Nga Ilir Levonja/
… Unë vet vij nga bataku. Nga gjirizet…, janë ca katakombe njerëzore me dy botë. Mizerjen nëpër këmbë, laçka, plaçka, kusi, tenxhere. Më lehtë për t’u evakuar. Sidomos kur vërshojnë edhe këta lumenjë bibilushë si Lana e Tiranës. Se me atë Gjanicën e Fierit jemi mësuar tashmë. Deri në çati e kemi hipur kaun. Kemi soditur bashkërisht faqen e ujit të turbullt. Kurse me ata në fushat e Lezhës dhe Shkodrës. Ohu …, e qelbëm. Ndaj na quajnë rob të paterur. Me një një fjalë të patharë ndonjëherë. Pra jam një varfanjak. Bota e dytë mes kësaj mizerje, përbëhet nga ëndrrat. Ftohim të ndenjurat në ujë. Dhe kullosim sytë në qiellin e Orientit të Një mijë e një netëve. . E mban mend Sherezaden. Ne djemt e paterur. Shikojmë qiellin. Ja atje mes reve të skalafitura,gjysmë të sterrta si mizerja jonë. Kjo katakombë me dekor nga kinematografia e Luftës së Yjeve. Atje del Sherezadja dhe hedh shaminë. Shanci më ra mua. Mora gruan e pasur. Mos u mërzisni se unë do u rregulloj edhe ju. Gjithmonë ka kohë dhe vend për përmisim. Ndërkohë u bëra dhe politikan. Kështu është moda në katakombën tone. Politikanë të varfër me gra që pas një gjumi shtresash nga tregu. Gdhihen të pasura në dhoma vilash e dizajne firmatosh. Vila mes tokash të shkreta. Të askujt.
1)Ndofta dikush po e lexon si një çartje. Por ky është realiteti shqiptar. Kjo është ndjesia e përfituar. Sidomos kur lexon apo dëgjon fjalën e mister qetësisë dhe dashurisë shqiptare. Kryetarit të Kuvendit të Shqipërisë. Djalit që krenohet me varfërinë e tij. Por mburret me pasurinë e gruas. Ndërkohë nuk harron të na kujtojë se sa aprofesional’ është një gazetar që punon në një institucion si VOA. Apo Zëri i Amerikës, bash vendit ku të shkundin pluhurin me presjet e ligjit. Jo me ligjin. Pasi ligji është çështje më e shenjtë se fjala e mesies. Në këtë vend, ku po ta vini re se, edhe një president me ngjyrë. (Soji njerëzor që me zor thinjet dhe rrudhoset). Si Obama, u thinjos që në dy vitet e para. Politikanit të varfër shqiptar. Nuk i mjaftojnë as njëzet e kusur vite qeverisje për të thinjur të paktën tëmthat. Ehu t’marrsha t’ligat…, do thoshte ai populli apo njerëzimi i madh. Madje edhe kur ftillohen grimat e para, nxiton tek ngjyrosja e kokës.
2)Mister Kryetar, që i njeh vetes prejardhjen është mire. Ndofta të vret sadopak luksi i xhamave të tu, ku vragen gjerbat e një shiu që përjashta vret njerëz. Dhe ky është ndryshim thelbësor, i madh, katastrofik. Tek ty ndërgjegjen, përjashta jetë. Por duket se nuk ndodh. Jo vetëm me ty. Ti përmend varfërinë karshi një bote tjetër që të është bashkuar si pasuri. Si Sherezadja e Orientit. Përmend prejardhjen dhe harron luftën aq vjeçare. Midis varfërisë dhe pasurisë. Deri dje e kthyer edhe si një ideollogji. Një armë. Të cilën dje e përdore drejt për drejtë. Duke i grabitur pronat të pasurve. Dhe sot duke ia përvetësuar përmes strategjisë grua e pasur.
Ashtu me qetësi dhe dashuri. Pra shkurt,armikun e klasës e luftove për t’u bërë vet kllasë. Jo për të ndërtuar rendin apo shtetin që ëndërrojnë shqiptarët.
3)Në katakombën e mjerë, vazhdon të bjerë shi. Edhe ato pak orendi që u blen me kursimet e fundit nga rroga matanë maleve dhe detit. I mori llumi. Do e vëri dorën në zemër paria. Do na ndreqin duke na dhënë ndonjë thes miell. Ndonjë dele, apo dhe duke na shkruar emrin për ndihmë sociale. Paria jonë po përpiqet. Po përpiqen shumë. Shikoni si po bëjnë për njëzet e kusur vite reformë. Reformë të fortë sa edhe veten do çojnë në burg. Nuk rëndësia vetja e tyre. Nuk e shikoni se sa të varfër janë. Se si flasin dhe nuk e harrojnë katakombën tone. Tani me fatin e tyre nuk do hahemi. U ranë për pjesë gra të pasura. Sidomos me vjehrra të pasura. Sa shumë që kanë. Gjithë atë Shqipëri sa një pëllëmbë dore. Dhe i ziu njëri, atje mes Gjanicës së turbullt, Lanës së nevrikosur, apo Drinit të përjetshëm… shikon gruan e vet. Të lagur si pulë fushe. Gjysmë gjel e gjysmë pulë. I bërtet …, po ti pse nuk qëllove e pasur. Dhe ai i ziu tjetër, njeriu i mizerjes shikon vajzën, I bërtet, po ti pse nuk qëllove e pasur. I bërtet djalit, po ti pse nuk ke vila, makina, dashnore…
Ta bëft Zoti hallall Kryetar, se harrami është në anën tone.