
DR. GËZIM PUKA/
Abstrakt
Josif Papagjoni është ndër studiuesit e kritikët më në zë të dramës, teatrit dhe filmit. Kjo kumtesë përpiqet të sjellë ndihmesën e veçantë të tij sidomos në lëmin e interpretimit, vlerësimit dhe gjykimit të dramës bashkëkohore shqipe. Duke pasur një jetë në përcjelljen e tekstit dramatik dhe shfaqjeve teatrore, kritiku ka dëshmuar vetjakësinë e një qasjeje emocionale dhe impresioniste, e gërshetuar me elementin racional, gjykues e vlerësues. Kjo ka ardhur edhe si rrjedhojë e përgatitjes së mirë teorike dhe historike – letrare të tij.
Bibliografia e pasur me botime të shumta e dëshmon më së miri këtë. Veç kësaj është edhe ndjekja e vazhdueshme e teatrit si tekst dramatik, si spektakël, si regjisurë dhe si nivel aktrimi. Josif Papagjoni, falë vëmendjes së tij dhe metodës së evokimit të rrethanave historike, paralelizimit dhe gjykim-vleresimit kritik, ka ditur të ndërthurë në mënyrë të çlirët rolin e kritikut me atë të historianit dhe estetit të dramaturgjisë shqipe.
Shkrimi do të përqendrohet edhe tek metodologjia eklektike dhe impresioniste e këtij kritiku e studiuesi. Në veprën e tij studimore, ai e vështron tekstin dramatik njëherazi sa si letërsi, aq dhe si teatër duke i bërë të dallueshme elementet e shfaqjes, semiotikën e saj, produktin dramaturgjik sipas hierarkisë së vlerës. Stili i tij krijues e dëshmon në kohë shfaqjen teatrore, por gjithashtu e sjellë atë në bashkëkohësi për lexuesin e sotëm. Përmes këtij shkrimi do të evidentohet kjo përvojë e gjatë studimore për teatrin, në mënyrë që t’u vlejë sadopak edhe kritikëve të sotëm e të ardhshëm të dramaturgjisë.
Fjalë kyçe: kritikë, dramaturgji, teatër, shfaqje, gjykim, vlerësim, impresionist.
Josif Papagjoni – studiuesi dhe kritiku
Drama, siç pohohet në shumë prej studimeve më serioze, është një tekst letrar që krijohet me pritshmërinë e një vepre për t’u parë në skenë. Në këtë akt krijimi autori ka qëllimshmërinë e njëkohshme për t’iu drejtuar një lexuesi dhe një spektatori. Si gjinitë e tjera letrare edhe dramatika ka prodhuar vazhdimisht gjykime, vlerësime dhe interpretime kritike, por në të shpeshtën e rasteve këto gjykime janë gërshetuar edhe për zgjidhjet skenike, që u janë dhënë këtyre veprave në skenë. Kështu, dashur pa dashur, mendimit kritik i ka ndërhyrë edhe mendimit për shfaqjen artistike. Me vështirësitë e veta, shfaqja e veprës dramatike që duket e atypëratyshme në skenë, që shtrihet në mes koordinatave kohore dhe hapësinore “tani dhe këtu”, ka pasur nevojë edhe për një interpretim të freskët kritik. Kur e ka ngjallur këtë, është plotësuar dhe ruajtur dëshmia e saj, që ndër vite merr vlerë historike.
Ndër këto ujëra, shpeshherë jo të qeta të kritikës së dramës e teatrit, ka lundruar një ndër emrat më të shquar të kritikës, Josif Papagjoni. Mjafton t’i hidhet një sy bibliografisë së tij të pasur me libra dhe artikuj studimorë për të kuptuar se ai është ndër studiuesit e kritikët më në zë të dramës, teatrit dhe filmit. Nuk është qëllimshmëri e këtij shkrimi për të hyrë në detajet biografike të autorit, por duhet çmuar e vlerësuar një nga periudhat më dramatike të jetës së tij. Si disa shkrimtarë dhe artistë që “përcëlluan duart” duke u marrë me teatër, edhe Papagjonit i ka ngjarë diçka e tillë, gjatë dekadave të tmerrshme të diktaturës, kur shpesh goditeshin krijuesit, që nuk ishin leva dhe rripa transmesioni të propagandës. Parë në këtë prizëm, ky kritik nuk u rendit ndër ata të zellshmit, që i thurrnin hosanara diktaturës dhe drejtimit të saj të parapëlqyer të realizmit socialist, por u pozicionua në shtegun e vështirë të ngritjes profesionale kritike, një mjeshtëri që kërkon mund dhe sakrifica, për të ndarë, zgjedhur e gjykuar vlera estetike.
