• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

«DIELLI DHE RRËKERAT» DHE TAKIMI ME RAMIZ ALINË

August 1, 2018 by dgreca

NGA FASLLI HALITI/

2Faslli-haliti-188x300   Viz. S.kamberi «Artist i Popullit»________________________________

Të paskan tmerruar ata lushnjarët. Ç’duan të thonë ata me këtë “sa pa qenë tepër vonë”? Domethënë sa pa të fut në burg. Më tha Ramiz Alia, sapo u futa në zyrën e tij në KQ________________________________

TAKIMI ME RAMIZ ALINË PËR KRITIKËN E 10 GJIMNAZISTËVE KUNDËR POEMËS  «DIELLI DHE RRËKERAT»

Kërkova të takohesha me shokun Ramiz Alia që ishte sekretar i Komitetit Qendror për ideologjinë.

Pas dy-tre kërkesash u takova me të.

Ilo Kodra më tregoi zyrën e shokut Ramiz. Trokita dhe u futa.

Në zyrë ishte shoku Ramiz dhe Hamit Beqja. Me të më parë shoku Ramiz shprehu habinë:

-Ti qenkë Faslli Haliti?

Unë të përfytyroja më të moshuar. Ti qenke i ri.

Unë atëhere isha 37 vjeç.

Hamit Beqja më tha të hiqja pardesynë mbasi zyra ishte e ngrohtë. Unë nuk e hoqa pardesynë, pasi xhaketën e kisha të vjetër. Ai më thotë përsëri:

-Po hiqe xhaketën se bën ngrohtë.

-Mirë e kam – i them.

-Po hiqe – më thotë.

-S’ka gjë se mirë e kam – i them.

Ndërhyri shoku Ramiz:

-Lere Hamit, lere, se myzeqarët edhe në mes të korrikut rrinë me fanela leshi.

U ula.

Hamit Beqjen e kisha përballë. Në krye të tavolinës në formë T-je qëndronte shoku Ramiz.

Në fillim biseduam për gjëra të zakonshme. Më pyeti për familjen. Mua më ishte tharë buza nga emocionet. Gjatë bisedës buza po më lëngëzohej. Më thotë:

-Ka diell Myzeqeja?

-Ka, si s’ka – i them.

-Të paskan tmerruar ata lushnjarët. Ç’duan të thonë ata me këtë “sa pa qenë tepër vonë”? Domethënë sa pa të fut në burg?

Pastaj shtoi me seriozitet.

-Mirë, mirë. Ne nuk jemi dakord me atë pjesë të kritikës që të bëhet në planin politik e personal. Për këtë do t’u heqim vërejtje atyre shokëve të gazetës “Shkëndija” dhe atij shokut të Komitetit të Partisë që përgjigjet për gazetën. Kritika që të bëhet për poemën qëndron, është e drejtë.

Ndërkaq shoku Ramiz nxjerr nga sirtari i tavolinës së tij, gazetën “Zëri i Rinisë ku ishte botuar poema dhe gazetën “Shkëndija” ku ishte botuar kritika e 10-të gjimnazistëve.

Më thotë:

-A bëjmë një diskutim krijues?

-E bëjmë – i them.

Diskutuam për poemën dhe kritikën.

Në kritikë thuhej se unë bëja thirrje me qitje të largët për përmbysjen e pushtetit popullor. Kjo ishte insinuata në planin politik. Në kritik thuhej gjithashtu se unë kërkoja vilë, kjo ishte insinuata në planin personal.

Kishte dhe insinuata të tjera. Kritika ishte vepër e përbashkët e H. Ç. Dhe e Razi Brahimit. Ndihmesë të madhe në përpilimin e saj kish dhënë padyshim edhe Gazmend Kongoli, konformisti, shkrimtari mediokër, Demka i sekretarit të Komitetit të Partisë, servili i

e prorëve, pederasti i demaskuar publikisht.

Më pyeti shoku Ramiz:

-Ky titull “Dielli dhe rrëkerat” mos ta kujton pak atë thënien “uji nga lart vjen i kulluar, por turbullohet rrugës?”

-I jam ruajtur kësaj. E dija që këtë e ka kritikuar shoku Enver – i them shokut Ramiz.

-Këtë s’kishe se si të mos e dije ti – më thotë shoku Ramiz.

Në të vërtet unë s’e dija që Enver Hoxha e kishte kritikuar, por ma bëri të ditur poeti Fatos Arapi, kur unë i dhashë poemën ta lexonte për të dhënë ndonjë mendim ose sugjerim. Dhe ai më sugjeroi që titullin e poemës ta ndryshoja, t’i vija një titull tjetër, sepse shprehjen se uji nga lart vjen i kulluar, por e turbullojnë rrugës të cilën e kishin thënë klerikët në gjyq dhe, Enver Hoxha me ta mësuar, e kishte kritikuar thënie e tyre. Atëherë i hoqa poemës titullin «Burimi dhe rrëkerat»dhe i vura titullin «Dielli dhe rrëkerat». 

Pastaj shoku Ramiz më tha:

-Ti Faslli, kap tema të mprehta dhe bën mirë. Më kanë pëlqyer disa poezi të tuat në revistën “Nëntori”. Vetëm duhet të kesh një gjë parasysh. Duhet që këto tema të mprehta të trajtohen saktë nga nga ana ideologjike. Kritika të integrohet, të shkrihet në gjithë poezinë. Nuk duhet që një strofë të jetë pozitive dhe tjetra negative. Pozitivja dhe negativja të shkrihen në një, në tërë poezinë.

Ndërhyn Hamit Beqja:

-Lenini ka thënë se « jeta ka tmerret e veta. Po u more me këto tmerre, tmerron dhe të tjerët veten edhe ».

-Stalini, pasi kish lexuar poemën «Bataku» të Demian Biedni e cila merrej me anët e errëta të jetës i tha ati se ai kishte rënë vetë në batak.

-I ditke mirë këto, më thotë Shoku Rmiz! Pra duhet të jesh më i saktë ideologjikisht. Me këtë nuk dua të them që t’i hedhësh verës ujë, domethën të mos e zbusja kritikën.

Kjo shprehje më dha zemër. Edhe habija e Ramiz Alisë se unë i dija mirë vërejtjet që i bëheshin Demjan Bjednit nga Komiteti Qëndror i PKBS, personalisht nga Stalini, tek i cili poeti ankohej se i bëheshin kritika tendencioze, më dha zemër. Fillova të bisedoj më lirshëm, më me guxim. Ramiz Alia m’u duk shumë i komportueshëm, shoqëror, gati liberal. Me të mund të bisedoje gjërë dhe thellë. Ndjehej shpirti tolerant i tij. Me mendje krahasova pritjen që më bëri Rrap Gjermeni, me pritjen që po më bënte Ramiz Alia. Ku njëri, ku tjetri.

-Edhe një gjë të kesh parasysh, – më thotë Ramiz Alia. – Partinë nuk duhet ta fetishizomë, apo jo?

-S’e kam fetishizuar – i them – ja e kam konkretizuar:

“Partia dhe Enveri kanë vënë dorën aty ku pikon” i lexova gjithë strofën. Më thotë me seriozitet:

-Që ti je një poet i talentuar, kjo s’ka diskutim.

Më bëri përshtypje ky vlerësim i Ramiz Alisë. Edhe më erdhi mirë, por edhe se si m’u duk, sikur…

Tani pas 17 vjetësh më duket sikur unë e  politizova bisedën. Nuk e di në se kam të drejtë, por kështu m’u duk.

Ramiz Alia kishte folur mirë për disa poezi të miat, sidomos për ciklin e nëntorit të vitit 1971 dhe të vitit 1972.

I pari përshtypjet e Ramiz Alisë, m’i tha Dritëro Agolli në prani të Nirvanës, gruas sime duke ecur drejt Radio Tiranës, ku Dritëroi po shkonte për të dhënë një intervistë. Dritëroi më tha se për poezitë e mia atij i kishte folur Ramiz Alia, se i kishte vlerësuar ato. Atë ditë Dritëroi më foli me entuziazëm për krijimtarinë time. Këtë vlerësim të Dritëroit unë e mora si diçka etike. Meqë unë isha me gruan, ai në sytë e saj, më foli me superlativa  për poezitë.

Edhe Kadareja pasi lexoi kritikën për poemën më tha se:poema është në rregull, se për të i kishte folur mirë Ramiz Alia, kur kishte shkuar në shtëpinë e tij që ta uronte për lindjen e vajzës, Besianës. Në bisedë e sipër për letërsinë, ra fjala për poetët e rinj. Ramiz Alia, më pyeti për ty nëse të njihja apo jo. I thashë se e njoh, se jam kujdesur për botimin e librit të parë «Sot».   Dhe ja tani shoku Ramiz më foli vetë direkt për poezitë e botuar në revistën «Nëntori».

