Karvani i ferrit/
Nga Rafael Floqi/
Mikut tim Nikollë Hysa, të cilin një vjeçar, së bashku me djepin e hodhi mushka ne greminë, ndërsa nëna e tij po dërgohej tok me fshatarët për internim në Kampin e Tepelenës…./
Malet po kërrusen nën peshën e dhimbjes
Kreshta e Marlulës ngushëllon atë të Vilës,
Shkëmbinjtë gërricin faqet në vallen e gjamës,
Në fshat s’ka më as kuaj as mushka,
As keca, aq qengja, as lehje qensh lajmërues,
As gjelat s’këndojnë,
Veç korbat,
Dhe lakuriqët fole bëjnë në oxhak,
Pasi tym s’del më nga kullat,
Dhe lumi i Limit s’ka ujë por lot.
Në Vermosh kudo zjarret janë fik….
Mbi shkëmb era si kasnecë ndjellakeqe
përhap gjamëm majëkrahu si britmë:
Në Qafën e Përdelecit, në të Vjedernikut,
Është shfaqur kuçedra e kuqe
Burrat kanë ikun ….
Të tan’ po i marrin, pleq gra e ferrishta
Të tan po i mbledhin e po shkojnë,
Me gra me pleq me çuna me cuca,
Vermoshin po mbyllin në Vathën e Vdekjes,
Kelmendin duan ta shuajnë.
-Po ku je, o ku je,… o Prekë Cali ?, thërret mali…
Të gjithë i tubuan, e mblodhën gjindjen si berra,
Tok me mbi 70 kuaj, mushka, kosha, kashunë,
pleq e fëmijë, dhe djepe,
oh sa djepe,
vuri përpara Batalioni i zbulimit….
Dhe kullat janë bosh….
Dhe veç era oshtin e shkërmoq dyert në pragje.
Bravat, kërcasin, kanatat përplasen
Ata gajasen…
Qentë i lehin hënës dhe kuisin duke trembur orlat
nga kufomat e burrave të vramë e të pavarrosur…..
Të tan’ i morën, të tan po shkojnë,
Dhe shpirti i Prek Calit endet fantazmë
nga shpella.
“Se di se për ku këta njerëz, po i çojnë…
Nuk mundem sot t’u prij dot gjindjes
Si Mem Smajli, në Bjeshkët e Pojanicës”.
E gjithë lama vjen erë tradhtie, gjëmon Preka.
Në shesh kanë qerthue të gjithë që i gjetën
Qe Marku, Pali, qe Gjeka qe Frani qe Kola,
Qe Mria, qe Lezja, dhe Lula dhe Pashka
Me pleq dhe ferishta dhe reja dhe plaka,
Ndër ta turfullon gjaku i Norës së Kelmendit,
Ndërsa në oborr korbat mësynë trupin e të vrarit
Që nata tradhtare, siç duket pa gjyq e vrau
“Për një faj, për të vetmin faj, se qe i pafaj
O Krisht ….
Para skuadrës të pushkatimit “Zjarri” dhe flaka,
Dhe jehona e tyre që ende zhdaravitet honesh
Fjalët e thikta “Ta vrasim, ta bëjmë shembull”,
Babën që erdhi veç për të parë të birin.
Dhe shkabat ia shqyen plakut të vdekur sytë,
Por djaloshit sytë ia lënë pa cekur.
Para bukurisë
dhe shkabat dhe orlët s’munden, kanë shpirt
Por jo njerëzit.
Dhe ashtu të vdekur e lanë zbuluar,
Vetëm 15 vjeç,
se bukuria e kishte aq të pacak gjëmën.
Dhe në frëngjitë e përflakuara, përzhitshëm,
Përzishëm vajtojnë e nxjerrin flakë në kamare,
Ata erdhën tok me shqaun dhe na vranë…
Në atë kullë të Calajve ku pleqnoheshin ngjarjet koha,
Ku gjykoheshin njerëzit, nderi, besa, burrnia,
atdhedashuria, feja, fisnikëria
dhe dënohej me shpërfillje paburrnia…
Por sot ka bujt i paftuar,
Toger Baba, apo toger vdekja
Tok me batalionin …
Dhe të vdekurit
Sot s’ka e s’mundet kush me i varrosë…
S’mundet.