Në këtë pikëvështrim duhet konsideruar edhe kritika e Papagjonit, së pari, kritikë militante, në kuptimin letrar të kësaj fjale. Dhe, së dyti, si një kritikë të tipit komentar, që i qëndron pranë lexuesit-spektator për ta ndërmjetësuas sa më mirë kuptimin e veprës letrare e skenike.
Metodologjia eklektike dhe impresioniste e këtij kritiku me profil studiuesi duhet parë si një pikë e fortë, pasi ruan mjaft mirë gjurmët e përjetimit të freskët. Kritiku që sheh një shfaqje teatri dhe do që të shkruajë diçka rreth saj, natyrisht duhet të nxitojë për të ruajtur kuptimin dhe freskinë që i ka ngjallur kjo shfaqje leximit të tekstit dramatik të bërë qysh më parë. Kjo gjë ngjet që në fillimet e ngjizjes e të formimit kritik të Papagjonit.
Në shënimet e tij kritike e studimore, ai e vështron tekstin dramatik njëherazi sa si letërsi, aq dhe si teatër, duke i bërë të dallueshme elementet e shfaqjes, semiotikën e saj, produktin dramaturgjik, sipas hierarkisë së vlerës.
Shumë më herët, Fan Noli, në introduktin e tij për tragjedinë “Makbethi”, do të shprehej se kushdo që e lexon këtë tragjedi, duhet ta shohë atë edhe të vënë në skenë, madje dy herë, sepse sipas tij, është e vështirë që një trupë të ketë dy aktorë shumë të zotë për të dy rolet, Makbethin dhe Zonjën Makbeth.
Mbase kjo mund të ndërmenden, ndërsa lexon edhe një libër, ndër të parët e këtij kritiku: “Teatri dhe aktori – shënime kritike”, (1980). Nëse e vështron me vëmendje artikujt në brendësi të tij, do vëresh një model qasjeje që i shkrin aq natyrshëm elementet e tekstit dhe të shfaqjes.
Le ta shembullizojmë këtë me një nga shkrimet që titullohet: “Njeriu që pa vdekjen me sy”. Kritiku e ndërmjetëson kuptimin e kësaj komedie të Viktor Eftimiut të vënë në skenë nga Teatri Popullor në ato vite, duke ndëthurur paragrafet që evokojnë tekstin dhe kuptimin e tij, falë vëmendjes dhe metodës së evokimit të rrethanave historike.
“Komedia nuk bën fjalë drejtëpërdrejtë për fashizmin, por aluzioni është i qartë…etj.”
Më pas vijon me paralelizmin e kontekstit historik duke shpjeguar fabulën e komedisë.
“…Po afrojnë zgjedhjet bashkiake, dy reaksionarë, dy hilexhinj janë në “hall të madh”: zoti Filimon, vreshtari i pasur i krahinës, njeri halldup, i pangopur, rrjepës e trutharë; dhe zoti Leon, spiceri i qytetit, intrigues, aristocrat, fodull, egoist i marrë…etj.”
Gjykim-vlerësimi kritik, ka ditur të ndërthurë në mënyrë të çlirët rolin e kritikut të tekstit letrar dhe teksturës teatrore. Ndalet tek analiza e pikave të forta dhe të dobëta të regjisë, aktrimit etj.
“Ne shikojmë, përmes shfaqjes, një pamje të neveritshme të atyre marrëdhënieve social-etike të Rumanisë së viteve të para të Luftës së Dytë Botërore, të cilat kushtëzuan veprimtarinë fashiste të shtresave borgjeze…etj.”
Kjo formë komenti vihet në shërbim të tekstit dhe të shfaqjes, duke punuar në kufijtë e tyre dhe duke e bërë më të kuptueshëm, për ta afruar me lexuesin-spektatorin dhe për ta favorizuar atë, duke bërë kështu një kapërcim të traditës së mëparshme. Duhet thënë se, mënyra si e ushtron këtë formë në shkrimet e tij, të krijon idenë e një praktike pluraliste, e cila përdor shënime nga burime të ndryshme, të cilat brenda strukturës së artikullit mund të bashkëjetojnë dhe të variojnë në shumë drejtime të mundshme.
Iu referova këtij artikulli më të hershëm për të dëshmuar se në të njëjtën gjatësi vale ka vijuar puna e Papagjonit duke përsosur gjuhën dhe stilin, si dhe duke zhvilluar dhe përsosur kornizën konceptuale kritike impresioniste dhe estetike në qasjen ndaj dramës dhe teatrit, që erdhi pas viteve ’90. Më pas do të vijonte më një sërë titujsh monografish e studimesh që plotësojnë një hapësirë të domosdoshme të mendimit rreth letërsisë, dramaturgjisë e teatrit. Kontributi i tij është sidomos në përsosjen e ligjërimit kritik, duke ushtruar ndikim të dukshëm mbi krijimtarinë teatrore.
