Nga Roland Gjoza*/
…Kasëm Trebeshina erdhi me pamje të murrëtyer, pa qejf për të folur, disi i bezdisur prej pranisë sime. Ai që ish bërë ndërmjetës për mua, më tha disi i çuditur: Kujdes, ai nuk i do spiunët. Dëgjo gojëkyçur dhe mbaje drynin të mbyllur. Ai nuk i do fjalët. S’kërkon dafina. Nuk di si do të presë, paç fat. U ul përballë meje në një divan të vjetër, bashkoi duart si për t’ia nisur një lutjeje. Sytë i kishte të lodhur me një grimë dritë vetëtitëse, që më lëbyrej si përmes një mjegulle. Po ama sytë i kishte tejet të vëmendshëm e kërkues gjer në një mani bezdisëse, sikur prisnin të të nguleshin si gjilpëra në pllakën e një gramafoni të vjetër.
Kasëmi bëri tri herë burg, pothuaj tërë periudhën e socializmit e kaloi atje, pa pasur rast të kthehej ndonjëherë në Lidhjen e Shkrimtarëve apo të hynte te kafe Tirana (e cila ndodhej përbri me ish Estradën) ku pinin kafe shkrimtarët. Kasëmi nuk njihej, veç prej shkrimtarëve të vjetër, që kishin frikë të shpreheshin. Veprat e tij të shumta kishin mbetur të pabotuara.
A mund të flitej për dinjitet njerëzor në atë kohë? Kjo po na mundon sot kur po ata vrasës i kemi në parlament dhe në qeveri. Me naivitet dhe përplot iluzione hymë dhe ne në lojën e sistemit të ri, por jo si lojtarë, po thjesht si spektatorë. Si në kohën e Cezarit po ata lëvizin gishtin sot: lart për të dhënë lirinë dhe poshtë për të dhënë mandatin. Lojë. Po ata, vrasësit me pushtet dhe po ata, viktimat pa pushtet. Një rotondo në ajër, sa për ta parë sytë e polemit se rrotullimi ndodhi.
Kasëm Trebeshina ishte shkrimtari profet. Ai s’provoi pothuajse asnjë ditë gëzimi si krijues. Dalëngadalë para syve të tij shuheshin qirinjtë e jetës, një agoni ngjethëse që zgjati dhe zgjat ende si një mallkim saturnal. Dhe idealet vriten. Kasëm Trebeshina! U vra me burg dhe me persekutim shtëpie.
Kasëmi e prishi heshtjen: Tani rri e mbledh dorëshkrimet që i kishte shpërndarë nëpër kushërinj. Një kopje në shqip e tjetra në anglisht. Kanë humbur plot, po unë pothuajse i kujtoj dhe do t’i rishkruaj. Kujtesa s’më ka lënë. Unë e di pse keni ardhur. Ju ka çuditur ajo shprehja ime: Unë nuk jam shqiptar! E them prapë. Dola nga varri dhe ku hyra? Përsëri në varr. E pse? Kundërshtova. E thashë të vërtetën, iku një Enver, erdhi një tjetër, po ai bark i pjell. Prandaj iki e kur kthehem përsëri i ikur jam, se këtu me urrejnë. E pse? Them të vërtetën. Kështu dhe për teatrin. Pothuajse 70 mijë dollarë për të vënë një pjesë të Sartrit dhe dy të miat.
U ngrit, eci me hapa të mëdha, hapi derën, e mbylli pas vetes. Prita një copë herë duke parë atë dhomë të rëndomtë, ku sendet dukeshin sikur nuk kishin lëvizur që prej dyzetë vjetësh. Ishte me tepër një trallisje imja, prej një dëshpërimi si në mort. U kthye dhe me tregoi një shkrese që e tundi në ajër. Ja, tha, kjo është! Ma dha qeveria franceze. Dhe unë jam gati që para syve të tu ta gris ose ta djeg, se nuk më vlen. E ç’më duhet? A ka teatër këtu? Jo, s’ka! Ua thashë këtë, po s’më besuan. Ka, si s’ka, më thanë. E ku dini ju, iu përgjigja, atje s’ka teatër. E mora, megjithatë. Të lutem, i thashë, pse e betë këtë? Ja, ma ktheu, edhe ju s’më kuptoni. Kot iu prita. Kot ua hapa derën. T’iu kisha dhënë një shkelm pas bythe e t’iu hidhja nga shkallët. More, kupton ti, s’ka ndryshuar asgjë. Është po ajo kohë. Ju të rinjtë fluturoni me presh, s’kuptoni asgjë.
U ngrit në këmbë, eci drejt meje, po qëndroi papritur, me atë murrëtim në fytyrën nervoze, aspak tërheqëse, sikur të kishte kaluar një sëmundje të rëndë dhe me përshkroi në një kohë të shkurtër se ç’ishte arti që nga kohët e lashta Asiro-Babilonase, me shembuj konkretë derisa sa erdhi në kohët tona, mbushur ajo ligjëratë e tij cit me cit me informacion të mahnitshëm. Poliglot, mendova, gjeni i dënuar me heshtje. E përjetoja si fat praninë time aty. Me duan të vdekur, tha papritur, ja që më duan të vdekur. I mërzis shumë, sikur iu prish shijen për të ngrënë dhe për të dashuruar, jam si një gozhdë që iu del në këpucë. Ju do të thoni se kush merret me mua, po janë të detyruar të merren. Veç, me dëgjon, djalosh? veç unë iu prish imazhin e demokracisë, e kësaj gjoja demokracie, prania ime është shembulli me i mirë se unë që duhej të zgjidhesha si prekusor, u lashë siç isha, në dënim. Sepse s’kishte ndryshuar asgjë. Hetuesit e mi janë në qeveri, gardianët e mi janë në polici, spiunët e mi janë në parlament. Edhe kur doli libri im: Odin Moldvalsen, i shkruar herët, kur këtu i bëhej hosana «Çlirimtarët» të Dhimitër Shuteriqit, dhe u krahasua me «84» të Oruellit, u mbyll sipari, shfaqja u anulua. Pse? Unë vija nga galerat po s’gjeta kohën time, gjeta sërish atë kohë që më kishte futur brenda. Atëherë duhet të protestoja dhe thashë: Unë s’jam shqiptar! Tani vuaj brenda, ja këtu ku më shikon. Ha pak, se s’kam, paratë, me mungojnë si gjithmonë, që të mbaj veten në formë, pres të bjerë errësira, që të shndërrohem në një fantazmë dhe i bie rrotull Tiranës në këmbë, një rotondë kjo që me ndihmon të sjellë e përsjell nëpër tru temat e mia letrare, të flas me veten, të kaloj në trans. Vërtet ecja kaq e gjatë çdo mbrëmje, në shi, në të ftohtë, në vapë e në freski, me ka ndihmuar shumë të freskoj gjithë atë kopsht të rëndë të mejtimeve, të zgjoj një botë të fjetur shqiptare që me vjen kaq e pasur, e begatë, po fort e hidhur. Një shkrimtar shqiptar me mbi dyqind dorëshkrime, tretur ca, plaçkitur të tjerat, humbur e më keq, vjedhur atëherë kur me futën në burg. Tri herë më kanë zbritur në ferr. Të tria herët vinin e me merrnin ç’më gjenin, ua jepnin shkrimtarëve të tyre, për t’i lexuar e dhënë mendim, kuptohet ç’mendim jepnin ata e ç’mund të kuturisnin me atë mall belik. Keq me vinte domosdo, po Zoti me kishte dhënë frymëzim të pashterur, s’ka gjë, thosha me vete, edhe bota e qytetëruar është djegur e plaçkitur herë-herë, po sërish është ringritur dhe kujtoja shembuj që nga kohët e vjetra. Me duan jashtë, austriakët duan të me japin nënshtetësi austriake, po kështu gjermanët, francezët, turqit, më duan, për çudi, kurse në vendin tim më dëbojnë, sepse iu kujtoj mashtrimin me demokracinë. Ik Kasëm, s’na duhesh! Mallkim që vjen nga burgjet. Duhet të kishe mbetur jashtë që të të donim. Dhe unë dola jashtë, endem si çifuti në shkretëtirë. Atëherë pse të jem shqiptar? S’jam. E pse të mos e them?
