Nga Fuat Memelli/
Kështu e ka përcaktuar Faik Konica patriotin dardhar, Josif Pani. Me veprimtarinë e tij , ai ka lënë gjurmë të pashlyera për çështjen kombëtare, sa në Amerikë, aq edhe në Shqipëri. Sivjet më 17 maj, mbushen 81 vjet nga ndarja e tij nga jeta. Le të jenë këto rradhë, një homazh për Josif Panin.
Pas fëminisë së shkuar në vendlindje dhe disa viteve emigrimi në Greqi, stacioni i tretë i jetës së tij , u bë Amerika, të cilën e shkeli në vitin 1903, kur ishte 35 vjet. Kontributet e para të Josifit, tok me dardharë të tjerë që kishin emigruar këtu, ishte për Dardhën. “Nuk duhet të harrojmë fshatin ku pamë për herë të parë dritën e diellit” theksonte ndër të tjera Josifi në gazetën “Kombi”, e para gazetë shqiptare në Amerikë , që nxirte patrioti tjetër dardhar, Sotir Peci. Josifi ndihmonte këtë gazetë, jo vetëm me shkrime, por edhe me shpërndarjen e saj , si dhe me leximin te shqiptarët që nuk dinin shkrim e këndim. Rrethi i tij shoqëror, sa vjen e zgjerohet. Në Boston ai njihet me Fan Nolin, Paskal Aleksin, Kristaq Kirkën, Petro Nini Luarasin, Bahri Omarin, Naum Ceren, Faik Konicën, Llambi Çitozin, Kolë Tromarën, etj. Ky grup , tok me shqiptarë të tjerë, luftonin për t’i dalë zot kombit, i cili ende nuk kishte fituar pavarësinë. Në vitin 1910, Josifi zgjidhet kryetar i Shoqërisë” Besa-Besën”, një nga shoqëritë kryesore të shqiptarëve të Amerikës, e cila ishte krijuar në vitin 1907. Në shtypin e kohës, , si gazeta “Dielli” “Kombi”,etj, Josifi boton mjaft shkrime, ku bie në sy theksi i tij kritik e ironik ndaj grekomanëve, sidomos atyre të fshatit të tij.”Zotërinj! Ne jemi shqiptarë e nuk bëhëmi grekë. Dhe vazhdonte:”Unë s’jam doç greku e gjakpirës. Kur i shkruaj ndonjë armiku të kombit shqiptar, ve nënëshkrimin se e kam faqen të bardhë si një shqiptar i kulluar”. Ai u dërgon letra bashkëfshatarëve të tij për të vendosur mësues shqiptar në shkollën greke të Dardhës. Me përpjekjet e Josifit e patriotëve të tjerë dardharë, anëtarë të Klubit “Përparimi”, në vitin 1917 , u çel shkolla e parë shqipe në Dardhë, me mësues patriotin, Leonidha Çika.
Duke luftuar për çështjen shqiptare, ai shkon tok me Faik Konicën në disa qytete të Amerikës, për të mbledhur të holla për gazetën “Dielli e flamuri” ( kështu quhej atëherë) si dhe për Shoqërinë”Besa-Besën”. Pas katër vjet mërgimi, ai kthehet në Shqipëri. Në këtë udhëtim qëndron në Korçë e takohet me miqtë e tij, patriotët Mihal Grameno e Themistokli Gërmenji. Sipas Skënder Luarasit,”Josif Pani tërhoqi pas Mihal Gramenon e Jorgji Sevon e mund të themi se ata plotësonin trion shqiptare në rrethin e social demokratëve të emigruar në Amerikë”. Pasi ndenji tre muaj në Dardhë, Josifi kthehet përsëri në Amerikë , ku mer me vete edhe djalin e tij, Vasilin, i cili atëhere ishte 12 vjet. Në takimet me shqiptarët e Amerikës si dhe në artikujt që botonte në shtyp, ai flet për gjendjen e Shqipërisë dhe rezikun e coptimit të saj nga fqinjët. Ai jo vetëm shkruante bukur, por edhe kishte një oratori të veçantë.”Shqiptari e ka prej natyre që t’i shkëlqejnë armët e t’i thyej kokën çdo armiku” theksonte ai. Kur Shqipëria rezikohej të cptohej, me nismën e Shoqërisë “Vatra”, u krijua një komision për dërgimin e vullnetërëve në Shqipëri.Në këtë komision, bënte pjesë edhe Josifi. Në vitin 1912, ai e nisi djalin e tij, Vasilin, atëhere 19 vjet, për të shkuar në mbrojtje të trojeve shqiptare.. Atëherë Naum Cerja, shkruante te gazeta “Drejtësia”: “Josifi nuk e kurseu djalin e tij ,për ta bërë theror në altarin e Atdheut”.(Te plote lexojeni ne Diellin e printuar)