Faruk Myrtaj/
-tregim i shkruar në qindra vjet-
E di që nuk e keni kollaj të më besoni se unë Isha njeri nga ata që, përpara dy a tri shekujsh, na ngjitën në bordin e anijes “Sythi i Shpresës”.
Ishim të gjithë qenie njerëzore në pasje të varfër materiale, kur vumë këmbë në platformën e drunjtë. Na kërkuan veç të mos shprehnim dhimbje për ikjen nga vendlindja nëse nuk shfaqeshim dot të gëzuar, teksa do fotografoheshim duke ecur në krahun e varur që u lëshua prej anijes për ku ne prisnim në breg. Ashtu bëmë.
Vetëm pasi të zotët e anijes u ndjenë të sigurt se e kishin lënë atje tej portin dhe morën frymë lirshëm, pra që kurrkush s’do t’i mbërrinte dot, ne kuptuam se nuk do ishim më ata që kishim qenë. Tek e fundit ishte një lloj lajmi ky, pa e ndarë dot, ende, lajm i mirë apo i keq. Teksa shpresonim se s’kishin për të qenë më ata varfanjakë që kishim qenë, mbase kjo përfshinte së paku varfërinë e deri-atë-ditshme.
Ç’do të ishim për ata që na kishin marrë apo si do thirreshim më-pastaj, s’mund ta dinim. Asnjeri nga ne s’e kishte bërë më parë këtë udhëtim. E vetmja gjë që dihej, nga të gjithë, në hollësi të ndryshme, ishte se në këmbim të nisjes ishte një dorë parash që u ishte dorëzuar për familjet tona. Pa e përdorur varfërinë si pretekst apo si justifikim, le të themi se ne vet pranuam të niseshim për matanë oqeanit, mes tjerash edhe si mundësi për t’i ikur kësaj varfërie. Ç’tjetër mund të bënin ca të mjerë si ne, për të lehtësuar në një farë mënyre jetët tona dhe të të vetëve që lamë pas?
Përderisa qemë ngjitur me këmbët tona në anijen që ishte nisur, le të arrinim për ku na prisnin. E humbëm sysh bregun tonë, që na u fsheh për të kuptuar se s’do ktheheshim më pas.
Ca më tej akoma, si për ta zbutur sado pak trishtimin pikëllues, na u bë sido si e shpresueshme se dikur, jo shumë kohë më pas, edhe njerëzit tanë do të na bashkoheshin atje ku do rregulloheshim së pari vet ne.
Vetëm aty, mbi kuvertën e anijes si ishull mes ujërave pa kufi, na u tha se qemë nisur për “Tokën e Premtuar”, pa na thënë përse nuk na ishte premtuar deri pak më parë. Nga që as për të ëndërruar s’ishim mësuar, anija sikur u zhytë e tëra mjegull dhe ne nuk patëm nge të mendonim vërtetshëm për bashkimin me familjarët.
Në ato copëra lajmesh që kush e di se si arrinin deri në anije, dilte se një numër i madh njerëzish, nga tërë bota, kërkonin dhe luteshin të niseshin për Atje ku neve po na çonin pa ua kërkuar, madje kundrejt një shpërblimi të akorduar nga vet ata për familjet tona. Sado që lajmi për ikjen tonë ishte ai që dinim, nuk e pranonim dot si të vërtetë edhe për të tjerët. Tingëllonte e zorshme, nëse jo e pamundur, që të gjithë së bashku të kishim të njëjtën ëndërr, të njëhershme, me “Tokë të Premtuar”.
Në atë udhë ujore, pra që s’e shkelnim me këmbë dhe që po dukej e pa fund, na mbetej t’i ngulnim sytë ritit të dallgëve që vinin, përkëdheleshin e përplaseshin në metalin e anijes, si në dëshirim të mbërrinim edhe ato bashkë me ne në bregun tjetër.
Kurrë s’kam për ta harruar, ngaqë asnjëherë s’kam për ta rrëfyer dot shterueshëm, edhe sot më mbahet fryma, njeriun që ndodhi i ulur pranë meje. Sapo ma kishte rrëfyer dashurinë e tij, nëse do mund ta pranoni si dashuri pasi unë të mund tua rrëfej atë sic ma besoi ai, në çastin tjetër u ngritë më këmbë dhe vrullti i dha fund jetës në ato ujëra, pa iu gëzuar mundësisë që na ishte premtuar në fund të këtij udhëtimi.