Kasëmi u nda nga jeta. Ai nuk e donte kohën e tij. Kasëmi kërkonte të vërtetën. Kasemi ishte i ftohtë, i papajtueshëm, stoik. Kasëmi ishte armiku, pra s’kishte si ta harronte. Dyzet vjet armik. Dhe u mësua me këtë gjendje. Kasëmi vuante prej mendjes, disa herë ishte shtruar në psikiatri. Ai shikonte në ëndrra demonë dhe luftonte. Nëpër burgje dhe në shtëpi.
Kasëm Trebeshina e shpërfillte disidencën e vet. Të gjithë e morën këtë anatemë për disidencën si një skup, kur diheshin burgjet e tij si një rotondo nëpër rrathët e ferrit, po pati dhe nga ata që gjykonin ftohtë dhe i dinin ca më mirë punët e disidencës në komunizëm. Se edhe sot bëhet pyetja: A kishte vërtet disidencë? E kam si këtë xhaketë, që e heq dhe e var ja, këtu në kremastar (e hoqi vërtet dhe e vari në kremastar) kjo s’më intereson, po dua të di nëse jam shkrimtar për ju, a pëlqehem, por… edhe kjo s’më intereson dhe aq, se unë rroj në tjetër sferë që s’njeh kohë, është amshimi. Këtë ta fal vetëm frymëzimi, që ende s’më ka lënë. Ju doni të dini për mundimet dhe vuajtjet që kam hequr, e ç’ju duhen ato, më mirë t’ju tregoj për veprat e mia, kur të më vijë ajo dalldia për të rrëfyer për veten, gjë që më ndodh rrallë.
…Dhe ndërsa shkruaj këto radhë, Kasëmi ka mbushur 91 vjeç, s’sheh dhe s’dëgjon, po ama qesh. Është në tjetër botë që ne s’e kuptojmë. Ai qesh. Nuk është më i murrëtyeri në fytyrë, i pakënaquri i vrerosur në pamje, po gati një fëmijët që rron me efemeren. Hajde dhe kuptoje! Po dhe mitet kështu e kanë, kur vjetrohen bëhen më të lexueshëm për fëmijët. Kthehen në përralla. Kasëm Trebeshina përrallë. Në po atë dhomë të ngushtë, që ai nuk e sheh, se është amshimi i pafund ku ecën nëpër re, se atje janë temat e tij, ato të zezat tema, që duan shumë re të kullojnë, shumë stuhi të na trallisin, shumë rrufe të na përcëllojnë me të vërtetat morbide, që ne s’jemi mësuar t’i dëgjojmë, ngaqë ende s’jemi shkëputur nga nina nanat e shqiptarizmës bajate. E Shqipërisë së gënjeshtërt, të derbederëve, rezilëve e kopukëve që shtohen, si mizat në vapë, që shesin dhe blejnë, po veç jo të vërteta të trishta dhe idealizma shqiptarie.