Do të përmendnim tituj veprash, si: “Teatri dhe aktori”; “Kumti që vjen nga trashëgimi teatrore”; “Aktorët”; “Kadri Roshi – njeriu që preku lavdinë”; “Individualitete”; “Regjisorët”; “Gjurmë në skenë”; “Poetikë regjisoriale”; “Biseda për artin”; “Dialog me teatrin botëror”; “Historia e arteve” (bashkautor); “Teatri Kombëtar”; “Who is who – Moikom Zeqo”; “Artet” (bashkautor); “Teatri “Migjeni”; “Drama dhe Komedi”; “Enciklopedi – Teatri& Kinematografia Shqiptare” “Grishje për nga letërsia” etj.
Rreth vlerësim – gjykimeve historike dhe kritike të Papagjonit
Kjo kumtesë përpiqet të sjellë ndihmesën e veçantë të tij, sidomos në lëmin e interpretimit, vlerësimit dhe gjykimit të dramës bashkëkohore shqipe dhe asaj të fillimit të mijëvjeçarit të tretë. Duke pasur një jetë në përcjelljen e tekstit dramatik dhe shfaqjeve teatrore, kritiku ka dëshmuar vetjakësinë e një qasjeje emocionale dhe impresioniste, e gërshetuar me elementin racional, gjykues e vlerësues. Kjo ka ardhur edhe si rrjedhojë e përgatitjes së mirë teorike dhe historike – letrare të tij. Tek studimi voluminoz “Historia e teatrit shqiptar” përmes një strukture dhe përmbajtjeje të zgjeruar autori përpiqet të rrokë kronologjinë e dramës dhe teatrit shqiptar në shekuj. Duket se pjesët më tërheqëse kanë ruajtur metodologjinë e shkrimeve komentare kritike. Janë pikërisht ata që u kushtohen sidomos dramës që orientohej drejt elementeve moderniste, shfaqjeve që kishin ngjyresa të disidencës dhe sidomos artit skenik të pasviteve ’90.
Historiciteti i hap rrugën një kuptimësie që justifikohet edhe tek shkrimet e Papagjonit. Qëllon shpesh, për lehtësi studimi, që historia duhet të ndahet nga kritika. Në rastin e lartpërmendur të historisë së dramës dhe të teatrit shqiptar, ajo shihet si një degë e historisë së letërsisë dhe duhet kuptuar e lidhur pazgjidhshmërisht me kritikën e këtij teksti dhe elementeve të shfaqjes. Tek ky tekst historie ka edhe një trajtim të dramave dhe shfaqjeve si inventar, pa hierarki vlerash, thjesht për të dëshmuar kronologjinë. Rasti më interesant për ne është kur edhe brenda shfaqjeve të këtij libri zgjohet kritiku. Edhe pse në sfondin e një historie ai dallon, ndan dhe gjykon rastet e kulmimeve të disa sezoneve kulturore, e kjo falë përqendrimit mbi tekste dhe shfaqje të zbuluara dhe komentura sipas kriterit estetik. Të tilla, në këtë vepër, janë disa kapituj, si për shembull tek ai i katërti përmes çështejeve: “Drama të kritikuara ose “problematike”; Shkrimet e shenjta, mitologjia dhe folklori; Drama familjare dhe ajo e personalitetit; Dramaturgët; Dramaturgët më të njohur në Kosovë. Po kështu tek kreu i gjashtë, çështejet: Qasje alternative: misticizmi, hermetizmi, simbolizmi; Teatri pas viteve ’90; Risimi i formave shprehëse etj.
Le të citojmë mënyrën se si e ndërton argumentin për disa drama që i kanë folur shumë publikut shqiptar në kohë të ndryshme, të cilat autori i klasifikon për nga tipologjia te çështja:
“Shkrimet e shenjta, mitologjia dhe folklori”.
“Në këtë nyje, ndonëse ka diferenca sa i takon shqyrtimit dhe interpretimit të lëndës mitologjike nga metoda e realizmit socialist krahasuar me poetika të tjera (para dhe pas vitit 1990, në Kosovë apo në Shqipëri), është fenomeni letrar që i bashkon pak a shumë dramat e kësaj tipologjie dhe këtij rendi. Për këtë arsye, në analizat e sjella nga dramat dhe shfaqjet e përzgjedhura më poshtë, është tejkaluar me ndërgjegje periudha e realizmit socialist për të ndërtuar më mirë fenomenologjinë si dhe sintezën e vlerësimit kritik mbi këtë prirje të dramës shqipe”.
