-Hahn bashkë me Lunaçek takim me të gjithë liderët e partive për të diskutuar nevojën për tejkalimin e krizës politike/
-Thaçi-Lunaçek: BE-ja s’duhet të vonohet me Kosovën dhe rajonin/
-Mustafa e falënderoi eurodeputeten Lunacek për përkrahjen që po i jep Kosovës/
Veseli: Nëse do të vijë lajmi për liberalizim të vizave për Kosovën, atëherë ai do të vijë nga zonja Lunaçek/
– Hoxha: Do t’i adresojmë rekomandimet e Raportit të progresit për sundimin e ligjit/
PRISHTINË, 10 Nëntor 2016-Gazeta DIELLI-Behlul Jashari/ Komisioneri për Politika Evropiane të Fqinjësisë dhe Negociata të Zgjerimit, Johannes Hahn, nesër do ta vizitojë Kosovën.
“Kjo është vizita e parë në rajon e Komisionerit Hahn pas miratimit të Pakos për Zgjerim dhe vizita e tij do të jetë e fokusuar në lansimin e Axhendës së Reformave Evropiane”, thekson Zyra e BE-së në Kosovë.Qeveria Kosovës në mbledhjen e djeshme ka miratuar Axhendën për Reforma Evropiane, të cilën e vlerësoi si një dokument tepër të rëndësishëm, i cili e orienton punën e saj edhe sa i përket anës ekonomike dhe politike të zbatimit të Marrëveshjes për Stabilizim Asociim, por edhe në krijimin e hapësirës në të ardhmen për integrim në Bashkimin Evropian.“Axhendën për Reforma Evropiane do ta promovojmë së bashku me Komisionerin Hahn”, paralajmëroi kryeministri Isa Mustafa. Gjatë vizitës në Kosovë, Komisioneri Johannes Hahn do të takohet me autoritet politike duke përfshirë presidentin Hashim Thaçi, kryeparlamentarin Kadri Veseli, kryeministrin Isa Mustafa, zëvendëskryeministrin Branimir Stojanoviç, i cili përfaqëson komunitetin serb, dhe ministrin e punëve të jashtshme Enver Hoxhaj. Komisioneri do t’a përmbyllë ditën me një takim së bashku me nënkryetaren e Parlamentit Evropian dhe Raportuesen për Kosovën Ulrike Lunaçek me të gjithë liderët e partive politike për të diskutuar nevojën për tejkalimin e krizës politike.Komisioneri Hahn mbërrin në Prishtinë ndërkohë që Lunaçek në vizitën e saj me rastin e publikimit të Raportit për Kosovën 2016 nga Komisioni Evropian, që u bë dje në Bruksel, sot ka nisë takimet me autoritetet e Kosovës.Presidenti i vendit, Hashim Thaçi, sot ka pritur në takim edhe eurodeputeten Ulrike Lunaçek.Me eurodeputeten Lunaçek, presidenti Thaçi ka biseduar për procesin integrues të Kosovës.“Bashkimi Evropian mbetet destinacioni i vetëm i Kosovës. Ne mbesim të përkushtuar në reformat e përgjithshme për forcimin e demokracisë, sundimin e ligjit dhe zhvillimin ekonomik. Por, edhe BE-ja të mos vonohet me Kosovën dhe rajonin”, ka thënë presidenti Thaçi.Presidenti Thaçi dhe eurodeputetja Lunaçek kanë biseduar edhe për rëndësinë e ndërtimit të partneritetit dhe bashkëpunimit reciprok ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian.Edhe kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, priti në takim zëvendëspresidenten e Parlamentit Evropian, eurodeputeten Ulrike Lunacek. Gjatë takimit, u bisedua për zhvillimet në Kosovë, raportin e Komisionit Evropian, rrugën integruese evropiane si dhe proceset tjera.Kryeministri Mustafa e njoftoi për implementimin e MSA-së, masat që po ndërmerren në zhvillimin e mëtejmë ekonomik, implementimin e reformave në fusha të ndryshme, strategjitë zhvillimore, qëndrueshmërinë buxhetore si dhe për fuqizimin e vazhdueshëm të shtetit ligjor e luftën kundër korrupsionit.
