




Prof.dr. Shefkije ISLAMAJ/
Rrethanat e vështira historike, shoqërore, politike e kulturore, që kanë karakterizuar jetën tonë kombëtare gjatë Rilindjes dhe pas saj, kanë nxitur shqiptarët që të mos reshtin së përpjekuri për t’u dëshmuar si komb, si popull historik, si liridashës dhe si luftëtarë për çlirimin e trojeve të tyre historike. Po lexojmë këtu një mendim të studiuesit francez André Ravry nga studimi i tijpër shtypin shqiptar të viteve 1848-1939, botuar më 1939 në Paris: “Nuk ka shtetësi shqiptare” ka thënë dikur Bismarku. Kancelari i Hekurt është gabuar krejtësisht, sepse në qoftë se ne supozojmë se elementët e një kombësie janë gjuha e përbashkët, vetëdija e solidaritetit historik, kujtimi i vuajtjeve dhe lavdive të përbashkëta, përputhshmëria e interesave, komuniteti i civilizimit, atëherë duhet të pranojmë se asnjë nga këto elementë nuk u kanë munguar kurrë shqiptarëve”.[2]
Kjo që e thotë francezi AndréRavry dëshmohet fuqishëm në revistën Kalendari Kombiar(Placeholder1) përgjatë plot 31 vjetësh të botimi të saj në Sofje (1897-1908; 1911-1916), në Selanik (1909-1910) e në Tiranë (1926, 1928), drejtuar nga intelektualë, atdhetarë e veprimtarë të shquar e të palodhshëm, siç ishin burrat e mëdhenj të kombit Kristo Luarasi, Kosta Trebicka, Mid’hat Frashëri e bashkëpunëtorët e tyre të ngushtë, në rend të parë Shahin Kolonja, Nikolla Naço e shumë të tjerë. Revista Kalendari kombiar përmbledh përpjekjen, dëshirën e idealin e tyre. Përmes saj janë përmbushur gjakimi i atdhetarëve tanë për të mbajtur gjallë frymën e ndjenjën kombëtare të ndezur fuqishëm nga rilindësit tanë të parë e ata pasues, përpjekjen e tyre ngulmuese, serioze e të ndershme për të bërë të pamundurën që të arrihen liria dhe krijimi i shtetit shqiptar. Ata, të gjithë bashkë, vunë themelet e shtetit shqiptar. E kjo nuk do të mund të arrihej pa gjuhën, pa përpjekjen që gjuha shqipe jo vetëm të identifikonte qenien kombëtare, jo vetëm të ndriçonte mendjet e shqiptarëve analfabetë e të mbetur prapa në çdo pikëpamje, po sidomos që përmes saj të faktorizoheshin e të artikuloheshin ata dhe kërkesat e tyre para shteteve të mëdha ndikuese për gjendjen dhe fatin e tyre. Prandaj, në faqet e Kalendarit kombiar gjuha dhe përmes saj arsimimi ishin abc-ja e ëndrrës, e veprimit dhe e sakrificës së tyre mendore, shpirtërore, fizike dhe, patjetër, materiale dhe kjo përvijohet nga numri i parë e deri në numrin e tij të fundit të botuar më 1928.
Revistë enciklopedike
Revista Kalendarit kombiar ështënjëra nga revistat e veçanta të periodikut e të kulturës shqiptare, që ka luajtur rol të madh në zhvillimin e mendimit politik, kulturor, letrar e gjuhësor, para e pas Pavarësisë së Shqipërisë. Rëndësia e saj qëndron në kontributin që i ka dhënë pasurimit të dijes e të kulturës kombëtare shqiptare me botimin e shumë shkrimeve me tema nga më të ndryshmet, ndër të cilat shquajmë ato me temë politike, historie, arkeologjie e gjeografie kombëtare dhe ndërkombëtare, me tema gjuhe dhe letërsie shqipe dhe të përkthyer, me tema folklori dhe etnologjie, me interes të veçantë sidomos për kohën kur u botuan. Një ndihmë të çmueshme revista Kalendarit kombiarka dhënë edhe me botimin e artikujve me informacione shkencore për dije nga më të ndryshme si pedagogjia, kimia, biologjia, fizika, mjekësia, bujqësia, veterinaria, astrologjia e astronomia, kuzhineria e të tjera. Por, e konsideroj të një rëndësie të veçantë sidomos kontributin e saj në lëvrimin e pasurimin e gjuhës shqipe. Kontributi i atdhetarëve dhe i veprimtarëve të veçantë, që mbajtën gjallë Kalendarin kombiar, shkon në disa drejtime, ndër to po radhisim:
e para, me botimin e shkrimeve të shumtat nxitëse atdhetarie në qendër të të cilave qëndronte vijimisht gjuha shqipe dhe nevoja që ajo të flitej, të shkruhej, të mësohej e mbi të gjitha të duhej e të nderohej; me botimin e shkrimeve për ngjarjet e rëndësishme kulturore e gjuhësore të kohës; me botimin e artikujve për figura të rëndësishme kombëtare e të huaja, veprat e të cilëve kanë rëndësi të veçantë për gjuhën shqipe dhe për gjuhësinë shqiptare; me botimin e shkrimeve me karakter gjuhësor e letrar, me të cilat i jepet krah zhvillimit, lëvrimit dhe pasurimit të gjuhës e të letërsisë shqipe; me botimin e veprave ose pjesëve të veprave të rëndësishme të trashëgimisë sonë letrare e gjuhësore. Dhe jo vetëm kaq.
E dyta, përmes shkrimeve tematikisht të ndryshme dhe lëvrimit të llojeve të ndryshme shkrimore, përkatësisht ligjërimore, nisur prej lajmit të thjeshtë ose të rëndësishëm e deri te analizat e ndryshme politike, shoqërore, ekonomike, fetare, prej poezive, prozave poetike, tregimeve, pjesë të veprave dramatike, llojeve të letërsisë gojore – përralla, fjalë të urta e humor, prej shkrimeve shkencore ose diturore (nga shumë dije e praktika njerëzore), shkrimeve biografike, të dhënave të ndryshme bibliografike, njoftimeve për botimet më të rëndësishme vjetore nga mbarë diaspora shqiptare e deri te letrat, thirrjet, udhëpërshkrimet, reportazhet, këshillat, nekrologët, parashikimi i motit dhe shkrimet t’i quajmë propaganduese. Kjo lëndë gjuhësore si tekst, kontekst dhe formë e praktikës shoqërore jep mundësinë e vëzhgimit të shumanshëm të diskursit shoqëror e kulturor të kohës. Në të njëjtën kohë jep mundësinë për të zbuluar diskursin e veçantë që parakupton tekstin, stilin dhe regjistrin gjuhësor.
E treta, nisur nga lënda gjuhësore dhe llojet e shkrimeve mund të thuhet, prandaj, se në Kalendarin kombiar përvijohen qartë stilet funksionale: letrar-artistik, politik-shoqëror, publicistiko-gazetaresk, shkencor-mësimor, shkencor-popullarizues. Llojet shkrimore si me lëndën gjuhësore, si me përvijimin e stileve funksionale, përkatësisht me diferencimin e ligjërimeve stilore, kanë ndihmuar dukshëm, cilësorisht dhe sasiorisht, në zhvillimin e gjuhës shqipe të kohës, por edhe në të ardhmen e saj, në të gjitha rrafshet e gjuhës: në morfologji e sintaksë, në fjalor e neologji, në fjalëformim e frazeologji, në terminologji e në estetikë gjuhësore. Në të vërtetë Kalendari Kombiar në këtë hulli vijoi denjësisht rrugën e rrahur nga zelltarët e mëdhenj rilindës. Do t’u mbeteshim borxh kësaj e revistave të tjerave, të shumta, të botuara në një rreth të gjerë kohor e në një gjeografi të hapur përtej Shqipërisë, nëse nuk do ta studionim me përkushtim të duhur kontributin e tyre të madh, pos të tjerash edhe për atdhetarizmin e tyre gjuhësor, arsimor e kulturor. Dhe të gjitha këto kanë për autorë një dorë atdhetarësh botues, krijues, përkthyes, redaktorë dhe patjetër grishës të bashkëpunëtorëve, po kështu, atdhetarë e krijues të shpërndarë anë e anë.
Të shohim në vijim më konkretisht se ç’na sjell kjo revistë në perëndim të një shekulli e në lindje të një shekulli të ri, të shekullit 20.
Revista Kalendari Kombiar, botim vjetor i shoqërisë “Dëshira” të Sofjes, nisi të botohet më 1897 dhe doli pa shkëputur deri më 1916, për të vazhduar me nga një numër edhe më 1926 e 1928). Revista kishte karakter politik-shoqëror, letrar-kulturor dhe dituror-enciklopedik. Fillimisht u titullua Ditërrëfenjësi, ndërsa që nga viti 1901 kur Mid’hat Frashëri mori detyrë e kryeredaktorit ajo mori emrin Kalendari Kombiar, të cilin do ta mbajë deri në numrin e tij të fundit. Gjithsej kanë dalë 22 numra me rreth 3600 faqe. Deri në Kongresin e Manastirit revista u botua me alfabetin e Shoqërisë së Stambollit, pra numri i vitit 1909 u botua me alfabetin e ri.
Sigurisht se në një shkrim si ky që shënon një ngjarje të rrallë – përurimin e një vepre të madhe jo vetëm me faqet e me jetëgjatësinë e saj, por të madhe me kuptimin, rolin dhe ndikimin e saj në një periudhë fortë të rëndësishme të jetës sonë kombëtare, është e pamundur të paraqitet gjithë ajo pasuri përmbajtjesore e gjuhësore-letrare, që mbështillet brenda kopertinash të veçanta të katër këtyre vëllimeve të Kalendarit Kombiar, të përgatitura kaq kujdesshëm, me dashuri e ndjenjë të dalluar estetike të atyre që kanë punuar në këtë projekt prej fillimit e deri te botimi i tij. Meritueshëm sepse bëhet fjalë jo vetëm për këtë pasuri kombëtare, por edhe pse bëhet fjalë për nismëtarin e të zotin e Kalendarit Kombiar dhe, njëkohësisht, të zotin e shtypshkronjës “Mbrodhësia”, i cili i ka ditur e njohur mirë standardet e të shtypurit bukur, të çmueshmin Kristo Luarasi dhe për të gjithë ata që e kanë ndihmuar për të sendërtuar ëndrrën e madhe të një shtatëmbëdhjetëvjeçari, ëndrrën për ta bërë Shqipërinë e për të bërë shqiptarin. Jo rastësisht në një informacion të tij në Kalendarit kombiar (1903) për librin L’Albania dhe vepra e Jeronim De Radës, pos të dhënave të rëndësishme për të, ai thotë: “Kjo libre në gjuhën italisht, ka afero 400 faqe shtypur fort bukur dhe me kartë të mirë, kushton 4 frënga”. Në shkrimin përkujtues për Kriston, si e quan Mid’hat Frashëri bashkëpunëtorin e bashkëidealsin e tij të ngushtë, mbeten të pavdekshme fjalët: “Dua të rrëfenj madhërinë dhe bukurinë e shërbimit të tij”[3], pra edhe bukurinë, ashtu siç mbeten të tilla edhe fjalët e bashkëveprimtarit tjetër të tij, të Shahin Kolonjës: “kontributi i tij për çështjen shqiptare është më i vlefshëm se kontributi i të gjithë emigrantëve së bashku”[4].
Në këtë shkrim timin do të përpiqem për aq sa është e mundur shkurt të paraqes disa shënime të miat nga leximi i këtyre ditëve të Kalendarit Kombiar për të argumentuar sado pak ato që thashë deri këtu.
Kalendari kombiar është konceptuar përmes rubrikave standarde, ndër të cila shquajmë: Pjesa kombiare, Pjesa diturake, Pjesa letrarishte, Pjesa e Bujkut, Pjesa andej-këndej, Pjesa shtëpiake, Ca vite të përmendurë, Kalendari i bujkut, Festat e tri feve, Yjet rrotulluese, Dheu (toka), Në Shqipëri e gjetkë, Jashtë Shqipërisë, Shtetet e Evropës, Ngjarje të motit, Libra shqip. këto të fundit sjellin të dhëna të shumta jo vetëm enciklopedike por edhe të tjera me karakter arsimor-didaktik, të dhëna me interes për dijet e jetën në përgjithësi. Fizionomia e revistës është ruajtur gjatë gjithë viteve të botimit të saj.
“Kalendari kombiar” – pasuri përmbajtjesore e pasuri gjuhësore
Në Pjesa kombiare janë botuar numër i madh shkrimesh, në të cilat, ashtu siç e thotë vetë emërtimi i saj, janë trajtuar tema kombëtare, të rëndësishme për kohën, në rend të parë ato për gjendjen politike, shoqërore, ekonomike dhe kulturore të Shqipërisë e të shqiptarëve në përgjithësi. Ndër këto shkrime i konsideroj të një rëndësie të dorës së parë ato që aktualizojnë nevojën për mësimin e gjuhës shqipe, shkrimet ku idealizohet dhe ku trajtohet ajo si tipari më i rëndësishëm i kombit shqiptar. Që në faqen e parë të numrit të parë të Kalendarit, më 1897, Kosta Trebicka zbulon shtysën kryesore të botimi të Kalendarit e ajo është: “dashuria mbë mëmëdhenë dhe dëshira që kemi për të hapurit e gjuhës sonë dalë nga dalë…”. Kështu në këtë rubrikë përgjatë viteve gjejmë numër të madh shkrimesh të këtyre tematikave nisur nga vetë botuesi i saj, Kristo Luarasi, pastaj nga Kosta Trebicka e autorë të tjerë, kurse më të shumtat janë shkrime të Mid’hat Frashërit, të nënshkruara me pseudonimin Lumo Skendo, për çka kjo revistë me të drejtë duhet të quhet revista e Mid’hat Frashërit, sepse ai mban rregullisht, pos rubrikës Pjesa kombiare, edhe rubrikat Pjesa diturake, Pjesa letrarishte, Pjesa e Bujkut, që nuk rrinë prapa për nga rëndësia e tyre nga ato të parat.
Kristo Luarasi, pos që e botoi në shtypshkronjën e vet “Mbrothësia”, që e drejtoi revistën, që hapi rrugë për bashkëpunim e aktivizoi numër të madh shkrimtarësh e gazetarësh, ndër të cilët shquajmë pos Mid’hat Frashërit, Kosta Trebickës e Shahin Kolonjës, edhe Dervish Himën, Hilë Mosin, Jani Vruhon, Loni Logorin, Josif Bagerin, Visar Dodanin, Papa Kristo Harallambin, Adham Shkabën, Spiro Dinen, Mihal Xoxën, Abdyl Ypin,Spiro Garon, Dhimitër Molen e shumë të tjerë, ai botoi, kohë pas kohe, edhe shkrime me karakter enciklopedik a shkencorqë u drejtohen lexuesve të gjerë,po edhe ndonjë shkrim tjetër si këta: Shkollat kombiare më 1893 në Kolonjë (1901, f. 62); Parathënie e motit 1889 (1909); Dy fjalë – Parathënie e motit 1907; Parathënie 1909; Negovani,Papa Kristua, Belkameni dhe Papa Vasili (1911, f. 50); Naim be Frashëri (1901, f. 40)e të tjera. Ndërkaq, ndër shkrimet me interes për çështjen kombëtare, shkollën e gjuhën shqipe shquaj edhe këto të bashkëpunëtorëve të tij të zellshëm: Përharim’i shqiptarëvet, i Luigj Gurakuqit, botuar me pseudonimin Jakin Shkodra; Himara dy qind e tridhjetë vjet më parë (1901, f. 46) i nënshkruar me pseudonimin Joan Kamili; Një copë nga histori e Shqipërisë (1900, f. 49) iKristo Tarfos; pastaj Mëmëdhetarëve shqiptarë (1908, f. 60) i Petro Nini Luarasit; Shkaku i të mosmbrodhësuarit të shkronjave shqip në Shqipëri (1905, f. 49), i nënshkruar me Shkronjësi P.; Shqiptarët në Rumani (1926, f. 102) pa autor; Shqiptaret e Morese (1902, f. 72), sipas redaksisë, autor i këtij artikulli është “një prift nga Shqipëria, i cili punon pa reshtur për lulëzimin e gjuhës shqipe”; Shqiptarët n’Egjypt (1908, f. 49) i Jani Petro Vruhos, i nënshkruar me pseudonimin Kull. i Firaun-it. E të tjera.
Ndër shkrimet e shumta me interes të Mid’hat Frashëri, që konsiderohet me të drejtë “shpirti dhe mendja” e Kalendarit Kombiar,i konsideroj:Po humbasëm! (1899, f. 49), Gjer kur në gjumë (1906, f. 40), Mëmëdheu (1908, f. 42), Një rrezik (1908, f. 58), Kombësia (1912, f. 47), Ku jemi? (1902, f. 41), Punë dhe shpresë (1911, f. 37), Patriotizma (1916, f. 39); Begati e Shqipërisë (1903, f. 40); Bashkimi bën fuqinë (1904, f. 39) e shumë të tjera, në të cilat autori, nisur nga konteksti politik, shoqëror, historik e kulturor, trajton çështje të kombit, të politikës e të ekonomisë, të gjuhës e të shkollës shqipe. Në shkrimin Kombësia, fjala vjen, autori i referohet librit Paradokse sociologjike të shkrimtarit dhe studiuesit hungarez me origjinë hebreje Maks Nordau lidhur me konceptin që përfaqëson nocioni komb. Ndër të tjera autori i sillet pyetjes që shtron Nordau: Çfarë e ç’quan kombësinë? A e ç’quan raca, istorija, vendi ku ka lindur? Dhe përgjigjet: Ajo që e ç’quan kombësinë është gjuha. Me gjuhën njeriu bëhet një nga njerëzit e një populli; vetëm gjuha i ep njeriut kombësinë. Duhete që ta kuptojm’ mirë sa rëndësi ka gjuha për njerinë, sa shumë rol të madh lot në formën të mendimeve dhe të ndjenjave të tij. Gjuha bën njerinë.
Mid’hat Frashëri është autor edhe i shumicës së shkrimeve nga rubrikat Pjesa diturake, Pjesa letrarishte dhe Andej-këndej. Në të vërtetë, në çdo numër të revistës ai boton nga 5-6 shkrime me tematikë të ndryshme bashkë me shkrimet e përkthyera. Kështu, në rubrikën Pjesa diturake përfshihet numër i madh shkrimesh, me interes të padyshimtë jo vetëm për kohën, të dijeve të ndryshme: letërsi, gjuhë, histori, gjeografi, sociologji, politikë, ekonomi, mjekësi, anatomi, bujqësi, zoologji, botanikë, ndër të cilat shquaj shkrimet mbresëlënëse: Vendi ynë (1898, f.38), Sulotët (1913, f. 51), Ç’thanë të huajt për ne (1900, Shoqërija që do krijuarë (1926, f. 77), Ulqini, (1898, f. 78), Mendim i vogëlë (1910, f. 82), Fjeshtësia është bukuria e një gjuhe (1905, f. 45), Letra mi një udhëtim në Svicrë (1915, f. 122-190).
