Flet nga Roma Etrita Ibrahimi, pianistja e suksesshme, e vleresuar me medaljen e Arte ne Torino dhe e nderuar nga Bashkia e Romes/
Interviste nga Liliana Pere/Histori suksesi/
Etrita Ibrahimi, e lindur dhe e rritur në Tiranë, në një familje të njohur artistësh, u largua nga Shqipëria në vitin 1989, meqenëse, pasi konkuroi për piano në Konservatorin “Giuseppe Verdi” të Torinos (Itali), menjëherë fitoi bursë studimi për në atë konservator.
Fëmijëria e saj u karakterizua nga prania e vazhdueshme e muzikës dhe e artit, jo vetëm se kishte lindur në këtë mjedis, por edhe sepse që në moshën 4-vjeçare, filloi studimin e pianos me babain e saj, një ndër kompozitorët më të mëdhenj shqiptar, Feim Ibrahimi, për ta vazhduar atë më pas me suksese të njëpasnjëshme dhe me rezultate të shkëlqyera, në Liceun Artistik dhe në Institutin e Lartë të Arteve, deri në momentin e largimit nga Shqipëria.
Familja e saj është nga më të njohurat në Shqipëri për vetë faktin e shumëditur se Feim Ibrahimi ishte dhe është një figurë qendrore e muzikës shqiptare, i cili, pavarësisht funksioneve që ka pasur në të drejtuarit e artit muzikor në Shqipëri, ishte dhe personalitet artistik, çka e dëshmojnë veprat e tij të të gjitha zhanreve dhe të cilësuarit nga kritika muzikore si kompozitori që tronditi tabutë e realizmit socialist dhe si i pari që modernizoi muzikën serioze shqiptare.
Pikërisht, me këtë edukatë dhe me këto parime është mbrujtur Etrita që kur ka lindur, sepse ajo ka jetuar nga afër të gjitha sukseset dhe peripecitë e babait të saj, ka kaluar të gjithë fëmijërinë dhe rininë e saj me shkrimtarët e mëdhenj, Dritëro Agolli e Ismail Kadare, Fatos Arapi apo Xhevahir Spahiu, etj., me kompozitorët e po aq të mëdhenj shqiptarë, si profesori i Feim Ibrahimit, Tish Daija apo Pjetër Gaci, me muzikologun shumëdimensional grek Georges Leotsakos, apo me shkrimtarët e kompozitorët nga Kosova, si Ali Podrimja, Fahri Beqiri, Zeqirja Ballata, Akil Koci, Rafet Rudi; me regjisorët më të mirë si Piro Milkani apo Kujtim Çashku, me koreografin e shquar Agron Aliaj, me të shkëlqyerit instrumentistë apo këngëtarë si Ibrahim Madhi, Margarita Kristidhi, Gjergj Antoniu, Vaçe Zela, Gaqo Çako, Ramiz Kovaçi, Avni Mula apo profesoreshën e saj Nora Çashku, me të cilët familja e saj ndante orë të shumta dhe ajo rritej me kulturën dhe dijen e këtyre kolosëve të letërsisë e të muzikës, mes një mjedisi të pasur me literaturë artistike dhe muzikore sepse në shtëpinë e tyre librat dhe partiturat ishin pasuria më e madhe.
Në përfundim të studimeve në Torino, ku ajo shkëlqeu përderisa u diplomua me “Dhjetë dhe lavdërime” (ekuivalente e “Medaljes së Artë), në klasën e Prof. Remo Remoli, një nga studentët më të dashur të pianistit me famë botërore, Arturo Benedetti Michelangeli.
Pas diplomimit në piano, ajo iu përkushtua edhe të studiuarit të klaviçembalos, në klasën e Prof. Giorgio Tabacco, njërit prej klaviçembalistëve më të njohur italianë.
Gjithmonë kërkuese drejt shtigjeve të fushave të ndryshme të artit muzikor, u specializua edhe në mësimdhënien e metodës Suzuki .
Bashkë me dy kolegë të saj torinezë themeluan Assiociazione Musicale Suzuki Vercelli, në të cilin ajo ka edhe funksionin e Presidentit.