Mbase s’ishte ende dashuri, ajo e tija, me një vajzë të fqinjëve, por ai vet ma rrëfeu se si kishte hyrë nga sipër në strehën prej kashte të shtëpisë sa saj, e kishte puthur- po vetëm sa e kishte puthur- dhe i kishte thënë se- gjithnjë sipas një ëndrre që ai kishte parë, së shpejti ai do të nisej për rrugë të gjatë. Më pastaj, i kishte premtuar ai, asaj vajze të sapo puthur nga një I panjohur që vetëm e kishte puthur dhe po I premtonte se, së bashku, do mund të bashkoheshin dhe do bënin një jetë të gjatë në dashuri të bukur. Ajo e mirë, e puthur prej këtij të panjohuri që kush e di pse po ëndërronte edhe për të, mbetur pa fjalë e pa frymë prej puthjes së gjatë dhe se s’dinte kurrgjë për të, kërkoi t’ia dinte së paku emrin. “Di unë për ty,”, i kishte pëshpëritur ai si engjëll. “Unë do vij të gjej, ti vetëm më prit!”
Pikërisht ky njeri, që kishte mbjellë një shpresë, s’pati gjetur dot fuqi të përballonte të vjellat prej lundrimit në det dhe dhimbjes e kokës. Si të kërkonte ndjesë me jetë, kishte zgjedhur të hidhej mes dallgëve. Nuk arrita dot të bëja kurrgjë në ato pak sekonda të vrapit të tij të çmendur, t’i kujtoja premtimin që sapo më tregoi se ia kishte bërë dikujt. U ngushëllova prej filozofisë që, zaten, veç për këtë u vjen në ndihmë atyre që e dorëzojnë fatin e vet në duar të tjerëve. Si përherë në rrugë të pa njohura apo përgjatë aventurash të rrepta, të pa-zgjedhura prej tyre, ata më të brishtët, më delikatët, të dashuruarit, thashë, epen, dorëzohen, s’e presin dot kohën që kjo tu kushtohet deri në fundin e vet.
***
Të tërë ne që u ndodhëm në krahë të tyre një copë rrugë, që pastaj vazhduam udhëtimin për më gjatë, nuk arritëm dot të kuptonim qartë nëse Ata që mbetën kësaj rruge kishin shpëtuar apo humbur? Pra, nëse teksa ulëriu si klithmë shpirti mbi oqean, ai djalosh që u ngrit nga ku ishim ulur dhe vrapoi të villej i tëri në dallgët e çapëlyera, kishte shpëtuar duke mos vazhduar mundimin e lundrimit, duke mos provuar jetën që ne të tjerëve na u desh të bënim pasi arritëm apo, duke iu dorëzuar atij varri të ujshëm, kishte humbur rastin për ta ndryshuar jetën dhe të puthurës lënë prej tij si premtim?
Qysh ato ditë, mbi dallgët e stërmëdha që na ngrinin në qiell dhe na lëshonin në honet e tyre, pati zëra, zëra që më pas u bënë të shumta, që i quajtën fatlumë ata që zgjodhën kapakë arkivolesh të ujshëm. U tha me zë të ulët se ato dhimbje të padurueshme koke a gulçe stomaku mund të mos kenë qenë më të rrepta se dhimbjet e lotët që ne të tjerëve, na u desh të gëlltitnim në kontinentin e ri, që na u premtua ardhur si këmbim në natyrë me varfërinë.
Sido si, shkuan dekada, qindra vjet, kur dikush prej nesh vendosi të mbledhë dëshmi për jetët tona të dikurshme, ato më të hershmet. Fillimet nisnin me udhëtimin e parë, me të vdekurit në kuvertë që, të ikurit pa funeral, ata që përfunduan ushqim ujorësh, teksa kurrkush prej nesh s’gjeti nge të provonte t’i shpëtonte…
Edhe pas kaq shekujsh, ndjehesh fantazmë- nëse jo dot engjëll, në emër të atyre që s’arritën dhe të tjerëve që më pastaj mbyllën sytë në truallin ku mbërritëm, edhe pse si të huaj, për të marrë vesh, për ta rrëfyer si ia dolën, si ia dolëm pra, të mbijetonim deri në ditët kur patëm nge të mendonim ta shkruanim të ndodhurën.
Doemos duhej rrëfyer, kohëve të para mbetëm pa gojë, të frikur, pa busull, në traumë të gjatë, kur pamë emrat tanë, në një listë të zvargur: në nisje të atij udhëtimit të parë për në tokën e lirë kishim figuruar…skllevër!
Mua vet, në të gjithë jetët që kujtoja si vetëdije dhe nënvetëdije, më shfaqej ëndrrash ai kaçurreli që kishte puthur si i panjohur, ai pra që i pat premtuar Asaj të pafajshmes jetë tjetër dhe që pasi nuk zbriti dot në tokën premtuar, m’i bëri edhe mua të largëta e të huaja tërë femrat e botës.
Për shkak të atij lloj entuziazmi që edhe sot e kësaj dite pa-shpjegueshëm ngazëllen thuajse tërë ata të brezit të parë të arritur në këtë Tokë, rrekeshim të gjenim arsye për pashmangësinë e ardhjes dikur. Së paku këtu ku na sollën dhe gjendemi ende, nuk i kemi mungesat elementare të vendlindjes, thoshim. S’ishte pak kjo, së paku sa të mund t’i gëzoheshim njeri tjetrit, për fatin që ishim aty, paçka se në krye na paskëshin transportuar si skllevër.
