri i kulturës, letrave, botimeve e përkthimeve.
Një patriot i angazhuar në komunitet, një shërbestar i devotshëm i Perëndisë së tejetlartë që mban gjallë frymën e vërtetë të Bektashizmës që themeluesi i Komunitetit Bektashian Shqiptar në Amerikë Hirësia e tij Baba Rexheb përcolli për mbarë mërgatën Shqiptaro-Amerikane.Gjithmonë kombi ynë është krenuar me udhëheqësit fetarë dhe Eliton Baba Pashaj po tregon me punën e tij se pa dyshim është njëri prej tyre.