Ku gabon dhe ku ka të drejtë, Joe Dioguardi/
Nga Rafael Floqi /
Çdo krahasim natyrisht çalon. Dhe një letër e Joe Dioguardit drejtuar kryetarit te Bashkisë së Tepelenës, botuar jo pa qëllim tek gazeta “Dita” me nëntitull ekskluziv, është një kurth i vogël spekulativ së kësaj gazete shqiptare, apo të “Tërmetit të Votës publicitar “ ku kanë rënë edhe figura të diasporës me vlerë kombëtare. si zoti Joe Dioguardi, kryetar i LQSHA, po ku edhe për arsye emocionale të kuptueshme edhe njerëzore u indinjuan, edhe mendje të ndritura si Prof . Sami Repishti apo z. Lekë Mirakaj, i mbijetuar i tmerreve të këtij kampi, të cilët shprehin jo pa dhimbje kundërshtimin e tyre të kuptueshëm dhe të drejtë, si përjetues e përvuajtës të atij tmerri dhe që kanë mbajtur vetë apo familjarisht, mbi shpinë e shpirt, si përvoja dhe gjurmë çnjerëzore të atij ferri komunist që kaluam.
Ideja e letrës personale dhe jo publike e zotit Dioguardi bëhet mendoj, jo që të mos kujtohen viktimat e krimeve komuniste, por për ruajtjen e asaj arritje, që ai ka bërë në lobimin e tij në bashkëpunim me lobin e fuqishëm izraelit në SHBA, pa bashkëpunimin e me të cilin, nuk do të kishte pasur sukses puna lobiste në favor te çështjes kombëtare shqiptare, si ajo e Kosovës, Ky motiv i zotit Dioguardi është qëllimmirë, po i ngushtë, i lidhur me lobimin e tij dhe raportet me lobin çifut dhe jo me kontekstin e gjerë të çështjes të Kampit të Tepelenës e të jehonës së tij famëkeqe në realitetin shqiptar.
Nuk dua të bëj avokatinë e tij, por ky duket se është motivi i kësaj letre. Ideja e emërtimit te kampit si Aushvic, ka në konotacion mjaft të fortë, dhe e parë me syrin e një amerikani, apo me atë të një izraeliti amerikan, me ngjyrimin e tij ky togfjalëshit emocional “Aushvici shqiptar “ le shteg për keqinterpretime, tingëllon në veshët e diasporës izraelite amerikane, mike të shqiptarëve , “Sikur shqiptarët kanë pasur një kamp ku vrisnin çifutët”.(Sic!) Kësaj ideje kërkon t’i qëndrojë sa më larg z. Dioguardi. Ndërsa çështja e të përndjekurve që duan të kujtojnë me të drejtë viktimat e krimet e pashoqe të kampit famëkeq të Tepelenës, ndoshta, nuk është aq e prekshme për të, por është thellësisht e dhimbshme, për të tjerët që kanë kaluar nëpër ferrin komunist. Prandaj theksoj se krahasimi me Aushvicin çalon.
“Don’t compare your life to others. You have no idea what they have been through”,
Mos krahaso përvojën tënde me të tjerëve, thoshte oratori australian Sam Cawthorn, që e përshtatur lirshëm për këtë situatë, do të përkthehej : “ Mos e krahaso përvojën tënde jetësore me të tjerëve, pasi, ti nuk e di se çfarë kanë kaluar ata”.
Joe Dioguardi dhe pse mund ta ketë studiuar, duke mos e njohur në brendësi dhe thellësi emocionalisht realitetin e thelbin e regjimit komunist në Shqipëri në këtë apel ndaj kryetarit të Bashkisë së Tepelenës, shqetësimi kryesor i tij, ashtu siç shkruhet në letër, dhe në letrën sqaruese mbi të, qëndron kryesisht tek emërtimi i këtij kampi si “Aushvic shqiptar”. “Gjatë kohës që unë isha kongresmen i Shteteve të Bashkuara, e vizitova Tiranën bashkë me kolegun tim kongresist, të ndjerin Tom Lantosh. shkruan ai. Gjatë takimit prej dy orësh e gjysmë me Presidentin e atëhershëm të Shqipërisë, Ramiz Alia, ne mësuam për herë të parë mbi një nga aktet më të nderuara dhe më fisnike të popullit shqiptar për të shpëtuar të gjithë hebrenjtë në Shqipëri dhe ata që erdhën nga Europa Perëndimore përmes Kosovës në Shqipëri gjatë kohës së errët të holokaustit nazist. Vitet e fundit, së bashku me gruan time Shirley, jam munduar nëpërmjet iniciativave të panumërta të ndaj me publikun amerikan si dhe atë ndërkombëtar një nga tiparet më fisnike të kulturës Shqiptare, Besën, e cila na nderon të gjithëve ne. Prandaj, unë jam i shokuar dhe thellësisht i shqetësuar mbi përpjekjet e tanishme për të cilësuar qytetin Tuaj të bukur dhe historik të Tepelenës si një “Aushvic Shqiptar”. Natyrisht kjo është perspektiva e tij dhe ai ka të drejtë në opinionin e tij.
Enver -Hitler
Ajo ku gabon z. Dioguardi është se reagimi i tij ka qenë emocional dhe i përdorshëm nga ata që kanë dashur ta bëjnë palë në synimin e shtrembërimit të historisë, në mbulimin e krimeve të regjimit të Enver Hoxhës. Mendoj se ky është këndvështrimi e perspektiva e Dioguardit dhe nuk duhet harruar se ai e ka me të dëgjuar, jo me të përjetuar, njohjen e ferrit komunist shqiptar. Ai ndoshta, nuk arrin ta kuptojë, edhe atë që thirrjet e shqiptarëve “Enver –Hitler në momentet e grahmës së diktaturës, nuk ishin vetëm një parullë për hir të rimës, a thjesht një krahasim, por një realitet në Shqipërinë Komuniste, ku në vend të vizës mund të vije kur të doje shenjën e barazimit.
Gjykoni nga këto kujtime të një ish të burgosure në atë kamp: “Në atë vit i gjithë vendi u godit nga një epidemi shumë e rëndë gripi, që pati viktima të shumta, dhe mund të merren me mënd pasojat për Tepelenën, ku mungonte çdo lloj forme e ndihmës mjekësore, ku nuk kishte barna, ku ishte i ndaluar zjarri e vdisnin shumë, sidomos pleq e fëmijë. Mungesa e ushqimit, virusi që përhapej, të grumbulluarit në ato kazerma, na katandisën në skelete shëtitës; megjithatë duhet të ngriheshim çdo mëngjes e të shkonim në punë, kush mbeste në rrugë gjysmë i vdekur çohej në kamp nga dy shokë për krahu ose duke e mbajtur me radhë në kurriz. U sëmurën rëndë vjehrra dhe djali; për mrekulli i shpëtova ngjitjes së sëmundjes, kështu që mund t’u shërbeja kur kthehesha nga puna e gjatë natës. Filluan të përmirësohen sepse Zoti i madh vuri dorën e Tij, mbasi nuk kishim asnjë mjet me përjashtim të një barishteje që e mblidhja në mal, e zieja e me atë lëng të hidhur i jepja diçka të ngrohtë.” A ka Dante që të përshkruaj një ferr më të zi se ky ?
Hitleri apo Enveri: Kush ishte më i keqi?
Në gjysmën e dytë të shekullit të njëzetë, amerikanët u mësuan ta shihnin si Gjermaninë naziste ashtu edhe Bashkimin Sovjetik si të keqen më të madhe “ the great evil”. Hitleri ishte më i keq, sepse regjimi i tij përhapte tmerrin e pashembullt të Holokaustit, përpjekjen për të zhdukur një popull të tërë në baza racore. Megjithatë, Stalini ishte edhe më i keq, sepse regjimi i tij vrau shumë, shumë më tepër njerëz – dhjetëra miliona, si shpesh pohohej viktimat të pafundme të Gulagut siberiane, ku çoheshin, jo veç kundërshtarë politik e klasor, por edhe fshatarë të pasur kulakë. Për dekada, madje edhe sot, për të kuptuar ndjeshmërinë e SHBA ndaj nazizmit, mjafton të shohim kronikën e ditëve të fundit në TV kur me porosi të Presidentit Donald Trump, agjencia e emigracionit dhe i kontrollit të doganave ICE, deportoi 95- vjeçarin me barelë Jakiw Palij nga shtëpia e tij në Queens, Nju Jork ,të hënën. Zyrtarët e Departamentit të Drejtësisë thonë se Palij shërbeu si roje e armatosur në një kamp vdekjeje në Poloninë e pushtuar nga nazistët dhe më vonë gënjeu zyrtarët amerikanë të emigracionit për rolin e tij në ato mizori kur hyri në Uashington pas luftës si emigrant.”
Ky mendim për dallimin në mes të dy regjimeve i parë në raportin, cilësia kundrejt sasisë – ka vendosur rregullat bazë për politikën e kujtesës në qëndrimin ndaj dy diktaturave. Madje edhe historianët e Holokaustit, përgjithësisht pranojnë se Stalini vrau më shumë njerëz, sesa Hitleri, duke u vënë nën presion më të madh, për të theksuar karakterin e veçantë cfarosësh të Holokaustit, pasi kjo gjë e bënte regjimin nazist më të keq se ai stalinist, praktika e së cilit i zbatoi deri në ekstrem e përtej atij, Enveri i ynë. Mjafton të kujtojmë ateizmin shtetëror të pa arritur në asnjë vend komunist. Por ka edhe një dallim të madh përgjithësisht mes të dyja këtyre dy praktikave të dhunës. Nëse holokausti synonte të zhdukte një racë e të mbronte racën e vet ariane, komunizmi synonte të zhdukte një klasë të së njëjtit popull. Mësim që Enveri e çoi me vullnet deri në zgrip dhe jo pa sukses…
Diskutimi i numrave mund të na çojë në një fare indiference në përjetimin tonë për karakterin e tmerrshëm personal të çdo vrasjeje dhe tragjedinë e pakapërcyeshme të çdo vdekjeje. Ndërsa kushdo që ka humbur një të dashur, në çfarëdo kampi përqendrimi, si unë gjyshin, e di se dallimi midis zeros dhe njëshit është një pafundësi. Dhe nëse duket e vështirë për ta kuptuar këtë, po e njëjta gjë është e vërtetë edhe për dallimin në mes, për shembull, mes numrave 780,862 dhe 780,863, që është shifra më e saktë i të vrarëve në Treblinka. Numrat e mëdhenj janë të rëndësishëm, sepse ata janë një shumë e numrave të vegjël: domethënë, janë shuma e jetëve individuale të çmuara të humbura. Sot, pas tri dekadash kërkimesh në arkivat e Evropës Lindore, dhe në sajë të punës së studiuesve: gjermanë, rusë, izraelitë dhe dijetarëve të tjerë, ne mund ta zgjidhim çështjen e shifrave. Tani dimë se gjermanët vranë më shumë njerëz sesa sovjetikët dhe shqiptarët për 1000 frymë më shumë se këta të fundit. Këtu kjo çështja e cilësisë, bëhet disi më komplekse se sa ishte menduar më parë. Vrasjet masive në Bashkimin Sovjetik, apo në Shqipëri, ndonjëherë përfshinin motivime, kombëtare dhe etnike, dhe krahinore që mund të jenë disi dhe të krahasueshme me motivet naziste. P.sh, si shpjegohet që shumica e të burgosurve të Kampit të Tepelenës ishin nga Veriu i Shqipërisë dhe të besimit katolik?
Skena e historisë shqiptare të pas luftës së Dytë Botërore ishte një “carbon copy “ e historisë dhe histerisë së Stalinit. Dhe nuk ka historianë amatorë apo profesionistë, patriotë por të majtë, si miqtë e mi Auron Tare, apo historiani Pëllumb Xhufi, ky i fundit sa i thellë dhe patriot është në fushën e historisë së Mesjetës, aq i cektë dhe mbrojtës lokalist, se mos njolloset Tepelena e tij, duke u bërë kështu verbërisht në një mbrojtës dogmatik të fshehjes së realitetit të zymtë të një periudhe të errët të diktaturës së Enver Hoxhës. Ndaj nuk është në nderin e Xhufit e Milos qëllimisht, dhe as të Dioguardit pa qëllim me gjithë meritat që kanë, që mbrojnë apo të klasifikojnë për çdo motiv një çështje të pambrojtshme, terrorin e komunisteve shqiptarë dhe gjenocidin mbi baza të afërsisë biologjike të gjakut. Dukuri e cila edhe për shkak të traditës kanunore dhe klanore të një vendi të vogël si Shqipëria u çua në ekstrem. Marksi fliste për luftë ekonomike klasash dhe ajo u shndërrua në Shqipëri në luftë biologjike ndaj fisit, familjes, genit.
“Një fushë përqendrimi e pune të detyruar, një kamp, i populluar nga dymijë qenie njerëzore të ardhur, pothuajse të gjithë nga Veriu i Shqipërisë: pleq, gra, fëmijë, të shkulur në pak orë nga shtëpitë e tyre e të grumbulluar në pesë kazerma, shkuan Elena Merlika Kruja në një dëshmi nga kampi E të mendosh se atëherë e gjithë popullsia shqiptare nuk arrinte në një milion! Vendi i zgjedhur ishte llogaritur deri në hollësitë më të imta: një ultësirë e gjerë, gati si një fushë e vogël beteje, e rrethuar pikërisht nga kazerma, bazë prapavije e ushtarake për ushtrinë italiane gjatë luftës italo – greke në vitet e luftës së dytë botërore. Për rreth nuk shiheshin veç male, një erë e akullt gjatë dimrit na e bënte jetën të pamundur, tela me gjemba kudo, ndalim i rreptë për të ndezur zjarr për t’u ngrohur me rrezikun për të mbetur, të lidhur, gjithë natën jashtë në ngricë”.
Ndoshta kampi i Tepelenës nuk ishte ndërtuar qëllimisht për të zhdukur njerëz si “Aushvici” , por aty, pavarësisht se s’pati krematoriume janë zhdukur njerëz të pafajshëm, gra, pleq, fëmijë, thjesht pse kishin lidhje, gjaku, fisi, geni me kundërshtarët e tyre politik.
Megjithatë pavarësisht motivit dhe mos njohjes së çështjes, apeli i Dioguardit, me dashje a pa dashje, ku shkruan “Prandaj unë ju nxis, me autoritetin e Kryetarit te Bashkisë së Tepelenës të tërhiqni mbështetjen për memorialin Kompleks i cili në mënyrë të falsifikuar përshkruan “Memorialin e Kampit Shfarosës të Tepelenës”. Dhe, meqenëse Këshilli i qytetit tuaj ka kaluar një “rezolutë” mbi të ashtuquajturin “Memorial i Kampit të Shfarosjes të Tepelenës”, unë Ju nxis që zyrtarisht të anuloni një vendim të tillë dhe, në se do të ishte e nevojshme, të linit popullin e Tepelenës të vendosë nëpërmjet një referendumi lokal nëse një njollë e tillë e pashlyeshme do të vendosej në qytetin e tyre të bukur dhe historik.”, barazohet me qëndrimet e historianëve dogmatikë.
“Enver –Stalin, pionierët duan lirim!”
Mosnjohja nga ana e z. Dioguardi, nuk është argument justifikimi, siç thotë me të drejtë prof. Sami Rrepishti, , Ph.D ish i burgosun politik (1946-56).por indinjata e tij, sado e justifikuar, duket e tepruar “Kur shprehet :Letra ashte nji akt tradhtie te pabesueshme nga nji persone qe njeh mire situatën “. Por kjo është thellësisht e kuptueshme kur ai shkruan “Ne emën te nanës sime Hava Bushati-Repishti, te motres sime Hadije Repishti (14) dhe te vellaut te vogël Vehbi Repishti (11) denoj pa asnji mëshirë këtë akt skandaloz, ofendues, dhe nji thike mbas shpine per viktimat, shumica e te cileve kane qene femij te parritun akoma, dhe foshnje fare”.
Kush e ka jetuar, parë e dëgjuar ferrin që siç e përshkruhet në një dëshmi të një të mbijetuari në kampin famëkeq të Tepelenës që po e sjellim këtu :”Vetëm me 400 gramë bukë. Nuk vonoi shumë dhe ra tifo e dizenteri njëherësh. Filloi vdekja në seri. Ambulancë dhe ilaçe nuk kishte. Vend i izoluar, pyll, epidemi. Ishte krijuar një skuadër vetëm për të hapur varre. Ajo shkonte për të hapur 2-3 varre e pastaj lajmëroheshin që të hapnin edhe një tjetër, edhe një tjetër… Kishte raste, 5-6 varre në ditë”, e di se e vërteta duhet mbrojtur.
Ndërsa në një bisedë një i njohuri i im i arratisur nga Vermoshi. Z. Nikollë Hysa, më tregonte se vetëm nga fshati Vermoshi i Prekë Calit, kishte 65 familje të izoluara në këtë kamp fatkeq me tregonte histori sureale, makabre nga jeta në atë kamp. Të papërfytyrueshme. “Një grua kishte dy binjakë si drita. Nga kushte e këqija nga të ftohtit nga mos ushqimi i vdes një foshnjë. Gratë e varrosin atë jashtë në oborr. Të nesërmen në gjumë vdes vetë nëna, ndërsa binjaku i mbetur pinte gji nga nena e vdekur”. A ka tragjedi greke që mund ta përshkruaj këtë skenë? Apo skenën e nënës që e pat zhvarrosur tre herë foshnjën e saj nga varri, sa herë që rojet e ndryshonin kufirin e rrethimit të kampit. Pasi donte të linte një shenjë që nëse dilte një ditë nga ai ferr, të kishte mundësi ta gjente, ashtu si edhe e gjeti varrin vetëm pas viteve 90-të, pasi e kishte varrosur pas një peme. Por Nikolla tregon edhe një skenë paradoksale që siç duket çoi në mbylljen e kampit.” Ishte mësuar se kampin do ta vizitonin këshilltarët ushtarakë sovjetikë, thotë ai . Dikush i organizoi fëmijët dhe me të hyrë disa nga oficerët sovjetikë, fëmijët e uritur, të mjerë, të dërmuar thërritën në kor një lutje një thirrje për jetën për diktatorin që t’u shpëtonte shpirtrat: “Enver –Stalin, pionierët duan lirim!”
Thirrjet duket që prekën edhe vetë sovjetikët gjë që kuptuan se nxënësi Enveri ia kishte kaluar mjeshtrit Stalin, gjë që çoi më vonë, edhe në mbylljen e kampit. Dikush sot thotë se atje “nuk ka qenë edhe aq keq”, ndërsa një ndër pinjollët e ish-udhëheqjes komuniste, njëkohësisht edhe viktimë e saj, Bashkim Shehu, i biri i ish-Kryeministrit Mehmet Shehu, në një intervistë të kohëve të fundit do të shprehej se në atë kamp ishte më keq, se burgu ku ai kishte vuajtur dënimin dhe se vdekshmëria foshnjore ishte aq e lartë, saqë vetë ata që e kishin ngritur vendosën ta mbyllnin.
Holokaustin e filluan nazistët e përfunduan komunistët
Që prej debatit për kampin e Tepelenës, ky i fundit është kthyer në simbolin e vuajtjes çnjerëzore nën komunizëm. Për t’i dhënë më shumë dritë, jo vetëm këtij debati, por edhe persekutimit komunist në këtë zonë të Shqipërisë, Autoriteti për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit organizoi në datën 20 gusht ekspozitën me titull “Persekutimi komunist në zonën e Tepelenës”. Ky shihet si një hap pozitiv. Por duhet bërë më shumë. E keqja është e njëjtë. por reagimi dhe qëndrimi është i ndryshëm. Ndërsa në SHBA një nazist dëbohet në barelë me gjithë moshën 95 vjeçare, edhe pranohet vetëm për motive morale nga Gjermania, edhe pse nuk kishte lindur në Gjermani por në Poloni, më thoni në Shqipëri se cilit, nga ish-funksionarët apo rojet e burgut të Tepelenës, i ka hyrë gjembi në këmbë. Edhe pse vendet ish komuniste të BE-së kanë reaguar, Shqipëria do të ndahet e fundit nga e shkuara e saj komuniste.
Gjatë Presidencës hungareze të BE-së të vitit 2011, një nismë hungareze-lituaneze- polake rezultoi në marrjen e ministrive të drejtësisë nga BE-ja, duke pranuar një dokument që lidhet me kujtimin e regjimeve totalitare. Kjo ditë u shpall më 23 gusht. Që nga viti 2011, çdo vit një vend europian organizon një konferencë kushtuar Ditës Evropiane të Kujtimit. Dita Evropiane e Përkujtimit të Viktimave të Stalinizmit dhe Nazizmit, e njohur si Dita e Shiritit të Zi në disa vende, e cila është vërejtur më 23 gusht, është dita ndërkombëtare e përkujtimit për viktimat e ideologjive totalitare, veçanërisht regjimet totalitare komuniste, stalinizmin, nazizmin dhe fashizmin. Kjo datë u zgjodh në kujtim të Paktit Molotov-Ribbentrop, një nënshkrim pa agresion, i vitit 1939 midis BRSS-së dhe Gjermanisë naziste.
Atëherë duke u kthyer çështjes sonë. Kur në thelb të dy regjimet, si ai i së majtës ekstreme dhe te djathtës ekstreme takohen. Pasi nazizmi edhe në emër ishte Nacional Socializëm. Pra kur në thelb janë e njëjta e keqe. Pasi në praktikë duket se edhe holokaustin nazistët e filluan dhe komunistët e përfunduan. Pra meqë është e keqe e ngjashme, pse të mos e quajmë Kampin e Tepelenës, si Gulagu i Enver Hoxhës? Në fund të fundit është një krahasim që është më afër realitetit politik dhe në këtë aspekt.
Por ka edhe për një arsye tjetër, ku ky krahasim çalon në qëndrimin ndaj viktimave, se ishin po ata shqiptarët të Besës që ruajtën çifutët nga nazizmi, dhe këto me fakte, më të pabesët, që spiunuan po shqiptarët tek gjermanët gjatë Luftës së Dytë Botërore, duke i dërguar në Kampe Përqendrimi ku gjetën vdekjen, apo që spiunuan, vranë, torturuan, shkatërruan këdo që guxonte të mendonte ndryshe tek organet e diktaturës komuniste. edhe pse ishin të së njëjtës racë e gjak. Pse kur Partia zëvendësoi edhe Besën edhe zotin, kjo puna e Besës ndaj çifutëve duket si një mit, apo diçka tjetër ?
Por le t’i kthehemi edhe një herë letrës së Dioguardit, me gjithë rezervat, në fund të fundit duket se ka të drejtë në një gjë, siç thotë një proverb amerikan” The fastest way to kill something special, is to compare it to something else”. ( Rruga më e shpejtë për të vrarë diçka të veçantë, është ta krahasosh atë me diçka tjetër.)
Ndaj jo AUSHVIC, por GULAG!