Përkujtojmë 67-vjetorin e martizimit të shërbëtores së Zotit, Marie Tucit/
Nga Agustin MIRAKJ/
Marie Tuci, martire e regjimit komunist në përvjetorin e vdekjes/
Shërbëtorja e Zotit Marie Tuci, martire e Krishtit dhe Kombit në kohën e regjimit komunist në Shqipër
Shërbëtorja e Zotit Marie Tuci, martire e Krishtit dhe Kombit në kohën e regjimit komunist në Shqipëri, në përvjetorin e vdekjes. Kjo dëshmitare e fesë së krishterë, e shpirtit fisnik shqiptar dhe e kulturës, siç dëshmon jeta, vepra dhe martirizimi i postullantes së Motrave Stigmatine, vdiq më 24 shtator të vitit 1950 në Shkodër,.
Në jetën e saj të shkurtër, Marie Tuci dëshmoi dhe transmetoi fuqinë e fesë së krishterë, shndriti ndërgjegjet e tjerëve me besimin e patundur në Krishtin e Gjallë dhe me dashurinë për kulturën e jetës e të vëllazërimit. Kujtojmë se Marie Tuci, mirditore, është e vetmja femër që gjendet deri më tani, në listën e 40 martirëve shqiptarë, për të cilët, procesi dioqezan i kanonizimit për lumturimin e tyre, në nivelin e Kishës katolike shqiptare, ka përfunduar e tashmë ka kaluar në shqyrtim pranë Kongregatës së Vatikanit për Çështjen e Shenjtorëve.
Shërbëtorja e Zotit, Marie Tuci së bashku me të vëllain e shumë të tjerë, u arrestuan nga komunistët pas vrasjes se Bardhok Bibes. Vuajtjet më të mëdha për Marinë do të vinin nga shefi i sigurimit të Shkodrës të asaj kohe, Hilmi Seiti, i cili i goditur nga bukuria e vajzës, tentoi të abuzoje me të, po ndeshi në kundërshtimin e ashpër të Maries.
Lirinë do ta fitonte pikërisht atëherë kur kishte mbërritur edhe fundi i saj tokësor për shkak të torturave çnjerëzore. Atëherë kur nuk munden ta mposhtnin dot në dinjitetin, në fisnikërinë dhe në idealet e saj, komunistët e futen në një thes bashke me një mace duke e goditur vazhdimisht. Kur e nxirren prej andej, Maria nuk njihej. Një dëshmitar i martirizimit e kishte krahasuar me një larvë njerëzore. E dërgojnë në spitalin e Shkodrës ku dhe ndahet nga jeta me 24 shtator të vitit 1950.
Maria Tuci, vajza mirditore, u shndërrua në simbolin e emancipimit e të dinjitetit njerëzor e femëror në kushtet e një regjimi të egër diktatorial komunist që e burgosi dhe e çoi në rrugën pa kthim të vdekjes. 62 vjet më vonë Maria Tuci përkujtohet në Shkodër dhe Mirditë si një grua me dinjitet të lartë e të pathyeshëm, që nuk iu dorëzua epsheve të funksionarëve të sigurimit të regjimit të kohës, ndonëse ishte e mbyllur në qelitë e errëta të komunizmit. Bukuria e saj vriste sytë e gardianëve dhe njerëzve të pushtetshëm, dinjiteti i saj nxiste dhunën brenda tyre, po Maria Tuci nuk u përkul në asnjë moment duke i treguar atyre se përtej një gruaja të re dhe të bukur, qëndronte një grua shqiptare plot dinjitet e bindur në idealet e veta të larta, të shenjta e të përjetshme.
Ajo e Marie Tucit qe një jetë e mbytur herët mes dhimbjesh dhe torturash pafund, po një jetë që pranoi martirizimin në mënyrë shembullore, heroike e me dinjitet në mbrojtje të dhuratës më të madh që pati nga Zoti, jetës, nderit dhe besimit në Krishtin Shpëtimtar. Ajo donte të behej murgeshë, t’i përkushtohej gjithë jetën Zotit e popullit të vet të dashur shqiptar, Fesë e Atdheut, po nuk mundi, sepse jetoi në kohën me të egër të përbindëshit, komunizmit shqiptar të Enver Hoxhës.
Ishte koha e përndjekjes dhe orvatjet së shfarosjes së katolikëve shqiptarë, që përbenin një rrezik të vazhdueshëm për tiranin çnjerëzor Enver Hoxhën dhe pasuesit e tij. Ishte koha e tmerrshme e kohës së diktaturës ateiste të komunizmit që e lau tokën shqiptare me gjakun e pafajshëm të martirëve të vet. E gjaku i tyre, si ai i Marie Tucit, u shndërruan në farën e ngadhënjimit të së mirës mbi të keqën, të fitores së dashurisë mbi urrejtjen, të dritës mbi errësirën, të së vërtetës mbi gënjeshtrën.
PO VDES NANË, SOT PO VDES
Kushtuar vajzës mirditore, mësueses, Marie Tuçi, (1928-1950), të cilën regjimi Enverian, e torturoi, në mënyrën më makabre, duke e mbyllur në një thes, lakuriq, bashkë me një mace të egër. Nuk mjaftonin vetëm thonjtë e kafshës se egërsuar, por njëkohësisht ajo goditej me mjete të forta nga hetuesit e gardianët e burgut, në prani të grave të tjera të burgosura… Pse?… Sepse mendonte ndryshe. Vdiq e masakruar nga shqipfolësit, e një ideali pa ideal… Mallkuar qofshin, persekutorët e saj
Meti Fidani
PO VDES NANË, SOT PO VDES
Nan’ e dashtun, sot po vdes
më kanë futur, në një thes
lakuriq, tok me një mace
më kanë mbyll, në thes linace
N’burg të Shkodrës, po m’del shpirti
po ma merr nan’, shef Seiti
jashtë thesit, shqip po flasin
më shqelmojn’, e më godasin
ligësia, nuk ka ngjyrë
shqelm në bark, shqelm në fytyrë
Po vdes nanë, sot po vdes
një lëmsh gjaku, brenda n’ thes
nuk ka vend imagjinata
kriminel, shpirtzinj si nata
më kanë ça, bark e zorrë
hajde nan, e ver’ një dorë
Mbaju nan’, mbaju burrneshë
më sill teshat, e m’vish murgeshë
mos qaj nan, jam bij Mirdite
s’na kanë mposht, tash ndër vite
as dhe shkau, as dhe turku
as Enveri, as dhe burgu
as bollshik, e as titista
as hetues, as komunista
Po vdes nanë, moj un’ e zeza
shko më sill, një palë ndresa
njëzet e dy, sapo kam mbush
nuk du’ nan’, me m’qa kurkush
as n’ Orrosh, e as Ndërfush
as në bjeshkë, atje thellë
as në Fan, e as në Kthellë
as n’Kurbnesh, e as n’ Selitë
as kurkund, nëpër Mirditë
Zoti nan, ka pat’ mëshirë
më ka dërgu, të vdes e lirë
më sill ndresat, po të pres
po vdes nanë, sot po vdes