-Meditime dhe përsiatje në 70 vjetorin e flokëbardhit të Sinicës/
Nga Shefqet Meko/ Minnesota- SHBA/
Gazetari dhe kiniasti, Fuat Memelli, festoi 70 vjetorin e ditlindjes së vet. Në një mjedis të ngrohtë shqiptaro-familjar në Boston, familja, miq, shokë, ish kolegë dhe sinicarë, u mblodhën për të ndarë momente gëzimi dhe urimi. Në një atmosferë elektrizuese nga “elektronet” Memelli: Gledis,Elton dhe Rezarta, në atë sallë dukej se kishin “zbritur” 70 vjetët e një burri- baba, bashkëshort, koleg, gazetar, krijues, kineast dhe redaktor, organizator komuniteti profesionistësh dhe shok i shokëve. Sinicari Fuat Ohran Memelli, sikur është ulur “këmbëkryq” në 70 “godinat-vite” të jetës së vet dhe thinjat e bardha të shpupurisura pak, të kujtojnë pendët e pulëbardhave që fluturojnë dhe fluturojnë… I dehur nga gëzimi i miqve të shumtë që e rrethojnë, ky djali i vetëm i xha Ohranit të Sinicës së Devollit, duket sikur në majë të një 70 katshi thotë:”Nuk ka gjë më të bukur se jeta e mbushur me dashuri , shëndet dhe trashëgimi…”
Ky njeri 70 vjeçar, në një moment ndihet po aq fëmijë sa një 7 vjeçar. Duke qeshur, merr fizarmonikën dhe këndon “për zeshkanen” në ditlindjen e vet, që për koincidencë e ka më 14 shkurt, në ditën e Shën Valentinit. Këngët korçare, tingëllojnë bukur dhe dhimbshëm në të ftohtin e hidhur të shkurtit në Boston.
Ndërsa je pjesë e një gëzimi familjar, ku sheh brezat dorë për dore dhe të ardhur nga shtete dhe kontinente të ndryshëm, kur sheh peshkopin sinicar Ilia Ketri (lindur e rritur në SHBA me një shqipe të pastër) të ulur thjesht midis mysafirëve, kur takon Prof. Niko Ketrin dhe bashkëshorten e vet, Suzanën, kur shtrëngon dorën me krijuesin pogradecar, Istref Haxhillari, apo studiuesin dhe autorin, Thanas J.Gjika, kur troket gotën e rakisë me agronomët nga Gjirokastra, Konstadin Mosko e Grigor Çaro, apo kur mëson se Petrit Duka nga Elbasani i sapo-zbarkuar në Amerikë, ka punuar 40 vjet me të njëjtën ndërmarrje në Elbasan dhe është “baxhua më i mirë i Fuatit”, përpiqesh të shkosh përtej këtij momenti bashkues dhe të kërkosh diçka më tepër: çfarë i sjell këta njerëz në një festë të tillë? Cila është ajo fuqi bashkuese e shqiptarëve, që bëjnë rrugë e rrugë për të qënë bashkë? Është thjesht “sebepi Fuat”? Janë 70 vitet e jetë së vet, apo diçka tjetër?
Më duket se në këtë rast, është diçka përtej një ditlindje. Besoj se bashkime të tilla të shqiptarëve, janë një himn për jetën dhe gëzimin familjar.Janë një “kultizim” i të qënit bashkë të familjes, fëmijëve, nënës, babës, kurshqve të tashëm dhe atyre të nesërm, që vijnë të gëzohen së toku. Bashkime të tilla, janë festë e jetës, përkëdhelje e ndjenjës njerëzore, shpalosje vlerash dhe gumëzhitje në shpirtin që nuk ngopet me dashuri për njeriun dhe jetën. Në kësi rastesh, njerëzit që vijnë prej diku, sërish bashkohen këtu. Jo rastësisht sinicarët në këtë takim ishin “pakicë dominuese” sepse duket se të lindurit në këtë fshat, e kanë të vështirë të harrojnë njëri-tjetrin, edhe pse nuk mendojnë apo gjykojnë njësoj. Sinicarët, kanë një brumë miqësor, të gatuar herë në xhami dhe herë në kishë, por gjithsesi të “pjekur” në një të njëjtin diell. Është ky tharm, që njerëzit e këtij fshati, të përfaqësojnë një fenomen interesant, si në Shqipëri ashtu dhe në Amerikë.