Kasëmi ka mbushur 91 vjeç. A ka sfidë më të madhe për vuajtjen? Mos ishte ai binjak me parajsën? Se edhe në një qeli të akullt, po edhe në një dhomë të ngushtë, mund të gëzosh parajsën, ndërsa sheh se edhe buka të mungon. 91 vjeç, po fëmijë. Një kthim mbrapsht i ligjeve solemne të natyrës. Tashmë nuk ka hyrë sërish në mitrën e nënës, po në atë të Shqipërisë, të pavdekësisë. Se në pavdekësi u shkoka si fëmijë. Mbi 100 vepra dorëshkrime që presin dritën e botimit dhe, të paktën, një vëmendje, një ndalim të Krishtit në dhomën e tij. Po asgjë. Shkoi ditëlindja e tij, heshtur, si mbrëmja e dimrit, kur njerëzia struken pranë zjarrit. Asgjë fare. As edhe një kandil nuk u ndez në këtë terr njeriu. Ai që duhej të shpallej simboli, u shpall armiku! Dje dhe sot! Të shohim përjetësinë. Dhe të gjitha këto atij s’i interesojnë, sikur të bëhet fjalë për një çimkë në jakën e këmishës. Frymëzimi, ky është caku, në qoftë se ai vjen ende, rron dhe Kasëmi, në qoftë se një ditë, nuk troket, atëherë ai do të ngrihet dhe do të hapë derën tjetër që është diku në hapësirë dhe do të shkojë reve, dimrave e pranverave, se me to u ngushëllua e u gëzua, ato ishin natyra dhe ai ishte natyrë.
Dhe një ditë më dhanë një leje të posaçme për të hapur dosjet e shkrimtarëve të dënuar në Ministrinë e Punëve të Brendshme. Kisha arritur të hyja në zyrat e ferrit, në arkivin e tij. Pa më ndjekur kush, krejt fillikat. Zyra numër tre. Hyra brenda. Dhe seç m’u kujtuan prej atij numri, tercinat e Dantes. Më kishte mbetur në mendje ai burg i gjatë i Kasëm Trebeshinës. Më dukej sikur më shfaqej si kont Ugolini duke iu ngrenë kokën burgjeve të tij.
Ma sjellin dosjen. E vërdheme, përplot noti dhe myk, sikur të ishte lëkurë e një të vdekuri. Kambanat duhet të binin, por kjo s’ndodhi se ato kishin rënë njëherë. Veç jehonën e tyre e dëgjova, prej një asociacioni të çuditshëm që na kaplon ne letrarëve kur e kur, ashtu papritur. Më falni, që do t’i përmbahem rigorozisht shënimeve të mia, pa koment.
Dosja 8908. Avokat Dhimitër Evangjeli i bën mbrojtjen. Kam shkëputur prej shumë faqeve të tij paragrafin e fundit të faqes 15. «Lidhja e Shkrimtarëve ka gabimet e veta dhe e ka provokuar në lidhje me librat e tij që ishin për t’u botuar dhe ajo ia refuzonte duke e cilësuar të marrë. » 26. 6. 1954
Më poshtë gjeta këtë shënim: «Vjeç 29, lindur në Berat, fshatar i pasur, aktor teatri, pa profesion, pa parti, pa dekoratë, dy klasë të larta, kapiten i klasit të parë. » Faqe 38.
Dhe paragrafi i parafundit: I pandehuri Kasëm Trebeshina ka shkruar një seri veprash, në shumicën e tyre, gjërat janë parë me pesimizëm, nihilizëm, jashtë realitetit dhe kundër frymës së partisë, kundër realizmit socialist. »
Me 25. 6. 1954 Kasëm Trebeshina i drejton lutje gjykatës se lartë. Kam shkëputur disa fraza.
Lutje
«Në të tilla raste djalli im poetik më ka vënë brirë. »
… … … … … … … … .
«Nuk pretendoj që nuk kam dëmtuar, por ngul këmbë se nuk kam shkruar me «logjikë të ftohtë», se nuk jam udhëhequr nga dëshira për të bërë propagandë dhe se nuk jam armik, po poet. Kjo është një çështje psikologjike shumë e ngatërruar, prandaj i lutem asaj gjykate që ta dënojë sa më ashpër artistin, po të tregohet më tepër se e butë me mua dhe të më japë mundësi për t’i larë të gjitha gabimet e mia duke më liruar. »
Shokut Mehmet Shehu, Tiranë. Faqe 49
Çdo njeri duhet të bëjë atë që i ngarkon epoka. Këtë e ka për detyrë dhe duhet ta bëjë patjetër. Por kur dinjiteti njerëzor nuk përfillet dhe shqelmat që çdo vlerë zemërgjerë nga të pavlefshmet merr e bëhen të paduruara, atëherë njeriut nuk i mbetet të thotë veçse «lamtumirë dhe në qoftë se përgjithmonë lamtumirë, prapë lamtumirë. » Tashti duket qartë se për shkak të servilëve të vegjël të Lidhjes se shkrimtarëve mund të merren nëpër këmbë njerëz e vlera pa marrë asgjë parasysh. Duke mos dashur të jem lodër e fatit dhe e kapriciove njerëzore, kërkoj vizën për t’u larguar përgjithmonë nga Shqipëria për në Zvicër. Vizën tranzit do ta kërkoj nga shteti Italian.