Tek ky citim zbulojmë aftësinë e mirë përzgjedhëse të tekteve dhe shfaqjeve që merr në shqyrtim, i nisur nga tipologjia tematike dhe formale e dramave që kanë shenjuar sidomos prirjet dhe prurjet me moderne të kohës. Kjo kornizë konceptuale është një ndihmesë e mirë edhe për kritikë e historianë që mund t’u qasen këtyre dramave edhe më vonë. Përballë çdo teksti dhe shfaqjeje, Papagjoni vendoset në pozicionin e gjykuesit dhe vlerësuesit, duke parë përparësitë dhe të metat, por në një këndvështrim pozitiv dhe inkurajues për dramaturgët dhe regjisorët.
Kritika e tij nuk është një kritikë e tendencioziteti të skajshëm. Përpjekjet e tij janë në koherencë me objektivin i diskutimit për letërsinë. Në këtë rast mund të ndërmendet pozicioni i Antonio Gramshit, i cili ishte aq i nyjëtuar në kritikën e teatrit italian në dekadat e para të shekullit XX dhe kishte si pikësynim formimin e një kulture të re, për një jetë të re morale, në mënyrë që të krijohen bazat nga të cilat do të lindin veprat e tjera të artit. Kritiku italo-shqiptar shtronte çështjen e ndërlidhjeve të vlerave kulturore dhe të vlerave estetike të veprave. Ky raport jepet përmes lidhjes tradicionale midis formës dhe përmbajtjes. Një emërues të përbashkët duket se e gjejmë edhe tek interpretimet e kritikut që kemi marrë në shqyrtim, i cili në shkrimet e tij reflekton mbi faktin që vepra është një proces dhe që çdo ndryshim në përmbajtje, do të përcaktojë një ndryshim në formë.
Në kapërcyell të shekujve XX dhe XXI historiani, studiuesi dhe kritiku vëren se drama shqipe është shkëputur më në fund prej kufizimeve estetike dhe ka bërë hapa cilësorë në përmbajtje, në tipologji dhe në strukturë. Kjo falë ndikimeve të vonshme të dramaturgjisë botërore.
Citojmë:
“Në një varg dramash, si: Çmurosja, Pse (Serafin Fanko), Tri mendje në ankand, Para semaforit, Shpirti i ujkut (F. Hysi), Tiranozauri, Muzeu, Ëndërr e përjetshme, Frika dhe krimi, Një ëndërr në mes të Evropës (K. Trebeshina), Ftesë për darkë, Tri këngë dashurie, Alegretto Albania (S. Çapaliku), Vizita e fundit (Albri Brahusha), apo të dramaturgëve nga Kosova, si pjesët: Trokitje, Shfaqja e fundit, Pavioni D (F. Hysaj), Hijesina (N. Islami), Eshtrat vijnë vonë, Repriza e lirisë (T. Dervishi), Parfumeria, Katër epoletat, Kosovares (Haqif Mulliqi) etj. bëhen më aktive me elementë të tillë, si: tjetërsimi, alegoria, simbolika, prania e metaforave në zbulimin dhe risemantizimin e marrëdhënieve njerëzore, shumësia e planeve të shikimit brenda të njëjtit fakt, apo personazh, fragmentimi, deri edhe çukërmimi i ngjarjes kryesore që ngjiz gjithë të tjerat. Konfuzioni i qëllimshëm, konvencionalizimi dhe shpërfytyrimi i ndjeshëm i kohës dhe i hapësirës dramatike gërshetohen, si rregull, me sajimet e situatave, dublimet e vetjeve, përsëritjet e veprimeve zanafillore dhe shndërrimi i tyre në ritual, paradokset dhe veprimet ekscentrike.”
Të gjitha këto prirje drejt poetikave të reja krijojnë edhe një lloj keqkuptimi tek spektatori i gjendur në befasi përballë situatave absurde, evitimit të racionaliteti të raportit shkak-pasojë, papërcaktueshmërisë në kohë dhe hapësirë, lojës gjuhësore. Të gjitha këto caqe të reja, që e fusin në krizë lexuesin – spekator, të befasuar nga ky vërshim modelimesh formale, ku ndërmjetësohet proza dhe drama, rrëfimi dhe veprimi. Kritiku duket se e përjeton ankthin e spektatorit kur bën analiza të tilla, kur vështirësimi i kuptimit të dramës dhe shfaqjes është strategji e qëllimshme e krijuesve.