Jo vetëm në vjersha,libra,filma dokumentarë ( ai ka disa çmime ndërkombëtarë për filmat e tij dokumentarë),veprimtari të shumta me Shoqatën e Gazetarëve Shqiptarë të Bujqësisë, Shoqatën “Devolli”, Klubin “Miqtë e Dritëroit” etj, por, thellë thellë, në themelet e “godinës 70 katëshe”, është vendlindja, Sinica, si një ëndër e bardhë rinie dhe pasrinie, si një fluturim frymëzues që i ndjell rininë dhe fëmijërinë, duke e bërë të ndihet i tillë edhe pas 7 dekadash.
“Gërmoj” në mendjen time dhe sjell disa koincidenca shumë interesante që lidhen me sinicarët: gati 12 vjet më parë, në Shqipëri bashkë shqipataro-amerikanin Vladimir Cicani, përfunduam në një takim të sinicarëve në ish SHQUP-in e atëhershëm, ku sinicarët e Tiranës, organizonin një takim shumë kuptimplotë. Por nuk ka vetëm kaq: Vangjel Damo një veteriner i sukseshëm dhe pasionant i librave dhe ortodoksizmit shqiptar, që jeton në Çikago, më ka bërë një vizitë familajre në Mineapolis, sikurse edhe vetë Fuat Memelli ka bërë të njëjtën gjë, duke qënë për vizitë tek unë “ikanaku” në Minnesota , pa harruar pritje-përcjelljet e Fuatit në takimet gjurmëlënëse të Shoqatës së Gazetarëve Shqiptarë të Bujqësisë në Tiranë, apo edhe shoqërimet e ngrohta me sinicarin Vladimir Cicani në Las Vegas.
Pra, a e kuptoni se si një flokëbardhë 70 vjeçar në Boston, mund të mbledhë më shumë njerëz në një ditlindje, se në një “protestë të PD-së” në Tiranë? E thjeshtë: këto janë bashkime në emër të jetës, gëzimit të së ardhmes. Ndaj kjo ditlindje më fut më tepër në mendime për jetën time dhe jetën tënde, dëshirat e mia dhe të tuat, për ëndrrat që jetuam dhe ato që harruam, për hallet e mia dhe të tua, për atë që bëmë dhe nuk bëmë dot mirë, për atë që ëndërruam dhe nuk e shijuam kurrë dhe për atë shije të hidhur që na kanë lënë të tjerët… Ja pse ketu shoh një Fuat ndryshe. Një Fuat që sërish bashkon njerëz dhe ndan mendime. Një Fuat që e sheh jetën ndryshe mbas “furtunave” të paparashkuara që ka kaluar në Tiranë. Mukadesi, nëna e katër fëmijve, bën një vetpohim ngazëllues në ditlindjen e burrit të vet:” Burri për mua?! Nuk është vetëm ai që të puth e përkëdhel. Ai është shpresa dhe fuqia e një gruaje, siguria dhe mbështetja, burimi dhe ngazëllimi i ndjenjave, besimi që nuk thuhet kurrë, kurajo që të ndjek ngado. Burri është shpirti , krenaria dhe pamposhtmëria e një gruaje. Ky ka qënë Fuati për mua ….” Maka Memelli (Mukadesi) është pjesë-trimëria e Fuatit. Ajo me shumë mundime i ka qëndruar sfidës në Shqipëri duke rritur dhe edukuar 4 fëmijë, kur Fuatit i duhej të shkonte me shërbime poshtë e lart Shqipërisë. Ja dhe një arsye tjetër pse ky “glorifikim” i një ditlindje, ka të bëjë me glorifikimin real të familjes së bashkuar për ta bërballuar jetën, duke u dhënë fëmijve shanset dhe lirinë që meritojnë.
