
Kryetar i Bordit të Drejtorëve
Komuniteti Shqiptaro-Amerikan në Illinois/
CHICAGO, IL — Kam qenë fëmi kur familja ime u largue nga Kosova gjatë luftës së vitit 1999. Erdhëm n’Amerikë vetëm me shpresë, pa e dijtë se, vite ma parë, disa n’Uashington kishin luftue tashma për njerëz si na. Emnat e tyne ishin Joseph J. DioGuardi dhe Shirley Cloyes-DioGuardi.
Më 28 Nantor, Joe dhe bashkëshortja e tij, Shirley, do të vijnë n’Çikago për me festue Ditën e Pavarësisë së Shqipnisë me komunitetin tonë. Për shumë prej nesh që kemi ardhë si refugjatë, vizita e tyne ka një peshë të veçantë dhe të thellë. Nuk asht veç një festë — asht një rikthim n’shpinë e tyne.
Katër dekada ma parë, më 1984, Joe DioGuardi bani histori si Shqiptaro-Amerikani i parë i zgjedhun n’Kongresin e Shteteve të Bashkueme. Ai ishte bir i Arbëreshëve nga Italia, nji pasardhës krenar i shpirtit Shqiptar që ka mbijetue shekuj mërgimi. Kur ai e habiti politikën e Nju Jorkut duke fitue një vend n’Kongres n’Westchester County, ai nuk përfaqësoi vetëm një distrikt — ai mori mbi vete zanin e krejt Shqiptarëve që kurrë s’e kishin pasë një të tillë n’Uashington.
Qysh n’fillim, Joe e përdori atë za për me ba të mirën. Së bashku me kongresmenin Tom Lantos, një mbijetues i Holokaustit, ai bashkëthemeloi Grupin për të Drejtat e Njeriut n’Kongres dhe nisi me e futë n’regjistrat zyrtarë fjalën “Kosovë”, shumë kohë para se shumica e Amerikanëve me dijtë ku gjendej n’hartë. Ma vonë, përmes Lidhjes Civike Shqiptaro-Amerikane, të cilën ai e themeloi n’1989, ai e çoi historinë tonë kudo — prej Shtëpisë së Bardhë deri te konferencat ndërkombëtare — duke këmbëngulë se çashtja e Shqiptarëve n’Ballkan ishte çashtje e të drejtave të njeriut dhe e lirisë.
Përkushtimi i tij nuk u ndal veç te Kosova. N’fillim t’viteve ’90, Joe u përqendrua edhe te Shqiptarët e Tetovës, duke mbështetë të drejtën e tyne për arsim n’gjuhën amtare dhe duke ndihmue me u përforcue thirrje për një universitet që do t’u shërbente të rijve të rajonit. Kur të tjerët e shihnin Ballkanin si një hartë ndarjesh, ai shihte një komb të ndamë prej rrethanave, por të bashkuem n’identitet.
Dhe gjithmonë pranë tij ishte Shirley Cloyes DioGuardi, një forcë më vete. Ndërsa Joe hapte dyer n’Uashington, Shirley hapte zemra n’krejt Amerikën. Ajo u ba zani i Shqiptarëve n’Luginën e Preshevës, duke e sjellë historinë e tyne n’vëmendjen e publikut dhe të institucioneve që shpesh i kishin anashkalue. Kërkimet, avokimi dhe humanizmi i saj siguruen që kjo krahinë të mos harrohej. Së bashku, DioGuardit u banë ura mes Uashingtonit dhe popullit tonë.
Për dikë si unë, që erdha n’Amerikë si pasojë e luftës për të cilën Joe dhe Shirley paralajmëruen botën për vite me radhë, historia e tyne nuk asht thjesht fakt por asht personale. Jeta që jetoj sot, n’liri, me bashkëshorten dhe vajzat e mia, në një komunitet të gjallë Shqiptaro-Amerikan, ekziston falë njerëzve si ata që refuzuen me e lejue botën me na kthye shpinën.
Sot, dekada ma vonë, me i mirëpritë DioGuardit n’Çikago për me festue së bashku Ditën e Pavarësisë asht mbyllja e një rrethi historik. Kongresmeni që përmendi për herë të parë emnin tonë n’Kapitolin Amerikan tash do të qëndrojë mes një brezi të ri Shqiptaro-Amerikan, që duhet me e çue përpara punën që ai nisi.
Dhe historia vazhdon. Më 29 Nantor, Komuniteti Shqiptaro-Amerikan n’Illinois do të organizojë një mbramje të posaçme për me mbledhë fonde n’mbështetje të muzeut që DioGuardit po planifikojnë me ndërtue n’Kosovë, një hapësinë që do të ruajë filmimet, dokumentet dhe materialet televizive të dekadave të avokimit të tyne n’Kongres dhe n’mediat kombëtare. Ky arkiv i vërtetës dhe i qëndresës i përket krejt popullit tonë dhe meriton një shtëpi të përhershme. Ata që na bashkohen, nuk do t’i nderojnë vetëm për punën e së kaluemes, por do t’ndihmojnë me e sigurue që trashëgimia e tyne të jetojë për brezat që vijnë.
Këtë Nantor nuk do të festojmë vetëm flamurin dhe pavarësinë. Do t’i nderojmë ata që ndihmuen me e ba atë flamur të dukshëm për botën dhe do të nisemi së bashku drejt kapitullit tjetër.
Mirë se vini n’shpinë tuej, Joe dhe Shirley. Na dhatë një za kur s’kishim kurrfarë dhe nuk e harrojmë kurrë.