• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

KASËM TREBESHINA….

November 7, 2017 by dgreca

1 Trebeshina K

Nga Roland Gjoza*/

…Kasëm Trebeshina erdhi me pamje të murrëtyer, pa qejf për të folur, disi i bezdisur prej pranisë sime. Ai që ish bërë ndërmjetës për mua, më tha disi i çuditur: Kujdes, ai nuk i do spiunët. Dëgjo gojëkyçur dhe mbaje drynin të mbyllur. Ai nuk i do fjalët. S’kërkon dafina. Nuk di si do të presë, paç fat. U ul përballë meje në një divan të vjetër, bashkoi duart si për t’ia nisur një lutjeje. Sytë i kishte të lodhur me një grimë dritë vetëtitëse, që më lëbyrej si përmes një mjegulle. Po ama sytë i kishte tejet të vëmendshëm e kërkues gjer në një mani bezdisëse, sikur prisnin të të nguleshin si gjilpëra në pllakën e një gramafoni të vjetër.

Kasëmi bëri tri herë burg, pothuaj tërë periudhën e socializmit e kaloi atje, pa pasur rast të kthehej ndonjëherë në Lidhjen e Shkrimtarëve apo të hynte te kafe Tirana (e cila ndodhej përbri me ish Estradën) ku pinin kafe shkrimtarët. Kasëmi nuk njihej, veç prej shkrimtarëve të vjetër, që kishin frikë të shpreheshin. Veprat e tij të shumta kishin mbetur të pabotuara.

A mund të flitej për dinjitet njerëzor në atë kohë? Kjo po na mundon sot kur po ata vrasës i kemi në parlament dhe në qeveri. Me naivitet dhe përplot iluzione hymë dhe ne në lojën e sistemit të ri, por jo si lojtarë, po thjesht si spektatorë. Si në kohën e Cezarit po ata lëvizin gishtin sot: lart për të dhënë lirinë dhe poshtë për të dhënë mandatin. Lojë. Po ata, vrasësit me pushtet dhe po ata, viktimat pa pushtet. Një rotondo në ajër, sa për ta parë sytë e polemit se rrotullimi ndodhi.

Kasëm Trebeshina ishte shkrimtari profet. Ai s’provoi pothuajse asnjë ditë gëzimi si krijues. Dalëngadalë para syve të tij shuheshin qirinjtë e jetës, një agoni ngjethëse që zgjati dhe zgjat ende si një mallkim saturnal. Dhe idealet vriten. Kasëm Trebeshina! U vra me burg dhe me persekutim shtëpie.

Kasëmi e prishi heshtjen: Tani rri e mbledh dorëshkrimet që i kishte shpërndarë nëpër kushërinj. Një kopje në shqip e tjetra në anglisht. Kanë humbur plot, po unë pothuajse i kujtoj dhe do t’i rishkruaj. Kujtesa s’më ka lënë. Unë e di pse keni ardhur. Ju ka çuditur ajo shprehja ime: Unë nuk jam shqiptar! E them prapë. Dola nga varri dhe ku hyra? Përsëri në varr. E pse? Kundërshtova. E thashë të vërtetën, iku një Enver, erdhi një tjetër, po ai bark i pjell. Prandaj iki e kur kthehem përsëri i ikur jam, se këtu me urrejnë. E pse? Them të vërtetën. Kështu dhe për teatrin. Pothuajse 70 mijë dollarë për të vënë një pjesë të Sartrit dhe dy të miat.

U ngrit, eci me hapa të mëdha, hapi derën, e mbylli pas vetes. Prita një copë herë duke parë atë dhomë të rëndomtë, ku sendet dukeshin sikur nuk kishin lëvizur që prej dyzetë vjetësh. Ishte me tepër një trallisje imja, prej një dëshpërimi si në mort. U kthye dhe me tregoi një shkrese që e tundi në ajër. Ja, tha, kjo është! Ma dha qeveria franceze. Dhe unë jam gati që para syve të tu ta gris ose ta djeg, se nuk më vlen. E ç’më duhet? A ka teatër këtu? Jo, s’ka! Ua thashë këtë, po s’më besuan. Ka, si s’ka, më thanë. E ku dini ju, iu përgjigja, atje s’ka teatër. E mora, megjithatë. Të lutem, i thashë, pse e betë këtë? Ja, ma ktheu, edhe ju s’më kuptoni. Kot iu prita. Kot ua hapa derën. T’iu kisha dhënë një shkelm pas bythe e t’iu hidhja nga shkallët. More, kupton ti, s’ka ndryshuar asgjë. Është po ajo kohë. Ju të rinjtë fluturoni me presh, s’kuptoni asgjë.

U ngrit në këmbë, eci drejt meje, po qëndroi papritur, me atë murrëtim në fytyrën nervoze, aspak tërheqëse, sikur të kishte kaluar një sëmundje të rëndë dhe me përshkroi në një kohë të shkurtër se ç’ishte arti që nga kohët e lashta Asiro-Babilonase, me shembuj konkretë derisa sa erdhi në kohët tona, mbushur ajo ligjëratë e tij cit me cit me informacion të mahnitshëm. Poliglot, mendova, gjeni i dënuar me heshtje. E përjetoja si fat praninë time aty. Me duan të vdekur, tha papritur, ja që më duan të vdekur. I mërzis shumë, sikur iu prish shijen për të ngrënë dhe për të dashuruar, jam si një gozhdë që iu del në këpucë. Ju do të thoni se kush merret me mua, po janë të detyruar të merren. Veç, me dëgjon, djalosh? veç unë iu prish imazhin e demokracisë, e kësaj gjoja demokracie, prania ime është shembulli me i mirë se unë që duhej të zgjidhesha si prekusor, u lashë siç isha, në dënim. Sepse s’kishte ndryshuar asgjë. Hetuesit e mi janë në qeveri, gardianët e mi janë në polici, spiunët e mi janë në parlament. Edhe kur doli libri im: Odin Moldvalsen, i shkruar herët, kur këtu i bëhej hosana «Çlirimtarët» të Dhimitër Shuteriqit, dhe u krahasua me «84» të Oruellit, u mbyll sipari, shfaqja u anulua. Pse? Unë vija nga galerat po s’gjeta kohën time, gjeta sërish atë kohë që më kishte futur brenda. Atëherë duhet të protestoja dhe thashë: Unë s’jam shqiptar! Tani vuaj brenda, ja këtu ku më shikon. Ha pak, se s’kam, paratë, me mungojnë si gjithmonë, që të mbaj veten në formë, pres të bjerë errësira, që të shndërrohem në një fantazmë dhe i bie rrotull Tiranës në këmbë, një rotondë kjo që me ndihmon të sjellë e përsjell nëpër tru temat e mia letrare, të flas me veten, të kaloj në trans. Vërtet ecja kaq e gjatë çdo mbrëmje, në shi, në të ftohtë, në vapë e në freski, me ka ndihmuar shumë të freskoj gjithë atë kopsht të rëndë të mejtimeve, të zgjoj një botë të fjetur shqiptare që me vjen kaq e pasur, e begatë, po fort e hidhur. Një shkrimtar shqiptar me mbi dyqind dorëshkrime, tretur ca, plaçkitur të tjerat, humbur e më keq, vjedhur atëherë kur me futën në burg. Tri herë më kanë zbritur në ferr. Të tria herët vinin e me merrnin ç’më gjenin, ua jepnin shkrimtarëve të tyre, për t’i lexuar e dhënë mendim, kuptohet ç’mendim jepnin ata e ç’mund të kuturisnin me atë mall belik. Keq me vinte domosdo, po Zoti me kishte dhënë frymëzim të pashterur, s’ka gjë, thosha me vete, edhe bota e qytetëruar është djegur e plaçkitur herë-herë, po sërish është ringritur dhe kujtoja shembuj që nga kohët e vjetra. Me duan jashtë, austriakët duan të me japin nënshtetësi austriake, po kështu gjermanët, francezët, turqit, më duan, për çudi, kurse në vendin tim më dëbojnë, sepse iu kujtoj mashtrimin me demokracinë. Ik Kasëm, s’na duhesh! Mallkim që vjen nga burgjet. Duhet të kishe mbetur jashtë që të të donim. Dhe unë dola jashtë, endem si çifuti në shkretëtirë. Atëherë pse të jem shqiptar? S’jam. E pse të mos e them?