Në “universin” 70 vjeçar të Fuat Memellit, ke aq shumë për të thënë dhe prap nuk i ke thënë të gjitha, sepse Fuati ka bërë aq shumë , për këdo dhe kudo. Nga Sinica ku lindi, deri në Boston ku jeton tani , rruga e Fuatit është sa e bukur, aq edhe e mundimëshme, sa me këngë , aq edhe me lot, sa me arritje, aq edhe me dëshpërime. Sinicari duket sikur udhëton duke belbëzuar vargjet e bukura të Dritëro Agollit:” Devoll, Devoll”.Bashkëdevolliu i Agollit, është një mik i madh ditlindjesh. Jo rastësisht me atë kam festuar 40 vjetorin tim në Kopenhagen të Danimarkës , në vitin 1999,ku ishim në një kongres gazetarësh.
Jo rastësisht ai ka qënë për 12 vjet në krye të Shoqatës së Gazetarëve Shqiptarë të Bujqësisë dhe ka festuar ditë shënuara për kolegë, si 60 vjetorin e Xhevdet Bashllarit, ditëudhëtimin e Fiqri Shahinllarit në Amerikë, përcjelljet e shumta të miqve e kolegëve, etj. Fuati , së bashku me operatorin Fatos Loli, i ra cep më cep Shqipërisë, intervistoi, gërmoi me penë dhe kamera, jetën dhe biznesin e fermerëve shqiptarë, u tregoi të tjerëve histori të pafundme të jetës dhe përpjekjeve për të jetuar më mirë. Me kamer dhe laps, sinicari i Devollit, ka shënuar kështu edhe hapat e jetës së vet.
Sot Fuati dhe Maka jetojnë në Boston, falë sakrificave dhe tejvshëtirmit të vajzës se madhe Gledis Memelli, që krenarisht për Fuatin dhe Makën, ka një pozicion të rëndësishëm në një nga bankat më të mëdha të Amerikës. Po aq krenarë ata janë dhe për vajzën tjetër Rezartën, djalin e madh në Kanada, Eltonin dhe djalin tjetër, Erjonin, punonjës ky i fundit në një bankë në Shqipëri.
Duke “shfletuar” kujtesën, 17 vjet më parë, mbaj mend se e ftova për një kafe Fuat Memellin në “klubin e nëndheshëm” të Ministrisë së Bujqësisë. Me atë zënë e ulët, por me sy të turbulluar, më thoshte: “Shefqet, po me ik djali në Kanada në një festival ndërkombëtar si balerin që është, por ka marrë një vendim të mos kthehet…”. Duke kundruar shqetësimin e Fuatit, iu përgjigja: “Po ky është një vendim për t’u përgëzuar Fuat, edhe pse nuk do jetë i lehtë. Do shpëtojë e ardhmja e fëmijës. Mos ia bëj ters”. Po, pa mbaruar fjalën Fuati dukej se kishte merak të madh për të shprehur.”Jo, bre, unë nuk dua të iki. I dua fëmijët bashkë. I dua në Shqipëri, por po m’i merr në qafë gruaja. Ajo ia ka mbushur mendjen të mos kthehet.Po më këputet shpirti”- më thoshte Fuati dhe dy pika loti i ranë në filxhan të kafesë. Ishte dhimbja dhe dashuria e një babai, që i do të gjithë fëmijët bashkë dhe nuk e di ç’mund të sjellë një ikje e bardhë. Miqësisht u përpoqa ta qetësoja tronditjen e pafajshme.”Do dalë për hajër Fuat. Edhe unë në rrugë për të ikur jam, por ndryshe, me llotari…”- i thashë .