Me respekt
Kasëm Trebeshina
(Dhe firma e tij)
Tiranë me 8. 12. 195
Në faqen 53 është marrë në shqyrtim një vjershë e tij, mbushur me pikëpyetje dhe nënvizime.
Çudi pse vallë kjo qetësi
I humbur shoh. Jam i vetmuar
Ja, mal e pemë e deti hesht
Çdo gjë është e trishtuar.
I zgjuar fle. Asnjë s’më zgjon.
Përkundet varka mbi kujtime
Dhe një agim që kurrë s’agon
S’ushqen më shpresën time
Në një letër ai përmend se do të vetëvritet dhe do të dalë nga partia. Në procesverbalin e datës 30. 12. 1953, e mohon që do të shkojë jashtë shtetit, po këtë e bën, sipas hetuesit të çështjes, ose që të sikterisej, ose që t’i hapej rruga për ta lënë të lirë dhe e pranon që është mbërthyer nga kontradiktat.
Me 1980 është vendosur për zhdukjen e shkrimtarit. Atë e arrestojnë përsëri, për të tretën herë.
Konkluzioni i ekspertizës mjeko-ligjore. Dosja 12192/ 1, faqe 22
Kasëm Trebeshina është psikopat paranojak i dekompesuar dhe veprën penale e ka kryer nën ndikimin e ideve delirante.
- Nuk është i përgjegjshëm ndaj ligjit për veprën penale që ka kryer.
- Të dërgohet për mjekim të detyruar në spitalin neuropsiqiatrik të Elbasanit. (doktor Ylvi Vehbiu)
Po nuk janë të kënaqur me kaq, duan ta dënojnë patjetër dhe me 5. 8. 1980 e dërgojnë sërish për ekspertizë.
Konkluzioni:
- Kasëm Trebeshina nuk është i sëmurë psiqik.
- Ai paraqet shregullime paranojake që nuk e kalojnë kufirin e një personaliteti normal.
3 Është i përgjegjshëm për veprat e kryera. (doktor Nestor Polimeri)
Në të njëjtën dosje: 12192/ 1, Akt N: 83, faqe 29, ndodhet letra drejtuar Sekretarit të parë, Enver Hoxhës dhe dy Promemoriet të nënshkruar nga Kasëm Trebeshina, në datat 6. 11. 1975 dhe 26. 8. 1976
Ata që kanë shkruar recensat për veprat e pabotuara të Kasem Trebeshinës janë: Dalan Shapllo, Naum Prifti, Bashkim Kuçuku, Moisi Zaloshnja, Llambro Ruci, Resul Bedo, Ruzhdi Pulaha.
Dy promemorie, jo një, siç përsëritët shpesh, po dhe atë duan ta mohojnë. Parashkime gjeniale që u dëshmuan, pa hequr as edhe një presje. Të mos harrojmë se është dhe një Promemorie tjetër, kjo i është drejtuar Sali Berishës, botuar në Zërin e Rinisë, në dy numra, me 1994. Parashikim gjenial edhe ky. Po i harruar.
*Kasëm Trebeshina u nda nga jeta. Një humbje që kombi e ndien thellë. Eseja e mëposhtme është nxjerrë nga libri me ese «Satirikon» i shkrimtarit Roland Gjoza, përgatitur për botim nga shtëpia botuese «Uegen». Xhevair Lleshi/