Gjatë takimit, u bisedua edhe për Axhendën e Reformave Evropiane, e cila u miratua një ditë më parë në qeverinë e Kosovës. Kryeministri Mustafa dhe eurodeputetja Lunacek biseduan edhe për domosdoshmërinë e adresimit të çështjes së demarkacionit, në mënyrë që qytetarëve të Kosovës të mos iu pamundësohet edhe më tutje lëvizja e lirë në vendet e Bashkimit Evropian.
Kryeministri Mustafa e falënderoi eurodeputeten Lunacek për përkrahjen që po i jep Kosovës, duke shprehur përkushtimin e Kosovës në proceset e mëtejme eurointegruese.Eurodeputetja Ulrike Lunacek, po ashtu, shprehu përkrahjen e saj për rrugën integruese evropiane të Kosovës.Në takim me kryetarin e Kuvendit, Kadri Veseli, sot pasdite, Lunaçek tha se Parlamenti Evropian do ta mbështesë Kosovën në perspektivën evropiane dhe për liberalizimin e vizave, por institucionet e Kosovës duhet t’i plotësojnë kushtet e kërkuara. Në takim u diskutua për zhvillimet aktuale në Kosovë, me theks të veçantë, për angazhimet e vazhdueshme të institucioneve të vendit në procesin e integrimit evropian, si e vetmja rrugë për shtetin e Kosovës. Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, falënderoi raportuesen Lunaçek për kontributin dhe përkrahjen e saj të pakursyer për Kosovën në Parlamentin Evropian dhe në mekanizma të tjerë të BE-së, duke ia lehtësuar kështu Kosovës rrugën euro-integruese.
Kryeparlamentari Veseli përsëriti edhe njëherë kërkesën për heqje sa më të shpejtë të vizave për qytetarët e Kosovës nga ana e Bashkimit Evropian.“Nëse do të vijë lajmi për liberalizim të vizave për Kosovën, atëherë ai do të vijë nga zonja Lunaçek”, theksoi kryetari Veseli.Me këtë rast, kryeparlamentari Veseli tha se Kuvendi i Kosovës do të vazhdojë t’i plotësojë kriteret e kërkuara dhe do të punojë në axhendën e reformës evropiane në Kosovë.Edhe ministrja e Drejtësisë, Dhurata Hoxha, sot ka takuar Ulrike Lunaçek, nënkryetaren e Parlamentit Evropian dhe Raportuese për Kosovën pranë Komisionit të Parlamentit Evropian për Kosovën.Në takim me ministren Hoxha, Lunaçek potencoi se progresi i arritur duhet çuar përpara sepse rruga euro-integruese e Kosovës është e pakthyeshme dhe ofroi mbështetjen e saj të plotë që ky proces të përmbyllet sa më parë dhe me sukses.“Do t’i adresojmë rekomandimet e Raportit të progresit për sundimin e ligjit”, tha ministrja kosovare. Në të gjeturat kryesore të Raportit 2016 për Kosovën theksohet se në prill hyri në fuqi Marrëveshja e Stabilizim Asociimit e në maj Komisioni Evropian i bëri një propozim Parlamentit Evropian dhe Këshillit të BE-së ku rekomandon liberalizimin e vizave për Kosovën.Sa i përket normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë, thkeson Raporti, Kosova mbeti e përkushtuar në zbatimin e marrëveshjeve të arritura në dialogun e lehtësuar nga BE-ja.Shefja e Zyrës së BE-së/Përfaqësuesja e Posaçme e BE-së në Kosovë, Nataliya Apostolova, Raportin për Kosovën 2016 dje ua ka dorëzuar zyrtarisht kryeparlamentarit Kadri Veseli dhe kryeministrit Isa Mustafa, ndërsa do ia dorëzojë edhe presidentit Hashim Thaçi.Me këtë rast u bisedua për përmbajtjen e Raportit si dhe hapat e mëtejmë në avancimin e proceseve në Kosovë. U theksua përkushtimi për vazhdimin e bashkëpunimit në arritjen e synimeve të përbashkëta në rrugën eurointegruese të Kosovës, për vazhdimin e reformave të gjithanshme, zhvillimin ekonomik, fuqizimin e shtetit të së drejtës dhe luftimin e dukurive negative.