Xhevahir Spahiu gjithashtu, më tha atëherë se për këto poezi të revistës  «Nëntori», kryeredaktori i «Zërit të popullit», Dashnor Mamaqi, kishte folur me entuziazëm para gazetarëve të Zërit…

Kjo poezi na duhet, iu tha Mamaqi gazetarëve.

Në fund të takimit shoku Ramiz më tha:

-Pra jemi dakort me kritikën që të bëhet në planin ideologjik, por nuk jemi dakort me kritikën që të bëhet në planin politik e personal. E kupton?

-E kuptoj – i them.

Takohemi. Më rrok në qafë. U ndam . Dola nga zyra. Poshtë në korridor më priste Kiço Blushi, i cili më shoqëroi gjatë gjithë peripecisë.

Një diçka.

Kiço Blushi insistoi dhe më nxiti që unë ta ngrija zërin kundër asaj kritike ultra denigruese. Bile i vinte inat që unë nguroja të takohesha me shokun Ramiz. Një nga arsyet që guxova të takohem me Ramiz Alinë ishte edhe nxitja e Kiço Blushit. Por nxitja më e madhe qe çasti kur Kiço më tha:

-Bisedoja një ditë me Ismail Kadarenë për punën tënde Faslli. Ismaili më thotë:

-More Kiço, pse është tulatur kaq shumë Faslliu, sikur të ketë ndonjë grup dhe ai të jetë kryetari i tyre.

I them Kiços duke qeshur:

-Si, si? Unë grup? Vërtetë kështu tha Ismaili?

-Po. Kështu tha. – Të betohem.

Të nesërmen kërkova takim me shokun Ramiz.

Ecja dhe mendoja. Para sysh më kalonin të gjitha telashet.

Pas leximit të kritikës së pashembullt që mund të ishte bërë për ndonjë krijues.

Kadare më thotë, mos u mërzit o Faslli Haliti. Mjafton të mos ia kemi me hile Partisë.M’u duk mjaft e sinqertë, inkurajuese kjo thënie e tij dhe me një formulim  që tregonte afërsi shoku, vëllai, madje. Sapo dola nga Komiteti Qëndror, bëra një copë rruge me Kiço Blushin.

-Hë, – më thotë, si vajti takimi.

-Shumë mirë, – i them, – shumë mirë.

Ecëm gjer te sheshi i Skënderbej. Aty u ndava me Kiçon.

Afër Lidhjes së Shkrimtarëve, përballë Kinema “Republika” takoj Ismail Kadarenë. Ishte me Luan Qafëzezin.

Hë, më tha, u takove me shokun Ramiz? U takova, i thashë. Si të priti? Shumë mirë, i them. Ç’të tha?  Më pyeti se mos titulli i poemës të kujton pak atë thënien se uji nga lart vjen i kulluar por turbullohet rrugës?

Kjo është e vërtetë, tha Kadare, pavarësisht se këta snuk duan ta pranojnë…

Unë u habita që Ismaili foli kështu në sytë e Luan Qafëzezit.

Po tjetër, më pyeti Ismaili. Tjetër, më tha, se nuk ka dyshim që ti je një poet i talentuar. Por të duhet të shprehesh më qartë kur trajton tema të guximshme, siç është lufta kundër shfaqeve të burokracisë apo kur kritikon kuadro të nomenklaturës…

-Po për Razi Brahimin të pyeti. Më pyeti, si s’më pyeti.

U habita që shoku Ramiz më pyeti për Raziun e zi, Gazmend Kongolin dhe për Hasanin, konatin e zëvendës ministrit të Ministrisë së Punëve të Brendshme.

Ç’kanë këta me ty?, më pyeti. Nuk e kuptoj, i them.

Po me Ismailin ç’kanë? Razi Brahimi e ka inatin me Ismail Kadarenë. Pse ç’ka Raziu me Ismailin? Raziu ka një urrejtje biologjike për Ismail Kadarenë. Po këta dy të tjerët, Gazmendi dhe Hasani, ç’kanë ?  Këta mbajnë anën e Raziut. Po Gazmendi si sillet me ty? Çkaaaaaa, i them duke e zvarritur fjalën çka.

Po  pse e vë dorën në zjarr, për atë maskara, mor Faslli Haliti, më tha Kadareja i cili i njihte mirë këtë xhongler, ambicjozt, xheloz dhe me karakter bitum.

***

Kur u ktheva në Lushnjë, më rrethuan shokët. Shtëpia u mbush plot. Djali im Helidoni që ishte i vogël, tre-katër vjeç, nuk e kuptonte pse vinin kaq shumë njerëz ato ditë në shtëpi. Manjola, vajza e mitur, gjithashtu. Plaka, nëna ime, e kuptonte se diçka e keqe vërtitej. Ajo  rrinte me gjak të ngrirë. Po kështu dhe gruaja ime, me të cilën bisedoja gjithçka.

Në qytet qarkullonin lloj-lloj mendimesh, fjalësh, supozimesh, pohime, mohime.

Dashamirësit thoshin se me porosi të Ramiz Alisë, mua më sollën me «Benz» nga Tirana në Lushnjë.

Ramiz Alia nuk e di ku ka kokën e vet, u thoshte me nervozizëm përkrahsve të poemës, vëllai i sekretarit të parë të komitetit të partisë që duke qenë vëllai i anëtarit të KQPPSH, anëtar i Presidiumit të Kuvendit Popullor i cili ishte në dijeni të disa zhvillimeve për të cilat nuk dinin gjë njerëzit e thjeshtë. Kritikuesit e poemës, beniaminët, militantët e komitetit të partisë dhe të sekretarit të parë, kishin përhapur versionin se mua nuk’më kishte pritur fare Ramiz Alia, se më kishin nxjerrë me shqelma nga zyra e tij

Por e vërteta qëndronte ashtu siç e tregova unë më sipër.

Shkurt 1973

PJEPRI I MADH

Gusht 1973

Mora në kooperativë një pjepër të madh, gati dhjetë kile. Më shumë e mora për bukuri, për të kujtuar ato vite kur xhaxhai binte nga Spolata pjepra dhe shalqinj të mëdhenj që na gëzonin shumë ne fëmijëve.

Doni u kënaq shumë kur e pa. Donte ta mbante para duarve, por pjepri ishte i madh, i rëndë. Shtëpia u mbush me erë të mirë. Nëna u kënaq. Mbase dhe asaj iu kujtuan ato vite kur ajo ecte nëpër bostanin e kopshtit dhe këpuste me dorën e saj pjeprin që i pëlqente më shumë.

Shtëpia binte erë fshat.

Doni luante me pjeprin si me një lodër origjinale që e kënaqte me formën, ngjyrën e verdhë dhe erën e mirë. Atë e tërhiqnin të tria. Unë i gëzohesha kënaqësisë së tij.

KANA ME UJË TË FRESKËT

Po gjatë gushtit

Punoja  në Barbullim. Gjatë gjithë verës, pas prashitjes, vapën e drekës e kaloja nën hijen e fikut të Mendu Beut. Kurse pjesëtarët e brigatës së arave e kalonin vapë në shtëpite e tre

Fiku ku unë veroja ishtë një fik i madh, i vjetër, plot degëza të thata, me hije të freskët. Nën të, të kapte veriu. Një veri i kulluar që vinte nga fushat i pastruar nga plepat, nga i gjithë blerimi. Fiku ndodhej në një kodër të bukur që rrihej e lahej nga veriu. Beu s’e kishte zgjedhur kot këtë kodër për ta mbjellur me fiq, ftonj, vreshta. Nuk e kishte mbjellur më kot fikun aty.

Kur shtrihesha nën fik mbrapsht me fytyrën lart. Shikoja fikun, degët dhe degëzat e tij. Para se të më kapte gjumi e shikoja gjatë atë kurorë dhe shihja në të lloj-lloj figurash që krijonin degëzat, boshllëqet, lojët e dritës.

Por fiku nuk kishte kokrra, kishte vetëm hije.

Një ditë më ndodhi diçka që unë nuk e mora vesh kurre.

Atë ditë kisha prashitur shumë misër hamullor. Vapa më ra në kokë. S’doja asgjë tjetër veç ujë dhe gjumë. Djersët më lanin gjithë trupin. Dukesha si një copë akulli që shkrinte. Sapo vajti ora e pushimit nxitova për tek fiku im mbi kodër. S’e zgjata. U shtriva mbrapsht me qëllim që veriu të më rrihte fytyrën e skuqur si tullë e sapo dalë nga kamina. Kisha një etje të lemerishme. Atë pagure me pak ujë që kisha me vete e piva. Uji i asaj pagureje më ndezi më shumë. Bëja të flija, s’më zinte gjumi. Nuk më linte etja. Dy buzët e mia ishin bërë si dy duna rëre të shkrumbuara. Megjithatë gjumi më zuri se isha i rraskapitur. Lodhja fitoi mbi etjen. Kuptova se lodhja më shpëtoi disi nga etja.