“Këtu kanë fituar përparësi elemente të tillë si hermetizmi, mbivendosjet e njëpasnjëshme të domethënieve, dekonstruktimi i personazheve, dialogu i keqkuptuar, situatat absurde, shmangia e kohës së matshme fizike dhe parapëlqimi i “kohës psikologjike” si cak i pamatshëm i “ankthit” dhe i traumës, zgjidhjet “e hapura” e të papërfunduara etj.”
Kritika e Papagjonit i jep një përparësi përmbajtjes dhe në të sheh vlerat kulturore. Në këtë prizëm është vërejtur gjithë vepra e gjerë dramatike nga ky kritik, i cili e ka parë sa dramën, po aq edhe teatrin si tempuj emancipues për një shoqëri shqiptare me komplikacione historike. Ndonjëherë mund të duket se ai u është qasur veprave minore, por nuk ka pasur asnjë kompleksitet, por me nuhatje dhe shije të mirë kritike ka ditur të qëmtojë ato syresh që prodhojnë provokim dhe diskutim letrar.
Papagjoni mes kritikës teatrore akademike dhe kritikës së gazetës
Kritika e Papagjonit vërtitet në kufijtë e një kritike gazete dhe kritike akademike. Kur punon si kritik i gazetës, ai udhëheq lexuesin drejt zgjedhjes së duhur në hapësirën e teatrit. Tek roli i komentuesit shohim momentin kur gjërat janë bërë, ndërsa momenti i kritikut që jep modele është lënë pas, pasi kishte lidhje me metodën e imponuar shkrimore nga realizmi socialist. Kritika e modelit për t’u ndjekur, mbase haset në shkrimet e para për teatrin, që e evidentuam më herët. Papagjoni preferon pozicionin ndërveprues me tekstet dhe shfaqjet që janë pjesë e përvojës së tij direkte me veprat. Ndonjëherë shkrimet duket se janë bërë edhe të shkëputura në kohë, i tillë është rasti i disa qasjeve që ka ndaj veprave “problematike” ose teatrit “ndryshe”, siç e quan ai, gjë që dëshmon ndjekjen e dramaturgjisë në proces.
Le të citojmë shkurtimisht një paragraph nga interpretimi që i bën një prej shfaqjeve më të dënuar të asaj kohe, “Njollat e murrme” të Minush Jeros. Një dramë që në fillim u glorifikua duke marrë çmimin e parë në festivalin teatror të 1969-ës, pak ditë më vonë u fundos nga kritika e ashpër, që i bëri vetë Enver Hoxha. Ky kulmim i konfliktit mes jetës së njëmendtë nën diktaturë me trillin letrar, që shenjestron këtë regjim, nuk ka se si të mos lërë gjurmë edhe tek kritiku i ri në atë kohë, që do ta ruajë të freskët kujtimin e asaj shfaqjeje shumë vjet më vonë, duke e veçuar tek libri i tij historik.
“Drama shqiptonte me guxim nevojën për pastrim shpirtëror, mirëkuptim, tolerancë, pendesë dhe përgjegjësi morale. Kundërshtimi ndaj metodës së realizmit socialist nuk shfaqej vetëm në ato ç’ka pohoheshin në tekst, as vetëm në kritikën ndaj intolerancës dhe bjerrjes morale të shoqërisë (përmes asocimit me një familje në rënie), por edhe në poetikën dhe tipologjinë e re dramaturgjike, e pahasur më parë, falë kjo një kompozimi të shkathët e novator të subjektit si dhe elementeve të tjerë formalë, ku prania e konvencionit në dinamikën e vendit të veprimit dhe rrjedhës së ngjarjeve, me kthimet e rikthimet e tyre në voli të rrahjes së argumentit të shtruar, shndërrohej në mënyrë dhe mjet të fuqishëm shprehës. Gjuha regjisoriale përdori jo pak detaje e gjetje me ngarkesë simbolike dhe metaforike. Bie fjala, zgjidhja skenografike i shëmbëllente një rrethi të ngritur ngjyrë kafe në vjollcë dhe tangjent me të, që nga rrafshi i skenës, bashkëngjitej një udhë e kuqe, e pjerrët, për të dhënë idenë e zhvillimit në formë spirali të shoqërisë, gjithpo aq për të pohuar se stadi aktual i këtij zhvillimi nuk ishte aspak i përkryer. Përkundrazi, kishte “njolla”. Mizanskena ndërtohej sipas parimit: personazhet lart, në platformën si “njollë” e murrme, pasi diskutonin me njëri-tjetrin në kërkim të argumentit e përgjegjësisë, apo të qetësisë dhe privatësisë së tyre, të ngacmuar nga opinioni social jashtë shtëpisë, teksa zbrisnin poshtë në udhën apo platformën e kuqe, kritikoheshin rreptësisht nga kori; ky, kishte marrë atributet e vetëdijes së përparuar komuniste.”
Siç vërehet në pjesën e dytë të citimit i jepet shumë rëndësi hapësirës. Vepra dramatike është që nga fillimi dhe deri në fund një paraqitje brenda një hapësire. Kjo është arsyeja përse ajo përbën një argument me interes për vëzhgimin e studiuesit, të cilit kjo hapësirë skenike simbolike i ka lënë mbresë edhe pas disa dekadash, pasi ka parë shfaqjen. Hapësira është çështje me rëndësi jo vetëm për teoricienët, por edhe për lexuesit e studiuesit e veprave dramatike në përgjithësi. Hapësira skenike përdoret për të përshkruar hapësirën që rrjedh nga teksti dramatik dhe paraqitet si një ngrehinë, ku çdo përbërës ka rolin e vet themelor. Për ta analizuar këtë arkitekturë, kritika e Papagjonit përdor koncepte që vijnë nga semiotika dhe teoria e komunikimit. Ajo për të cilën interesohet më shumë ky shkrim është hapësira skenike prej së cilës ndërmjetësohet shumë mirë kuptimi kryekëput antikonformist i kësaj drame “të dënuar”. Kjo qasje nuk i rrëshqiti në asnjë moment shkrimit të këtij studiuesi, i cili më duket se e ka rritur në çdo kohë kredon e tij kritike dhe ka ridimensionuar rolin e saj në kohëra. Autori e vetëdëshmon se kritika e tij nuk ka qenë “sëpatë ballit”, por shpeshherë ka qenë një “thupër” e lehtë fshikulluese për cenet në trupin e veprës letrare dramatike dhe “anatominë” e shfaqjes. Citojmë se si shprehet në një intervistë të dhënë së fundmi në të përjavshmen letrare, ExLibris:
“Kritika është diçka e fisme, si vashë e bukur, por edhe syvëngër, si plakë e shëmtuar. E fisme sepse ti luan me veten, me mendimin, me idetë; lazdrohesh nga dija dhe sipëria e saj përballë atyre që ti gjykon. Dhe kjo të jep shumë mirënjohje, miq, falenderime. Kritika është sa shqyrtim shkencor, aq dhe pjesë e poetikës artistike, letrare, stil, vetëshprehje, përjetim. Shpesh është vëngëroshe, sepse kur diçka s’të pëlqen, vetullat bien vrik mbi sy, jo vetëm të tuat, por sidomos të atyre për të cilët ke shkruar, ke bërë vërejtje, ke kritikuar. Kjo është dhimbja tënde, bezdia. Është një thes eshtrash që e ke mbi shpinë dhe duhet ta çosh diku në një krematorium. Më e vështira gjë, ku dinjiteti yt ose lartësohet, ose bjerret në një përqeshje të pafalshme. Dhe këtu duhet karakter, ndershmëri, moralitet. Nuk them se nuk e kam pasur këtë karakter dhe këtë moralitet. Në rini e kisha me “okë”, më shpesh e më dukshëm, në pleqëri “okë”-t kanë rënë disi, jam paksa më tolerant, sepse nuk dua ta pështyjë atë gjellë që artistët e kanë bërë me aq dashuri, e cila quhet dramë, shfaqje teatri, film, rol, roman, poezi etj. Nuk shkruaj për çdo gjë. Përzgjedh. Nuk dua që kur të takoj dikë, ai të kthej kokën dhe të bëjë sikur nuk shikon, sepse, dreqin, dua ta pi një kafe me “hatërmbeturin” tim!…Afërmendsh se pas vitit 1990 i hoqa zhelet e metodologjisë së shqyrtimit sociologjik me gjithë skemat e neveritshme të saj dhe, pak nga pak, mes leximeve, vesha ndoca rroba të metodologjive të kohës të fundme, që nuk na jepeshin më parë. Ndryshoi optika, terminologjia, por edhe muskulatura e stilit duke qenë tashmë më i shkrifët, me përftesat edhe të përjetimeve vetjake e shpengimin.”