Etrita ka një jetë koncertale shumë të pasur, jetë e cila ka filluar që në moshën 10-vjeçare. Koncerte të shumta recitale apo me orkestër simfonike jo vetëm në Shqipëri, por edhe një radhë koncertesh në të gjitha qytetet e krahinës së Piemonte-s (Itali) e në qytete të tjera të Italisë (Roma, Milano, Trento, Genova etj.), në Austri, Spanjë, Çeki, Francë, Kosovë, Mal i Zi, Kroaci, Maqedoni etj. Dhe sukseset nuk i kanë munguar sepse, perveç ovacioneve, shpeshhere eshtë klasifikuar në vendet e para nëpër konkurse të ndryshme, ka regjistruar disa herë për Radio Televizionin Shqiptar, është ftuar nga Brahmsgesellschaft në Baden-Baden (Gjermani), ku ka qëndruar disa kohë në Brahmshaus, për të njohur më thellë jetën dhe veprën e Brahmsit.
Profesioni i saj është muzika, pianoja, mësimdhënia, menaxhimi i eventeve muzikore dhe për karrierën që ka zhvilluar në Itali, në vendin që i krijoi mundësinë të thellonte kulturën e aftësitë e saj profesionale dhe personale e ku ajo ka zhvilluar aktivitetin e saj për 22 vjet Bashkia e Romës e ka nderuar Etritën me Çmimin Ndërkombëtar për karrierën “Beato Angelico”, çmim që u jepet artisteve të huaja, për kontributin e dhënë në zhvillimin e kulturës së Italisë.
Etrita thotë se talenti nuk është gjithçka. Ajo që të bën të ecësh perpara, është puna dhe vetëm puna. Rruga e saj drejt suksesit ka qenë e mundimshme, me vështirësi nga më të shumtat, por ajo nuk është ndalur asnjëherë përpara pengesave dhe ka mundur që ta menaxhojë lehtësisht karrierën, pasi çdo gjë ka ardhur natyrshëm që nga momenti që ka krijuar një profil të saj të qartë artistik dhe personal. Ajo është një grua e thjeshtë, plotësisht e ndërgjegjshme për prejardhjen e saj, për arritjet e saj, por gjithmonë shumë kërkuese ndaj vetes dhe asnjëherë plotësisht e kënaqur me atë çka bën, edhe pse tashmë është një artiste në karrierë.Aktualisht ajo jeton në Shqipëri, pasi duhet të ndjekë nga afër procesin e dixhitalizimit të veprave të babait të saj, shpërndarjen dhe ruajtjen e tyre (me të cilat merret Fondacioni Kulturor “Feim Ibrahimi”, ku ajo është Zv/Presidente). Njëkohësisht është Drejtoreshë Artistike e Festivalit Pianistik Ndërkombëtar “Pianodrom”, si edhe pianiste në Teatrin e Operës dhe të Baletit në Tiranë.Etrita thotë se gruaja është një burim i pashtershëm energjie dhe ajo është në gjendje të kontrollojë dhe të organizojë gjithçka dëshiron. Gratë shqiptare në veçanti, kanë një karakter të fortë që i bën ato të jenë nëna të përkushtuara, bashkëshorte ideale, menaxhere të shkëlqyera dhe askush nuk duhet të lejojë që mbi to të ushtrohet çdo lloj presioni o dhune, psikologjike ose fizike. Ato vetë nuk duhet, kurrsesi, të pranojnë keqtrajtime nga askush dhe shoqëria shqiptare duhet t’i mbrojë ato me çdo kusht.
Ndiqeni bashkëbisedimin:
_E dashur Etrita Ibrahimi: – A mund të më thoni si ka lindur tek ju dëshira për t’u marrë me Art? Mund të më tregoni hapat e parë dhe fillimet tuaja në këtë rrugë të bukur dhe po aq të vështirë, kush ka qene iniciuesi i zhvillimit te talentit tuaj ? Permendni disa emra qe ju kanë lënë mbresa në formimin tuuaj artistik ju lutem?
