
Julika Prifti/
Në mbrëmjen e 13 dhjetorit në teatrin Migjeni u dha premiera e dramës “Andra e Shën Nanë Terezës ” me autorë Bashkim Kozeli dhe Justina Aliaj, me regjisor Gëzim Kame. Muzika ishte kompozuar nga Rubin Kodheli.
Në skenën e teatrit Migjeni artistja e talentuar Justina Aliaj ka interpretuar role kryesore për disa dekada. Ajo ka bërë për vete spektatorin shkodran dhe gjithë publikun shqiptar.
Për mua ishte fat të shikoja edhe njëherë artisten e madhe të interpretonte me gjithë fuqinë e shpirtit të saj rolin e Nënë Terezës. Ajo portretizoi një Terezë besimtare, të devotshme, të zgjuar e të afërme, që e donte shumë atdheun e saj e njerëzimin.
Në sallën e mbushur me spektatorë kishte publik të të gjitha moshave dhe shumë të rinj. Skenat ishin funksionale e muzika e lidhur bukur me dramën.
Veç figurave të artit dhe kulturës në premierë ishin edhe autoritete dhe përfaqësues diplomatik, Kryetari i Bashkisë së Shkodrës Benet Beci dhe Ambasadori i Kosovës në Tiranë Skënder Durmishi.
Zbritja e shënjtores në tokë nga lart skenë me një “ashensor” të hapur në pjesën ballore, të mbështjellë me lule në të dy anët, në një sfond blu ishte një zgjidhje fantastike, që e sillte shenjtoren tamam si të vinte nga Zoti.
Mësimet e nënës Terezë që nga lindja deri në vdekje zbulojnë karakterin e saj si njeri, si besimtare e shënjtore. Më prekëse mbetet dëshira dhe përpjekjet e saj për ta parë Kosovën dhe Shqiperinë të bashkuar. Ishte brenga e saj më e madhe e shprehur në takimet dhe bisedat e saj me Presidentin Klinton dhe Ibrahim Rugovën.
“Andrra e Shën Nanë Terezës” do të mbetet në kujtesën e spektarorëve. Justina Aliaj përcjell në formë mjeshtërore mësimet e besimtares së madhe për Krijuesin, dashurinë për njëri tjetrin, për të përballuar jetën dhe sfidat e saj.