Kasëmi u nda nga jeta. Ai nuk e donte kohën e tij. Kasëmi kërkonte të vërtetën. Kasemi ishte i ftohtë, i papajtueshëm, stoik. Kasëmi ishte armiku, pra s’kishte si ta harronte. Dyzet vjet armik. Dhe u mësua me këtë gjendje. Kasëmi vuante prej mendjes, disa herë ishte shtruar në psikiatri. Ai shikonte në ëndrra demonë dhe luftonte. Nëpër burgje dhe në shtëpi.

Kasëm Trebeshina e shpërfillte disidencën e vet. Të gjithë e morën këtë anatemë për disidencën si një skup, kur diheshin burgjet e tij si një rotondo nëpër rrathët e ferrit, po pati dhe nga ata që gjykonin ftohtë dhe i dinin ca më mirë punët e disidencës në komunizëm. Se edhe sot bëhet pyetja: A kishte vërtet disidencë? E kam si këtë xhaketë, që e heq dhe e var ja, këtu në kremastar (e hoqi vërtet dhe e vari në kremastar) kjo s’më intereson, po dua të di nëse jam shkrimtar për ju, a pëlqehem, por…  edhe kjo s’më intereson dhe aq, se unë rroj në tjetër sferë që s’njeh kohë, është amshimi. Këtë ta fal vetëm frymëzimi, që ende s’më ka lënë. Ju doni të dini për mundimet dhe vuajtjet që kam hequr, e ç’ju duhen ato, më mirë t’ju tregoj për veprat e mia, kur të më vijë ajo dalldia për të rrëfyer për veten, gjë që më ndodh rrallë.

…Dhe ndërsa shkruaj këto radhë, Kasëmi ka mbushur 91 vjeç, s’sheh dhe s’dëgjon, po ama qesh. Është në tjetër botë që ne s’e kuptojmë. Ai qesh. Nuk është më i murrëtyeri në fytyrë, i pakënaquri i vrerosur në pamje, po gati një fëmijët që rron me efemeren. Hajde dhe kuptoje! Po dhe mitet kështu e kanë, kur vjetrohen bëhen më të lexueshëm për fëmijët. Kthehen në përralla. Kasëm Trebeshina përrallë. Në po atë dhomë të ngushtë, që ai nuk e sheh, se është amshimi i pafund ku ecën nëpër re, se atje janë temat e tij, ato të zezat tema, që duan shumë re të kullojnë, shumë stuhi të na trallisin, shumë rrufe të na përcëllojnë me të vërtetat morbide, që ne s’jemi mësuar t’i dëgjojmë, ngaqë ende s’jemi shkëputur nga nina nanat e shqiptarizmës bajate. E Shqipërisë së gënjeshtërt, të derbederëve, rezilëve e kopukëve që shtohen, si mizat në vapë, që shesin dhe blejnë, po veç jo të vërteta të trishta dhe idealizma shqiptarie.

Kasëmi ka mbushur 91 vjeç. A ka sfidë më të madhe për vuajtjen? Mos ishte ai binjak me parajsën? Se edhe në një qeli të akullt, po edhe në një dhomë të ngushtë, mund të gëzosh parajsën, ndërsa sheh se edhe buka të mungon. 91 vjeç, po fëmijë. Një kthim mbrapsht i ligjeve solemne të natyrës. Tashmë nuk ka hyrë sërish në mitrën e nënës, po në atë të Shqipërisë, të pavdekësisë. Se në pavdekësi u shkoka si fëmijë. Mbi 100 vepra dorëshkrime që presin dritën e botimit dhe, të paktën, një vëmendje, një ndalim të Krishtit në dhomën e tij. Po asgjë. Shkoi ditëlindja e tij, heshtur, si mbrëmja e dimrit, kur njerëzia struken pranë zjarrit. Asgjë fare. As edhe një kandil nuk u ndez në këtë terr njeriu. Ai që duhej të shpallej simboli, u shpall armiku! Dje dhe sot! Të shohim përjetësinë. Dhe të gjitha këto atij s’i interesojnë, sikur të bëhet fjalë për një çimkë në jakën e këmishës. Frymëzimi, ky është caku, në qoftë se ai vjen ende, rron dhe Kasëmi, në qoftë se një ditë, nuk troket, atëherë ai do të ngrihet dhe do të hapë derën tjetër që është diku në hapësirë dhe do të shkojë reve, dimrave e pranverave, se me to u ngushëllua e u gëzua, ato ishin natyra dhe ai ishte natyrë.

Dhe një ditë më dhanë një leje të posaçme për të hapur dosjet e shkrimtarëve të dënuar në Ministrinë e Punëve të Brendshme. Kisha arritur të hyja në zyrat e ferrit, në arkivin e tij. Pa më ndjekur kush, krejt fillikat. Zyra numër tre. Hyra brenda. Dhe seç m’u kujtuan prej atij numri, tercinat e Dantes. Më kishte mbetur në mendje ai burg i gjatë i Kasëm Trebeshinës. Më dukej sikur më shfaqej si kont Ugolini duke iu ngrenë kokën burgjeve të tij.

Ma sjellin dosjen. E vërdheme, përplot noti dhe myk, sikur të ishte lëkurë e një të vdekuri. Kambanat duhet të binin, por kjo s’ndodhi se ato kishin rënë njëherë. Veç jehonën e tyre e dëgjova, prej një asociacioni të çuditshëm që na kaplon ne letrarëve kur e kur, ashtu papritur. Më falni, që do t’i përmbahem rigorozisht shënimeve të mia, pa koment.

Dosja 8908. Avokat Dhimitër Evangjeli i bën mbrojtjen. Kam shkëputur prej shumë faqeve të tij paragrafin e fundit të faqes 15. «Lidhja e Shkrimtarëve ka gabimet e veta dhe e ka provokuar në lidhje me librat e tij që ishin për t’u botuar dhe ajo ia refuzonte duke e cilësuar të marrë. »  26. 6. 1954

Më poshtë gjeta këtë shënim: «Vjeç 29, lindur në Berat, fshatar i pasur, aktor teatri, pa profesion, pa parti, pa dekoratë, dy klasë të larta, kapiten i klasit të parë. » Faqe 38.

Dhe paragrafi i parafundit: I pandehuri Kasëm Trebeshina ka shkruar një seri veprash, në shumicën e tyre, gjërat janë parë me pesimizëm, nihilizëm, jashtë realitetit dhe kundër frymës së partisë, kundër realizmit socialist. »

Me 25. 6. 1954 Kasëm Trebeshina i drejton lutje gjykatës se lartë. Kam shkëputur disa fraza.