Më duket se në të shpeshtën e rasteve kritika e tij nuk ka vuajtur nga “metodologjia e shqyrtimit sociologjik”, por ka vuajtur prej faktit që pjesa më e madhe e kritikës sonë (brenda territorit të Republikës së Shqipërisë), nuk kishte mundësinë e njohjes së hapësirës së mendimit modern perëndimor, të shkollave dhe më të mira të letërsisë dhe të artit të fjalës, që i qasen me veprave skenike me instrumente operimi të brendshme. Krijimtaria kritike dhe studimore ishte vënë patjetër në ndikimin e propagandës, por edhe brenda këtij rrethimi, shkrimi i tij që i referohej shumë figuracionit tekstësor, letrar dhe skenik, kishte rrezatime të çlirëta. Mënyra në të cilën paraqitet vijon të jetë ajo e kritikës militante.
Josif Papagjoni në këtë mënyrë përfaqëson tipin e kritikut që pretendon të ketë autoritetin e duhur, pasi gjatë “përleshjes” së gjykim-vlerësimeve të tij dhe jehonës që kanë lënë pjesët dramatike dhe shfaqjet, kërkohet një spektator asnjanës. Pjesëmarrja e tij e shpeshtë ndër periodikë ka favorizuar marrjen e këtij pozicioni prej aristarkoje në shtypin tonë të shkruar.
Në këtë laboratorin teatror të fillimit të mijëvjeçarit të tretë ka gjithnjë edhe më pak besim tek roli i kritikës. Rizgjimi dhe kërkimi i formave të reja të shprehjes së krijuesve në teatër, përmes eksperimentimeve, thyerjeve estetike, përzierjeve të teatrit me arte të tjera dhe kërkimi i një komunikimi total përbën një sfidë të hapur me pozicionin vetmitar të kritikës. Edhe në këtë ndeshjen me modelet e reja dramaturgjike, duket se Papagjoni kritik nuk e ka ndjerë vetminë. Besnik i mjeshtërisë që ka zgjedhur për interpretimin kuptimor të pjesëve teatrore të bashkëkohësisë, ai nuk është turbulluar, por ka ruajtur kthjelltësinë e tij, për mënyrën se si ta shohë shfaqjen; si ta kontekstualizojë atë brenda krijimtarisë së një autori dhe një lëvizjeje teatrore; si ta tregojë atë që ka parë dhe si t’ua paraqesë lexuesve – spektatorë atë shkrim të ndikuar nga shfaqja. Ja si shprehet përmes një artikulli për shfaqjen “Allegretto Albania” të Stefan Çapalikut, me regjisor Altin Bashën:
“Në tërësinë e shfaqjes “Allegretto Albania” haset një frymë e fortë kundërshtimi ndaj mykut social e moral që mbyt dhe bjerr jetën, njeriun; që e bën atë tragjiko-komik, me sjellje gjer groteske, për të qeshur e për të qarë. Por shtizat e sarkazmës çpojnë thellë posaçërisht morinë e spekullantëve që përfitojnë nga kjo plagë. Retorikën. Të qeshësh me njerëzit e ngujuar dhe kërcënuar nga gjakmarrja, për autorin, regjisorin dhe aktorët do të thotë, më së pari, të të vijë keq për ta, madje, herë-herë, edhe të lotosh. Të të vijë keq e të lotosh për fatin, pafajësinë dhe kokëshkrepjet e tyre. Për budallallëkun. Për kohën e mbrapshtë, për gjendjen groteske ku gjendemi. Për komicitetin. Të krejt shoqërisë, mbërthyer nga merimangat e bykut dhe mykut historik. Të tokës ku ky njeri ka mbirë dhe ka ecur. Të historisë sonë. Të mangësive dhe veseve. Të frikës dhe tmerrit. Të gjithçkaje që e bartim mbi shpinë si fatalitet, si paaftësi dhe si ndëshkim. Po, ne qeshëm me personazhet e luajtura nga M. Kabashi, H. Dako, G. Paja, A. Pasha, por sakaq na erdhi edhe aq keq për ta. Dhe në këtë mënyrë shfaqja mundi t’i realizojë porositë e saj, sikundër fali jo pak argëtim.”
Përfundime
Kritika e Papagjonit edhe kur është e përfshirë në vëllime historie të dramaturgjisë, përpiqet të japë edhe shijen e ngjarjes teatrale, së bashku me mjete e tjera të punës dhe të informacionit. Detyrë e tij, siç e përmendëm, është të tregojë dhe të gjykojë. Pikëvështrimi i tij nuk është thjeshtë vëzhgues, por është bashkëpunues për ndërmejtësimin e kuptimit të krijuesive kryesorë, dramaturgut dhe regjisorit. Në rastin Papagjoni mbizotëron pozicioni i kritikut mbi atë të studiuesit dhe historianit të teatrit. Edhe kur është historian teatri, ai mbetet kritik.