Me këtë rast po them dy fjalë për shkrimin e gjatë prej 25 faqesh me titullin Vendi ynë, në të cilin autori. Mid’hat Frashëri, sjell të dhëna të shumta gjeografie e historie të Shqipërisë. Shkrimi është shkruar me akribi të lartë shkencore, me gjuhë të pasur e të pastër shqipe e mbi të gjitha me shumë dashuri për Shqipërinë, gjeografinë e historinë e saj. Duke pasur parasysh moshën fare të re të autorit kur u shkrua ky shkrim – 18 vjeçare,. mund të mendohet se ai ka shfrytëzuar edhe dijet, kulturën dhe përvojën e familjes së tij zëmadhe, posaçërisht të Samiut, të ungjit të tij, dhe jo vetëm për këtë shkrim. Për të provuar ato që thashë, po sjell një fragment nga ky shkrim:
Copë e dheut që ka në jugët mëngën e Nartës dhe Greqinë, në veri Malin e zi, Ienibazarin dhe Serbinë, ne perëndim detnë Adriatik dhe Jonienën e nga an’e lindjes zgjatet nga mëng e Selanikut e për ne Vranjët quhet Shqipëri, vend i djemve të shqipes; …Mali Sharr ka majën më të lartë nga gjithë malet që janë në sinisin (siujdhesën SH.I.) të Ballkanvet; Lubatini në mes të Prizrenit e t’ Ysqypit, është një majë e lartë 3050 metra, mi faqe të detit. Sharri lëshon degë në veri-lindje dhe futet në Serbi; nga an’ e jugut degët e Sharrit janë: Korabi i mveshur në bredh, në dushk e në bushk …(f. 38)
Shkumbija, që del nga majët e Kolobardhes, shkon afër Elbasanit dhe Peqinit, Shkumbija ndan nga mezi Shqipërinë dhe në veri të tij janë Gegët e në jugët Toskët, që kanë në mes të tyre ndryshim sa kanë dy sytë e një balli.” (f. 40)
Larmi tematike e ligjërimore
Shkrimet e Mid’hat Frashërit nga rubrika Pjesa diturake, siç ishte edhe shkrimi Vendi ynë, mund të merren sot si gjedhe për hartimin e teksteve mësimore historie, gjeografie, biologjie e të tjera. Po kështu, edhe shkrimi Letra mi një udhëtim në Svicrë i Mid’hat Frashërit jep dëshminë për prirjen e dalluar të autorit për këtë lloj shkrimi – udhëpërshkrimin, të cilin do ta përpunojë e pasurojë edhe më tej në botimet e tij të veçanta me këtë lloj shkrimor, të rrallë asokohe në letrat shqipe. E dëshmon këtë mirë edhe fakti se ai, pos të tjerash, shkroi edhe një ditar nga një udhëtim mbresëlënës, i mbetur në dorëshkrim dhe i botuar së fundi me titullin 6 javë në Shqipëri (1909-1910)[5], me të cilën radhitet ndër të parët dhe ndër më të suksesshmit lëvrues të këtij lloj shkrimi. Duke qenë se ai njihet ndër intelektualët shqiptarët që kanë shëtitur shumë jo vetëm në Shqipëri, por edhe në shumë vende të Evropës e më larg, kujtimet dhe mbresat e tij nga një udhëtim i tij në Shqipërinë e Jugut, janë pasuri e padyshimtë e letërsisë dokumentare shqipe. Në këto kujtime që përshkruajnë me mjeshtëri të rrallë jetën dhe ngjarjet e Shqipërisë së fundshekullit 19-të, përkatësisht të viteve të fundit të sundimit osman dhe në prag të Pavarësisë së saj, gjejmë shumë të dhëna politike, historike, kulturore, veçanërisht sociologjike e etnografike për Shqipërinë e më gjerë.
Shkrimi tjetër Mendim i vogëlë në të vërtetë është një thirrje drejtuar poetëve, me gjasë i nxitur duke parë cilësinë jo të dëshirueshme të poezive që arrinin për botim në redaksitë e Kalendarit dhe të revistës “Liria” të Mid’hat Frashërit: Vjersha s’duhet të jetë vetëm një varg fjalësh pak a shumë të matura,, thotë ai midis tjerash, po duhet të ketë një mendim të lartë, një mendim të thellë, … një mendim më vete … , të na rrefejë një ndonjë gjë, … dhe të na dëftejë me një mënyrë të bukur. Por, vazhdon autori, në është se – o shkronjës i dashur – në mendjen tënde nuk gjen as mjeshtëri për bukurinë, as ndonjë mendim ahere – mos u-forco të na beç vjersha, mos kalle vethen tënde dhe këndonjësit e mjerë në mundim. Atëherë – o miku im – shkro në proze, shkro ne radhe, si edhe unë, a pusho fare.
Një shkrim me temë të ngjashme me karakter udhëzues-praktik është edhe ai i Duçe Jorgobabës me titullin Vjersha (1889, f. 133), sikundë edhe shkrimiFjeshtësia është bukuri në gjuhë, po i Mid’hat Frashërit, aktualizon nevojën e të shkruarit të gjuhës shqipe drejt e bukur dhe nevojën e respektimit të normave nga të gjithë ata që marrin mundin për të shkruar: Një gjuhë për të qenë e gjallë ka nevojën jo vetëm të shkruhet, por të shkruhetë edhe drejt e pa ladhime, për të vazhduar më tej se më e madhja e nevojavet është këto rregullat të përdoren prej të gjithë shkronjësve. Shkrimi sjell shembuj të mjaftueshëm të përdorimit të gabuar të formave fonetike e morfologjike të fjalëve.
Çështja e përdorimit të tepruar të fjalëve të huaja shtjellohet në shkrimin gjuhësor-esesistik Shqip, kuvendojme a po çorbë trazojmë (1904, f. 106). Autori shpreh shqetësim dhe qortim për pakujdesinë dhe qëndrimin jo të drejtë ndaj gjuhës shqipe, sidomos ndaj përdorimit tejet të madh të turqizmave dhe greqizmave, të cilat kishin shfytyruar ndjeshëm pamjen e saj asokohe.
Edhe shkrimet me karakter portretizimi ose me karakter përkujtimi të ngjarjeve dhe të figurave të rëndësishme shqiptare e ndërkombëtare, që janë në të shumtën e herës shkrime të Mid’hat Frashërit, ose shkrime të përkthyera nga ai a ndonjë autor tjetër, janë jo vetëm me interes por edhe mbresëlënëse, për çka lexohen me kërshëri e ëndje. Me to i jepet krah lëvrimit të ligjërimit biografik në shqipen. Shquajmë ndër to shkrimin e Mid’hat Frashërit me titullin Kristo, kushtuar Kristo Luarasit, shkruar një ditë pas vdekjes së tij (10 korrik 1934) e që është përfshirë në krye të vëllimit 4 të Kalendarit (1913-1928), një shkrim ky sa vlerësues po aq emocionues, pastaj shkrimet e tij kushtuar Galile Galileut (1911, f 83), Kristofor Kolombos (1910, f. 136), Napoleon Bonapartit (1915, f. 107), Gutenbergut (1909, f. 107), Xhorxh Vashingtonit (1908, f. 85), Zhan D’arkut (1914, f. 151), Oberlinit (1900, f. 116), Stivensonit (1901, 151), Anbrey Herbertit (1926, f. 104), Ferdinand de Lasseps dhe Kanalit të Syezit (1912, f. 119) e shumë të tjerëve. Ndërkaq, shkrimi mbamendës për Edith Durhamin (1912, f. 189) është i Kolë Kamsit, nënshkruar me pseudonimin Komneni, shkrimi tjetër kushtuar Pirros (1907, f. 44), është i Petro Nini Luarasit dhe është nënshkruar me P. Korçari, ndërkaq shkrimi mbi Skënderbeun (1900, f. 10) është i pa autor.