Nuk mund të mos kujtosh këto momente të jetës, ndërsa shikon se çfarë transformimi ka marrë jeta e një njeriu, që si gazetar, 6 vjet në TVSH e më pas në “ombrellën” e Ministrisë së Bujqësië. Ndaj kur sheh fuqinë dhe fytyrëçeljen që të jep liria, kupton më mirë se sa përdhunuese ka qënë jeta jonë në Shqipëri. “Të përdhunuar nga tanët”- kështu do të përmblidhja mbjetesën tonë mes fisit tonë. Vetëm një moment: kur ne festonim 20 vjetorin e gazetës “Studenti i bujqësisë” në vitin 1988, unë gjeta në arkivat a gazetës fakte që kryeradaktori i parë i kësaj gazete, ishte Fuat Memelli, dhe nuk ngurrova ta konfirmoja. Madje deri në atë kohë unë nuk e njihja fare si person. Por a e dini se sa “luftë” u bë në atë kohë nga”kolegët” e Fuatit për ta “korrigjuar” të vërtetën? E pa imagjinueshme fuqia e fallsifikatorëve ! Por unë besnikërisht mbrojta të vërtetën e gjetur në arkiva reale dhe nuk “retushova” asgjë gati 30 vjet më parë. Ndaj ndihem pjesë e kësaj feste për Fuatin tonë. Unë e di se ky njeri, po të kishte këtë hapësirë lirie në rininë e vet, do të ishte ndryshe, do ishte një Fuat shumë më ndryshe.
Ja pse liria që fituam me “kokëkrisurit studentë” të dhjetorit, është e pallogaritshme. Ja pse kjo ditlindje është sërish një “himn” i jetës, shëndetit, gëzimit, familjes. Unë jam ndjerë krenar kur shihja atë “tornedo” dashurie mes fëmijve të Fuatit për babain e vet, dhe atë respekt për shokët e miqtë tij. “Kjo është magjia shqiptare” isha gati të klithja nga momenti i jetuar. Sepse nuk ka si dashuria e prindërve për fëmijët e tyre. Veçmas prindërit shqiptarë janë “vetflijues”të pashembullt për fëmijët e vet. Ndërkohë, postkomunizmi, ka demonstruar sa e sa ribashkime magjike të prindërve me fëmijët në Amerikë. Janë sa e sa vetëm kolegë gazetarë që fëmijët i kanë “peshkuar” drejt Amerikës si: Fiqiri Shanihllari, Andon Dede, Pandeli Shehu, Petro Lati, Petro Topuzi, etj. Ndaj këta shembuj janë preludi i dashurisë për familjen…
Fuat Memelli, është tashmë qytetar amerikan. Ai kontribuon me mundësinë vet që në Boston të ruajë mëvehtësinë kulturore shqiptare. Ndaj edhe në ditlindjen e vet, ai i këndoi jetës me fizarmonikën e vet. Fuati tashmë nuk ka ndroje si dikur, sepse ai tani është Fuat Memelli 70 vjeçar. Bashkë me Makën, jetojnë paqësisht jetën e tyre. Fëmijve, si prindër modernë, u kanë dhënë lirinë e jetës së vet. Secili prej tyre jeton veçmas, duke prosperuar suksesshëm, por duke mos harruar kurrë prindërit.
Në ditlindjen e Fuatit, si “elektrone” të ndritëshme, Gledisi, Rezi dhe Toni, rrezatonin magjinë e dashurisë të fëmijve për babain dhe nënën e vet. Ajo ishte edhe “kurora” e më e bukur e këtij bashkimi. Fuati është një optimist i heshtur dhe këngëtar dashurie, sërish mer “dekoratën” e lavdisë familjare “vulosur” nga gruaja dhe katër fëmijët e tij. E ç’i duhet tjetër dekoratë këtij burri, kur gjithë familja “voton” unanimisht:”Faleminderit baba i shkëlqyer!”
Çdo fjalë tjetër, është e tepërt. Natyrisht, duke pasur akoma një “elektron” në Tiranë, Fuati mezi pret të kthehet dhe të bëjë një “70 vjetor të dytë” aty, edhe pse nuk ka konsesusin e “opozitës” së tij të dashur, Mukadesit. Ajo i thotë gjithmonë: “Jo”, Fuati përherë përgjigjet :”Po”. Mos mbetsh kurrë pa “opozitë” Fuat Memelli!
Në këtë ditlindje, të gjithë e urojnë Fuatin:” Edhe 100 miku ynë!” ”Faleminderit, por unë dua 101” përgjigjet duke qeshur flokëbardhi i Sinicës.
Shkurt, 2015