Të lexuarit e shkrimeve të këtij kritiku është një akt i pastër rikrijimi shfaqjeje teatrore në imagjinaren e lexuesit. Kjo falë metodologjisë që ai ndjek për ndërtimin e kuptimit të veprave të skenës. Nga kjo lloj shkrimtarësie mund të përfitojnë edhe studiuesit apo kritikët e rinj. Përmes analizave dhe interpretimeve të këtij kritiku duket fare mirë ndarja e shfaqjeve që bazohen në tekste të forta dramatike, shfaqjeve që bazohen në regji, në teatrin e grupit apo në eksperimentime.
Përfundimisht, në pikëvështrimin tonë, shkrimet e Josif Papagjonit dakordësojnë më ithtarët e kritikës së kuptimit të letërsisë, sipas të cilëve gjuha mund të jetë e ndryshme nga realiteti, por ajo sidoqoftë e reflekton atë. Pozicioni i tij i kritikës së dramaturgjisë është në të njëjtën gjatësi vale dhe mbështetet në parimin se teatri është produkt i përvojës dhe gjuha poetike e tij është pastërtisht emotive.
Nuk mungojnë rastet e refleksionit të Josif Papagjonit për shndërrimet që ka pësuar ky art i skenës, duke iu përshtatur kohëve, por edhe duke përballuar sfidën me klishenë e përhapur gjerësisht, për “krizën e kritikës”.
BIBLIOGRAFI
BARTHES, Roland: Aventura semiologjike, Pejë, 2008, 437 f.
CANZIANI, Roberto: Comunicare spettacolo (teatro, musica, danza, cinema. Tecniche e strategie per l’ufficio stampa), Milano, 2017, 214 f.
ÇAPALIKU, Stefan: Libri i vogël i dramatikës, Shtëpia Botuese e Librit Universitar, Tiranë, 2011, 130 f.
FRAJ, Northrop: Anatomia e kritikës, Prishtinë, Rilindja, 1990, 514 f.
JEFERSON, An; ROBY, David: Teoria letrare moderne, (përkthim i Floresha Dados), Shtëpia botuese “Albas”, Bot. i 2-të, Tiranë, 2006, 340 f.
MARINO, Massimo: Lo sguardo che racconta. Un laboratorio di critica teatrale, Roma, 2004, 179 f.
MUZZIOLI, Francesco: Le teorie della critica letteraria, La nuova Italia Scientifica, Roma, 1994, 209 f.
PAPAGJONI, Josif: Grishje për nga letërsia, Botime “Toena”, Tiranë, 2013, 609 f.
PAPAGJONI, Josif: Historia e teatrit shqiptar, Qendra e Studimeve Albanologjike, Tiranë, 2011, 522 f.
PAPAGJONI, Josif: Imazhi, historia, qenësia – Filmi artistik shqiptar, Akademia Ndëruniversitare e Studimeve Albanologjike – Instituti i Antropologjisë Kulturore dhe Studimit të Artit, Tiranë 2017, 588 f.
PAPAGJONI, Josif: Individualitete, Akademia e Shkencave, Qendra e Studimit të Arteve, Tiranë, 2001,262 f.
PAPAGJONI, Josif: Regjisorët, Akademia e Shkencave – Qendra e Studimit të Arteve, Tiranë, 2002, 383 f.
PAPAGJONI, Josif: Sprova të modernizmit në rrjedhat e fundme të dramës shqipe, Aktet e seminarit shkencor, Tiranë, 2004, f. 150.
PAPAGJONI, Josif: Teatri dhe aktori – shënime kritike, Shtëpia botuese “Naim Frashëri”, 1980, 204 f.
PAPAGJONI, Josif: Teatri i Shkodrës, Enti botues “Gjergj Fishta”, Shkodër, 2009, 119 f.
Papagjoni, Josif: Teatri Kombëtar, Akademia e Shkencave, Qendra e Studimit të Arteve, Tiranë, 2005, 365 f.
PAPAGJONI, Josif:: Kritika është diçka e fisme, si vashë e bukur, por edhe syvëngër, si plakë e shëmtuar, Gazeta “ExLibris”, e shtunë, 15 janar 2022.
PUKA, Gëzim: Në kërkim të një drame “ndryshe”, Qendra e Studimeve Albanologjike, Shtëpia botuese “Didi&Oli”, Ulqin, 2017, 244 f.
SHEKSPIR: Makbethi, Shtëpia botuese “Onufri”, Tiranë, 2005, 160 f.
WELLEK, Rene, WARREN, Austin: Teoria e letërsisë, Tiranë, 2007 (kapitulli që i kushtohet kritikës letrare).