Një numër shkrimesh kanë në qendër vështrimi figurat tona të shquara të Rilindjes – Jeronim De Radën, Konstantin Kristoforidhin, Naim Frashërin, Sami Frashërin, Anton Santorin, Petro Nini Luarasin e shumë të tjerë shkrimtarë e veprimtarë. Gjejmë, kështu, nga autorë të ndryshëm jo pak biografi të shkurtra për veprimtarë të shquar të Lëvizjes sonë kombëtare, por edhe të njerëzve të shquar, filozofë, shkrimtarë, shkencëtarë, si fjala vjen shkrimet për Aristofanin (1913, f. 141), Saadiun (1913, f. 151), e të tjerë, të shkruara nga Nastas J. Frashëri. Një dorë shkrimesh na i sjellin ngjarjet e rëndësishme historik-kulturore si Lidhjen e Pejës, Kongresin e Manastirit, Kongresin e Elbasanit, Kongresin e Dibrës, hapjen e Shkollës Normale, Shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë, Luftën e Parë Ballkanike, Luftën e Parë Botërore e shumë ngjarje të tjera të rëndësishme historike e kulturore.
Në Kalendar (1914, f. 92) është botuar edhe një letër e Bajronit dërguar së ëmës nga Preveza më 12 nëntor 1809, përkthyer nga gazeta bullgare “Mir”, në të cilën i shkruan asaj për arritjen e tij në Janinë, si thotë ai, në kryeqytetin e Shqipërisë. Mes të tjerash, aty ai shkruan: Mase i dua shumë shqiptarët’ këta nuk janë të gjithë myslimanë; një pjesë e tyre janë të krishterë, po përgjithësisht, shqiptarët nuk i japin rëndësi fesë, dhe kjo nuk lot ndonjë rol për të prishur zakonet kombëtare që kanë. (Po aty, f. 95)
Revistë gjuhësore-letrare
Në rubrikën Pjesa kombiare të vitit 1900 (f. 60) botohet Parathënia (E parathënme) e Ëvetarit të dytë (1845) e Naum Veqilharxhit, titulluar Mbi djemt’ e rinj Shqiptarë!, shoqëruar me shpjegimet e nevojshme të Kristo Luarasit, i cili e quan një zbulesë me rëndësi të madhedhe si një vend i hapur për të marrë pjesë gjithë shqiptarët dhe kështu tutje pra, të përveshin llërët që të gjithë të punojnë për të lulëzuarit e gjuhës sanë shqipe. Këtu Kristo Luarasi boton dhe një poezi të frymëzuar kushtuar, po atij, Naum Veqilharxhit. Siç dihet, këtij Ëvetari, që është gjashtë herë më i vëllimshëm se i pari[6], do t’i humbin gjurmët aty rreth vitit 1915 në Fier, duke qenë pronë e Mit’hat Frashërit e ky i fundit. sipas gjasësh, e ka trashëguar prej axhës së tij Sami Frashëri. Në fillim të viteve ’80, me rekomandimin e Rexhep Qosjes, që i bën Shkëlzen Raçës, një studiuesi të ri asokohe të Institutit Albanologjik e tashmë i ndjerë, që ta kërkojë këtë Ëvetar në Athinë, ky i fundit për fat të mirë do ta gjejë në Bibliotekën Genadion të Shkollës Amerikane në Athinë, më 1982. Nuk dihet nëse është kjo kopja nga e cila është nxjerrë parathënia e saj e botuar në këtë numër të Kalandarit, nëse është kopja e humbur në Fier apo ndonjë kopje tjetër, por gjetja e saj, në opinionin shkencor të kohës,u konsiderua një rizbulesë tejet e rëndësishme. Ëvetari u botua në Gjurmimet albanologjike më 1983 nga Rexhep Qosja, shoqëruar me një studim të tij të hollësishëm për historikun e përmbajtjen, si dhe me të dhëna të tjera të rëndësishme rreth tij, kurse më 1984 Ëvetari është transkriptuar nga Lluka Nase dhe është botuar edhe në kompletin e veprave të Qosjes më 2010.
Po në Kalendar u botuan edhe Qarkorja e Veqilharxhit (1906, f. 47), Fjalori i Marko Boçarit (1926, f. 115-196), pjesë nga veprat e Pjetër Budit (1905, f. 40) e të Frang Bardhit (1903, f. 33), por edhe shkrimet: Kundër mallkimit të gjuhës shqipe (1906, f. 97)i Petro Nini Luarasit, i nënshkruar me pseudonimin Raullasidhe Gjuha shqipe (1910, f. 42) i albanologut francez L. Lamouche, një shkrim ky dashamirës për gjuhën shqipe, në të cilin, pos që hidhen poshtë të dhënat përçmuese për gjuhën shqipe, jepet edhe historia e saj, kurse, përmes analizës së elementeve strukturore, bëhet përpjekje që të përcaktohet vendi i saj në familjen e gjuhëve evropiane.
Në Kalendar është botuar edhe një shkrim i shkurtër Kombet e vegjël dhe gjuhësia (1903, f. 59) i Holger Pedersenit, në të cilën ai thekson rëndësinë e madhe të gjuhës shqipe për studimet gjuhësore historiko-krahasuese evropiane duke sjellë edhe të dhënën se profesori i njohur i Lajpcigut, z. Brugman, në librin e tij të botuar në Strasburg më 1901, në përpjekje e sipër “për të kthjelluarë gjuhë të tjera” i referohet edhe gjuhës shqipe.
Një rubrikë me rëndësi letrare e gjuhësore është quajtur Pjesa letrarishte ku janë botuar numër i madh poezish, tregimesh, prozash të shkurtra, esesh, pjesësh dramatike, rrëfenjash e përrallash shqiptare a të përkthyera dhe shkrime të tjera me karakter letrar, gjuhësor e publicistik. Numri i autorëve që paraqiten me krijimet e tyre artistike në këtë rubrikë është tejet i madh dhe po mjaftohemi duke përmendur disa nga ata të elitës kulturore të kohës: Naimi, Samiu, Pashko Vasa, Luigj Gurakuqi, Mihal Grameno, Çajupi, Asdreni, Gjergj Fishta, Petro Nini Luarasi, Papa Kristo Negovani, Gjerasim Qiriazi, Hilë Mosi, Salih Butka, Zef Skiroi, Jani Vruho. E shoh të udhës të shtoj se pikërisht në Kalendarin kombiar të vitit 1913, bashkë me shkrimin Shqiptarëve të Mid’hat Frashërit (f.44), ku shprehet gëzimi për Shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë e, njëkohësisht, edhe pezmi, pakënaqësia e revolta e madhe e autorit për mbetjen jashtë saj të në pjese të madhe të tokave shqiptare si dhe për zhvillimet politike shumë dëmtuese të fqinjëve tanë e më gjerë që kishin marrë hov veçanërisht pas krijimit të shtetit të ri, u botua poezia zëmadhe Betimi mbi flamur e Asdrenit (f. 50), poezi që u bë himni i tij.