Pergjigjet Etrita Ibrahimi: -Studimet e pianos unë i kam filluar në moshën 4-vjeçare dhe babai im, kompozitori Feim Ibrahimi, ishte ai që më ndihmoi në rrugën drejt artit, pasi ishte edhe mësuesi im i parë. Në të vërtetë dëshira e tij ishte që unë të studioja piano deri në klasën e 8-të për të pasur vetëm njohuri të mjaftueshme për sa i përket muzikës, duke qenë se edhe jetoja në mjedis artistësh, dhe më pas të merrja një drejtim tjetër. Por në fakt që në vitet e para të studimeve u duk se aftësitë e mia nuk ishin të pakta, meqenëse fitova disa herë çmimin e parë në konkurset e talenteve të reja, si edhe luajta dy herë si soliste me orkestër në vitet e shkollës 8-vjeçare dhe në përfundim të saj, mësuesja ime (më e mira që ka ekzistuar në Shqipëri për sa u përket moshave nga 6 deri 13 vjeç), e nderuara znj. Lali Gabeci (Hakiu), këmbënguli që të vazhdoja studimet në Liceun Artistik “Jordan Misja”, pasi mendonte që unë kisha të gjitha aftësitë e duhura për ta bërë muzikën dhe pianon profesionin e jetës sime, kështu edhe im atë, që i kishte parë rezultatet e punës së bërë në vitet e fëmijërisë, mendoi se mësuesja ime kishte të drejtë dhe më “lejoi” që të merrja pjesë në konkursin e pranimit në lice. Kështu filloi – ose më mirë të themi vazhdoi – rruga ime drejt artit.Kur isha vetëm 15 vjeç, luajta Koncertin n. 1 për piano dhe orkestër të L. V. Beethoven-it, e shoqëruar nga orkestra e RTSH-së, nën drejtimin e dirigjentit të mirënjohur Ferdinand Deda, i cili pati një sukses të madh dhe më pas jeta ime vazhdoi duke kaluar nga një recital në tjetrin, deri në koncertin e fundit – para largimit nga Shqipëria – kur luajta njërin nga koncertet për piano dhe orkestër të J. S. Bach-ut, e shoqëruar nga orkestra e harqeve e Institutit të Lartë të Arteve, nën drejtimin e të paharruarit Ibrahim Madhi.
– Di që ju tani jetoni në Shqipëri dhe jeni një profesioniste mjaft e vlerësuar; do të mund të më thonit dicka më shumë rreth aktivitetit tuaj?
Etrita Ibrahimi:- Vitet e jetës në Itali, janë karakterizuar nga prezenca e koncerteve të vazhdueshme si në vendin tim të dytë, ashtu edhe jashtë tij. Repertori im i përfshin të gjithë autorët barokë, klasikë, romantikë, impresionistë (po përmend vetëm disa: Bach, Mozart, Beethoven, Chopin, Brahms, Rachmaninov, Franck, Debussy, Prokofiev, Poulenc, etj.). Kam luajtur në salla dhe në teatro të shumta; disa prej tyre janë Teatro dell’Archivolto (Genova), Palais Palffy (Vjenë), Teatro i muzikës së dhomës “Rosalia Castro” në La Coruña (Spanjë), në Mimara (Zagreb), etj., etj. Kam marrë pjesë në festivale të ndryshme ndërkombëtare dhe mbas 15 vitesh aktivitet koncertal dhe pedagogjik, Bashkia e Romës më nderoi me çmimin ndërkombëtar “Beato Angelico”, i cili i jepet artisteve që kontribuojnë në zhvillimin e jetës kulturore të Italisë.
Kam ardhur në Shqipëri me dëshirën time dhe sidomos me dëshirën e bashkëshortit tim, Alessandro (Giampietro), i cili ishte nismëtari i transferimit tonë këtu. Arsyeja e vetme që na bëri të vinim, ishte dëshira për të ndjekur nga afër (pasi nga Roma ishte thuajse e pamundur) veprat e babait tim.
Unë nuk kam vëllezër e motra, jam vajzë e vetme dhe askush tjetër përveç meje, nuk mund ta bënte këtë. Kështu, në fund të vitit 2010, morëm gjithçka kishim dhe erdhëm për të ndjekur ëndrrën tonë në Shqipëri. Alessandro është pika ime kryesore e referimit. Ai është këshilltari në familjen tonë dhe unë , edhe pse nuk doja fillimisht, ndoqa idenë e tij për të ardhur këtu dhe për të ndjekur (të paktën për një periudhë disavjeçare) atë që për familjen tone është themelore: veprat e Feim Ibrahimit! Mbas vështirësive të para sepse nuk është e lehtë të rifillosh jetën në vendin tënd pas 22 vjetëve, mund të them që kam arritur një status të kënaqshëm për një artist. Përveç koncerteve të shumta që realizoj në Shqipëri dhe jashtë saj, aktualisht jam pianiste në Teatrin e Operës dhe të Baletit, si edhe drejtoreshë artistike e Festivalit Ndërkombëtar “Pianodrom”, i cili është festivali më i rëndësishëm pianistik dhe muzikor në Shqipëri.