Fillimeve të këtushme u bë e natyrshme, na u kthye në zakon, domosdoja për të punuar, për të punuar sa më shumë, deri në kapitje. U mësuam t’i pranonim sjelljet e zotërinjve të këtushëm. Që ta largonim mendjen prej pa arsyes së njeriut në sjelljen ndaj njeriut, mbase, pranuam të stërmundoheshim fizikisht, rëndshëm, të mos kishim energji e kohë për të reaguar as edhe kur na fyenin për dukjen tonë. Pa na sugjeruar se si mund të shpëtonim prej lëkurës me të cilën kishim lindur…
***
Në orët e gjumit të rëndë, kur unë vet nuk shihja dot më as atë ëndrrën e rrëfyer prej atij djaloshit që s’e mbajti dot premtimin e dhënë përmes puthjes së gjatë në buzë, më besohej se së paku në gjumë nuk isha skllav. Duke kërkuar pa pushim mënyra për të përballuar jetën, duke mësuar të heshtja-që vetëm e vetëm të mbetesha, duke e strehuar veten te të tjerët, në shpirtrat, më në fund ndjemë se ardhkej një kohë kur edhe mund të shpresonim, nëse jo të besonim se bëheshim përditë e më shumë ata që do donim të kishim qenë qysh ditëve të para…
Arrita dhe pashë time bijë, lindur këtyre dherave, rritur sa mund më larg trishtimeve të mia, ngaqë ia fshihja tërë vendosmëri Ah-et e Uh-et e plagëve te vjetra dhe të reja, e pashë pra bijën time të puthej prej buzëve të një dukjeje me lëkurë tjetër. Në krye s’di pse u gëzova, por s’vonoi të më kthehej ndrojtja e frikshme se, në një formë tjetër, mund ta përsërisnin skllavërinë time edhe tek ajo…
Më shkoj mendja ta ndaloja, ta shpëtoja. Ngaqë nuk shpëtova dot atë bukuroshen e përndritur prej puthjes si premtim të të humburit mes dallgëve që më rrëshqiti duarsh te bordi i “Sythit të Shpresës”, së paku të shpëtoja time bijë.
U desh kohë e gjatë, mes pafundit të ditëve kur robtohesha në punët që s’mbaronin kurrë, të kuptoja se s’kisha pasur nge të këqyrja qelizën e njeriut, pra as të arrija të besoja se vetëm dashuria do t’i ndryshonte gjërat.
I kundërshtuar prej sime bije, si qenie njerëzore, nisa të kërkoja dhe të gjeja arsye për të ditur sado-diçka më të bukur te njerëzit që na kishin sjellë dhe na mbanin në punë- edhe për arsyet përse na qenë sjellë aq ashpër: në fund të fundit, në të vërtetën e më në fundme, edhe në ditët më të zeza ata nuk na kishin dashur të vdekur. Patën kërkuar punën tonë, dhe ne nuk ua kishim kursyer.
Në këtë bashkëjetesë shtoheshin çastet e ditët kur ne dhe ata, vinim re se të dy palët kishim familjet, fëmijët, vajzat e djemtë e tyre. Të tërë, ishim njerëz…
Ngaqë e shkuara vazhdonte të mbetej gjithnjë e më larg dhe distanca me pa-dashjen e të ndodhurave rritej pa pushim, provuam të mendonim, të pranonim si destinë dhe më në fund të bindeshim se pikërisht në çmimin si skllevër kishim hyrë pashmangshëm në histori. Ngaqë historia vetë nuk ndodhte dot ndarazi, dikur e pranuan edhe ata…
As që e kishim menduar, së paku gjer ditën kur morëm vesh se disa prej tanëve kishin lënë edhe shenja e fjalë të shkruara, mes tjerash edhe kujtime të ditëve e netëve të gjata e të frikshme në udhëtimin me “Sythin e shpresës”. Pikërisht kjo, na u kthye si shenjë se mund të arrihej diçka që dikur s’mund ta kishim.
Sipas shënimeve të tyre, që përkojnë edhe me kronikën e librave të zverdhur të kohëve të mjegullta, nxjerrë prej arkivave e bërë publike së voni, rezulton se ka qenë rreth vitit 1848 kur na ngjitën në anije, për të kapërcyer ujërat oqeanike. Edhe pse, fale njeriun o njeri, në Sheshet e Evropës aso-kohe thirrej “liri, barazi, vëllazëri!”
Tek ne s’dihej kurrgjë. Liria s’qenkej stinë e njëjtë kudo…
Mes këtyre dilemave e pyetjeve, arriti edhe ajo se si do bëhej me këtë botë, kur jo vetëm zyrtarisht si më 1848-ën, me të vërtetë s’do kishte më skllevër? Vet skllevërit, çfarë do bënin?