Lutje

«Në të tilla raste djalli im poetik më ka vënë brirë. »

…  …  …  …  …  …  …  …  .

«Nuk pretendoj që nuk kam dëmtuar, por ngul këmbë se nuk kam shkruar me «logjikë të ftohtë», se nuk jam udhëhequr nga dëshira për të bërë propagandë dhe se nuk jam armik, po poet. Kjo është një çështje psikologjike shumë e ngatërruar, prandaj i lutem asaj gjykate që ta dënojë sa më ashpër artistin, po të tregohet më tepër se e butë me mua dhe të më japë mundësi për t’i larë të gjitha gabimet e mia duke më liruar. »

Shokut Mehmet Shehu, Tiranë. Faqe 49

Çdo njeri duhet të bëjë atë që i ngarkon epoka. Këtë e ka për detyrë dhe duhet ta bëjë patjetër. Por kur dinjiteti njerëzor nuk përfillet dhe shqelmat që çdo vlerë zemërgjerë nga të pavlefshmet merr e bëhen të paduruara, atëherë njeriut nuk i mbetet të thotë veçse «lamtumirë dhe në qoftë se përgjithmonë lamtumirë, prapë lamtumirë. » Tashti duket qartë se për shkak të servilëve të vegjël të Lidhjes se shkrimtarëve mund të merren nëpër këmbë njerëz e vlera pa marrë asgjë parasysh. Duke mos dashur të jem lodër e fatit dhe e kapriciove njerëzore, kërkoj vizën për t’u larguar përgjithmonë nga Shqipëria për në Zvicër. Vizën tranzit do ta kërkoj nga shteti Italian.

Me respekt

 Kasëm Trebeshina

(Dhe firma e tij)

Tiranë me 8. 12. 195

Në faqen 53 është marrë në shqyrtim një vjershë e tij, mbushur me pikëpyetje dhe nënvizime.

Çudi pse vallë kjo qetësi

I humbur shoh. Jam i vetmuar

Ja, mal e pemë e deti hesht

Çdo gjë është e trishtuar.

I zgjuar fle. Asnjë s’më zgjon.

Përkundet varka mbi kujtime

Dhe një agim që kurrë s’agon

S’ushqen më shpresën time

Në një letër ai përmend se do të vetëvritet dhe do të dalë nga partia. Në procesverbalin e datës 30. 12. 1953, e mohon që do të shkojë jashtë shtetit, po këtë e bën, sipas hetuesit të çështjes, ose që të sikterisej, ose që t’i hapej rruga për ta lënë të lirë dhe e pranon që është mbërthyer nga kontradiktat.

Me 1980 është vendosur për zhdukjen e shkrimtarit.  Atë e arrestojnë përsëri, për të tretën herë.

Konkluzioni i ekspertizës mjeko-ligjore. Dosja 12192/ 1, faqe 22

Kasëm Trebeshina është psikopat paranojak i dekompesuar dhe veprën penale e ka kryer nën ndikimin e ideve delirante.

  1. Nuk është i përgjegjshëm ndaj ligjit për veprën penale që ka kryer.
  2. Të dërgohet për mjekim të detyruar në spitalin neuropsiqiatrik të Elbasanit. (doktor Ylvi Vehbiu)

Po nuk janë të kënaqur me kaq, duan ta dënojnë patjetër dhe me 5. 8. 1980 e dërgojnë sërish për ekspertizë.

Konkluzioni:

  1. Kasëm Trebeshina nuk është i sëmurë psiqik.
  2. Ai paraqet shregullime paranojake që nuk e kalojnë kufirin e një personaliteti normal.

3 Është i përgjegjshëm për veprat e kryera. (doktor Nestor Polimeri)

Në të njëjtën dosje: 12192/ 1, Akt N: 83, faqe 29, ndodhet letra drejtuar Sekretarit të parë, Enver Hoxhës dhe dy Promemoriet të nënshkruar nga Kasëm Trebeshina, në datat 6. 11. 1975 dhe 26. 8. 1976

Ata që kanë shkruar recensat për veprat e pabotuara të Kasem Trebeshinës janë: Dalan Shapllo, Naum Prifti, Bashkim Kuçuku, Moisi Zaloshnja, Llambro Ruci, Resul Bedo, Ruzhdi Pulaha.

Dy promemorie, jo një, siç përsëritët shpesh, po dhe atë duan ta mohojnë. Parashkime gjeniale që u dëshmuan, pa hequr as edhe një presje. Të mos harrojmë se është dhe një Promemorie tjetër, kjo i është drejtuar Sali Berishës, botuar në Zërin e Rinisë, në dy numra, me 1994. Parashikim gjenial edhe ky. Po i harruar.

*Kasëm Trebeshina u nda nga jeta. Një humbje që kombi e ndien thellë. Eseja e mëposhtme është nxjerrë nga libri me ese «Satirikon» i shkrimtarit Roland Gjoza, përgatitur për botim nga shtëpia botuese «Uegen».  Xhevair Lleshi/

Filed Under: Opinion Tagged With: Iku Kasem Trebeshina, roland Gjoza

FASLLI HALITI, VANGOGU I MYZEQESE

August 6, 2015 by dgreca

Kur poetët falsë ishin ushtri dhe të vërtetët numëroheshin me gishta/
ESSE Nga Roland GJOZA/ New York/
“Faslliu impresionist, një Van Gog myzeqar, qё pikturon çuditshëm si askush mё parё fushёn e kaltёr tё Myzeqesë, flak penelin me dell demoniak, se ia hanё shpirtin “rrёkerat” dhe nis e “kruhet” ose me mirë i kruhet e i ha kurrizi me ca çatira tё kombit qё pikojnë e trarët kalben. Ku tё çon mushka, Faslli Haliti. I paske besuar apo s i paske besuar vërtet demokracisë sё diktaturës sё proletariatit? Hëngre 10 vjet nё kanal, nё fushën tёnde tё artё me dudì qё ta qanë hallin muzgjeve, le penelin impresionist, aq delikat, dhe more nё dorё shatin dhe kazmёn”.
Ah, ç na mori më qafë moda! Sa nazike dhe ndjellëse është, seç ka diçka tё magjishme megjithatë, është tejet e freskët sido që të jetë, dhe për më tepër rrok ditën me shijen e saj, i thyen hundën rutinës, skemës dhe i zbardh faqen sё resё. Për fat tё keq, kjo zgjat rëndom fare pak, njeriu zhgënjehet dhe i rikthehet sërish vlerës se qëndrueshme. Kur lexova përmbledhjen me poezi Sot , të Faslli Halitit, u befasova këndshëm nga freskia e kapjes, emocioni brilant, detaji kaq i gjetur e i pakonsumuar kurrё. I pari që ka folur për poezinë e Halitit ka qenё Kadare. Pse?- pyesja veten atёherё. Për freskinë e konceptimit, figurave tё thjeshta, Haliti ishte aq larg plagjiaturës dhe frymës libreske, gangrenat e asaj kohe. S kishte skemё. Dhe kjo një dukuri mbytёse. Po ç kishte? Fshat, shumё Myzeqe, këneta, kanale tё ndritshme me shumё qiell, diej tё mbjellё nё ugare bashkё me farën, karpuzë tё çarё, pastaj një copëz asfalt, ku vërtitet ai njeriu me kobure prapa, qё pret erёn tё fryjё e t i ngrejë fundin e xhaketёs. Faslliu impresionist, një Van Gog myzeqar, qё pikturon çuditshëm si askush mё parё fushёn e kaltёr tё Myzeqesë, flak penelin me dell demoniak, se ia hanё shpirtin “rrёkerat” dhe nis e “kruhet” ose me mirë i kruhet e i ha kurrizi me ca çatira tё kombit qё pikojnë e trarët kalben.
Ku tё çon mushka, Faslli Haliti? I paske besuar apo s i paske besuar vërtet demokracisë sё diktaturës sё proletariatit? Hëngre 10 vjet nё kanal, nё fushën tёnde tё artё me peligorga qё ta qanë hallin muzgjeve, le penelin impresionist, aq delikat, dhe more nё dorё shatin dhe kazmёn. Dhjetё vjet s janë pak. Dhe për çfarё, o mik, o vëlla? Për ca rrёkera. U harrua poeti apo e harruam. Kinse e harruam. Atëherë dhe Lasgushi ishte harruar, madje dihej i vdekur. S merrej njeri me tё. Poeti mё i madh lirik. Poet botëror, pa dyshim. Po nganjëherë arti yt, ajo qё ke shkruar, pra fjala jote, bёhet shpëtimi yt. S’ të duhet miku, se nё art miku është për një çmim e artikull gazete, po jo mё shumё. Duhet fjala jote. E mbyllur. Dhunshëm e mёnjanuar. Duhet ajo provё. U shfaqe sërish, na i bёre me dorё, tё pamё, iu rikthyem librit tёnd. Kadare s kishte gabuar. Ishe po ai. Nё top-listё ishe, nё top-listё mbete. Pse tё mos u kujtosh harruesve se si ishin punët? Ta dinё. Jo për gjë, po për t u thënë tё uruarve se kanali, kazma, shati, nuk i bëjnë kurrgjë poezisë sё vërtetё. Ia mbyll gojën sot, po ç do t i bёsh nesër? Kështu lufton poet profetvёrteti me poet falsprofetin. Këta tё dytët janë ushtri, tё parёt numёrohen me gishta. Pa dyshim, te ky numërim sa një marrje fryme është Haliti. Sa e pashё te Milosao shkrimin U hap dosja e rebelit Faslli Haliti , thashë me vete se poeti ka nevojё tё pyesё pse e degdisёn nё kanal? Ato dhjetё vjet ai i ngarkoi si njё hamall me shumё padrejtёsi dhe poshtёrim. Nisej nё mëngjes nё punё, pa aguar mirë, qё tё mos e shikonin njerëzit, se s’dinte ç’t’u thoshte dhe kthehej kur vinte errësira, vonё krejt vonё, kur s’kishte njeri as nё shkallёt e pallatit. Trokiste, po s ishte nevoja se dera rrinte njё grimё hapur, qё fare tё mos bёhej zhurmё, pas rrihte një zemër, qё ai e shikonte si rrihte, e ndiente dhimbjen e saj, merakun dhe turpin e saj. Ishte gruaja. Ç e priste nё dhomё? E gjeni dot? Jo, s keni si ta gjeni. As qё ju bie ndërmend. Njё legen me ujё tё valuar dhe një grusht me kripё tё zezё. Tё parat ishin këmbët qё futeshin nё ujё. Duart e saj, ëmbëlsia e fërkimit tё saj, psherëtima, qё edhe ajo s duhej tё dëgjohej kurrsesi, fjalët o sa mё dhembin, s janë mësuar tё nxirat tё rropaten kaq shumё pa u çlodhur një minutё . Ç kam bёrё? Vetёm pse përmenda rrёkerat, po ato s janë rrёkera, po lumenj, det, oqean, ç’m’u desh, lëre mbretin lakuriq. Shëët, se na dëgjojnë. Dhjetё vjet kjo histori. I vunë dhe fletёrrufe, “dacibao”, ju kujtohen, letra sa një çarçaf shkruar me brushё parullash ku tё bënin armik. Ku e kanё vёnё? Te muri i mapos, nё qendёr. Ah! Po tjetrën? Te gjimnazi. O ç’mё paskan bёrё. O zot, ç’tё kam borxh?! Kёshtu. Pse duhen harruar kёto? Kujtoi, miku im Faslli, shkarko barrёn. Është koha. Dhjetё vjet nё cilin rreth tё ferrit tё hodhёn? Ku janë ata qё tё rrokullisën poshtё? Zelltarёt, rrobaqepësit e mbretit. Mos i kemi disa prej tyre nё Amerikё, me letra, azilantё politikё, mos ulemi nё kafe me ta, mos u qajmё hallin, na kripin kokёn me gёnjeshtra, se sot ka shumё disidentё, miku im. Kushedi i kemi. Duke kujtuar atë kohё pa harruar asgjё, jepi poezisë, siç tё jep ajo ty, qofsh fatlum siç je, sepse ajo tё ka qёlluar dashnore. Zili tё kemi sa s ka, po ç t i bëjmë, se mos e kemi ne nё dorё. Ne bëjmë përpara nё moshё, ti zbret, o poet rebel, po dhe dashnor rebel. Kur e ke lёnё takimin sonte?
Ah!

