
Një çadër e madhe e bukur, kuq e zi, para saj valle dhe muzikë shqiptare, brenda saj ekspozitë me libra, dokumenta e revista, u pa nëpër rrugët dhe sheshet kryesore të disa qyteteve të Rumanisë, me vizitorë të shumtë, të rastësishëm, të besafuar…
Ç’është kjo? “Karvani Kulturor Shqiptar” quhet, nismë e Lidhjes së Shqiptarëve të Rumanisë, ALAR, shpalos kulturë shqiptare, argëtime me njerëzit, bashkëbisedon me ta, dhuron libra të Shtëpisë së saj Botuese “Asdreni”, të njeh me historikun e komunitetit shqiptar në Rumani, etj, pastaj në mbrëmje shfaqje, të jashtazkonshme, thonë të pranishmit, ansamblet vokale-instrumentale të Shoqatës, vallëzime së bashku, artistë dhe popull.
Pasi la Craiova-n, “Karvani…” shkoi në Târgu-Jiu… dhe sonte në Bukuresht, në qendrën e vjetër Sf. Anton. Festë e vërtetë…
Mbërrin dhe një ekip nga Televizioni Rumun, reportazhet e kësaj ngjarje kulturore, bën me dije ALAR, mund ta ndiqni në emisionin “Convie vauiri” në TVR1.
Shqiptarët në Rumani kanë deputetin e zgjedhur prej tyre në parlament, z. Bogdan-Alin Stoica, i dekoruar dhe në Shqipëri, presidentin e Shoqatës së tyre, studiuesin dhe përkthyesin, veprimtarin pasionant Dr. Radu Săvulescu, ndërsa Drejtor kulturor, autorin e shumë librave me ese dhe kritikë arti, antologjist dhe historiani autoritar i Letërsisë Shqipe në Rumani, përkthyesin e ndërsjelltë, pergatitësi i periodikut “Albanica”, i dekoruar nga Presidenti i Rumanisë, Dr. Luan Topciu.
Kjo trini, me bashkëpunëtorë të tjerë tyre, studiues e shkrimtarë e artistë, etj, kanë sjellë një rilindje të re të Kulturës shqiptare në Rumani, me botime serioze dhe veprimtari plot, konferenca dhe ekspozita, koncerte, takime dhe shtegtime, etj, vërtet është krijuar një karvan kulturor i mrekullueshëm, modern, europian…
Është gëzim, kur të lajmërojnë miq nga Bukureshti, që në çadrën shqiptare kuq e zi, krahas librave të vjetër të Rilindjes Naimjane, abetares dhe Pavarësisë, Himnit dhe Asdrenit, Lasgushit dhe Kutelit, studimeve, traktateve, përkthimeve tani në rumanisht të veprave të albanalogut të shquar Robert Elsie apo “Beethoven”-it të Nolit, religjionet apo poezisë së Cesar Ivanescu-t, romaneve të Liviu Lungut etj, dhe përtej çadrës përhapet letërsi e sotme shqipe, Kadare, Kuçuku, Medi, Petro, Mustafaj, Velo, Nika, Rama etj, dhe ja, njerëzit morën dhe nga librat e tu.
Dhe karvani vazhdon…
Visar Zhiti