“Një nënë lutet, veç të mjelë pak dhitë
Të ushqejë për udhë të dy fëmijtë,
Njëri katër e tjetri tre vjeç strukur
në koshat e një kali nuk flasin,
as luajnë me topin e grisur të leckës…
Karvani niset, kambanat e kishës janë shortitë
Zanat kanë marrë arratinë Bjeshkëve të Namuna…
Zilet e mushkave po treten ca nga ca
Duke çuar e zgjuar hamendjet e të mbeturve
Ku po i çojnë ku po e çojnë karvanin ?
Larg Vermoshit, larg Lugut të Skropatushës,
Larg Lugut të Dolit dhe shkëmbinjve të Lëpushës,
Thonë në Tamarë , tek ura 500 vjeçe,
thonë përtej në Shkodër,
Thonë larg në jug në një vend erërash
Buzë lumenjsh të tjerë, buzë malesh të tjera…
Tepelenë i thonë.
Karvani ecën, ecën por gjë s’di se ku
Ata s’ pyesin, s’munden, asnjë s’bëzan…
Janë bërë një dhe njerëzit dhe kafshët
Me ca zhurma të çuditshme thundrash zvarritëse
që habisin dhe nallbanët
Mushkat kuajt dhe hajvanët heshtin,
Dhe tërheqin zvarrë patkonjtë në pluhur.
Dhe malet klithin
e shkëmbinjtë rrezojnë gurë,
Dhe oshtijnë nga dhimbja shpellat
E tremben ujkonjat, tremben edhe mushkat,
Njëra hedh vickla
E shkund dhe rrëzon nga samari
Djepin e motakut, fluturimthi tej natës,
Rrëkëllehet mes bungjesh në greminë
Foshnja dhe djepi, përkundet mes shkrepash
”O bir ku je”, klith nana,
e me gjëmime gjame kall në flakë rrufetë e pezmit.
Ngrin karvani,
Fëmija qan se s’di të flasë ende,
Djepi rrokulliset, mes shkurresh, trandiset,
Ajo turret pas tij, ndër ferra gërvishtet
Pa, pra, një breshërimë e step, Një klithmë : “Ndal!”
Shqyhen qiellin e natës, që pa frymë grah
“Thirrja “O bir….!, i dhimbet dhe dheut ….
A ka Ajkunë qe mos kërkojë dot djalin?
Mbi bokërima, mbi shqopa, ku kacavirret djepi,
Fëmija i trembur hesht dhe fle…
E klithma e nënës që natën çau.
Bën malet të thërrasin njeri-tjetrit majëkrahu
“Qetësohu shsht, atë e shpëtuan zanat,
E Gurrës së Smutirogës që mbron nënat”.
“Ec para, para bërtet bisha …, Para!! ”
Dhe jehonat e urdhrave përthyen në harresë,
Gjersa heshtja mbretëron, gjithçka e zbrazët,
Zemra e nënës papritmas qetësohet,
Një ditë më parë i qe vrarë burri, sot i iku djali,
Ç’e do jetën le të hidhet mbi një hon…
A zemra që sa s’ plas rroket pas molike,
Por burrat me pushkë e shtyjnë, “Ec para!”.
“Ec, ec!” nuk dëgjohen më të qarat e foshnjës
Pishat e egra thurin djepet e trishtimit.
Thumbojnë dhembjen e madhe me hapa ecje,
E presin me tehe thikash shkëmbinjtë e bardhë
Që përlotin stalaktitet e gjalla e shpellës së Jacicës,
Si në defterët e tragjedive si në kryqet e varrezave,
Si në fluturimin e skifterëve dhe të bufave,
Që prekin malet me kulmin e pezmit e të dhimbjes,
Dhe karvanin e ngucin e shtyjnë të ecë para
Dhe në mes të natës një këngë mërmërisje,
Që mushkat me zilet si vajtojca për fëmijët e tretur
Dhe karvani ec, ec, duke ia marrë edhe ai gjëmës.
Ndërsa qumështi i Rozafës niset e thahet prej lodhjes
Dhe gurra e Jasicës nuk i ndihmon dot lokes.
