Nderohet vepra e kapiten Feti Voglit, në Kabul të Afganistanit/
Fotografia dhe akti sublim i kapiten Feti Voglit u vendosën në Hollin e Trimërisë (Muri i të Rënëve) në Kabul, mes ushtarakëve të NATO-s, të rënë në krye të detyrës në Afganistan./
Nga Shefqet Kërcelli/
Me rastin e 6 vjetorit të rënies në krye të detyrës, të Dëshmorit të Atdheut, kapiten Feti Vogli, jeta dhe vepra e tij u nderuan edhe në vendin ku ai dha jetën, në Afganistan.
Me këtë rast, më 20 shkurt 2018, në komandën e Misionit “Resolute Support” {RSM}, në Kabul, u zhvillua një ceremoni e veçantë ku morën pjesë ushtarakë shqiptarë që shërbejnë në strukturat e NATO-s, në Kabul, si dhe ushtarakë të vendeve aleate.
Fillimisht Gjeneral brigade Micheal R. Fenzel, Drejtori i Planifikimit të Mbrojtjes në misionin RSM në Afganistan, evidentoi aktin heroik te Kapiten Feti Voglit më 20 shkurt 2012, gjatë misionit të tij në Afganistan. Më pas Kolonel Altin Kurti, drejtues i radhës për kontigjentin shqiptar të “Resolute Support”, në emër të Shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë, falenderoi autoritetet e larta drejtuese të NATO-s, për nderin dhe mirënjohjen që treguan, duke vendosur kapiten Feti Voglin, Dëshmorin e Atdheut, në panteonin e të rënëve në Afganistan, pikërisht në vendin ku Ai dha jetën në krye të detyrës. Më pas të pranishmëve në ceremoni ju lexua jeta dhe vepra e Kapiten Feti Voglit, derisa u flijua në krye të detyrës.
Fotografia dhe akti sublime i kapiten Feti Voglit u vendosën në Hollin e Trimërisë (Muri i të Rënëve) në Kabul, mes ushtarakëve të NATO-s, të rënë në krye të detyrës në Afganistan.
Holli i Trimërisë (Hall of Valor), është një ambient, në muret e të cilit vendosen fotografi të të gjithë ushtarakëve të rënë në krye të detyrës në Afganistan. Kjo fotografi shoqërohet njëkohësisht me një mbishkrim rreth detyrave që kanë kryer të rënët gjatë karierës ushtarake.
Kapiten Feti Vogli, “Dëshmori i Atdheut”, dha jetën në krye të detyrës gjatë një operacioni të zhvilluar nga efektivat e Batalionit Special të Forcës Tokësore, në Afganistan, në bashkëpunim me forcat amerikane dhe afgane, që po punonin për ndërtimin e shkollës dhe qendrës mjekësore, në një zonë ku banorët e saj, jetonin nën kufijtë jetikë në infrastrukturë, arsimim dhe shërbim shëndetësor.
Ai ra heroikisht më 20 shkurt të vitit 2012, gjatë kryerjes së misionit COMBAT “Eagle 4”. Vdekja e kapitenit shënon dhe humbjen e parë të FA shqiptare në një nga misionet më të vështira që ka ndërmarrë ndonjëherë NATO dhe aleatët e saj. Kapiten Vogli, ra në krye të detyrës në fushë-betejë, në emër të lirisë dhe të demokracisë, në luftë kundër demonëve të së keqes, për të siguruar një jetë më të mirë për popullin Afgan. Emri i tij tashmë është shkruar me germa të arta në piedestalin mbarëbotëror të lirisë, së bashku me qindra dëshmorë të vendeve të NATO-s. Gjithashtu në nderim të aktit të tij sublim, në ambientet e batalionit Special të Forcave Tokësorë të FA shqiptare, është ngritur një bust i kapitenit, ku zhvillojnë rregullisht homazhe ushtarakët e këtij batalioni, miq dhe të afërm të Heroit.
Vendosja e fotografisë së Kapiten Voglit, në hollin e Trimërisë në Afganistan, mban gjallë dhe përjetson jetën dhe veprën e ushtarakut shqiptar, të rënë në krye të detyrës, njëkohësisht bën krenar gjithë popullin shqiptar.