Kur më doli gjumi u çova. Ç’të shoh. Tek koka rrinte një kanë me ujë të freskët paksa e veshur, me pika djerse që binin poshtë si ca gjallesa që të shlodhnin me lëvizjet e tyre.

E kapa kanën e ujit me atë urgjencë që ka i eturi. Gati e piva të gjithë. Mora pak frymë dhe fillova të pi përsëri. Pashë që kana prej qelqi u tha.

E kisha pirë të gjithë me etje. Buzët nuk i kisha më të shkrumuara, të thara nga zhegu i vapës.

Kush të ma kishte sjellë atë kanë, atë çini, atë brokë me ujë të freskët? Kjo nuk m’u duk vetëm një çudi, por dhe. diçka i kalonte caqet e habisë dhe futej në kufijtë e përrallës.

Vërtetë ajo kanë me ujë të freskët te koka që më erdhi në kulmin e etjes, mund të merrej nga kushdo një ndodhi e pastër, e gëzueshme, si e zbritur nga qielli si një përkujdesje e ndonjerit nga pjesëtarët e brigatës së arave.që ma kish sjell te koka që kur të zgjohesha, të shuaja etjen… Kana mbulohej plot me pika uji që rridhnin poshtë si larva…

Pas kësaj u përpoqa që të mësoja se kush e kishte sjellë atë kanë me ujë të freskët. Gjatë përpjekjes për të mësuar se kush ishte njeriu që ma kishte sjellë, më zuri gjumi, një gjumë i thellë nën freskinë e hijes së fikut të Mendu Beut..

Kur u zgjova më vajti mendja se atë kanë me ujë mund të ma kishte sjellë Feruzja, një vajzë e re që mbase kishte konsideratë për mua ose i vinte keq që unë nga arsimtar isha bërë bujk, që kisha lënë nxënësit, që kisha lënë shkumësin me të cilin shkruaja temën e mësimit të ditës në dërras të zezë, dhe kishte rrokur kazmen për të prashitur, vaditur, për të hapur kanale, shkurt që bëja të gjitha punët që kishte kooperativa.

Sa i çuditshëm është njeriu. Mbase ajo vajzë që kishte kosideratë për mua a diçka përtej konsideratës, mbase ishte ajo që më kishte sjellë kanën me ujë të freskët në kohën e shpirtit, siç i thonë dhe ja unë nuk e mësova kurrë se kush ishte ajo, të paktën për ta falënderuar.

Pas dite filloi përsëri puna. Ali Krasniqi, shoku që më mbante afër më solli një shportë me fiq të zinj e të bardhë. Më gëzoi shumë. Do të shkoja në shtëpi me atë shportë apo kaçile. Sa do të gëzoheshin Lola dhe Doni. Sidomos Doni. Ai do ta merrte kaçilen. Do të lëvizte me të nëpër shtëpi gjersa të lodhej. Pastaj do të dilte t’u thoshte shokëve të shkallës se babai kishte sjellë fiq nga fshati.

Dal çdo gëzim e përhapte. Vetëm kështu e shijonte më shumë ai gëzimin që kishte.

Gëzimi i djalit dhe nderimi i fshatarëve

kooperativistë më përtërinin, më gjallëronitm më mbushnin me forca të çuditshme. Që nga kodra ku veroja në drekë shihja poshtë arat e mbjella me misër. Degët e misrit luanin me flladin e ndajnatës. Gjallëroheshin dhe ai gjallërim i tyre më përfshinte dhe mua.

Puna në bujqësi nuk më pengonte të mendoja për poezinë gjatë prashitjes apo korrjes. Kisha boll kohë të mendoje, por  jo të shkruaja… Kur Esenini filloi punë në një shtypshkronjë si radhitës, ankohej se ai nuk kishte kohë mendonte, pa le të shkruante…

 

 

Filed Under: ESSE Tagged With: «DIELLI DHE RRËKERAT» DHE, Faslli Haliti, takimi me Ramiz Aline

Sofra e Dielli-t:EVGENIJ EVTUSHENKO & ERICH FRIED

July 10, 2018 by dgreca

EVGENIJ EVTUSHENKO/

EVGENIJ EVTUSHENKO

MONOLOG I NJERIUT TË PASNESËRM/

Përktheu:Faslli HALITI/

Adami dhe Eva nuk kishin parti,/

arka u projektua nga jopartiaku Noe./

Të gjitha partitë me buzëqeshjen malinje,/

i shpiku djalli – ai ka shije të keqe./

Dhe mbase në zemër të vetë mollës,/

ç’krimb ishte mbyllur – krimb e gjarpër në një/

Politika – profesioni me origjinë diabolike/

dhe njerëzit u krimbën pastaj./

 

Politika shpiku policinë,

politika shpiku liderët,

futi njeriun e gjallë në rresht

dhe i ndau njerëzit në kuadrate.

 

Ku është partia e vejushës, e pelegrinit të gjymtuar,,

Partia e fëmijës dhe e familjes, ku është?

Ku është kufiri midis Magdalas dhe Majdanekut,

dhe në mes Oswiecimit dhe Songmit?

 

Një ditë, një ditë, një ditë,

stërnipërve të kohëve moderne të gjitha partitë

do t’u vijnë në mendje si një gjë e largët,

si egërsira, Babilonia e madhe.

 

Dhe do të ketë një botë pa të gjymtuar në varrezë,

pa sakatë moralë në pushtet,

dhe një parti e vetme në të:

emri i saj i thjeshtë – njeri.                     

Shkruar në vitin 1972 – Botuar në vitin 1991

Përktheu: Faslli Haliti

***

1 Erich-FriedERICH FRIED- 1921- 1938/  .

Erich Fried ka lindur në Vjenë në vitin 1921, në vitin 1938 u largua nga Austria dhe u shpërngul në Londër.

Ndër vëllimet e tij me poezi: Gjermania (Deutschland, 1944), Contestations (Anfechtungen, 1967), Njëqind poezi pa atdhe (100 Gedichte pa Vaterland, 1978). Etj…

***

Gjëja që më goditi më shumë për këtë poet është përdorimi i mençur që e bën anafora: përsëritja nuk është një vakum përsëritur, por një pretekst për të thelluar pikëpamjet, për të eliminuar të tepërt, për t’u thelluar…

AJO QË ËSHTË

Kur të puth

nuk është vetëm goja jote

nuk është vetëm kërthiza

nuk është vetëm barku yt

që unë po puth.

Gjithashtu unë puth edhe pyetjet e tua

dhe dëshirat e tua

puthi reflektimin tënd

dyshimet e tua

guximin tënd

dashurinë tënde për mua

dhe lirinë tënde prej meje

këmbën tënde

që ka mbrritur këtu

dhe përsëri ikën që këtej

Unë të puth

Kështu siç je

Dhe si do të jesh nesër

dhe përtej së nesërmes

dhe kur koha ime do të ketë kaluar.

AJO QË ËSHTË

është absurde

thotë arsyeja

është ajo që është

thotë dashuria

Është pakënaqësia

thotë kalkulimi, llogaritja

nuk është gjë tjetër veçse dhimbje

thotë frika

është kotësia

thotë gjykimi

është ajo që është

thotë dashuria

 

është qesharakja

thotë krenaria

është pamaturia

thotë prudenca

 

është e pamundura

thotë eksperienca

është ajo që është

thotë dashuria

TË LEXOJË POEZI

Kush

pret shpëtimin

nga një poezi

më mirë të mësojë

të lexojë

poezi

Kush

nuk pret asnjë shpëtim

nga një poezi

të mësojë më mirë

të lexojë

poezi.

GJITHMONË MË SHUMË

Të të shoh një herë

dhe pastaj kurrë më

duhet të jetë më e lehtë

të të shoh përsëri

dhe pastaj kurrë më

Të të shoh përsëri

dhe pastaj kurrë më

duhet të jetë më e lehtë

të të shoh ende dhe dy herë

dhe pastaj kurrë më

të të shoh përsëri dy herë

dhe pastaj kurrë më

duhet të jetë më e lehtë

që të të shoh akoma dhe tri herë

dhe pastaj kurrë më

Por unë jam një budalla

dhe dua të të shoh

ende shumë herë

së pari

që të mos mund të të shoh

kurrë shumë.