Duke qenë se arsyeja e kthimit tim këtu, është krijimtaria e babait tim, jam edhe pjesë e këshillit aktual drejtues të Albautor-it, por të them të vërtetën, zbatimin e ligjit mbi të drejtën e autorit, e shoh shumë, shumë të vështirë në Shqipëri. Mendoja se duke qenë këtu personalisht, do ta kisha më të lehtë, por po konstatoj që në këtë pikë kam gabuar…! Shpresoj që të ndryshojë diçka në këtë drejtim por, me sa shihet, rruga drejt vendosjes së rregullave mbi pronësinë intelektuale, është shumë e gjatë.
–Znj Etrita Ibrahimi: Si janë marrëdhëniet tuaja në përgjithësi me Artin, produksionin…? Keni ndonjë hobby të cilin e ushtroni apo i përkushtoheni?
Etrita Ibrahimi-Jeta ime është lidhur me artin që në ditën e parë që mamaja ime, Vera, më ka pasur në trupin e saj. Fëmijët kur janë në barkun e nënës ndiejnë gjithçka, aq më shumë muzikën, e cila është shumë e këshillueshme në 9 muajt e shtatzanisë së një gruaje. Këtë, përveç se e kam studiuar, e kam eksperimentuar me djalin tim, por edhe me veten time sepse muzika më e thjeshtë për t’u luajtur dhe kuptuar, për mua është muzika e tim eti, te cilën e kam dëgjuar edhe para se të lindja. Asnjëra nga veprat e tim eti, sado e vështirë të jetë ajo, nuk përbën probleme të pakapërcyeshme për mua, pra muzika dhe arti janë pjesë e ADN-së sime.
Por ato nuk janë gjithçka për mua, natyrisht: jam shumë e apasionuar mbas librave, kinemasë, udhëtimeve (por që për shkak të mungesës së kohës nuk arrij t’i kryej aq shpesh), si edhe tenisit e volejbollit.Në fakt, ajo që më intereson më shumë se çdo gjë tjetër është edukimi i tim biri, pasi nga ky varet e ardhmja e tij dhe kësaj po mundohem t’i përkushtohem më tepër se çdo aspekti tjetër të jetës sime.
-Ju jeni diplomuar në piano. Cilat kanë qenë raportet me personalitetet e artit dhe çfarë mbështetjeje keni pasur prej tyre? Ç’mund të kujtoni?
Etrita Ibrahimi:- Kësaj pyetjeje e kam pak të vështirë t’i përgjigjem, të them të drejtën. Per hir të së vërtetës, në vitet e studimit dhe të qëndrimit në Itali, nuk kam pasur shumë nevojë për mbështetjen e dikujt. Në jetën time atje, kam takuar shumë njerëz, shumë personazhe dhe personalitete, por gjithçka që kam bërë, e kam bërë me forcat e mia, pa i kërkuar asgjë askujt. Mbi të gjitha më ka ndihmuar fakti që studimet i bëra në atë vend dhe në ato vite, duke u angazhuar në koncerte sa herë që më kërkonin, pata mundësinë t’u tregoja të tjerëve nëse vleja dhe sa vleja gjithashtu. Kështu u krijuan kontaktet dhe gjithçka erdhi natyrshëm, pavarësisht vështirësive të tjera të panumërta. Pas diplomimit në piano, studiova edhe klaviçembalo, bëra edhe kurse të tjera specializimi, kështu që munda të fitoja sqimën dhe respektin e njerëzve që më rrethonin, çka u konkretizua me kërkesat e tyre për bashkëpunime të përbashkëta, të shumta dhe afatgjata.Nuk mund të them që të njejtën klimë gjeta kur erdha në Shqipëri…përkundrazi…! Edhe pse unë nuk isha e panjohur në këtë vend (për emrin e tim eti, për emrin që kisha lënë unë para se të largohesha për studime dhe për vetë koncertet e pandërprera që bëja këtu, duke u kthyer herë pas here nga Italia përgjatë 22 viteve), fillimisht nuk u krijua asnjë mundësi për të më hapur një shteg, përkundrazi…edhe një vend që ishte i mundshëm në atë moment, u mbyll në mënyrë shumë të turpshme … As nuk dua ta përmend këtu por sigurisht, ata që e dinë këtë fakt, do të kujtohen nëse do ta lexojnë këtë intervistë, pavarësisht se nuk do t’u pëlqejë ta kujtojnë…!
