Besnik Fishta

Ne që kemi dërguar dhe marrë kartolina e dimë mirë se ato nuk ishin thjesht urime,sepse ajo ishte, mbi të gjitha, shprehje dëshire. Urimi ishte formula e jashtme, dëshira ishte thelbi. Në pak rreshta shkruhej ajo që nuk thuhej çdo ditë, shpresa për një vit më të mbarë, për sukses, për dashuri, për shëndet, për një fillim të ri etj. Kartolinat nuk i dërgonim vetëm kushërinjve, i dërgonim edhe shokëve të vjetër, atyre që koha i kishte shpërndarë, por kurrë të zhdukur nga kujtesa. Madje, i dërgonim edhe shokëve te rinj me të cilët rrinim çdo ditë, apo fqinjëve që i përshëndesnim përditë në shkallet e pallatit, rrugicat apo oborret tona. Jo nga nevoja,apo interesi, siç emertohet sot, por nga respekti. Sepse donim të shprehnim dashuri dhe të uronim mirësi për të gjithë, pa përjashtim. Kartolina nuk ishte e njëjtë për të gjithë. Imazhet në kartolina ishin të larmishme. Babagjyshi i Vitit të Ri ishte i pranishëm kudo, por jo i vetmi. Kishte pamje dimri dhe vjeshte, natyrë të qetë, qytete, peizazhe turistike. Në periudhën socialiste, kartolinat shpesh shoqëroheshin me industri, fabrika, ndërtime dhe simbole të punës kolektive, madje edhe me heronj të punës dhe të luftës. Sepse, sigurisht, urimi festiv nuk mund ti shpëtonte frymës ideologjike të kohës. Për fëmijët e vegjël zgjidheshin pamje me Babagjyshin e Vitit të Ri, me lodra, me drita dhe borë. Për adoleshentët, kartolina ishte më simbolike, më dinamike, me ngjyra të forta dhe nënkuptime për rritjen, ëndrrat dhe guximin. Ndërsa për moshat e mëdha, për prindërit dhe pensionistët, kartolina mbante urime për shëndet, qetësi, jetë të gjatë dhe gëzime familjare. Veçanërisht të bukura ishin kartolinat që lidhnin urimin me një moment konkret të jetës. Uroheshin rezultatet në mësime, një diplomë e marrë, fillimi i një pune apo edhe i pensionimit. Urohej edhe gjetja e një shoku apo shoqeje te jetes, shpesh duke përmendur shpresën që viti i ri të sillte një lidhje të re. Për çiftet e reja, kartolina përcillte urimin për bashkim, premtimin e vazhdimësisë dhe, patjetër, edhe hapin drejt martesës. Kartolinat nuk ndodhte të hidheshin. Ato ruheshin duke u vendosur në vende të dukshme, te pema e Vitit të Ri, mbi xhamin e bufesë, mbi televizor apo në raftet e librave. Qëndronin aty për ditë e javë, si dëshmi e vëmendjes dhe e dashurise njerëzore. Më pas futeshin në kuti, mes librave, për t’u zbuluar pas vitesh si kujtime të papritura, ose nga koleksionistët në albume, si vendet më të sigurta.


Posta kishte shume pune, sidomos ne fundvit. Postierët njihnin adresat, njihnin njerëzit, njihnin lagjet. Kartolinat rrallë humbnin, ishte pothuajse e paimagjinueshme që një urim të mos mbërrinte. Ekzistonte një besim i ndërsjellë mes dërguesit, postës dhe marrësit, një zinxhir njerëzor dhe institucional që sot duket i largët dhe i dëshiruar. Kartolina e dikurshme ishte një formë komunikimi që bashkonte urimin me dëshirën, imazhin me fjalën, dërguesin me marrësin, në një ritëm të ngadaltë, por të ndjerë. Sot, kartolinat digjitale kanë zënë vendin e tyre. Urimet bëhen me SMS, me e-mail, me rrjete sociale. Janë të shpejta, racionale në shpenzimin e kohës dhe të hollave, dhe sigurisht të shumta. Një imazh i dërguar me një klik mjafton. Pullat nuk janë më të domosdoshme, sepse kartolina fizike nuk është më e pranishme. Por bashkë me shpejtësinë e përcjelljes së imazheve dhe klikimeve, ka humbur edhe diçka tjetër, koha e mendimit dhe e përzgjedhjes se tij. Kartolina prej letre kërkonte zgjedhje imazhi, formulim dëshire, shkrim i kujdeseshem me dorë dhe durim për mbërritjen. Ne nuk themi se e shkuara ishte më e mirë, por pohojmë se ishte një kohë tjetër, e ndryshme nga sot dhe me siguri e paperseriteshme me pas. Sot urimet janë më të shumta se kurrë, dhe kjo ndoshta është gjë e mirë, por kartolina prej letre mbetet një kujtim i prekshëm i një kohe kur një dëshirë shkruhej, dërgohej dhe pritej. Dhe ndoshta për këtë arsye, qindra apo mijëra prej tyre ende ruhen, jo nga nevoja, por nga kuptimi që patën dhe kujtesa qe mbartin.