Përktheu: Faslli Haliti

 

 

Filed Under: Sofra Poetike Tagged With: ERICH FRIED, EVGENIJ EVTUSHENKO, Faslli Haliti

LETËRSI-ALBERTO MORAVIA- KOSMA DHE BANDITËT

May 13, 2018 by dgreca

ALBERTO MORAVIA/1 Alberto moravia

 

KOSMA DHE BANDITËT / NË PËRKTIMIN E FASLLI HALITIT/                                 

                        Pak fjalë mbi novelën/

Novela Koasma dhe banditët  u botua me seri në gazetën javore ”Sot„ nga tetori gjer më 6 dhjetor 1940, kjo novelë e Moravisë i përket atij frymëzimi të goditur novelash me intrigё ose – për të përdorur një titull – me subjekt intrigues. Intrigё,- kuptohet e vazhduar dhe e zgjidhur magjistralisht; dhe, domethënë e trilluar në mënyrë zbavitëse dhe po në mënyrë zbavitëse, shkruar dhe zgjidhur. Një frymëzim, mbase jo shumë i parapёlqyer nga të gjithë lexuesit e tij, por sigurisht i dashur për të vjetrit dhe besnikët. Duke e riparaqitur më vete dhe me titullin që pati  atëherë, pikërisht, novela duhet të tërheqë vëmendjen e lexuesve dhe veçanërisht  të lexuesve më të rinj, mbi këtë mënyrë të treguari, e nxitur, gati, nga loja e një fantazie transparente dhe e lirë, për të cilën Moravia di të japë vazhdimisht prova. Është  për t’u shënuar se duke e botuar, pastaj, libër më vete, shkrimtari ka bërë jo pak ritokime duke hequr gjithë artificialitetin – i kuptueshëm për ato vite – duke e lokalizuar në një vend të Evropës lindore.

  1. KOSMA ECTE DREJTË VDEKJES

Ai, argjendari me emrin Dragotis, një nga argjendarët më të Imëdhenj në kryeqytetin e atij shteti të vogël të Evropës Lindore, pati një propozim me mjaft interes nga një sekser qё quhej Ataman. Bёhej   fjalё për të shkuar në një qytet të afërt me qёllim qё t’i tregonin disa xhevahire me vlerë të madhe një njeriu të pasur i cili i donte pёr të stolisur gruan e tij. Argjendarit iu duk qё ky ishte një rast i mirë për djalin e tij tё vetëm qё t’i futej, me kёtё rast, punës së tregtisë. Veç kësaj Kosma ishte ushtruar tashmё në ujdisa llogarish të vogla; dhe, megjithëse i hutuar dhe i kthyer nё indiferent pёr shkak tё gjendjes shpirtërore tё paqëndrueshme, pasojё kjo e moshës rinore, ai tregonte se ishte i shkathët dhe i aftë nga natyra; ndonjëherë Kosma e habiste të atin me zgjuarsinë e tij të beftё. Argjendari i tha të birit se duhej të shkonte në atë qytet së bashku me sekserin qё ishte njё njeri i besuar i tij. I ati do t’i jepte tё birit një çantë meshini me gurë të çmuar. I bëri djalit të gjitha sqarimet nё lidhje me çmimin dhe cilësinë e mallit. Pёrpos kësaj nuk bëhej fjalë veçse për disa të dhëna paraprake; t‘i tregonte gurët e çmuar zonjës e cila ishte shtatzënë dhe nuk qe në gjendje  të bёnte rrugën gjer në kryeqytet; pas kësaj babai do të shkonte vetë qё tё përfundonte shitjen e mallit. Kosma, gjithmonë i gatshëm për të pranuar çdo lloj detyre, e priti me kënaqësi këtë barrё. Jo se e kishte dhe aq pёr zemër tregtinë e babait, por për Kosman qё ishte ende i shpërqendruar dhe kureshtar njёkohёsisht, siç janë shpesh të rinjtë njëzetvjeçarë, të shkonte e tё bёnte tregti me këta gurë të çmuar, ishte një aventurë e vёrtetё; ishte tamam si  të shkonte e tё gjuante pёr derra tё egër nëpёr honet rreth  kryeqytetit apo si të rrezikonte veten natёn në lokalet më popullore. Ai ishte ende në moshën e lumtur të zbulimeve, gjurmimeve, eksperimenteve dhe pasigurive. Kjo prirje pёr aventurё, nga ana tjetër, s’do ta pengonte atё që të ishte i vëmendshëm dhe i kujdesshëm, sipas porosive qё kishte marrё nga i ati. Ai ishte si fëmijët që, edhe duke bërë veprime si të mëdhenjtë, e dinë qё po luajnë dhe, megjithatë, tregojnë në lojë më shumë seriozitet dhe zell se sa të mëdhenjtë në punët e tyre të mëdha.

Kosma arriti i pari në takimin e caktuar nё orët e para tё mëngjesit në sheshin e qytetit nga ku zinte fill rruga krahinore. Ishte korrik dhe pisku i vapёs tashmë, bënte që të avullonte freskia e rreme e natës. I veshur me rroba të bardha, me syzet e zeza mbi hundë, me çantën e çmuar në sqetull, Kosma, e ndjente veten tё lehtësuar dhe tё kënaqur, ai shijonte mё shumё shëtitjen se sa fitimin. Autobusёt e mbushur plot me njerёz, ndalonin te sheshi dhe pasi boshatiseshin përfundimisht nga pasagjerët, dy apo tri kafene, nxirrnin disa tavolina nё kёtё shesh dhe i vendosnin në hijen lozonjare të rrapeve me gjethe tё dendura ; në atë orë kamerierët hidhnin kova me ujë mbi asfaltin e nxehtë, duke krijuar kështu një freski të përkohshme që e magjepste Kosman. Edhe çanta prej lëkure që shtrëngonte nёn sqetull, pёrbёnte pёr tё njё arsye qё tё gëzohej dhe tё fantazonte. Mendonte se të tjerët pandehnin qё ajo çantё ishte e mbushur me kostume banje ose me sende të tjera të këtij lloji, por, përkundrazi, ajo ishte e mbushur me byzylykë prej platini: situatë kjo si ”komedia e keqkuptimeve”*, por ai ishte i vetmi që zotëronte fillin e lëmshit. Megjithatë mendimi për një grabitje të mundshme i  vetëtinte herë pas here nё mend; por ky mendim ishte si diçka e largёt dhe e këndshme në ankthin e saj, si një ëndërr e llahtarshme qё nuk arrin të bëhet makth. Me të gjitha këto ide përzihej rregullisht, ideja e shëtitjes. Njё shëtitje e bukur nëpër fshatin e lulëzuar qё kishte fytyrën e njё qytetit të lashtë krahinor, ku ai nuk kishte qenë kurrë. Me kёto mendime nё kokё vërtitej Kosma duke vështruar autobusët që arrinin dhe niseshin prapё. Më në fund një makinë ngjyrë kafe, e zbuluar, por me capote-n e ngritur lart, u ndal përpara tij, pasi bëri një gjysmërrotullimi në sheshin e qytetit. Në timon qëndronte një i ri hollak e thatim, me lëkurë tё zezё si metis, i veshur me një palë tuta gri si prej mekaniku. Atamani rrinte ulur mёnjanё nё mёnyrё komode nё sedilen e pasme tё makinёs, duke e zënë atё të gjithën. Ai  i bëri shenjë Kosmas që të ulej përpara, pranë drejtuesit të makinës. Kosma hipi nё makinё dhe ata u nisën menjëherë.

Për Atamanin, Kosma s’dinte asgjë, ndonëse e shihte shpesh dhe jo vetëm për çështje pune. Ishte një burrë rreth tё tridhjetepestave, i bardhë, i butë si rrobë e lagur dhe i majmë si një derr. Kishte një fytyrë të gjerë, të flashkët dhe të zbehtë, me sy të vegjël,  hundëshqiponjë, me buzët tё holla, e sipërmja me mustaqe të imta, e poshtmja e dalë. Ishte i shkurtër, me kokë e bark të madh. Fliste shkurt e prerë, me seriozitet e plot sentenca, veçanërisht kur ishte fjala për biseda të rёndomta. Kjo mënyrë eliptike dhe serioze të foluri edhe kur donte të ishte hokatar, s’linte kurrë pa nxitur te Kosma një të qeshur fëminore. Për këtë, Atamani i dukej tepër simpatik, prandaj dhe kërkonte shoqërinë e tij. E dinte se një çast i kaluar me Atamanin ishte një çast i sigurt argёtimi, dhe kaq i mjaftonte. Nё kёtё mёnyrё Kosma e kujtonte simpati mirёdashjen e pacipё dhe komike tё Atamanit;  me naivitet shihte dashuri, atje ku nuk kishte veçse shakara mekanike. Kosma s’e dinte qё për Atamanin shakatë   ishin një armë dhe një maskë njёkohёsisht; i pastërvitur, ai s’ kishte mësuar ende të mos u  zinte besë, përgjithësisht, njerëzve me humor.