Në Kalendar gjejmë mjaft përkthime të krijimeve artistike të autorëve të huaj klasikë e bashkëkohës si Tre korbë të Alfons Dodes, prozën e shkurtër Lavdi jetës (1902, f. 122) të H. W. Longfellout, përkthyer nga Mid’hat Frashëri, e të tjera. Në rubrikën Pjesa letrarishte edhe vetë Mid’hat Frashëri paraqitet me numër të madh krijimesh artistike, tregime e proza të shkurtra eseistike, me të cilat ai ka luajtur rol të madh në formimin estetik e gjuhësor të krijuesve të rinj e në përgjithësi të lexuesve të kohës, kur u botua Kalendari, por edhe në vitet në vijim.
Pos për botimet e Mbrothësisë, libra e gazeta shqipe, në Kalendar, gjejmë njoftime të shumta edhe për botime të albanologëve të njohur anë e anë Evropës e më gjerë, si fjala vjen njoftime për botimet e Joklit, Majerit, Vajgandit. Natyrisht njoftimet më të shumta janë për botimet e të autorëve shqiptarë, ndër të cila po përmend: Vehbijen e Tahir Efendisë, Lahutën e Malcisë e Anzat e Parnasit të Fishtës, Vargnimin n’gjuhën shqipe të Luigj Gurakuqit, Bardhën e Temalit të Pashko Vasës, veprat e Mihal Gramenos e të tjera.
Në Kalendar janë botuar deri edhe njoftime për vdekjet e njerëzve të shquar të kombit dhe më gjerë, si fjala vjen për vfekjen e Jeronim De Radës më 1903 (1904, f. 26), të Herber Spenserit, po kështu më 1903 (1904, f. 30), të Sami Frashërit më 1904 (1905, f. 3), për vrasjen e Papa Kristo Negovanit më 1905 (1906, f. 32), helmimin e Petro Nini Luarasit më 1911 (1912, f. 26), vrasjen më 1906 të Spiro Jovan Kosturit në Selanik, i vrarë edhe ky për çështjen e gjuhës shqipe (1907, f. 2), e shumë të tjera, por edhe njoftime publicitare si këto:
HOTEL & RESTAURANT “LIRIJA”(më parë Sulltanie). Në Manastir në udhën 10 korrik është një vend i mirë, ka dhoma të paçme, të mobiluara mirë, shërbime të shpejta … ju sigurojmë që do të mbeteni të kënaqur. Vëllazërija Germenji – Manastir(1910, p.n.).
Ose:
BLINI LIBRAT e zotit Mihal Grameno Oxhaku, Var’i i Pagëzimit dhe e E puthura. Këta tre romane shigjetare janë shkruar me një gjuhë fort t’ ëmbë dhe janë të parat romane në gjuhët tonë, andaj vraponi t’i blini, sa pa sosurë, do të ndjeni një shije e një zbavitje dhe do të mësoni gjëra të ngjara me rëndësi, vetëm për 6 groshë që të tri copët. Adresa: Mihal Grameno – Korçë. (1910, p.n.).
Disa nga ky lloj i shkrimeve publicitare do të mund të shërbenin si gjedhe edhe sot – si duhet të shkruhet një njoftim a reklamim saktë, shkurt, shqip e pa fjalë të huaja,
Siç dëshmohet nga shkrimet e shumta dhe të llojllojshme të botuara në Kalendarin kombiar, Mid’hat Frashëri si autor, publicist e si redaktor letrar e gjuhësor, është kujdesur jo vetëm për përmbajtjen e tyre dhe jo vetëm për mendimin e lartë e për mendimin e thellë, po si thotë ai vetë në shkrimin Mendim i vogël, është kujdesur posaçërisht edhe për bukurinë e këtij mendimi. Kjo më detyron të them se gjuha shqipe në këtë revistë dhe, sidomos, në shkrimet e Mid’hat Frashëri, shpreh zhvillim, pasurim dhe estetikë.
Pasuri leksikore
Në faqet e Kalendarit janë botuar edhe lista fjalësh shqip që, siç thuhet, nuk “para dihen”, të quajtura Fjalëtore të vogla. Kështu në një Fjalëtore të tillë botuar më 1909 (f. 55) janë përfshirë edhe këto fjalë: anësi, paanësi, dorëzënës, mefshtësi, nënurdhës, venom (therror) etj.Meqë jemi te Fjalëtoret duhet të them edhe këtë: këto katër vëllime të KalendaritKombiar i sjellin një pasurim të ndjeshëm shqipes, veçanërisht në rrafshin leksikor. Edhe me një hetim sipërfaqësor mund të vërehet se janë përdorur numër i madh fjalësh pak a shumë të panjohura a krijimesh gjuhësore vetjake të autorëve të ndryshëm. Këto fjalëkrijime flasin shumë për dashurinë dhe përkushtimin e autorëve të shkrimeve të tyre ndaj fjalës dhe gjuhës shqipe, për përpjekjen e tyre të madhe për pastërtinë e gjuhës, por edhe japin mundësinë të vëzhgohen prirjet e zhvillimit të gjuhës shqipe në një periudhë të rëndësishme të historisë së saj të jashtme e të brendshme. Puna e tyre në këtë drejtim përforcon mendimin se ata janë vazhdues të denjë edhe në fushën e krijimtarisë gjuhësore. Duhet të theksoj se numri më i madh i njësive leksikore për të cilat e kam fjalën janë nxjerrë nga shkrimet e Mid’hat Frashërit në rubrikën Pjesa kombiare, e sidomos nga rubrika Pjesa diturake. Duke qenë se në këto shkrime trajtohen tema të ndryshme nga dije të shumta shkencore, autori ka qenë i detyruar të marrë nga gjuha popullore ose të krijojë vetë njësi leksikore, fjalë të reja, por edhe fjalë me veçori terminologjike për terma, nocione, dukuri a gjendje të ndryshme. Numri i tyre është vërtet shumë i madh dhe meriton vëmendjen e studiuesit të gjuhës. Sa për ilustrim po përmend një numër të tyre të vjela gjatë leximit të Kalendarit rreth katërmijë faqesh:
emra: përsërilindje, përcipje (sipërfaqe), përfaqe (sipërfaqe),përndarje, përfjalim, shpengim, vetëqeverim, vetëfjalim (monolog), vetëurdhërim,nënurdhërim, besëtar, shëtitar, dërgimtar,shërbestar,urdhërimtar, mësimtar, bimëtar, ndihmëtare, mësimtare,ultare ((arbërisht – ulëse, karrige) stërvitor, mendjetor,folëtor (folës), plotësore, pasjetore,pjellëtore, bibletore,detore,anijetore,pikëlore,uratore,kremtore,begatore,pesëdhjetore,njëkombës, kombdashës,bashkëkatundarë,bashkëmbledhje, bashkëzëshm/e-ja (bashkëtingëllore), kryeçarje, kotësidashës, njerëzdashës, mbarësidashës,mbarëdashës, macedashëse, mikdashës, kotmadhështi, paraprindë, mendjedyshonjës,historishkrues (historian),bimëtregonjës (botanist),tymjak (oxhak), lindjak (i posalindur), pamendëri,njëkombësi, shumëkombësi,mortësi, punëtorësi, mjerësi, keqësi, gjakësi,lirësi,parësi,djemuri,pamëri, shumëfarësi, pashpresësi, mësimtari, plotëri, keqbarazi, mirëbënjësi, miliunist (milioner), ngajë (shkak),mirërrojtje, mirënjojtje, drejtdukje, vendlermi (vendilindje) rrotullohësit (planetet), kryeushtar, kryeftillonjes, fluskaujë, mirërrojtje, moskamje,squkë (vë) – klloçkë (vë), etj.; fjalëterma dhe togfjalësha terminologjikë: qendrak (bosht i tokës, diametër), gjakvjellje, ujëqitje, ujëderdhje, dëmtar, grunar (hambar gruri), lindëtore, barëtor (farmacist), zgjedhje deputore (e deputetëve), mesdëbonjë (qendërikës), meshqëse,thartor (uthull), palët (shtresat) e dheut, djathë i parrahur, lule djathi, mullëz, djathë baxho (djathë pa ajkë ose djathë i mazitur, siçquhet në Kosovë), arëpunonjës, pemëtore,përmbjell (shartoj), të përmbjellurit (të shartuarit), përmbjelltore (shartim), sytë e kalemit (e biskut – e prerë e biskut), të përmbjellët me të çamë, të përmbjellët me të bashkuar, të përmbjellët nën lëvozhgë, të përmbjellët me burbuqe,pulë miskate, dallëndyshe e detit, shekë (sh.sheqe dhe sheka – lloj ene druri), tundjesë (trobolicë (në Gegëri, mutinë (sllav.), stopan, vedër, mapë, grivë, stap, bimçe (lloj ene), kullore, kënaçe, dhemasje (matëse e largësisë), fuzat e gjakut, kakusha (mjek. pluska, shika), gemat e gurmazit, fyzat e frymës, kopshte kafsharake dhe bimarake (për kopshtet zoologjike e botanike), gjilpërëz (pjesë e lules),gojëz, lugëz, farëz, fletëz,degëz, purtekëz, gjilpërëz (pjesë e lules), guhak,truzë (truri i vogël), xhongël (rrudhë e trurit), ngrohmasje (termometër),uratëz, faqezë,fëmijëz,trajtëzë ,fletëz, krymëza,etj.;
mbiemra: (i) përmesëm (mesatar), përndërkryer (i, e), përmoçme (e), zakonisur (i),ndërdyshëm(i),hijeruar (i),tërëndriçim (i), forthijshëm (i), kafshët (i) (plehe të kafshta), i bimët (helme të bimëta), shkumbëkurorëzuar (i), paanët (i), papamët (e), gjysmëshpirtme(e), fatbardhshme (e), shumëkohshme (e), ujëtor (i lëngët), vjetëroke (antike), vjedharake,diturake, majarake, (moshë) çunarake, motarake, foshnjarake, burrërarake, pleqarake, plakarake, plakarishte, vezëtore (pulë, që ka brenda vezë),shpirtengjëll, shpirtiriq, shpirtndritur, shpirtdjallëzi, shpirtlugat, shpirtkërmill, shpirtpakë,shpirtlumtur, zemërpak, zemërmjerë, zemerduronjës, zemërndyer,dorëhollë,mendjeshkurtër,mendjepakë, sysëmurë, farëzuzari, gënjeshtërmadhe, mirëmosnjohës,pësimadh,nakarmëshenjtë, vendzënës, vetëurdhëronjës, mallkimdhënës, etj.;
folje: përgjykoj, përnderoj, çpërnderoj, shpërkufizoj, mirëditësoj, mirësoj, lajmësoj, brumëzoj,hirështoj,fjalëtoj (flas), nënurdhëroj,pingulizohet, ngajoj (shkaktoj), përngroh, tërsjell,etj.;
ndajfolje: bashkëzëshëm, kombërisht,frymërisht (shpirtërisht), lëndërisht (materialisht), tërthorçe, së mbrashti, së mbari, së sipërmi, së poshtërmi, kurdoheras, vazhdasi, ngulmazi , brinjazi, shquarazi, sindekur, etj.
Veçori gjuhësore që bien në sy gjatë leximit të Kalendarit Kombiar janë edhe përdorimi i dendur i shumësit te emrat me –ra, -ëra, -ta, -na, -ka (+deminutivë) te të dyja gjinive: mbretërira, kopshtra, barishtëra, plaçkëra, anëra (anë), vadëra, bimëra, copëra, pemurishta, farëna,plaçkurina, bukurina, këpucka, duarka,fustanka,deriçka, vrimçka etj.; dhe përdorimi i dendur i emrave foljorë: të vjelurit, të mbledhurit, të mbrehtit, të sosurit, të punuarit, të mësuarit, të lëruarit, të mbjellurit, të përmbjellurit, të shartuarit, etj. Ja një shembull:Të mbyllurit e shkollavet, të ndaluarit e mësimit shqip në shkollat e qeverisë, të kyçurit e klubevet … (1911, f. 40)
Po kështu, bie në sy paraqitja e dendur e varianteve fonetike, përkatësisht e varianteve sinonimike:
emra: pafuqësi – pafuqi; turpsi – turpni; poshtësi – poshtëri; mjekni – mjekësi; tregësi- tregëri; pleqësi – pleqëri; pamendëri – pamendësi; punëtori – punëtorësi; diplomatëri – diplomaci; plotëri- plotësi; shalqi – sharqi; hidhësi – idhësi; qytetari – qytetëri;kusarëri – kusari; vobëzi – vobektësi; shqiptarësi – shqiptarëri; pastri – pastrim;mundëtar – mundës; notëtar – notues; shëndet – shëndetje; dritesore – dritare; mortje – mortësi; mirënjojtje – mirënjohje; paditje – padije; njohë (a) – njohje; tru-ri – tru-ja,e ndërdyshmja – mëdyshja, barna – barishtëra: grek – greqishtar (që flet greqisht) etj.;
mbiemra: i nevojtur – i nevojshëm;i bimët – bimor; bimake – bimore, damtore – e dëmshme; i helmët – helmues;i forcijshëm – i fortë, mungimët (i) – i munguar, i qytetçëm – i qytetëruar etj.;
folje: fjalëtoj – flas, vogëlsoj – vogëloj; madhoj – zmadhoj; nguret-nguroset; kuqet – kuqërohet, etj.;