Xhubleta u çor nga ferrat, këmisha plas nga dhimbja
Dhe nëna thith gjinjtë e saj
e për t’u ushqyer ha veten, pi dhimbjen e saj…
Dhe hana ngjallet mbi Bjeshkët e Nanuma
E përpiqet të fiksojë të rënët dhe retë
Vrasësin e tokës së varreve të burrave të mirë,
Që Kelmendi mos t’i harrojë, u qet këngë,
Burra si gurë sinori në trojet e atit…
Maleve drita papritmas përkundet në djepa drush,
Dielli nuk i beson syve të vet,
Lumi turbullon shakujt e rrokullis gurë
Dhe zogjtë dhe qielli tani janë gurë të ngrirë
Veç mushkat dhe gjëmat ecin,
Drejt shelgjeve të vajtimit marshojnë
Në fshat hingëllimat e kuajve e fundit
përzihen me zërin e gjetheve në pyll,
Drejt shelgjeve të erës të vajtimit
Marshon karvani i dhimbjes,
Te-pe-lenë, i tingëllon “të fat pa lemë”….
E tok me hapat e pleqve në natën e fundit të ferrit,
Në një këngë të re legjendash përcillet
Nga rreka e thatë e përroit të pasigurt, derdhet,
E zbret prej malesh karvani i vdekjes prore
Përtej nëntë rrathëve të Ferrit të Dantes,
Lahuta përvajshëm, përvujtshëm qan
E dredh në harqe vargjet e saj mortore,
E këlthet Malësia me zërin e At Fishtës :
“O natë e kobshme! O natë tri herë mizore,
O nata e fundit t’ferrit,
Pse ti shtekun ia çile ushtris gjaksore”.
Mëngjes, për në punë
Hëna e plotë pas pemësh gjurmon fshehtas
Në këtë agim të mistershëm Halloweeni,
Nanurisjen e shoferëve që shkojnë në punë
Me makina si në karvanin funeral të gjumit.
Ajo mëngjesin pret, ende s’ka kënduar gjeli…
Shekujt e rinj, shtriga të reja pjellin
U, u, kuku, duku tek Facebook-u,… boou-ku
Mallkojnë një gjykatës dhe pse i pafajshëm,
Ç’ rëndësi ka, dhe ne qemë të pafajshme,
Me too, boo, kur shpirti digjej nga turra me dru…
Radioja ysht hënën, “Abrakadabra, t’u shoftë drita“
Dhe në këtë autostradë makabre të vjeshtosur,
Mbuluar nga një rrjetë merimange gjethesh
Një karvan njerëzish që ikin, e një karvan që vjen,
Duke cytur hënën, herë me drita mjegullash,
E duke e zbuar herë me pishtarë të kuq stopash…
E në çast, duket sikur Dielli e rrufiti kafenë,
Rreziti pyllin, e pemët i pyeti “ Si keni ndje?”
Mes dridhmash, dushqet, drodhën degët,
E Hëna si gjethe e zverdhur u rrëkëllye përdhe,
Dhe aureolën e misterit e shoi, e fiku
E alivanosur u zbeh, dhe i humbi drejtpeshimi,
E anës një rruge u ngul si tabelë trafiku,
Ku shkruhet:
”Ndalohet rreptësisht, ëndërrimi!”
Vjeshtë
Një çift patash i gëzuar para shtegtimit,
zbuloi një pellg të vockël në lëndinë,
mes pemëve me gjethe ngjyrë shege
që rrëkeja e shiu e pat harruar jetime.
Dhe me zhurmë, përqafuan, u puthën,
s’e se dinin kur do çiftoheshin sërish,
Plot zhurmë pendët e qullëta shpupluan,
ajo qafëzezë , ai qafë ngjyrë plumb.
Mbi ta “V”-ja e një skuadrilje patash
shkundte prej resë pupëlore vesën,
e mështekna rrëzonte mbi baltë gjethet
si për t’ia mbuluar mëkatit gjurmët.
Një puthje e lashtë
Nuk e di se ku je ti tani,
Shumë vjet kanë kaluar,
Por nuk e di,
sesi ngrohtësia e asaj puthje
ka mbetur në kujtime…
Nuk e di
a ka një termos memoria
Për sa kohë
kur ndjenjat janë fikur
ka mbetur
ca prush
nga mumja e puthjes,
edhe pasi ti ke ikur.