Gjithsesi, koha kaloi dhe unë sigurisht që nuk u dorëzova sepse isha e kalitur nga kjo anë, pasi në vitet 1990-1994, kur Shqipëria na preu bursat ne studentëve që kishim shkuar për studime para vitit 1990, kam jetuar momente jashtëzakonisht të vështira, të cilat kanë vulosur përgjithmonë jetën time. I jam përjetësisht mirënjohëse vetëm familjes Nisi, prindërve të mikes sime Gabriella, me të cilën isha shoqe në shkollë dhe që tani i konsideroj si familjen time të dytë, pasi më vunë shtëpinë e tyre në dispozicion dhe aty kam jetuar për rreth 4 vjet, deri në përfundimin e studimeve të mia, kështu të paktën kisha një çati mbi kokë (siç thonë italianët!). Mund të them që ajo ka qenë periudha më e keqe e jetës sime… isha fare e re dhe sapo kisha filluar të fitoja konkurse të ndryshme interpretimi, të cilat janë ato që nëse i fiton, të hapin dyert e karrierës, por nëse ti nuk merr pjesë, rrugën drejt suksesit e ke shumë më të vështirë. Rasti im, ishte ky i dyti sepse për shkak të mungesës së mjeteve ekonomike, nuk munda të marr më pjesë…por me durim dhe duke mos u demoralizuar asnjëherë vazhdova rrugën time, duke u angazhuar në të gjitha aktivitetet e mundshme, derisa arrita me ndershmëri rezultatin e dëshiruar. Edhe këtë herë, kur erdha këtu në Shqipëri, kalova një periudhë të zezë, per shkak të padrejtësisë dhe frymës negative që gjeta këtu, por më në fund disa persona besuan tek unë dhe më vunë në provë dhe ja ku jam sot… Përsëri mund të them me plot gojën se gjithçka që kam bërë në jetën time, e kam bërë vetëm në sajë të forcave dhe te aftësive të mia… Asgjë më pak ose më shumë!
–E dashur Etrita Ibrahimi: Sa kadegorike jeni kur punoni? Sa këmbëngulëse është Etrita në projektet e saj? Si janë raportet me to?
Etrita Ibrahimi:- Natyra më ka bërë shumë të përpiktë dhe këmbëngulëse! Unë kam lindur në shtator dhe jam një shembull tipik i shenjës së Virgjëreshës!!! Përveç kësaj, studimi i një instrumenti ka bërë që unë të jem akoma dhe më e saktë e më kërkuese në gjithçka që bëj. Muzika nuk pranon kompromise, unë gjithashtu! Nëse marr përsipër të bëj diçka, do ta bëj patjetër. Jam shumë kategorike përsa i përket punës dhe shpeshherë kjo nuk u pëlqen njerëzve që më rrethojnë… E unë natyrisht, vazhdoj…!
– Znj. Etrita: Çfarë motivi gjeni ju në jetën tuaj, nga se frymëzoheni? Tregoni ju lutem një emocion të ndonjë ndjesie të thjeshtë që ta përftojmë me shumë dashuri dhe sensibilititet të gjithë ne…
Etrita Ibrahimi- Për sa kohë im atë ka jetuar në këtë botë, frymëzimi im ka qenë ai…! Ai më ka mësuar gjithçka dhe, siç e kam përmendur edhe më sipër, ka qenë mësuesi im i parë i pianos. Kishte besim tek unë, por asnjëherë nuk mbetej plotësisht i kënaqur (ndoshta për këtë arsye edhe unë vetë s’kënaqem kurrë me veten!). Përpara çdo koncerti ose provimi, mami dhe ai kanë qenë publiku im…publiku më kritik për më tepër! Sot frymëzimi im eshtë ai, muzika e tij dhe familja ime…! Sot publiku im përpara koncerteve, është kryesisht mami, por edhe bashkëshorti dhe djali im që më thotë pa doreza nëse i pëlqej ose jo!!! Këto janë personat që motivojnë jetën time, është Mattia, djali im, i cili është një përzierje e perkryer ndërmjet prindërve të mi dhe tim shoqi. Nuk e di nëse ai do të ketë një të ardhme të lidhur me muzikën, por për momentin reagon shumë mirë ndaj saj. Ka hyrë për herë të parë në një sallë koncertesh kur ka qenë vetëm 9 muajsh dhe që nga ajo moshë, ka ndjekur të gjitha koncertet, operat dhe baletet në të cilat unë kam vajtur. Në fillim nuk donin të më linin të hyja me një foshnjë në sallë (krejt normal), ndërsa tani, nëse nuk e marr ndonjëherë, me pyesin se ku është…
– Si ju duket zhvillimi i Artit në Shqipëri? Si e sheh atë, një artiste që ka jetuar për shumë vite në vendet perëndimore?