Filed Under: ESSE Tagged With: Faslli Haliti, roland Gjoza, Van Gogu i Myzeqese

FULLANOMANIA

September 6, 2014 by dgreca

Nga Roland Gjoza/ New York/
Bankierin Santo e vrane se s’ishte si Fullani, Fullanin e burgosen se s’ishte si Santo. Banka eshte shpirti i mekanizmit, motori i makines shteterore. S’duhet nje Santo, po nje Fullan, qe perdoret. Prandaj i dyti s’u vra se ishte ne sherbim, ndersa i pari u vra se ka kundershtuar, ose ka tradhtuar klanin e zhyer ne krim. Gjerat s’do te dalin. E gjithe kjo qe po ndodh eshte nje tymnaje, gazmuese ne fillim per burgosjen e Fullanit, po zhgenjyese ne fund kur, prej malit te korrupsionit, do te dale nje mi. Asnje emer s’ka per te dale, vetem nje; Fullani. Po Fullani eshte kthyer ne Fullanomani. Nje tjeter Fullan do te vije, dhe pas tij serish nje tjeter. Fullanomania do te vazhdoje gjate. Po ajo garderobe, po nderron vec firma, nga Guci ne Kalvin Klejn. Ceshtje shijeje. Po bomba e fillimit vlen, pastaj mendjet topiten. Hallku i gezon gjate faktit qe Fullani u rras brenda. Kjo i kenaq se tepermi instinktet, se turma instinkt ka, por jo mendim. Dhe pastaj hallku harron, se ne Shqiperi perdite ka ngjarje me spikame te forte. C’u futen brenda me bubutime e uturime, dolen jashte; kjo brendajashte eshte ne natyren e korrupsionit gri, domethene korrupsionit gjitheperfshires, vertikalisht dhe horizontalisht. Dhe ne shqipot jemi mesuar me pak. Dhe nje luge na ngop. Ja, luga, Fullani, qe do ta vjellim neser me ate Fullanin tjeter. Se horrat qe perdoren Fullanin e pare, do te gjejne shpejt Fullanin e dyte, prere me gersheret e tarafit.
Tani jemi ne fazen e festes, se nje drite ne fund te tunelit, ngaqe ne tunel mbetem, po feks me shprese. Hajt, per hajer, themi, te lodhur dhe te rraskapitur nga kjo demokraci e vjedhjes dhe e krimit. Po them; pikerisht nga kjo levizje qe u be, arrestimi i Fullanit, dicka mund te pritet, per mendjet e prira per mire, po dyshuesi i sprovuar ne humbjen e shpreses, i shkaterruar prej plojes se pervojave te keqija, do te thote se mbyllja brenda e Fullanit eshte mbyllja e gojes. C’emra prisni, c’arrestime jashte bankes, lart ne kupole, as mos t’ju shkoje mendja se do te kete nje gje te tille, vec ne e shpikshim nje lloj drejtesie te rrepte e te vertete, se kjo qe ngjau ishte thjesht nje levizje per te qetesuar gjakrat para vizites se Papes. Dhe te vjen jashtezakonisht keq, nese keto pandehma prej nje dyshuesi, kthehen ne ca te verteta te hidhura. Tani po i meshohet frikes per ndonje akt terrorist, njera pale pohon pasigurine, tjetra sigurine e plote, lesharapnaja e terrorizmit si ide perzjehet me krimet e perditshme njeri me i percudshem se tjetri. S’kane fund krimet, sikur te mos na kishte dhene njeren dore Europa dhe Shqiperia te mos propozohej per Mis turizmi boteror, me gjithe malin e plehrave dhe detet me mut dhe shurre. Perse ndodhin kaq shume krime? C’pyetje! A behen keto pyetje ne prag te vizites se Papes? Mos u merr me ceshtje te vogla, o njeri, po kapu pas brireve te kaut, Rilindja po i jep shenjat; e beri gjyqin per kater te vraret e 21 janarit, sic premtoi me zulme te madhe, e beri gjyqin per vjedhjen e detit, e beri gjyqin per Gerdecin, per rrugen e Kombit, per vjedhjen e votave per Bashkine e Tiranes, per importin e plehrave nga Italia, i beri gjyqet, per majen e majes se korrupsionit dhe tani na kishte mbetur Fullani pa gjyq. T’ia bejme dhe Fullanit gjyqin qe Europa te na jape te dyja duart. Prandaj vjen Papa, per ato te shkreta duar. Lereni Rilindjen te punoje, mos i vini qerres shkopinj nen rrota. Te shohim, pasi te ike Papa, c’do te ndodhe me Fullanomanine. Them se ajo do te kete sukses te madh, se universitetet tona kane kohe qe pergatisin Fullaner dhe mbyllja e disave prej tyre ishte per shkak te teprise. E bete bajat, s’na duhen kaq shume Fullane dhe kaq shume Mon Kukaleshe, se s’kemi ku t’i cojme, mbajeni doren. Po zyrat kane oreks per ta. Shtohen zyrat per Fullane e Mon Kukaleshe, po do te kete dhe Kac Islamer dhe Ngjelka dhe nje aradhe te madhe te pakenaqurish e vicklahedhsish, bicim emigrantesh brenda partive, qe vec majekrahu dine te bertasin, pa gjetur kurrsesi karrigen e vet. Dhe c’pret, c’pret, o milet, prej kesaj loje me letra ku vec derri te bie e asnjehere asi spathi. Rrokupuje qerrja dhe kamxhiku mbi gerdallen, mileti e ndjek, mileti heq e vuan, te shkoje dhe vapa me gushtin, grrap e grrup, prej Evrope do te kete qene Sizifi, se ngjit e zbrit me goxha mal korrupsioni mbi shpine, qep e shqep, e aty mbet, mbi kocke e mbi plage. Te presim sa te mbije bari, o gomar..

Nju Jork, Shtator 2014

Filed Under: ESSE Tagged With: Fullanomania, roland Gjoza

I FTUAR NE SOFREN E DIELLIT-ROLAND GJOZA

August 25, 2014 by dgreca

Roland Gjoza/
NE VENDIN TIM NUK KA TE VARFER/
ne vendin tim nuk ka te varfer/
malli i ka marre shqiptaret per nje arne/
per nje fete buke me marmalate/
po s’ka/
te gjithe pijne uiski me akull/
xhin irlandez, rum xhamajke/
e kane lene rakine me shije katundare/
mishi piqet ne hell, peshku ne grille/
dhe buke s’hahet fare/
se eshte e turpshme te hash buke te zeze/
ne vila rrojne/
te gjithe vila kane/
makina te shtrenjta gjermane
dhe kafenete si atje si gjen ne asnje vend tjeter
rrojne te lumtur ne vendin tim
aq sa nje pendim me ze e me gerryen
pse ika dhe e lashe ne ditet e keqija
kur demokracia po pillte nje foshnje te vdekur
po foshnja u ngjall
u be i shendetshem
ka per te gjithe
per te gjithe ka!
s’ka te papune ne vendin tim
per papunesine i ka zene malli shqiptaret
duan te vine ne amerike
po ne shqiperi milioner behesh brenda dites
se aladini llampen magjike aty e humbi
e gjeten kusaret
deshira e pare ishte te kthehen
te ikurit si une
ne atdhe balta eshte me e embel se mjalta
keshtu kendon cajupi
dhe ka para me thase
do? merr! ka per te gjithe!
s’di c’te besh me pare me parate
kane vendosur te ndihmojne ameriken
ne vendin tim nuk vdes
e po kjo s’durohet
ne amerike vdesin perdite
ne amerike nuk rrohet!
kthehuni, o plangprishes
te madhe po e bejme zemren per ju
vec pa nje dru nuk do te shpetoni
na e keni prure ne maje te hundes
se mos na e beni shqiperine si ameriken
mjere ju
po i patet keto mend
ne hu do t’ju ngulim, ne hu!
dhe prej baltes si mjalte s’do t’ju japim te ngjeroni as nje pike
kthehuni o plangprishes, skllever te amerikes
te fitoni lirine!
NE NJU JORK NUK SHOH SHUME SI TY
ne nju jork nuk shoh shume si ty
por rralle, shume rralle, has ashtu humbshem
floket e tu te shkurter bionde
me krela ala merilin monro
te vihem pas
si ne vitet e hershem
po rruga eshte e shkurter, oh, sa e shkurter
nga starbaksi te makina jote ngjyre krem

ajo te pret fillikat te gejsi
dhe ti je fillikat
nje fanepsje si nje reklame
galaxy tete
po
ne nje reklame je shnderruar
shkelqen bujshem mbi nju jork
ngre koken
dhe te shoh
ah, sa me trondit e me dhemb pamja jote
s’je vetem imja, po e te gjitheve je
imja ishe, vetem imja, ne ato kohe

per here te pare me ty behem kaq xheloz
s’te kam me
ne nje skute intime te ruajta me shume mall
tani duhet te te nxjerr
mallkimi rente mbi galaxy tete

me shume te dua
dhe keshtu te humbur
sa budalla qe jam
i kendoj nje vajze tetembedhjetevjecare
ndersa kane kaluar dyzete e pese vjet.
OQEANI ATLANTIK ESHTE NE MUAJIN E DASHURISE
oqeani atlantik eshte ne muajin e dashurise
dhe hena ka nje purpur prej turpit
rri ne breg dhe veshtroj kopjen e yjeve ne uje
tmerresisht i vetmuar
ti s’erdhe te shikonim meduzat
kur bashkohen dhe bejne seks ne muzg
kam mbetur me hijen time
lexoj volterin ironikun e madh
po dashuria do dashuri
nje vere vallezoi me mua biondinka ruse
kercimin e kish epsh trulloses
po dhe finese e kish
volter, ti me ngushellon me perbuzjen per femrat
po une jam poet dhe femren e dua
jam gati t’i puth gjurmen e kembes
dhe ne gjurme t’i derdh vere te kuqe
aty te gjunjezohem dhe te ve buzet
s’ka gje se me la per nje tjeter
qofte fati i tij
per mua nje tjeter biondinke ruse
do te hape qepallat te me fuse brenda
bashke me volterin qe do te na qeshe
po ku i dihet, mund dhe te ktheje mendje
pastaj gjoksin do ta cjerre
te me nxjerre dy gjinjte e medhenj
gojen do te ma hape plot epsh
qe une brenda te fuse gjuhen
me vargjet mjalte te eseninit
shagane, shpirti im, shagane
me bekofte perendia, i bekofte dhe femrat ruse
packa se do te na talle volteri

TANI DHE QIRINJTE
tani dhe qirinjte s’me bejne pune
dhe vera s’me deh si me pare
llafazan dhe qesharak s’me ben si dikur
kur isha i bukur
jam forma e fundit e rolandit
shoh maskat qe mbeten udheve
i lashe pas
forma e formave ende s’eshte shfaqur
kur lilaku blu te ngjyhet me muzg
dhe vajza e re te shterngoje gjinjte
dhe te flere me duart mes kofsheve
duke shternguar me dhembe kujtimin e saj
si luani kelyshin
do te ve dhe masken e fundit
formen e formave
qofsha buze oqeanit
te kapem pas bishtit te nje pulebardhe
dhe te jap frymen ne ajer
midis dy bluve

TE KAM DASHUR
te kam dashur dhe kur ishe semure
me nje luge caji te fusja ne goje ilacin e hidhur
dhe me nje tjeter mjaltin
te kam dashur dhe kur me mua u ftohe
ta beja qejfin me dhurata te cmuara qe s’mi cmoje
te desha dhe kur me le pas dore
pothuaj me harrove
vargjet e mia s’te benin me pershtypje
une vazhdoja te kisha instinktin e qenit
per te zotin
te kam dashur dhe kur s’te kisha
dhe ne endrra te kam dashur kur me tradhtoje
te kam dashur pa e kuptuar
se poetet vetem duan
dhe prej se bukures kurre s’mund te ftohen.

PERMBYS U SHTRIVE
permbys u shtrive dhe me s’u ndjeve
floket te kullonin uje ne fund te shpines
te shkonin poshte qe fundin te lepinin
floket e zinj me shume muzgje brenda
henen s’e linin te dilte
me shputa e mbaje detin te mos vinte
forma te perkryera si rrafshulta dhe kodrineza
vija nazike te dukshme dhe te fshehura
gjeometri e mishit me rrathe dhe trekendesha qe shperbeheshin te vrimat
kaq shume ngjitur e kaq shume fshehur pergjysme
shenja epshi qe ulerijne dhe mashkullin ne kembe e bejne te gjunjezohet
asgje nuk vlen me teper se nje permbysje
mbi ate permbysje qe pret se mbari te kthehet
te jape te gjitha hiret dhe gjeometria e mishit prej seksit serish te ribehet.
TI DEL PREJ FOTOGRAFIVE
ti del prej fotografive
kjo eshte e dhimbshme
te ngul nje thike ne zemer
ti del prej fotografive bardh e zi
dhe me zhyt ne kujtime
me te shtrenjtat gjera ishin nje bilete kinemaje
kur ndalohej hyrja nen 16 vjec
se filmi ishte me dashuri
dhe nje zup te flora
une me feshfeshe
ti me fustan terital me pala dhe nje fjongo qe te zgjidhej
po sa i tmerrshem qenka kujtimi bardh e zi
ne kete bote me ngjyra
virgjerine ta cvirgjerojne gratacielat…

Filed Under: Sofra Poetike Tagged With: i ftuar, ne sofren e Diellit, roland Gjoza