Përdorimi i sinonimeve vërehet sidomos kur përdoren fjalët e huaja. Në ato raste shumë shpesh jepen të dyja fjalët – fjala shqipe dhe fjala e huaj, turke ose greke, këto të fundit në kllapa, ndërkaq ka raste kur fjala shqipe jepet në kllapa: dobi (qar, fajde), radhua (defter), shëronjës (heqim); shtrëngatë (furtunë); shpresë (ymys); shkak (sebep), qeveri (hyqymet), be (prokopi); kllapa (parantezë), pazar (treg), heqëz (sirtar), shumëgjuhësh (poliglot), patate (kërtolla), tërfil (jonxhe), fasule (groshe), etj. Ja një shembull: Pse pra hyqymeti (qeverija) s’i ep lirin’ e gjuhës shqiptarëve, se kjo gjuhë na i bëhet mur i hekurt armiqve e s’le të hedhin shtekun … (1890, f. 65); … çdo e ligë që i vjen vendit ka për shkak (sebep) vetëdijen e ligë të shqiptarëve që janë pas qeverisë; … duke tërsjelltur (me tafra ontas) nga gjuhë të tjera … (1900, f. 62);
Përdorimi paralel i fjalëve shqipe ose të konsideruara si të shqipes, krahas fjalëve turke a greke, është i kuptueshëm dhe i pajtueshëm me misionin e patriotëve shqiptarë – përdorimi i fjalëve turke e greke është tejet i shprehur në këtë kohë, siç dëshmohet edhe në tekstin në vijim: Zaptija që na rreh, bimbashi që bëhet një me hajdutin e na rjep, kajmekami që na vjedh, mytesarifi që na çpërnderon, alaj-beu që na tmerron, pothuaj gjithnjë janë shqiptarët e më të paktët halldupë(1890, f. 48). Ka raste, më të rralla, kur përdoren njëkohshëm dy fjalë shqipe sinonime ose që ndihen a përjetohen si të tilla, njëra prej tyre në kllapa: pikset (trashet), shpesh (dendur),etj.
Kalendari sjell edhe lëndë të pasur frazeologjike, por edhe njësi gjuhësore folklorike, sidomos fjalë të urta e lloje të ngjashme me to, si fjala vjen: Plasi dheu, doli dushku, m’i madh dhëndëri se krushku. (epigram popullor); Morrat na hanë dhe sqimat na mbajnë (1904, f. 97); Më mirë të flesh urët (unët), sesa të zgjohesh me hua. (1904, f. 98); Dhelpraqë fle, s’gjuan pula. (1904, f. 95); Kur ndahet pusi, ahere dihet vleft’ e ujit. (1904, f.97); Që kur kam një dele e një lopë, bota më nderon. (1904, f. 95); Madhështia i mbyll derën njeriut. (1904, f. 97); Ujku s’ha mish me porosi. (1904, f. 95); Kush bëhet mjaltë e han mizat. (1905, f. 147); Barra është e lehtë ndë sup të tjetrit. (1905, f. 147). E shumë të tjera.
E gjithë kjo lëndë e pasur dhe e larmishme nga ana përmbajtjesore, e gjithë kjo lëndë e pasur dhe e larmishme gjuhësore e letrare, botuar në revistën Kalendari kombiar ka ndikuar ndjeshëm që të zhvillohet e pasurohet gjuha shqipe, të pasurohet e të lëvrohet gjuha e letërsisë, gjuha e publicistikës, gjuha politike dhe gjuha shkencore.
Përfundim
Në përfundim duhet të thuhet se në përvjetorët, që do të shënohen vit pas vitesh për Kalendarin kombiar, nderimi e mirënjohja duhet t’u shkojë të gjithë atyre veprimtarëve e zelltarëve të cilët me kontributin e tyre të madh atdhetar, me veprimtarinë e krijimtarinë e tyre të shquar gjuhësore, letrare e diturore, edhe botore, kanë shënuar historinë e çmueshme të kësaj reviste, pa të cilën nuk mund të hartohet asnjë histori e plotë e zhvillimit të publicistikës sonë dhe sidomos asnjë histori e lëvizjes sonë për liri, për çlirim, për shtetësi, për gjuhën e për arsimin shqip.
Një mirënjohje e një përlavdërim i veçantë u shkon edhe botuesve të Fondacionit Arsimor Kulturor Humanitar ALSAR dhe kryetarit të këtij fondacioni z. Mehdi Gurra, Këshillit botues, prof. dr. Genc Luarasit për përgatitjen e materialit për botim dhe të gjithë atyre që kanë bërë punë me përkushtim të rrallë që lexuesi shqiptar ta ketë në dorë në një botim kaq të veçantë Vjetarin Kalendari kombiar.
*Botuar në librin “Shefkije Islamaj -Shkrime të saj dhe shkrime për krijimtarinë e saj”. Instituti Albanologjik, 2018, f. 17-38.
[1]Më 2017, në 120 vjetorin e daljes së tij, u ribotua në katër vëllime kolana e plotë eKalendarit kombiar (1897-1928), nga Fondacioni ALSAR, Tiranë.
[2]Aurenc Bebja,Një studim i rrallë francez për shtypin shqiptar të viteve 1848 – 1939, 22 Shkurt 017. Burimi: gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France, sipas Aurenc Bebes nga Blogu © Dars (Klos), Mat – Albania);Linku: https://www.darsiani.com/la-gazette/nje-studim-i-ralle-francez-per-shtypin-shqiptar-te-viteve-1848-1939/.Sipas gjurmuesit të palodhshëm të arkivave Aurenc Bebes, me origjinë shqiptare e që jeton në Francë, studiuesi francez André Ravry më 1939 ka botuar një studim për shtypin shqiptar të viteve 1848-1939, brenda dhe jashtë Shqipërisë, në revistën e Universitetit të Shkencave të Shtypit të Parisit, në numrin 3 të muajve korrik-shtator 1939. Shkrimi ka karakter analitik dhe gjendet në Bibliothèque nationale de France.
[3] Mid’hat Frashëri, Kristo, Parathënie, Kalendari Kombiar (1913-1928), ALSAR, Tiranë, 2017.
[4] Dr. Laurant Bica, Kristo Luarasi dhe Frashërllinjtë, Parathënie, Kalendari Kombiar (1903-1907), ALSAR, Tiranë, 2017.
[5]Mit’hat Frashëri, 6 javë në Shqipëri, përgatitur nga Uran Butka. Plejad, 2016.
[6]Rexhep Qosja, Ëvetari i dytë (1845) i Naum Veqilharxhit – dokument i rëndësishëm i Rilindjes Kombëtare, “Semantika e ndryshimeve historiko-letrare”, Vepra X e Kompletit, Prishtinë, 2010, f. 146.