Me datën 1 tetor, 2023, anëtarë të shoqatës Shqiptaro-Amerikane “ Skenderbej” Inc, u mblodhën së bashku, në parkun Seufert Badshell, në Queens, New York, për të zhvilluar kampionatin e dytë të shahut. Ky aktivitet u organizua nga kryesia e shoqatës.
Parku ndodhet në një kreshtë të lashtë në lagjen Queens, me pamje nga fushat jugore te gjirit të Xhamajkës. Ai u konceptua në vitet 1890 nga Frederick Law Olmsted, bashkëprojektuesi legjendar i Parkut Qëndror në Manhattan (Central Park). Parku Seufert Badshell, mbulon rreth 538 hektarë nga ku, 413 janë të pyllëzuara me lisat të kuq verior, pyje dushku, lisa të tjerë të bardhë, bimë kacavjerrëse apo qershi të zeza të egra, duke krijuar kështu, një ambjent tepër çlodhës dhe frekuentues për banorët e lagjes Queens si edhe vizitorë të tjerë të New Yorku-t dhe më gjerë.
Në këtë takim të mirëpritur nga të gjithë anëtarët, dhe vecanarisht nga adhuruesit e sportit të shahut, morën pjesë Kryetari i shoqatës Shqiptaro-Amerikane “Skenderbej” Inc. zoti Imer Lacaj, anëtarë të kryesisë, si edhe miq e dashamirës të anëtarëve të shoqatës.
Zoti Imer Lacaj përshëndeti të gjithë të pranishmit për pjesëmarrjen. Ai theksoi se “ Aktiviteti i ditës po zhvillohet në Queens, New York, pasi fituesi i kampionatit të mëparshëm të shahut, ishte zoti Elton Xhaferri, banues i lagjes së Queens-it, New York”. “Kampionati i ardhshëm,vazhdoi ai, do të zhvillohet në lagjen e fituesit të ardhshëm të këtij viti.”
Grupi i punës së këtij aktiviteti, zotërinjtë Elton Xhaferri, Genti Veshi dhe Ervin Toro arritën të sistemojnë me shumë zhdërvjelltësi 16 konkuruesit e këtij aktiviteti. Ata i ndanë të pranishmit në grupe dhe shumë shpejt qetësia karakteristike e lojës së bukur të shahut, mbizotëroi për më se 4 orë në këtë aktivitet.
Ndeshjet ishin serioze dhe oponentët treguan karakteristika të forta në lojë si: shpirti luftarak, durimi, konfidenca, karakteri i fortë, organizimi dhe strategjia. Pas ndeshjeve së njëpasnjëshme të 16 lojtarëve në grupe u përcaktuan finalistët, zotërinjtë Gjovalin Marku dhe Elton Xhaferri.
Ndeshja finale ishte tepër emocionuese dhe u ndoq nga të gjithë të pranishmit me shumë vemendje. Oponentët treguan maturi në strategjinë e tyre pasi saktësia e cdo lëvizjeje, ndihmonte në përcaktimin e fitores.
Fitues i këtij kampionati u shpall zoti Gjovalin Marku i cili mori edhe cmimin prej 100 dollarësh të akorduar nga kryesia e shoqatës. Kryetari i shoqatës zoti Imer Lacaj i dhuroi një kuti shahu zotit Elton Xhaferri i cili zuri vendin e dytë në këtë kampionat.
Zoti Gjovalin Marku, falenderoi kryesinë e shoqatës për organizimin dhe shprehu kënaqësinë e tij për pjesëmarrjen në këtë ambjent vëllazëror. Ai u duartrokit nga të pranishmit.
Gjatë këtij aktiviteti pjesëmarrësit u ulën në tryeza te përbashkëta për t’u çlodhur dhe shijuar ushqime tradicionale shqiptare të sjella nga vetë anëtarët e kësaj shoqate. Ata bënë barbeque, luajtën lojëra të ndryshme sportive, zhvilluan bieseda shoqërore, kënduan e kërcyen. Ambjenti ishte tradicional, i zbukuruar me flamuj shqiptar dhe Amerikan.
Në fund, të pranishmit falenderuan njeri- tjetrin për kontributet që sollën në këtë aktivitet si edhe ndihmën që ata dhanë për t’a pasuruar atë. Aktiviteti ishte një tabllo gëzimi, shoqërie, konkurence, shpirti i së cilës, do të mbetet sërish një frymëzim për aktivitete të tjera.
Suksese shoqatës Shqiptaro-Amerikane “ Skenderbej” Inc. në aktivitete të tjera të rëndësishme të vitit.
Shoqata Shqiptaro-Amerikane “Skenderbej” Inc.
Staten Island, New York.
2 Tetor, 2023