Në tё vёrtetё Atamani nuk ushqente asnjë lloj simpatie për argjendarin dhe djalin e tij; madje, përkundrazi, ushqente mllef dhe zili. Me forcën e të qeshurës ai kishte hyrë drejt e në shtëpinë e tyre, madje, si mik i familjes; por nën këtë qëndrim prej babaxhani dhe të përzemërt, fshihej një indiferencë e pashpirt dhe  mizore. Atamani ishte një prej atyre njerëzve që  s’dinë të veprojnë veçse pёr përfitim personal duke e shoqëruar kёtё sjellje tё tyre me njё agresivitet tё pabesё dhe sikur të mos kishte rrugë të mesme: ose të mashtrosh ose të mashtrohesh dhe, si pasojё e kёsaj, mashtrimi i tyre të mos ishte tjetёr veçse një hakmarrje e parakohshme për tjetrin. Drejt një konceptimi të tillë të jetës atё e shtynte edhe shpirti prej shtiraku, kaq i zhvilluar  tek ai, për të cilin çdo gjë që s’kishte të bënte me interesin e tij, nuk mund të ishte tjetër veçse njё diçka e tepërt, e rreme dhe si qëndismë. Një vëzhguesi të mprehtë, Atamani s’do mund t’i frymëzonte tjetёr përveçse përbuzje. Por babai i Kosmas nuk shihte veçse sekserin tek ai; dhe vetë Kosma s’ishte inteligjent.

Me këtë koncept pёr punën dhe pёr marrëdhëniet njerëzore, s’është për t’u habitur qё Atamani, si lojtar dhe qejfli, të ishte futur qysh herët nё telashe. Në të vërtetë ai ndodhej në një gjendje të dëshpëruar kur i erdhi në mendje t’i propozonte babait të Kosmas qё tё bёnin tregti me gurët e çmuar.  Ishte fjala për një allishverish real, po Atamani s’e kish syrin tek ato pak pare qё do tё fitonte si ndërmjetës. Asnjëri  prej kёtyre të treve qё ishin në makinё, veçanёrisht Kosma, nuk duhej të arrinte kurrё nё atё qytet ku ndodhej njeriu i pasur  qё do tё blente diamantet. Çështja qëndronte në të vërtetë në planin qё kishte përpiluar Atamani pёr tё vrarё Kosman dhe t’i merrnin atij gurët e çmuar duke e paraqitur kёtё si një grabitje. Kështu pra, Kosma ecte drejt vdekjes qё nga çasti qё hipi në makinë dhe zuri tё qeshte vetëm nga qё e pa Atamanin ashtu të shëndoshë dhe përtac, tё shtrirë mbi jastëkët e sedijes së pasme. Por siç ndodh me disa lloj gazesh vdekjeprurës që tё krijojnë një ndjenjë euforie, atij i duhej të qeshte gjersa t’i vinte fundi.

II   ATAMANI

Kurrë, në fakt, Atamani s’ia kishte dalё si atё ditё qё tё bёnte Kosman tё qeshte. Shakatë me shpirt, batutat, hokat, shtrembërimet e fjalëve komike, historitë, frazat më të befta, nuk pushonin së vërshuari, së gurgulluari plot freski nga sedilja e pasme, ndërsa makina nxehej ndërkaq duke u ngjitur e duke zbritur nëpër kodrat me diell. Kosma, me çantën e çmuar, vendosur mbi gjunjë, s’bënte tjetër veçse qeshte, po me atë mospërmbajtje të fuqishme, tipike me ato teshtimat qё shkakton duhani apo speci. Atamani, i ngjashëm me një prej statujave baroke qё simbolizojnë një lumë, qё mbajnë nё duar njё qyp qё derdhet dhe qё rrinё brinjas me kёrthizёn jashtë, qëndronte shtrirё mbi jastëkë, me barkun që i dridhej prej çdo lëkundjeje, i fshehur nёn velin e njё bluze me vija të kaltra, e linte të rridhte pёrherё, shkulmin e bollshëm tё haresë duke u shfaqur gjithnjё si serioz, Gjithçka e ngacmonte: pulat që kapërcenin rrugën në çastin qё kalonte makina, gratë e shtëpive tё rojtarёve tё rrugës. Atamani nxirrte kokën nga dritarja e makinёs me qёllim që t’i shante, duke i lenë ato të habitura, e ngacmonin makinat që e parakalonin, pamjet e fshatit, qielli, çdo gjë. Me këtë – 8 – 8 rast përziente kujtimet, anekdotat, refrenet. Gjithçka e bёnte me një ton të përpiktë e të sigurt prej bufoni që Kosmas i dukej i këndshëm. Bashkëpunëtori i Atamanit nuk thoshte asnjë fjalë dhe mezi buzëqeshte duke u rrudhur në faqet thatime me dy quka majtas. Kishte një epitet të çuditshёm: «Torta», dhe Kosma pandehte se ky ishte emri i tij. Por kulmi i humorit të Atamanit dhe i tё qeshurёs së Kosmasit arriti kur makina u kryqëzua me grupin e çiklistëve dhe me makinat sportive qё shoqёronin rrethin çiklistik ndërballkanik. Atamani la që të kalonte moria e çiklistёve, me fituesit entuziastё dhe makinat e pluhurosura dhe turmën e gazetarëve dhe mekanikëve, kur u ngjit vargu i të vonuarve dhe arritën çiklistët e fundit që tashmё s’kishin asnjë shpresё, jo vetëm për tё fituar garёn, por as të zinin ndonjë vend nderi, prapё ata rropateshin njëlloj të djersitur e të vetmuar nën njё diell vdekjeprurës, Atamani, si të thuash, e tejkaloi vetveten. Duke e nxjerrё trupin pёrgjysmё jashtë dritares, filloi t‘i shajë ndyrё fatkeqёt. «Budalla… idiot… pse vrapon?… Tani s’arrin më shumë… brinar… s’e sheh që ke një fytyrë brinari?… Ti vrapon dhe e humbet garën kurse gruaja jote sakaq të vë brirët atje nё shtёpi… këmbë shtupë… i marrë… torollak…» e kështu me radhë. Çiklistët në rrugë, të gjithё tё kërrusur mbi timonët e ulët, tёrboheshin, kurse Atamani dyfishonte sharjet dhe Kosma mbante brinjët me duar dhe i rridhnin lotët nga e qeshura e madhe. Por pas rrethit çiklistik, Atamani u mbështet përsëri mbi jastëkët dhe heshti papritur plotësisht, si njё dordolec qё i është këputur filli. Më kot u mundua Kosma që ta ndizte sërish atë vatër gëzimi dhe hareje. Atamani mezi iu përgjigj dhe vetëm pas pak çasteve në makinë u vendos menjëherë një heshtje e plotë. Kosma – 9 – 9 vështronte rrugën, Torta drejtonte makinën dhe Atamani dukej sikur përgjumej, ai tundej e shkundej, krejt i bardhë dhe drithërues ngaqё makina kërcente dhe hidhej pёrpjetё pёr shkak tё rrugёs gjithё gropa. Në të vërtetë po afrohej vendi i studiuar dhe i paracaktuar me kohë, në të cilin Atamani, nё një mendje me Tortën, kishte vendosur ta hiqte qafe, t’i lante hesapet me Kosman. Atamani i kishte gjetur forcat pёr tё bёrё shaka deri sa arritën tek rrethi çiklistik. Por pastaj mendimi zotërues e mposhti. Iu kujtua se po të vazhdonte të tallej, s’do t‘i mbetej mjaft forcë për të vënë në jetë planin e tij. Veç kësaj, tani më shumë se sa të qeshte dhe të bënte të tjerёt tё qeshnin, ishte e nevojshme të mësonte veten dhe, në njëfarë mënyre edhe Kosman, me atë që po bëhej gati të ndodhte. Më në fund, makina, me të lënë kodrat, po hynte në një zonë gati shkretirё. Një fushë e gjerë me bar dhe e zbehtë, e kufizuar në nga malet e zhveshur gurishtorё, me njolla shkurresh të njё pylli të dendur, gati për tё filluar prerja. Asnjë pemë, vetëm ndonjë shkurre e ulët aty-këtu hidhte një hije të shkurtër nën diell. Kuaj hergjele, me bishta tё gjatë dhe të trashë, galoponin lehtë mbi bar. Midis atyre livadheve me dredha, të vetmuara, të shkreta, rridhte me dredha një lumë. Herë pas here Atamani shihte pas shkurreve të dendura që lëshonin hije, rrjedhën e bardhë dhe shndritëse si argjendi tё lumit. Dita, ndërkaq, po fillonte të thyhej. Nga një re e vogël u përhap dalëngadalë në gjithë qiellin një masё resh pupëlore. Kjo masё tentonte të errësohej dhe të shtrëngohej, duke formuar vetëm një re gri dhe të lartë, të ngjashme me një ballë të vërejtur dhe të menduar. Një dritë e ftohtë, e njëjtë munduese, përhapej mbi gjithë fushën. – 10 – 10 Atamani dhe Torta kishin zgjedhur atë vend si më të përshtatshmin për bëmën e tyre. Përveç vetmisë, diçka e rastit përcaktoi një zgjedhje të tillë. Prej kohësh në gjithë krahinën, endej një bandë, gati kriminale qё pёrbёhej nga hajdutё rrugёsh. Kjo bandë e kryesuar, nga një njeri i dëshpëruar me emrin Glinka, gjer atёherё kishte arritur të kryente mjaft grabitje. Gazetat nuk flisnin për të, me qëllim që të mos pengonin veprimet e policisë, por dihej në mënyrë të turbullt se një ushtri e vërtetë rojash i ndiqte keqbërësit tё cilёt, megjithatё kishin mundur t’i shpëtonin gjithmonë kapjes nё saje të egërsisë së skajshme dhe vendosmërisë me anё të cilën kur i ndiqnin a përlesheshin me ta nuk nguronin tё vrisnin kundёrshtarёt dhe nё saje të bashkëpunimit të fshehtë me shumë fshatarë dhe banorë të periferisë. Atamani, keqbërës i padënuar mё parё dhe i rastit, e kish llogaritur qё krimin qё do tё kryente t’ia ngarkonte kёsaj bande duke përfytyruar me të gjitha hollësitë një sulm të tillë, të barabartë me ato, ku së fundi kishin mbetur viktima, udhëtarë të tjerë të zonёs. Për këtë qëllim, prej kohësh, pa rёnё nё sy, kishte marrё tё dhёna pёr zakonet dhe veprimet e bandës nga njё komisar, i njohuri i tij. Ishte e vërtetë se banda vepronte në të gjitha anët e krahinёs, në largësi të madhe nga vendi i zgjedhur nga Atamani, por ky nuk shqetësohej për kaq pako gjё; veç kësaj banda vetë, jepte prova për lëvizje të mëdha duke dhënë goditjet e saja në zona të ndryshme dhe të paparashikuara. Pastaj, edhe nëse banda, njё herё e kapur, do të refuzonte autorësinë e krimit, askush s’do ta besonte bandёn për këtë. Dhe ai ndërkaq, pasi tё kalonte pak kohë, do të dinte shiste pёrsёri nёn dorё gurёt e çmuar, të shndërruar nё mёnyrё tё pёrshtatshme. – 11 – 11 Plani, siç shihet, ishte studiuar gjer në hollësitë më të imta. Atamani, bashkё me Tortan kishte bërë nja dy udhëtime në atё vend, për të përcaktuar trajtat e tij. Tani si gjithë njerëzit me shpirt tё vogёl dhe të ulët, Ataman kishte një besim të madh tek teknika. Saktësia e planit të sajuar prej tij, ishte bërë për të një domosdoshmëri edhe më e ngutshme e nevojёs sё tij tё dëshpëruar për para. Ky plan ishte sajuar në mënyrë të tillë sa Atamanit tanimё i dukej e pamundur të mos e vinte nё jetё. Atamani sado që e kishte rrotulluar nga çdo anë, nuk kishte arritur të gjente në të asnjë mangësi. Kaq kishte mjaftuar që tё zhdukej çdo mëdyshje nga shpirti i tij. Për këtë Atamanin nuk e turbullonte as ankthi më i vogël. Ai tani e ndjente veten afër sendёrtimit të planit të tij, si ai zhytësi që ka ecur gjer në fund të dërrasës së trampolinës dhe bëhet gati të hidhet. Atamani ndihej i qetë, sepse në këtë ujë të pabesë nё të cilin ai përgatitej të zhytej, përkundej një barkë që në rast rreziku do ta shpëtonte. Kjo barkë ishte banda e hajdutëve. Atamani jo vetëm që e ndjente veten tё qetë për sa i përkiste sendërtimit tё planit të vet, por ndihej gjithashtu i lirё nё shpirt, ndonёse në mënyrë të ethshme dhe tё ndёrprerё, siç ndodh në çastet e tensionit. Me njё liri gjeniale dhe nervoze qё i vinte nga gjetjet. Gjetja e parё, kishte qenё ajo që e bёri Kosman të qeshte gjatë shëtitjes. Qё ta bënte të qeshte, Atamanit i dukej një mënyrë krejt e vetvetishme dhe e errët pёr t’i hequr Kosmas forcat, ashtu si ca lloj merimangash që i injektojnë viktimës sё tyre një lëng paralizues, para se ta shqyejnë. Çdo e qeshur e Kosmas ishte njё dëshmi se ai ishte i çarmatosur dhe s’dyshonte pёr asgjë. Çdo e qeshur e Kosmas e siguronte Atamanin pёr epёrsinё e tij dhe pёr suksesin e komedisë sё luajtur prej tij. Pa llogaritur qё me gjithë – 12 – 12 ato shaka, ai shkarkonte tensionin që më vonë mund të ishte pengesë për kryerjen e krimit. Gjetja e dytë qëndronte në të folurit ashtu si kot dhe me shaka për bandën që rrezikonte krahinёn. Gjithmonë me instinkt, Atamani e kuptonte se gënjeshtra më e pëlqyer është ajo që ndërtohet me elementë tё vetё realitetit. Në këtë mënyrë realiteti bëhet bashkëfajtor me njeriun me anё tё shfaqjeve tё veta mё tё njohura dhe mё tё padyshimta gjer nё çastin qё njё akt vullneti e ndriçon papritur duke zbuluar tek ai rrezikun e fshehur. Atamani e kuptonte se s’ka asgjë që të mos e qetësojё më shumë viktimën se sa të luash para saj me thikën qё më vonë do t’i shërbejë atij për t’i prerë gurmazin. Nga ana tjetër, në këtë mënyrë, jo vetëm se e end mё fuqishёm rrjetën e gënjeshtrës, por arrin edhe njё qëllim tjetër, të familjarizohesh me përdorimin e grackёs dhe me veçoritë e saj. Atamani tha se nuk përjashtohej rreziku që të ndesheshin me bandën dhe atëherë do të ishte për ta një fatkeqësi e vërtetë. Mbase atyre u leverdiste që t’i gëlltisnin xhevahiret para se të ishte tepër vonë. Karficat do t’i hante Torta, aq thatim sa ç’ishte, unazat Kosma, për sa u përkiste byzylykëve dhe sendeve tё tjera më kaba, do ta bёnte punёn ai, si mё i shëndoshi nga tё gjithё. Kosma ishte i heshtur dhe s’fliste para Tortës për gjërat e çmuara që kishte çanta, pasi nuk e njihte. Bile në fillim, ishte orvatur të jepte përshtypjen se ruante mostra të ndryshme stofrash. Por Atamani duke e marrë me mend arsyen e mëdyshjes së tij, tha se s’kishte asgjë për t’u trembur, që Tortës mund t’i besonte së paku aq sa dhe vetё atij. Prapё, Atamani i tregoi atij fije për pe, gjithë atë që dinte nga komisari, miku i tij, në lidhje me bandën. Për Atamanin, Kosma tashmë ishte si i vdekur dhe ato lajmet e çmuara kishin po atë rrezik përhapjeje sapo të ishin mërmëritur mbi një arkivol të gozhduar mirë. Atamani e thuri dhe e stërthuri veçanërisht fjalën mbi praninë në bandë të një gruaje me emrin Albina; e bukur mesa dukej dhe e egër dhe më mizore dhe mё e vendosur se vetë burrat. Ky emër iu duk se i interesoi Kosmas në mënyrë të veçantë dhe i bëri shumë pyetje – 13 – 13 Atamanit i cili nuk i kurseu hollësirat, në pjesën më të madhe të trilluara. Kosma i përhumbur tha se ai emër dhe përshkrimi që Ataman i kishte bërë për gruan ia bënin tërheqëse atë. Do t’i pëlqente të kishte një aventurë me një femër të tillë. Atamani e talli, por pranoi se diçka e tillë s’do të qe pa shije. Më në fund u frymëzua nga logjika e metodës së vet deri nё atё pikё sa zbuloi, gjoja si rastësisht, nën sedile, një çekiç të madh prej druri dhe e pyeti Tortan se për çfarë mund të shërbente vallë kjo vegël dhe në mos, rastësisht, donte ta përdorte, pёr t’u mbrojtur nga hajdutёt. Kështu pra, çekiçi ishte, pikërisht, për të goditur Kosman. Për sa i përket gjetjes së tretë: Atamani s’e kishte përgatitur, ajo i qe dhёnё rastësisht. Në një kthesë të rrugës, në një pikë të shkretë, ja duken dy roja me mushketat hedhur krahaqafë qё qёndronin pa lëvizur pranë një muri të ulёt në hijen e një çiçibanozi. Nё çast Atamani, me një frymëzim të befasishëm i thirri Tortas që të qëndronte, sepse do ta pyeste diçka nё lidhje me rojat. Me t’u ndalur makina, Atamani zgjati kokën dhe u bëri shenjë dy rojave të qё dëshironte t’u fliste. Dy rojat u afruan si pa dëshirë dhe atëherë Atamani i pyeti, nëse ato kishin edhe shumë rrugë për tё bёrё gjer në S., qytet i vogël ky për ku ishin drejtuar. Rojat u përgjigjën se mund të ishin ende dhe nja shtatëdhjetë kilometra. Atamani duke bërë shaka dhe si në mirëbesim pyeti, nëse ishin të sigurt nëpër këtë rrugë dytësore qё nuk rrihej shumё dhe, nëse nuk kishte rrezik që të sulmoheshin nga ato bandat, për të cilat rojat, sigurisht qё kishin dëgjuar të flitej. Por rojat nuk e morën kёtё çështje me shaka, siç i pëlqente e siç dëshironte Atamani.

*  nëntitujt e novelës janë përkthyesit 

Përktheu: Faslli Haliti

Filed Under: LETERSI Tagged With: ALBERTO MORAVIA- KOSMA DHE BANDITËT, Faslli Haliti

JEZUSI…

April 1, 2018 by dgreca

   FASLLI HALITI/1 Jezusi

JEZUSI/

Pas dy mijë e dymbëdhjetë vitesh/

Jezusi zbret qiejve blu/

Në tokë./

Kërkon të shohë/

Grazhdin,/

Djepin,/

Ku u vendos,/

Por nuk sheh as kasollen/

As shportën, djepin e tij të ngrohtë./

Ai sheh bunkerë,

Beton,

Qytete zhytur

Në sherre, grindje

Në vrasje dhe tërbim,  

Sheh kudo qytetet të zhytur

Në hajni, korrupsion, degjenerim.

Jo, jo!

Këtu

S’qenkam më unë Jezusi,

Këtu unë s’paskam më

As besimtarë

As

Idhtarë ,

Këtu

Unë

S’paskam më piosët e mi       

Siç kisha dy mijë e dymbëdhjetë vite më parë

Dhe Jezusi ngjitet qiejve tek yjet ngadalë,

Braktis tokën me njerëz të varfër,

Me shumë buzëtharë,

Buzëplasur

Por plot me bosë

Të mbytur në euro, dollarë,

Flori,

Të mbytur në hakmarrje,

Vrasje, korrupsion, gjakmarrje, padrejtësi.

Dhjetor, 2012

***2 Papa-francesku-Mirdita-2-300x155NA DUHEJ ARDHJA E TIJ

Papa i shenjtë!

E kënaqi,

E gëzoi popullin

Shenjtëria,

E lumturoi me shenjtërinë e tij

U la me dush rrezesh shenjtërie Shqipëria.

Papa

Na uroi

Paqe.

Ne u grindëm.

Papa na uroi dashuri.

Ne urryem njeri-tjetrin fill pas ikjes së tij.

«Bukën tonë të përditshme falna Zot»

Papa iu lut Zotit edhe për ne,

Por qielli dhe toka

Janë  

Në recesion,

Në krizë.

Të varfëritë, të papunët

E marrin prapë bukën me listë.

Maj, 2014
ERDHI PAPA TE NE

Erdhi

Papa

Erdhi te ne

Na solli Dashurinë

Ne urryem njëri-tjetrin.

Erdhi,

Papa

Erdhi te ne.

Na solli Paqen,

Ne filluam sherret.

Erdhi,

Papa

Erdhi te ne,

Na solli qengjin e Pashkës.

Ne i rropëm peliçen e bardhë.

Nximë veten turpërisht.

Erdhi.

Papa

Erdhi te ne,

Na dhuroi fjalë të shenjta dhe bekime:

Bekime,

Bekime plot,

Fjalë të shenjta.  

Fjalët e shenjta

Ne i bluam në mokër menjëherë.

Por prej të shenjtave s’morëm një dorë miell.

Maj 2014

Filed Under: LETERSI, Sofra Poetike Tagged With: E dua Jezusin, Faslli Haliti, Jezusi

SHKULJA E BOSTANEVE

March 29, 2018 by dgreca

 

1 Faslli Haliti 3 

  . tregim  nga Faslli HALITI/

….Sonte në mesnatë do të nisemi për dru në pyllin e Spolatës, tha xhaxhai që nuk bënte punë, pa ne, pa mua, nipin, dhe të birin, Fadilin. Unë dhe Fadili ngarkuam në qerre degët që do të hanin qetë kur të arrinim në pyll. Fadili u fut poshtë degëve për t’u fshehur dhe e zuri gjumi nën freskinë e gjetheve të njoma të misrit. Do të niseshim aty nga mesnata. Xhaxhai  po kërkonte djalin. Ku të kishte shkuar? Është në shtratin e qerres, i thashë, po fle poshtë degëve të misrit. Xhaxhai  u qetësua. Mos  e zgjo, tha, lëre te flejë. Aty  nga ora një apo dy e natës, u nisëm për në pyll. Do të bënim tre ose katër orë rrugë deri në pyllin e Spolatës. Xhaxhai e ndali qerren te driza e Shurdhit. Zbritni shpejt, tha, e mos u vononi se bëhet vonë për në pyll. Ne zbritëm nga qerrja me gëzim. Xhaxhai na dha leje të futeshim në bostanin e Daut Sefës, që të vidhnim ca pjepra, pasi bostani  ynë ende s’ishte pjekur. Me t’u futur, filluam të këpusnim nëpër errësirë pjeprat e pjekur të cilët i dallonim nga era e mirë që lëshonin. Xhaxhai priste te qerrja, jo pa shqetësim. Po sikur Hysniu, roja i Daut Sefës të na kapte duke vjedhur pjepra ? Por Hysniu ishte dede dhe gjumash i madh. Ndërsa  ne  vidhnim, ai bënte ende gjumin e thellë. As topi i karadakut s’e zgjonte dot nga ai gjumë. Me të mbërritur te qerrja të ngarkuar me pjepra dhe shalqinj, xhaxhai u qetësua.

E mbushëm shtratin e qerres plot me pjepra e shalqinj. Pashë se xhaxhai u kënaq. Kur kënaqej xhaxhai, kënaqesha dhe unë, sepse ai ishte gjithmonë i ngrysur me mua. Ndërsa qerrja ecte, ne na zuri gjumi si në djep. Fjetëm që të dy mbi degët e njoma të misrit, mes pjeprave plot erë të mirë gjersa arritëm në pyllin e Spolatës në orët e para të agut. Xhaxhai na zgjoi. Në fillim zgjoi të birin me përkëdhelinë e tij të çuditshme që unë s’e kuptova kurrë se ç’do të thoshte: «Dili kabullkà, kabullkà», përkëdheli kjo që më zgjoi dhe mua. Pasi na zgjoi, xhaxhai zhbreu qetë. Unë  dhe Fadili u vumë qeve përpara degat e njoma të misrit dhe qetë e lodhur e të uritur filluan të hanin duke e mbushur gojën gjithë shkumë jeshile. Ndërkaq xhaxhai shënjoi kërcunjtë që do të priste e do t’i çante me pyka, me sëpatë e vare. Xhaxhai priste dhe çante kërcunjtë e thatë, kurse ne i afronim te qerrja për t’i ngarkuar së bashku me xhaxhanë. Pasi kishte zbardhur mirë mëngjesi dhe dielli i korrikut zhuriste. Herë pas here ne futeshim e freskoheshim në hijet e lisave, shkozave dushqeve që ishin tepër të freskëta. Xhaxhai ngarkonte qerren. Kërcunjtë  që i jepnim ne, ai i vendoste në shtratin e qerres. Mbahej si mjeshtri më i madh për të ngarkuar qerren me dru. Ngarkesa e drurëve zgjati, gati, dy orë. Pasi e pa qerren të ngarkuar, siç donte ai, xhaxhait iu ngop syri, u ul mbi një trung e ndezi një cigare. Duke pirë cigaren, nisi të bënte shaka me ne duke na quajtur dërdyla, ngaqë kishim ngritur goxha kërcunj. Mua më erdhi mirë që xhaxhai, na quajti dërdyla, sepse ai ishte një qiell i vërejtur plot re me mua. Kur ai tregonte pak ngrohtësi ndaj meje, unë gëzohesha, çelesha, më hapej syri. Si  mbaroi së piri cigaren, xhaxhai na tha të hipnim në qerre dhe ne hipëm sipër kërcunjve, kurse vetë ai qëndroi para qeve gjatë gjithë tatëpjetës së pyllit, që të frenonte qetë, që të mos merrnin me vrap teposhtë e të përmbysnin qerren  Me të mbaruar tatëpjeta, xhaxhai i zhbreu qetë e u dha ujë te burimi. Ne u freskuam të tre. Hëngrëm mëngjesin. Këtu, xhaxhai preu edhe pjeprin e fundit që ishte më i ëmbli nga të gjithë pjeprat e tjerë, kurse gjysma e shalqinjve na dolën poça, të pa pjekur. Nisëm udhën për në shtëpi. Rruga tani ishte fushore. Do të kalonim Hajlerin që kishte aty-këtu  ca pellgje, mbeturina të kënetës së «Tërbufit», pastaj rruga ishte e thatë deri në fshatin Plug i Madh. Sapo lamë pas të tatëpjetën e Spolatës, atë copë rrugë me  pellgje kënete, po ecnim qetësisht përmes fushës së Labotit, xhaxhai ia mori këngës që, mbase kishte lidhej me xhaxheshën, gruan e tij leshverdhë për të cilën ai kishte dobësi të madhe: Shkarko drutë,/ Lidh shaminë,/Leshra verdha/Moj trëndelinë Gjate gjithë rrugës xhaxhai s’pushoi së kënduari këngë që lidheshin me gjendjen e tij shpirtërore. Vetëm, kur arritëm në atë pjesë të rrugës ku tragët e qerreve prisnin njëra-tjetrën dhe krijonin një thelë bakllavaje, xhaxhai e pushoi këngën. Shikoni, na tha, arritëm tek thela e bakllavasë. Tani s’na mbetet të udhëtojmë edhe aq shumë deri sa të arrijmë në shtëpi. Qetë vazhdonin të  tërhiqnin qerren duke u përtypur, xhaxhai vazhdonte të këndonte, qete ecnin nën ritmin e këngës së tij duke u përtypur, sikur kënga t’u pakësonte lodhjen dhe  t’u shtonte fuqitë. Kur po i afroheshim arës së Vidhishtës, xhaxhai zuri të këndojë përsëri këngën e tij te preferuar që lidhje, mbase, me xhaxheshën  leshraverdhë: Shkarko drutë,/Lidhe shaminë/Leshverdha/ Moj trëndelinë..  Por befas, nuhati një erë pjeprash që vinte andej nga ndodhej ara e Vidhishtës. Xhaxhai e pushoi këngën sikur ajo erë pjeprash ta kishte paralajmëruar për diçka të përzishme, të kobshme. Po kjo erë pjepri, ç’të jetë, nga vjen?, e sjell era, apo…?, na pyeti xhaxhai, e ndieni ju apo më bëhet mua se bie erë pjeprash?  Po i thamë ne, e ndiejmë. Duket se era vjen këtej nga ara e Vidhishtës. Xhaxhai u pre në fytyrë. Zbriti nga qerrja. Mori drejt arës së Vidhishtës. Ç’të shihte. Rrënjët e bostanit, së bashku me pjeprat ishin shkulur e hedhur mbi ferrën që rrethonte arën.  Rrënjët e bostanit qëndronin krahëhapur mbi ferrë dhe kokrrat e pjeprave të zverdhur paksa aty-këtu, dukeshin si koka fëmijësh që i kishin rrjepur e u kishin marrë skalpin. Ç’është kjo hata e kush e ka bërë? Kush e ka shkulur bostanin tim?.. Unë dhe Fadili shikonim rrënjët e pjeprave të nderur krahëhapur mbi ferra, me kokrrat e pjeprave si  koka fëmijësh që u kishin rrjepur lëkurën dhe po na vinte keq tashmë, jo  për pjeprat, por për  xhaxhanë që gati po tërbohej nga kjo gjemë. Xhaxhai kapi hosteni, shpoi qetë me inat, sikur ta kishin ata fajin. Qetë  nxituan, kurse xhaxhai dhe ne të dy, ndiqnim qerren që nxitonte drejt shtëpisë. Për një gjysmë ore, arritëm në oborrin e shtëpisë. Në oborr kishte dalë xhaxhesha dhe nëna ime. Të dyja kunatat kishin marrë ngjyrën e dheut në fytyrë. Kur xhaxhesha pa të shoqin që ishte pjekur e bërë tullë në fytyrë, jo vetëm  nga dielli, por ishte përflakur e kishte marrë zjarr edhe nga tërbimi e nga kobi që i kishte ndodhur. Pa pritur që ta pyeste i shoqi, xhaxhesha tha: kryetari i Këshillit, ai qeni, ai qeni i tërbuar dha urdhër të shkuleshin rrënjët e bostanit të mbjellë nëpër pambuk. Është urdhër nga lart, urdhri i qeverisë, bërtiste qeni, bostani nuk e lë pambukun të bëjë përpjetë dhe bën që pambuku të mos çel gonxhe. Si thoni ju ta lemë Kombinatin «Stalin» pa pambuk, t’i lemë punëtorët pa punë dhe popullin lakuriq? Bostanin tonë e shkuli vetë Kryetari i Këshillit, me zagarët e tij. Në asnjë arë tjetër s’vajti dhe atje, ku nuk vajti Kryetari, nuk u shkul asnjë rrënjë bostani. Ja kështu or burrë na e bëri ai, zagari i Këshillit, Ali Struga. Me ne e kishte xanxën, vetëm me ne e, me asnjë tjetër. Xhaxhait iu tërbimi aq sa s’mbante më. Ali Struga, Ali Struga, nisi të bërtasë tërbimshëm, xhaxhai, ti edhe buajt e beut, në vend që t’i ftohje e t’i lerosje, i mbysje në strugë, dhe thoshe fare pa të keq se buajt, pëlcitën vetë nga vapa e madhe. Pa e mbaruar mirë fjalën, xhaxhai kapi sëpatën që e kishte varur në rrapinën e qerres pranë shtambës së ujit dhe vrapoi për në zyrën e këshillit. Ku po shkon kështu?, i bërtiti xhaxhesha. T’i pres kokën atij qenit, Kryetarit të Këshillit. T’ia rrjep lëkurën dhe t’ia hedh në ferrë, atje ku ka hedhur ai rrënjët e pjeprave të mi. Po ai është Pushteti Popullor, mor burrë. Ngrihet sëpata kundër Pushtetit Popullor?  Nëse Pushteti Popullor është ai, aq më mirë atëherë. Do t’ia pres kokën e do t’ia hedh në ferrë, atje mes pjeprave të mi që i shkuli vetë  ai me dorën e tij…Po mua, ku do të më lesh? Po fëmijët? Por xhaxhai me sëpatë në dorë vrapoi i përflakur për në zyrën e Këshillit, ku ishte strukur Ali Struga. Atje ai e ndjente veten të sigurt, të pacënueshëm, të mbrojtur si në kullën e vet. Iku, tha xhaxhesha, iku, do më bëjë hatanë…, por  do zoti e s’e gjen në zyrë Kryetarin e Këshillit…

Po afronte mesnata dhe ai s’po vinte, atëherë xhaxhesha nuk priti më, por shkoi të pyeste në polici…

Filed Under: LETERSI Tagged With: Faslli Haliti, SHKULJA E BOSTANEVE

  • 1
  • 2
  • 3
  • …
  • 17
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NË TEQENË BEKTASHIANE SHQIPTARE NË MICHIGAN U FESTUA “SULLTAN NOVRUZI”
  • SHQIPTARËT E AMERIKËS MBLODHËN 140 MIJË E 500 USD PËR NDËRTIMIN E KËMBANARES SË KATEDRALES NËNË TEREZA NË PRISHTINË.
  • “DIELLI” ME SHQIPTARËT NË DANIMARKË
  • VATRA MICHIGAN SHTROI DARKË NDERIMI PËR PRINC LEKËN DHE KLERIN FETAR NË MICHIGAN
  • VATRA CHICAGO MORI PJESË NË PROMOVIMIN E LIBRIT “THE FLOWER OF VLORA” TË DR. ANNA KOHEN
  • “ARDIAN KOÇI DHE RINGJALLJA E FENOMENIT TË VETMBROJTJES POPULLORE”
  • Edhe shqiptarët duhet ta kenë Kërlezhën e tyre për të nxitur demokratizimin e shoqërisë serbe
  • Shën Patrik
  • PRANIMI I PROPOZIMIT EVROPIAN ËSHTË KOMPROMIS TJETËR I KOSOVËS
  • “Luba”, një dashuri që vërvitet mes kohrash dhe zhvesh sistemin diktatorial
  • SENJORIA E VENEDIKUT DHE RAPORTET E SAJ ME PRELATET KISHTAR E FAMILJET FINSIKE SHQIPTARE NË SHEKULLIN E XV-TË – KRYEIPESHKVI I DURRËSIT IMZOT PAL ENGJËLLI
  • Papa Klementi XI (Albani), një bibliofil me sqimë dhe themeluesi i Seksionit Oriental të Bibliotekës Apostolike të Vatikanit
  • THE NEWTON GRAPHIC (1975) / “NJERIU DHE LËVIZJA” — EKSPOZITA FOTOGRAFIKE E GJON MILIT NË MUZEUN E SHKENCAVE TË BOSTONIT
  • MUZIKË QË PIKON NGA GISHTËRINJTË E FËMIJËVE…
  • VATRA PROMOVON “DIPLOMACIA NDËRKOMBËTARE DHE ÇËSHTJA E KOSOVËS 1997-1999” MË 25 MARS 2023

Kategoritë

Arkiv

Tags

alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Hazir Mehmeti Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT