Besnik Imeri
Në këtë trinom të rëndësishëm, Aulon-Orik-Kionin (Kanina), bën pjesë edhe kalaja e Kaninës. Gj.Karaiskaj për të na informon: “Kalaja e Kaninës ndodhet në gjirin e Vlorës mbi një kodër me lartësi 380 m…Muret rrethuese përfshijnë një sipërfaqe 3,5 ha dhe kanë një gjatësi të përgjithshme prej 1 km. Ashtu si në Shkodër, kalaja ndahet nga mure tërthore në tri pjesë…Ajo e fillon jetën e saj që nga koha antike. Më vonë në shek. e VI, kalaja rindërtohet nga Justiniani dhe përmendet në listën e Prokopit me emërin Kionin. Në fillim të shek. XI, Kanina ishte një qytet dhe qëndër peshkopate dhe luajti një rol të rëndësishëm në luftërat normano-bizantine. Në shek. XII-XIII, kthehet në një qëndër ushtarake të dorës së parë, duke shërbyer si plasdarm për depërtimin e anzhuinëve në thellësitë e tokave shqiptare. Në vitin 1530 kalaja rindërtohet nga sulltan Sulejmani, ndërsa ndërtimet e fundit të shek. XVII-XIX i përkasin përpjekjeve të feudalëve shqiptarë të Vlorës për të rimëkëmbur këtë fortifikim.”
Në lidhje me hershmërinë e këtyre fortifikimeve Neritan Ceka pohon se, faza protoqytetare, shek. VII-V p.e.sonë, është dokumentuar në Kaninë, Treport, Mavrovë (Olympe), etj. Në Treport vendbanimi protoqytetar përfshinte vetëm majën e kodrës rreth një të katërtën e qytetit të ardhshëm. Në Kaninë ai shtrihej në pjesën më të lartë midis dy majave në një sipërfaqe rreth 1,7 ha. Në Mavrovë shtrirja është e kufizuar në pjesën më të lartë me një sipërfaqe rreth 0,5 ha…Faza protoqytetare shfaqet arkeologjikisht me një dëndësim të dukurive që kanë filluar të paktën që nga bronzi i mesëm…Gjatë shekujve VII-V p.e.sonë…masa kryesore e vendbanimeve si Kanina, Treport, Mavrova (Olympe), etj, përfaqësohen nga shtresa të dëndura në një hiatus nga vendbanime të kohës së bronzit…
Nga ky përshkrim mund të arrijmë në këto përfundime: së pari, fortifikimi i Kaninës, si të gjitha fortifikimet pellazgjike, fillimisht ka pasur një akropol, që për Kaninën ishte 1,7 ha; së dyti, ka një fakt interesant dhe të paspjegueshëm deri tani, të gjitha fortifikimet të dyshuara si ndërtime pellazgjike, akropoli i tyre fillimisht është ndërtuar mbi dy maja. Të tilla janë Olympe, Amantia, Selo, Treni, Samobari, etj…; së treti, dyshimet e shprehuara më lart për dukuri që nga pikëpamja arkeologjike kanë filluar që nga koha e bronzit, si dhe ajo që në vendbanimet si Kanina përfaqësohen nga shtresa të dëndura në një hiatus nga vendbanime të kohës së bronzit, janë në të mirë të tezës se këto vendbanime të fortifikuara i kanë fillesat e tyre ne kohën e bronzit, që është koha e luzmimit të pellazgëve.
Në lidhje me kronologjinë e kalasë të Kaninës nga mjaft autorë pohohet, se ajo mund të jetë fortifikim shumë më i hershëm nga shek.V p.e.s., kohë që u shkatërua nga apolloniatët. Por, siç e kemi thënë në mjaft raste në këtë studim, legjendat janë një e vërtetë historike e ardhur që nga mugëtirat e kohrave të stërlashta. Një mësim të tillë na e jep edhe arkeologu italian Ugolini: “Edhe legjendat e lashta, të mbledhura herë nga poetë e herë edhe nga historianë të epokës klasike, sjellin një kontribut pohues për pikëpamjen e historianëve modernë…”
Një nga këto legjenda, që padyshim, sjell një kontribut pohues për pikëpamjen e historianëve modernë, është ajo që flet për zanafillën e fortifikimit të Kaninës dhe Amanties, të cilën, e tregon arkeologu S.Anamali:
“Një version tjetër të legjendës e ka lënë Pausania, në veprën e tij përshkrimi i Helladës. Ai tregon se në Olimpia, pranë vendit të quajtur Hipodam, gjendej një monument skulpturor, i punuar nga skulptori Lykio dhe kushtuar Zeusit nga apolloniatët. Sipas kushtimit të kumtuar prej tij, monumenti ishte ngritur nga apolloniatët, pas fitores së tyre kundër abantëve, me një të dhjetën e plaçkës së marrë në qytetin e tyre Thronion. Më tej Pausania shkruan se Thronioni ishte një qytet i krahinës së Abantisë dhe se kjo e fundit u përkiste thesprotëve. Qyteti u ngrit nga abantët e Eubesë së bashku me lokrët e Thronionit; pas udhëtimit në det dhe vendosjes së tyre pranë maleve Keraune. Thronionin e shkatëruan, mbasi e pushtuan apolloniatët, duke i dëbuar prej andej abantët (Pausania, Descriptio Graeciae, V, 22, ed Teubner, Leipzig-1870). Kjo ngjarje është datuar në gjysmën e parë të shek. V p.e.s…
Dëshmia e Pausanias për ex-voton e Apollonisë nuk mund të vihet në dyshim, aq më tepër, sepse në gërmimet e bëra në Olimpia (Greqi) janë zbuluar mbeturinat e monumentit të ngritur nga apolloniatët, dhe, të parë dhe të përshkruar nga Pausania…Emrin e qytetit Thronion, për herë të parë dhe të fundit, e gjejmë vetëm tek Pausania…Nëqoftëse pranojmë ekzistencën e qytetit Thronion në Ilirinë e Jugut duhen dëshmi arkeologjike për ta provuar, por ato, tani për tani, mungojnë. Nuk mund ta lidhim Thronionin me Amantinë e vonshme por duhet ta kërkojmë më afër maleve Keraune, më afër detit dhe qytetit Orik. Si vend më i mundshëm për një lokalizim të Thronionit, është kalaja e Kaninës, në muret mesjetare të së cilës janë parë gjurmë ndërtimi antik.”
Llogjika e ngjarjeve, gjithmonë sipas legjendës, kur abantët dhe lokrët pas luftës së Trojës u vendosën pranë maleve Keraune, të çon në atë, që ata fillimisht janë vendosur në një vend afër bregut të detit dhe nuk janë futur në thellësi, pasi mund të ndodheshin para të papriturave të pakëndëshme. Kujtojmë këtu danajtë, të cilët kur shkuan në Argos, fillimisht qëndruan në breg të detit, për deri sa morën lejen për t’u vendosur në tokë.
Nisur nga fakti, se ujrat e detit, në atë që sot njihet si territor i qytetit të Vlorës, deri në prag të shekullit të XX, ndodheshin në të gjithë ultësirën bregdetare deri tek vendi, që nga vlonjatët e hershëm quhet “Bishti i kalldrëmit”, në rrëzë të kodrave të Kaninës; atëhere “miqtë nga Troja” këtu kanë zbarkuar aty, dhe, pasi kanë marrë leje nga vendasit, fillimisht janë vendosur në majën e kodrës së Kaninës, si një vend strategjik ku mund të mbroheshin kollaj.
Nuk përjashtohet mundësia, që para abantëve dhe lokrianëve, në Kaninën e sotme, vendasit të kishin ngritur një fortifikim, dhe, emigrantët ta kenë marrë atë me luftë. Më vonë, me siguri, pasi janë fuqizuar, lokrët kanë qëndruar në Kaninë, duke i vendosur emrin e qytetit të tyre prej nga vinin, Thronion; ndërsa abantët kanë hyrë në thellësi të prapatokës së Kerauneve, dhe, janë vendosur në kreshtën e fshatit Plloçë duke themeluar aty qytetin, të cilit i vendosën emrin e etnisë së tyre: qyteti i Abantëve, ose Abantias, që nga vendasit, siç do ta shpjegojmë më pas, u quajt Amantia.
Pier Kabana është i mendimit se Thronioni nuk ka qënë në Kaninën e sotme por në Triport. Ndjekim arësyetimin e tij: “Ekzistenca e një vendi të ashtuquajtur Thronion dëshmohet nga mbishkrimi i Olimpes (Gigime I, 2,303), i cili është kopjuar në vend nga Pausania (V, 22, 2-4) dhe që dëshmon fitoren e apolloniatëve “në kufijtë e Abantidës” dhe plaçkën e luftës së marrë në Thronion në mes të shek. V p.e.s. Thronion mund të ndodhet në sitin e Triportit, në veriperëndim të Vlorës dhe jo në dy sitet e tjera arkeologjike të kësaj zone: Olympia dhe Amantia antike. Ky lokalizimi Thronionit i korespondon më mirë të dhënave të Pausanias, i cili e vendos këtë…përballë maleve Akrokeraune…Fitorja e apolloniatëve në Thronion…i lejoi qytetit të madh të shtrinte chora-n e tij në luginën e poshtëme të Shushicës, përveç luginës së poshtëme të Aoosit, si dhe të kontrollonte më mirë Nimfeun dhe minierat e bitumit përreth Selenicës.”
Nëqoftëse ndjekim fillin e mendimit të Kaban-as, si mundet që apolloniatët që nga Triporti të kontrollonin luginën e poshtëme të Shushicës, madje dhe Nimfeun, Selenicën e sotme?!! Nga ky pozicion, jo vetëm që ishin shumë larg këtij territori, por e kishin dhe shumë vështirë, pasi sistemi i kodrave i detyronte, që për të dalë nga Triporti në Nymfe duhej t’u binin rreth e qark atyre, duke dalë në breg të Vjosës nga ana e perëndimit, ndërkohë që amantët nuk e kishin të vështirët a kontrollonin pjesën fundore të kësaj lugine. Ndërsa, duke qënë Kanina-Thronioni, gjithë lugina e poshtëmë e Shushicës deri në Selenicë, ishte nën kontrollin e saj, ndërkohë, që u bënte presion amantëve në se ata do të tentonin të kalonin luginën në drejtim të Nimfeut, pasi u binin prapa shpine. Prandaj mendimi i shfaqur nga arkeologët Anamali dhe Ceka, se Kanina ka qënë Thronioni, është shumë afër së vërtetës.
Në antikitetin e vonë, Kanina me emrin Kionin, ka qënë pjesë e rëndësishme e një qëndre peshkopale, gjurmët e së cilës pasqyrohen nga zbulimi i një mozaiku paleokristian në rrafshinën poshtë saj, toponimit të një fshati, i cili edhe ai është poshtë saj, dhe ruan sot e kësaj dite emrin, në akcentin vendas, Qishbardhë, Kisha e Bardhë; si dhe mbetjet e një manastiri ortodoks në shpatin e malit përkundrejt Kaninës, i cili ka qënë quajtur Manastiri i Kllogjerit.
Kalaja e Kaninës, bën pjesë në ato fortifikime, të cilat e kanë luajtur këtë funksion në mënyrë të pandërprerë të paktën për 25 shekuj. Në themelet e trakteve të veçanta të mureve të saj ka gurë pellazgjikë. Por ajo ka vazhduar si fortifikim kaon, pjesë e sistemit të kalave të amantinëve, më vonë me pushtimin romak dhe bizantin u ka shërbyer këtyre pushtuesve. Si fortifikim ajo bën pjesë në kalatë e rindërtuara nga Justiniani i Madh në shek. e VI të erës sonë. Në shekullin e XII, rreth vitit 1080-1081, për ca kohë, ajo ra nën sundimin e normanëve, në shekullin e XIII, duke filluar nga viti 1204, dhe deri pas mesit të shek.XIV ka qënë pjesë e Despotatit të Epirit me Ëngjëll dhe Teodor Dukë Komnenin dhe pasardhësëve të tyre, më pas ka kaluar në duar të anzhuinëve, muzakajve, balshajve, venecianëve, u pushtua prej turqve rreth vitit 1417, por, pas vitit 1430, për ca kohë ka qënë në dorë të Gjergj Arianitit, Gjon Kastriotit, sulltan Mehmet Fatihut, dhe më vonë, fillim shekullin e XVI, me ardhjen e sulltanit të madhërishëm, Sulejmanit, ra përfundimisht nën sundimin osman. “Gjatë kësaj periudhe u bënë rindërtime në këtë kala. Deri në shek. e XVII mbi një nga portat e kësaj kalaje, sipas dëshmisë së Çelebiut, lexohej mbishkrimi”Sulltan Sulejmani e meremetoi” Më pas mbeti një fortifikim turk deri në vitin 1912. Më 1915 ra nën pushtimin italian dhe më 1920 u çlirua prej luftëtarëve të Luftës së Vlorës duke përzënë prej andej garnizonin italian.
Besnik Imeri
(marrë nga libri “Epiri Pellazgjik”)