POETI

June 29, 2014 by dgreca

Tregim nga Roland Gjoza/ New York/
Ai ishte nje djalosh i hajthem, qe priti me teper se gjysme ore dhe iku. Ernesti nuk priste me, sepse nuk kishte kohe te merrej me lunatiket e parnasit, ca fantazma qe ishin shtuar shume kohet e fundit. Te Kafja e Madhe shkoi me pajton. E pa serish perskithtasi ate djaloshin e hajthem, qe s’kishte asgje te vecante, pervec syve qe i digjeshin si ne ethe. Kishte nje vuajtje te thelle ne ata sy. Sikur i luteshin; A mund te vij? Ku? Kam nje sekret per ju. C’sekret? Jo prej andej, pra prej parnasit, po prej ketej, nga rruga.
Piu puron e zakonshme, surbi kafene e trashe te ziere ne prush te ri mbi banak, te pergatitur prej vete usta Rrokut qe s’ia hiqte syte, kthehu dy tri hurba vere kallmeti, nga ajo qe pinte at Fishta dhe mbylli syte. Ja, pra, asgje e re. As ne rrethet intelektuale, as ne plumbnajen e kohes qe po i vriste mushkerite e muzave, as ne bordelet e vogla ku gjallonin po ato trupa tashme te zdraluna prej perseritjeve te po atij pasioni vulgar. Cingijet qe vinin prej azise ishin me te molisuna prej epshit, me te nxehta ne shtrat. Ajo e mbremshmja qe ai e lakmoi prej tundjes se epshte te kurmit, vecan te vitheve mershore, vijes perpara qe gati zbulohej me nje rreqethje lektisese e me nje dhimbje te embel, i kishte lene nje mbrese te paharrueshme. Jo, sonte s’do te shkonte me te, ishte e rrezikshme, s’donte te vuante sepse ai binte shpejt ne dashuri dhe bente marrina.
Djaloshi s’po ia ndante syte. C’hiqte me keta rioshe te dalldisur pas bordelos se fjaleve, a kishte rene ky djalosh me ndonje nga ato ezmerkat qe kundermonin prej ererave trullosese, s’kish dyshim qe jo, prej lekures se zbehte dhe atij trishtimi si per here te pare. Trishtim poeti. Po ishte merzitur me keta poetet e rinj qe donin te dilnin nga labirinti i tyre si minotauri dhe mund te benin gjemen; mund ta hanin ate vete. Kishte tre numra rresht qe botonte nje Bodler te ri, qe s’i shqitej nga gjaku, aq shume e kishte turbulluar me vrullin e tij djaloshar pa nje cen. E kishte perpire qe ne leximin e pare dhe si me nje leter kopjativ, ai ia kishte perthithur me gjithsej shijen. E kishte lene pa mend dhe s’po gjente menyren se si ta sikteriste, prandaj e botoi tre here radhazi qe t’i merzitej, po sa here e conte mendjen tek ai ndjente nje tronditje gati si nje fatkeqesi. Vijne papritur si hordhite barbare dhe te rroposin per nje cast, mirefilli ndjen se te ka kaluar koha. O zot, ose duhet te vuajme prej vrasjeve te talenteve, ose duhet te poshterohemi me nje buzeqeshje triumfi per ta e t’u japim doren.
Djaloshi ishte fare afer dhe ai kthehu kryet plotesisht nga ai. I tha me sy; C’kerkoni, djalosh?
Zotni Koliqi, nisem per Puke e kushedi kur vij..ju lashe mbi tavoline nje poezi..i vetmi ngushellim per atje eshte nje gisht leter..
U kthye dhe iku si i ndjekur pa thene asgje tjeter. Mungoi ajo tirada kinse e dale prej zemre e mbushur me urime e pershendetje zemre. Ky djalosh kishte vetbesim gjer ne cinteresim per veten. Ishte i llojit sakrifikues. E shpetoi prej nje ftese kortezie; Doni dicka me pi, djalosh? Pra, ai i kishte hedhur dorashken. U terbua, i erdhi ta ndiqte dhe t’i terhiqte veshin per kryelartesine qe kishte treguar, por e permbajti veten, madje qeshi me kete parodi qe e shpiku prej vetevetes nga frika, vetem nga frika. Vec kur te degjonte edhe ne zerin burreror dhe lajkatues te Rrokut, britmen e majekrahut; erdhen barbaret! Se keshtu vijne keta te rinjte e zbehte, qe te sillen rrotull ngaqe ta kane nevojen e, kur i permbushin qellimet, bajne mahi per ty neper kafene e klube.
Mori serish pajtonin dhe shkoi te Shiltet e Stambollit, te hante pacen e Koles dhe te shikonte e te ndezullohej prej harese, sic bente cdo mengjes, keto kohet e fundit, cingijen me syte si bajame, Xhilanen xhind me krela gjer te thembra e kembes, me mishin pothuajse cullak, te zeshket e me vija te rrumbullta epshi qe te zinin frymen. Me te s’kish rene ende ne shtrat, se i druhej renies ne dashuri, e kishte kete dobesi, binte ne dashuri dhe bente marrina; pinte, i linte punet, edhe ato krejt te domosdoshmet, e ia mbathte ne arrati, pa lene kurrfare njoftimi. Fishta e perkrahte, madje i thoshte me buzagazin e tij shkelqyes; ia shkule puplat prej trupit si gjeli i zi i Llesh Kabetes? Me nje fjale, a e shkaterrove, a e hoqe merakun?
Ne redaksi shkoi ne mesdite, pasi i kishte bere te gjitha ritualet, u ul ne kolltukun rrotullues prej lekure te kuqe te erret dhe, kur pa nje poezi perpara, gjysme te hapur, iu kujtua djaloshi i zbehte. Pati nje grime frike, nje si medyshje e pakenaqesi, nuk i donte me befasite, tani qe pothuajse qe i ngopur me gjerat, po pikerisht ato fjalet e tij aq mekanike, kinse pa peshe e qe fshihnin nje te keqe, se do te nisej per Puke, e bene qe te zgjaste duart e te hapte fletet.
David, thirri, hiqe profesorin e latinishtes prej faqes letrare, fut ket poezi..
Ne mbremje nuk luajti brixh. Po pikerisht ate mbremje, kur fare s’i shkonte neper mend, Xhilana i premtoi se do t’i shkonte ne dhome, ne mesnate. Ai djalosh i kishte sjelle fat. Po i ecte. Kur perfytyroi kurmin e saj aq hamgjites, i lakmuar prej te gjitheve, edhe prej atyre qe iu dhimbseshin fort paret, erdhi menjehere ne qejf. I brodhi te gjitha vrimat e qytetit, takoi plot te njohur e miq, po ishte si ne ethe dhe aspak i qarte, sic i ndodhte pothuajse gjithmone.
Prej kah i vinte? Poezia. Ai djalosh e kishte tronditur, por krejt ndryshe, jo me cmire te fshehte, por me keqardhje. Ishte nje nevoje e brendshme per ta marre ne mbrojtje. Ishte njekohesisht nje kapitullim i pranuar me gaz, nje mundje pa u ndeshur, sepse s’kishte rivalitet. Zakonisht kur na mundin pa lene asnje grime dyshimi, eshte nje ndjenje nenshtrimi qe na kthen ne sherbyes te zellshem. Edhe pse jemi poshteruar boterisht brenda vetes, pa e shpallur, duke e ndrydhur e trysur thelle, sepse vetem keshtu mund te ruajme qetesine e jashtme.
Nuk i ngjante askujt ai djalosh, as Bodlerit, as Rembose, as Karducit, as Leopardit, po as shpures se tij, po ta merrte vesh Fishta, ne qofte se do ta lexonte, nuk do te tregohej entuziast, se tek ai djalosh kishte shume sarkazem e ironi per idhujtarin. Ai djalosh kishte dhuntine e nje moderniteti qe s’vjen prej ndikimeve po eshte thjesht prodhim i pavetedijshem i fares se vet. Ai pothuajse vinte nga rruga, prej pamjeve te vrazhdta te saj, prej vulgaritetit te bujshem, por qe kishte tharmin e vet impresionues. Mundohej ta hiqte nga trute dhe piu pa mase sepse te tjere po vinin. Ata ishin te porta. Sot, neser, ai do te hynte.
Kur piu goten e trete te veres, nxorri nje pusulle dhe shkroi; Ju lutem me e pase kujdes Migjenin, se asht nji talent i respektueshem.. Ia nisi menjehere nenprefektit te Pukes. Ishin gjeste qe ai i bente jo rralle. Por me fort kur ndjehej i nenshtruar, por kurre kete dobesi s’ia pohoi vetes.
Pas nje muaj po ai djalosh e kerkonte me sy te Kafja e Madhe, tashme i harruar plotesisht. Kush eshte ky?
Nuk po me njifni zotni Koliqi? Erdha t’ju falenderoj per fjalet e mira. Me emeruan drejtor.
Kaq?
Marr ma teper, qeshi djaloshi. Por nuk i tha kurrgje per poezite dhe skicat qe gazeta po ia botonte rregullisht.
Do t’uleni?
Jo, ju faleminderit..tash nisem per Greqi..arsyena shendetesore.. dhe i zgjajti doren.
Atehere pac shendet, i tha Koliqi dhe i shterngoi doren, por..sa u be gati ta pyeste per doren qe iu duk shume e nxehte, nderroi mendje, sepse nuk mund te poshterohej serish prej ketij djaloshi kaq delikat.
Dhe perseri e harroi. Vec njehere iu kujtua pas nje darke me miq, kur mbeti vetem dhe ishte ne forme per te shkruar. Po sapo hodhi vargun e pare e kapi veten krejt bosh dhe kjo ndodhi krejt papritmas, frymezimi qe i kish ardhur si shkulm iu be fir ne cast. Perse ndodhi? Ende kishte neper kujtese nje proze te migjenit per nje malesor me breke legjendare qe pershkon malet me nje thes me miser mbi shpine.. breke legjendare.. misri.. nje rreqethje, nje oh prej tmerrit dhe pena i ngeci dhe nuk shkoi me tej. Nje kokerr miser i kerciti dhe atij ne leter.. nje kokerr miser i verdhe qe leshoi nje vezullim te holle prej floriri.. dhe ishin ato dite kur malesore te veriut, prej ujes, hanin qershi, se qerdhite ishin ba me bollek ate vit..se s’kishte miser.. s’kishte buke me hanger..dhe ajo malesorja me barkun te goja qe prej ujes se perbindeshme i lutet plakes t’i kepus qershi.. e ai kishte pare dhe s’e njihte mjerimin. Po edhe poeti nji aristokrat ishte.. dukej prej bojes dhe kostumeve qe vishte.. po sa tronditese! Po aspak e bukur. Po cfare te ishte? Dhe i shkrepi qe ta merrte nje nate te cingijet, te ajo Xhilana me cica te medha e me thithka si gonxhe stambolli, ta shifte tu u zhigate ne epshe dalldisese, se ia ndjente mishi qe ai djale i hajthem s’kishte provue gja.
E pa dhe nja dy here te tjera, i buzeqeshi lehte, po nuk qendroi t’i jepte doren. E zinte nje ngutje dhe nje deshire per t’iu larguar.
Nje dite pyeti Davidin, redaktorin dhe faqosesin, nje inventar levizes i te gjitha imtesive qe lidheshin me te gerbulurit e parnasit.
S’na ka sjelle me ai djaloshi, David..ai.. Migjeni..
Ashte ne Itali, vuen prej tuberkulozit, zotni..
Ashtu? Sa keq.. Dhe une s’e kam patur mendjen me e pyet..Shkruaji nje leter si redaksi dhe kerkoji ndonje shkrim..
Ju ban pershtypje ai, zotni Koliqi?
Po, me ban pershtypje.. po ju?
Bah, vargje te lira, jo s’e s’kane mendim, po mezi kaperdihen..
Ti di shijet, David, po poezia e mire ashte e mire, me varg te lire a me varg klasik te rregullt, me rime e me.. shkruaji ate letren..
Siurdhenon, zotni Koliqi..tash menjehere..
Mos harro te permendesh dhe emrin tim..
Natyrisht, zoti Koliqi..
Kaluan muaj dhe serish Koliqi u kujtua per Migjenin. E pyeti Davidin per te;
Nuk ka sjelle ndonje shkrim Migjeni.. kemi nevoje per ndonje shkrim prej tij..
Nuk e moret vesh, zoteri Koliqi.. ai vdiq!
Jo, s’di asgje!
Paska vdeke ne vere.. Tash dy muej perpara.. I gjori, fare i ri..
Ne s’e dhame vdekjen e tij?
Jo.
Po pse?
Lajmi erdhi me vonese. Ndonje njoftim aty ketu..
Jepe lajmin.. te zgjeruem..
Ka dy muaj, zoteri.. dy muaj.. Epo i ri ishte..di dhe dicka tjeter..
Kishte nje liber ne shtyp, po ia censuroi mbreti..atje ka mbet, te Gutenbergu..
Ja, mbaroi dhe kjo marredhenie, me nje harrese. Dhe ai djalosh s’do t’i dilte me perpara me ato sy qe i digjeshin prej etheve, me ato duar te nxehta, me ate zbehtesi dhe asaj ndjenje te cuditshme per afrim, por qe ai s’e kishte afruar kurre. Dhe e shikonte krejt cullak para Xhihanes, asaj xhideje orienti, ashtu te dobet, me brinje qe i duken duke marre fryme me veshtiresi prej epshit. Ja, qe s’ia dha kete kenaqesi. Po pse, pse? Krejt pavetedije ndodhin shume fenomene te komplikuara brenda misterit te njeriut, por ajo qe te cudit se tepermi eshte gjendja e gabuar qe te kaplon ne rrethana te rendesishme, nje ironi e skajshme ne nje cast sublim, nje tallje ne nje cast sinqeriteti, nje lehtesim per nje vdekje. Ja, kjo e fundit i kishte ndodhur atij duke e tronditur se tepermi. Dhe ishte perforcuar kur Davidi i pat thene se libri i Migjenit ishte censuruar.
Dhe pastaj kishte bere ate gafen, qe ne mes te miqve te perkore, aq klasikegjante, aq te ditur per te mbushur mendjen se poezia e madhe ishte bere, dhe per kete s’kishte kurrfare dyshimi, duke u mjaftuar per shembull vetem me Danten, ai kishte thene ne nje cast pushimi, ne mes te nje qetesie meshe, se poezia e vertete eshte ne shpirterat, qe edhe vete shpirterat s’e dine. Ajo qe vjen, eshte ndryshimi. Ajo qe vjen. Ndoshta dhe ka ardhur po ne bejme sikur s’e veme re se duam te ruajme statukuone. Dhe kishte permendur, per te keqen e tij, Migjenin. Askush s’kishte folur. Pasi e tha kete, Koliqi u ndje serish i lehetesuar. Dhe prandaj e beri qe te hiqte pershtypjen e lehtesismit te meparshem. Dhe ishte cuar dhe, pa thene asnje fjale, kishte ikur.
Pastaj, pas disa vjetesh, kur ndodhej ne Itali, kishte kundershtuar qe eshtrat e Migjent te ktheheshin ne atdhe. Jo tani, jo tani, zoterinj, se do ta quajne komunist..do ta bejne sherbestar..dhe ndersa do te bejne plojen, gjaksine, si kengetar te plojes do te therrasin Migjenin.. Mos, zoterinj..
E kishin pare te varri i tij ne Torre Pelice disa here, krejt vetem, duke vendosur nje tufe lule, ne kembe, me fytyre poshte duke u lutur, me fytyre lart duke u lutur dhe pastaj kishte ikur me te shpejte. E kishin pare edhe kur eshtrat ishin marre dhe ishin derguar ne atdhe, me nje tufe lule qe i linte ne po ate vend dhe lutej pa fjale.

Nju Jork 2014

Filed Under: Sofra Poetike Tagged With: poeti, roland Gjoza, Tregim

  • 1
  • 2
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • 23 MARS 1935…Vdekja a aktorit te madh dhe “Unaza e Iffland-it”…
  • VATRA I PËRGJIGJET ADI KRASTËS
  • Në st. Gallen të Zvicrrës u promovua libri që i kushtohet 1432 fëmijëve shqiptarë – viktima të gjenocidit shtetëror të Serbisë gjakatare!
  • SCIENTIFIC AMERICAN (1942) / GJON MILI DHE METODA E BLICIT TË SHUMËFISHTË STROBOSKOPIK
  • VATRA URON BESIMTARËT BEKTASHIANË: GËZUAR SULLTAN NOVRUZIN
  • “Gjergj Kastrioti Skenderbeu Way Honors the Old and New Generation of Albanians,” Petitioners and Worcester Councilors Say
  • Dorëheqja si proces vetëdijësimi
  • Ndërthurrje mitesh
  • “Çfarë populli mendojnë ata se jemi ne…” Winston Churchill
  • ZERI I AMERIKES: DASH: Mangësitë në pavarësinë e gjyqësorit, mungesa e pavarësisë në media dhe korrupsioni, problemet kryesore në Shqipëri
  • FAQE ARKIVI: Reportazhi nga kufiri Kosovë-Shqipëri “Muri ndërshqiptar si ‘fundi i botës’”- Mars 1996
  • Tri objektiva të rëndësishme që duhet t’i arrijë Kosova
  • RRËFIME TË VEPRIMTARISË KOMBËTARE TË EKREM BARDHA
  • DOJA TË ISHA DHE UNË…
  • DASH godet ashpër Serbinë për diskriminimin e vazhdueshëm shtetnor e institucional ndaj shqiptarëve të Luginës së Preshevës

Kategoritë

Arkiv

Tags

alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Hazir Mehmeti Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT