
Luan Rama/
Është e veçantë dhe njëkohësisht e prekshme të lexosh dhe të shkruash në avion, të lexosh librin « Brenga » e Pashko Camaj e njëkohësisht të mos i përmbahesh tundimit të shkruash diçka, edhe pse në ajër në lartësinë e 10.000 metrave, të kërkosh dhe gjesh nëpër xhepa një letër, çka shpesh ndodh tek unë nëpër udhëtime. Kaq lart mbi tokë përjetoja historinë e Job-it biblik, pasi shumë histori shqiptare të viktimave të kohës së totalitarizmit në Shqipëri ta risjellin këtë figurë biblike, këtë njeri që u vu në sprovë, që provoi ndëshkime e linçime të jashtëzakonshme dhe që nuk e humbi besimin e tij. Figura e Job-it është nga figurat më interesante të Biblës, që frymëzoi qindra e qindra letrarë e piktorë, mijra artistë të këtij rruzulli, veçanërisht ata të Renesancës, siç mund ta shohësh në braktisjen më tê madhe në një tablo të Georges de la Tour, të Riberës, Crayer apo Biscano, Bonat apo Chagall… « Job-i » i Camajt në personazhin e Markut provoi rrugët e burgut, të Burrelit e Spaçit.
Një Job që e donte jetën dhe tokën, që e donte jetën me forcën dhe lirizmin e një shpirti human që prekej nga e bukura, libri, arti. Në mënyrë paralele dhe kompozuar bukur nga një dorë mjeshtri, Camaj na tregon brengën e madhe që Tonini nuk i tha mikut të tij të ngushtë Mark se po arratisej, një brengë që i dhëmbi gjithë jetën deri në çastet e fundit, pasi atë natë të fundme në fshatin e tyre dikush i kishte parë nëpër natë e domosdo, njerëzit e Sigurimit do ta fajësonin Markun që nuk tregoi por qëndroi mes maleve të dashura të tij. Që atë ditë, dy udhë, dy jetë, nisen në drejtime të kundërta: ajo e Toninit, drejt lirisë, përtej kufirit, edhe pse jo pa vuajtje sërish, dhe tjetra, ajo e Markut, drejt burgut dhe humbjes së lirisë. Kështu Marku-Job zbriste shkallët e ferrit, për të cilin Dante, sigurisht do të habitej se përse e kishin hedhur në këto rrathë të errta të vuajtjes së skajshme. Përse vallë?… Duke tentuar dhe Marku rrugën e lirisë, i diktuar dhe i futur në një shpellë ai sheh drejtpërdrejt vrasjen e dikujt tjetër që dhe ai donte të arratisej. Dhe kjo vrasje shihet përtej ujrave të një ujvare, përshkruar me një ndjesi të jashtëzakonshme.
“Brenga”, nuk i përket vetëm këtyre dy personazheve. Brenga si brengë ishte e shumë shqiptarëve që u arratisën. Tani që po shkruaj për brengën, kujtoj njerëz të familjes sime që u arratisën në Hartford të Amerikës, kujtoj gjithashtu miken e dashur të shtëpisë, Simes, që asnjëherë nuk e dënoi vëllain e vet, Arshi Pipa, ndërkohë që brenga Arshiun e brejti gjithë jetën, e kështu, për qindra e qindra të tjerë me një mal brengash që rënduan në shpirtrat e tyre, pasi totalitarizmi shqiptar ishte edhe më i ashpër, pasi ai godiste dhe të afërmit e njeriut opozitar.
Jeta dhe historia shqiptare e gjysmës së dytë të shekullit XX është e mbushur me fakte e përvoja të ngjashme si ajo që lexon në këtë roman. Job-i ka jetuar në Shqipëri me shumë imazhe, fytyra, aq sa në një farë mënyre u bë një figurë “popullore”, siç e tregojnë dhe ish viktimat e burgjeve apo kampeve të internimit gjer në fshatrat e humbura të Shqipërisë. Por ky libër ndryshon nga shumë të tjerë, pasi këndvështrimi i “brengës” dhe “optika” e Job-it është e veçantë, drithëruese, që të njom syrin dhe shpirtin.
Autori ka hyrë thellë në botën e dy personazheve, vuan dhe ai me ata, duke kërkuar ta shuajë atë distancë midis shkruesit dhe figurës reale. Herë – herë qiejt çahen dhe një dritë e dielltë me ngjyra hyjnore i ndrit shpirtin Job-it. Po, Marku dashuron. “… Atë natë të qetë, Drita i puthi plagët. Dhe për herë të parë në jetën e tij Marku ndjeu se ishte dashuruar. Në atë çast mund të merrte frymë lirisht, pa u shtypur nga peshat e të shkuarës… Por në Shqipërinë e asaj kohe lumturia, si çdo dritë, ishte një flakë e rrethuar nga errësira”. Kjo dashuri shpejt do të thyhej dhe Job-it do t’i duhej të priste një ditë të lume.
Edhe pse në fund të romanit Marku thotë se « Unë nuk jam Job-i”, ai më shumë e thotë këtë nga modestia, pasi ai që e ka jetuar ferrin, nuk flet më për ferrin por për jetën, dritën, lumturinë që arrin ta prekë një ditë të fundme. Pas një udhëtimi të gjatë, duke lënë botën qiellore dhe zbritur në tokë, për një kohë të gjatë Job-i i mundimeve më shoqëronte ende. Ndjeja dhimbje për këtë figurë sa letrare aq dhe të një jete të vërtetë, por ndjeja gjithashtu dhe një lloj gëzimi që këta personazhe nuk harrohen, bëhen rrëfenja e semaforë për të na treguar udhën e duhur, për të na treguar forcën e njeriut dhe vlerën e një shpirti human, se njeriu edhe në “brengë” për mikun e tij, vuan dhe do ta shlyejë “mëkatin” e tij. Më së fundi Tonini i lirisë, nga Amerika shkon drejt e në Iballë, në shtëpinë e mikut të tij. Ai hyn dhe heshtja nderet midis dy qenieve të dashura. “Nuk flasin. Pastaj Marku hap krahët: – Tonin,… je ti?…” E në bisedë më pas, Tonini i thotë: “Të kam kujtu! Cdo ditë të jetës sime, Zoti më ndihmoftë!…
Job-it në Bibël i kishin mbetur më në fund veç tre njerëz. Po kështu dhe Markut: njëri gjallë, Tonini dhe dy të humbur. E dashura e tij dhe babai i vrarë!
Job-i pastaj u ul përballë mikut të tij “Qanë si burra që kishin mbartur shumë, për shumë gjatë. Trupat u drodhën si të ishte vetë trishtimi që kishte pritur këtë çast për vite të tëra… Mirë se erdhe në shtëpinë tënde – dhe timen! – tha Job-i.