Etrita Ibrahimi-:Jam e sigurt që artistët shqiptarë kanë energji dhe aftësi të pashtershme; çdo brez që vjen ka shumë elementë të vlefshëm, të cilët me talentin dhe punën e tyre arrijnë rezultate të shkëlqyera. Mendoj se vendi ynë duhet t’i vleresojë më shumë njerëzit që zhvillojnë kulturën dhe të mos i detyrojë ata që të ikin në vende të tjera për të siguruar të ardhmen e tyre. Njerëzit e vlefshëm na duhen shumë sepse kultura jonë ka nevojë të zhvillohet e të mos mbetet aty ku ka qenë. Për këtë duhet që edhe kushtet të jenë më të mira, pasi na mungojnë mjetet e punës, na mungojnë sallat e klimatizuara dhe një artist nuk mund të performojë në një sallë ku i ngrijnë gishtat ose në instrumente që nuk u përgjigjen kërkesave të një profesionisti. Personalisht, pas një koncerti të zhvilluar vjet në dhjetor, jam betuar që nuk bëj më koncerte në dimër në Shqipëri…! Sikur këtu gjithçka të funksiononte si në vendet evropiane, arti ynë do të ishte disa herë më lart, pasi nuk na mungon talenti, por stimujt për ta bërë artin pjesë të pandarë të jetës sonë.
–Znj Etrita: Jeni një artiste e vlerësuar dhe e dashur për publikun. A ju suporton familja dhe a është një mbështetje permanente? Mund te na flisni per familjen tuaj per njohje me te plotë , per lexuesit, ju lutem me tepër ?
-Etrita Ibrahimi- Familja është boshti i jetës sime: rreth saj rrotullohet gjithçka që ka të bëjë me mua, por edhe ajo rrotullohet rreth meje…! Pa mbështetjen e mamasë sime dhe të tim shoqi, unë nuk do të mund të bëja asgjë.
Ndihma e mamit, në veçanti, është e papagueshme; ajo ka disa vite që sakrifikon kohën e saj per të më krijuar të gjitha mundësitë që unë të merrem vetëm me punën time dhe (në disa aspekte) me djalin tim, i cili është në një moshë të vogël dhe ka nevojë sigurisht për praninë e vazhdueshme të prindit.
Më vjen keq që nuk e kam falenderuar asnjëherë aq sa duhet për përkushtimin e saj, por po shfrytëzoj këtë rast për t’i thënë publikisht se i jam mirënjohëse për gjithçka bën për ne të gjithë sepse pa ndihmën e saj, unë s’do të mund të bëja dot asgjë…!
Në fakt mamasë sime i jam mirënjohëse për shumë arsye: e para është që më ka dhënë edukatën e nevojshme për të qenë një njeri i ekuilibruar, objektiv, i drejtpërdrejtë, këmbëngulës, studioz dhe asnjëherë shpirtkeq. Mund të them që ajo që më bën të jem krenare për prindërit e mi, përveç të tjerave, është fakti që prej tyre kam trashëguar të qenit me këmbë në tokë gjithmonë, pa vuajtur kurrë nga deliri i madhështisë, pavarësisht statusit tim dhe të familjes sime.
Mami ka qenë një bashkëshorte e shkëlqyer, një shoqe e vërtetë jete për babain tim, ajo është një grua shumë e matur dhe jashtëzakonisht e kulturuar dhe e ditur.
Letërsia, profesioni i saj, është ajo që e përfaqëson atë në mënyrën më të plotë, por ajo është një njohëse e vërtetë e muzikës dhe e artit në përgjithësi dhe jo më kot është spektatori dhe kritiku im i parë përpara çdo koncerti.
Mund të them me plot gojën që jam me fat dhe krenare që kam një nënë si ajo dhe që jeta më ka dhënë mundësinë të jem e bija e Vera dhe Feim Ibrahimit.
***
– A jeni e e mbushur me sadisfraksion per sukseset e arritura, deri tani?
– Etrita:- Në të vërtetë, natyra ime është shumë kërkuese dhe nuk kënaqet asnjëherë krejtësisht me atë që bën, por mund të them që kam arritur disa gjëra që i kisha vënë si qëllim vetes që kur isha studente në Torino…! Megjithatë, akoma nuk kam realizuar plotësisht atë për të cilën kam ardhur në Shqipëri: të ndjek gjithçka ka të bëjë me veprat e babait tim, të publikoj dhe regjistroj veprat e tij.
Znj.Etrita Ibraimi: Ju jeni plot energji e ide…me nje edukim te thelle per punen me artin. Cilat janë projektet tuaja në vazhdim?
Etrita Ibrahimi:- Projektet e ardhshme janë vazhdimësia e atyre që kam filluar : dixhitalizimi i sa më shumë veprave të babait tim, përgatitja e edicionit të katërt të Festivalit Ndërkombëtar “Pianodrom”, projektet për koncertet e mia të ardhshme. Natyrisht, është po aq e rëndësishme puna ime në Teatrin e Operës. Ndërkohë do të vazhdoj punën per të drejtat e autorit që është një aspekt tepër problematik dhe që duhet të gjejë një zgjidhje të shpejtë.Por “projekti” më i madh dhe më i rëndësishëm i të gjithë jetës sime është: të bëj ç’është e mundur që im bir të marrë një edukim të thellë dhe të gjithanshëm, në mënyrë që ditën kur do të zgjedhë atë që do të dëshirojë të jetë, ai të jetë plotësisht i ndërgjegjshëm dhe i bindur për atë që do të bëjë. Dua që të ndjehet i lumtur për zgjedhjet e tij… Dua që të ndjehet krenar kur të thotë se është djali i Etrita Ibrahimit…!
– Cili do te ishte mesazhi juaj per gruan shqiptare, rolin , pozocionin qe ka ajo sot , dhe sa bën shoqëria per te?
Etrita Ibrahimi: Gruaja është një burim i pashtershëm energjie dhe ajo është në gjendje të kontrollojë dhe të organizojë gjithçka dëshiron. Gratë shqiptare në veçanti, kanë një karakter të fortë që i bën ato të jenë nëna të përkushtuara, bashkëshorte ideale, menaxhere të shkëlqyera dhe askush nuk duhet të lejojë që mbi to të ushtrohet çdo lloj presioni o dhune, psikologjike ose fizike. Ato vetë nuk duhet, kurrsesi, të pranojnë keqtrajtime nga askush dhe shoqëria shqiptare duhet t’i mbrojë ato me çdo kusht.
Në fund dëshiroj t’ju falenderoj ju, znj. Liliana për intervistën e detajuar, për gjithçka ju dhe organizata GSHB, bëni për lartësimin e figurës së gruas shqiptare në përgjithësi dhe ju falenderoj që na bëni të mundur të gjithëve, nëpërmjet gazetës “Dielli/The Sun”, që të njohim figurat e grave më të suksesshme shqiptare, të cilat i dedikojnë jetën e tyre familjes, karrierës dhe zhvillimit të personalitetit të kombit dhe shoqërisë sonë.
-Ju faleminderit e dashur Etrita Ibraimi.Uroj që sukseset për ju te mos mbarojnë. Mund të them që jam krenare per ju, përveç të tjerave, është fakti që prej prindërve keni trashëguar të qënit me këmbë në tokë gjithmonë, pa vuajtur kurrë nga deliri i madhështisë. Jeni nje inspirim për cdo grua, me edukatën, vullnetin , suksesin, dhe te gjitha virtytet model qe keni. Edhe njëherë Faleminderit.
Dr. Liliana Pere/ Ing Informatic
President: International Organization.
” Albanian Woman in the World
Peace Missionary & Honorary Advisor of DMPP