• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

«DIELLI DHE RRËKERAT» DHE TAKIMI ME RAMIZ ALINË

August 1, 2018 by dgreca

NGA FASLLI HALITI/

2Faslli-haliti-188x300   Viz. S.kamberi «Artist i Popullit»________________________________

Të paskan tmerruar ata lushnjarët. Ç’duan të thonë ata me këtë “sa pa qenë tepër vonë”? Domethënë sa pa të fut në burg. Më tha Ramiz Alia, sapo u futa në zyrën e tij në KQ________________________________

TAKIMI ME RAMIZ ALINË PËR KRITIKËN E 10 GJIMNAZISTËVE KUNDËR POEMËS  «DIELLI DHE RRËKERAT»

Kërkova të takohesha me shokun Ramiz Alia që ishte sekretar i Komitetit Qendror për ideologjinë.

Pas dy-tre kërkesash u takova me të.

Ilo Kodra më tregoi zyrën e shokut Ramiz. Trokita dhe u futa.

Në zyrë ishte shoku Ramiz dhe Hamit Beqja. Me të më parë shoku Ramiz shprehu habinë:

-Ti qenkë Faslli Haliti?

Unë të përfytyroja më të moshuar. Ti qenke i ri.

Unë atëhere isha 37 vjeç.

Hamit Beqja më tha të hiqja pardesynë mbasi zyra ishte e ngrohtë. Unë nuk e hoqa pardesynë, pasi xhaketën e kisha të vjetër. Ai më thotë përsëri:

-Po hiqe xhaketën se bën ngrohtë.

-Mirë e kam – i them.

-Po hiqe – më thotë.

-S’ka gjë se mirë e kam – i them.

Ndërhyri shoku Ramiz:

-Lere Hamit, lere, se myzeqarët edhe në mes të korrikut rrinë me fanela leshi.

U ula.

Hamit Beqjen e kisha përballë. Në krye të tavolinës në formë T-je qëndronte shoku Ramiz.

Në fillim biseduam për gjëra të zakonshme. Më pyeti për familjen. Mua më ishte tharë buza nga emocionet. Gjatë bisedës buza po më lëngëzohej. Më thotë:

-Ka diell Myzeqeja?

-Ka, si s’ka – i them.

-Të paskan tmerruar ata lushnjarët. Ç’duan të thonë ata me këtë “sa pa qenë tepër vonë”? Domethënë sa pa të fut në burg?

Pastaj shtoi me seriozitet.

-Mirë, mirë. Ne nuk jemi dakord me atë pjesë të kritikës që të bëhet në planin politik e personal. Për këtë do t’u heqim vërejtje atyre shokëve të gazetës “Shkëndija” dhe atij shokut të Komitetit të Partisë që përgjigjet për gazetën. Kritika që të bëhet për poemën qëndron, është e drejtë.

Ndërkaq shoku Ramiz nxjerr nga sirtari i tavolinës së tij, gazetën “Zëri i Rinisë ku ishte botuar poema dhe gazetën “Shkëndija” ku ishte botuar kritika e 10-të gjimnazistëve.

Më thotë:

-A bëjmë një diskutim krijues?

-E bëjmë – i them.

Diskutuam për poemën dhe kritikën.

Në kritikë thuhej se unë bëja thirrje me qitje të largët për përmbysjen e pushtetit popullor. Kjo ishte insinuata në planin politik. Në kritik thuhej gjithashtu se unë kërkoja vilë, kjo ishte insinuata në planin personal.

Kishte dhe insinuata të tjera. Kritika ishte vepër e përbashkët e H. Ç. Dhe e Razi Brahimit. Ndihmesë të madhe në përpilimin e saj kish dhënë padyshim edhe Gazmend Kongoli, konformisti, shkrimtari mediokër, Demka i sekretarit të Komitetit të Partisë, servili i

e prorëve, pederasti i demaskuar publikisht.

Më pyeti shoku Ramiz:

-Ky titull “Dielli dhe rrëkerat” mos ta kujton pak atë thënien “uji nga lart vjen i kulluar, por turbullohet rrugës?”

-I jam ruajtur kësaj. E dija që këtë e ka kritikuar shoku Enver – i them shokut Ramiz.

-Këtë s’kishe se si të mos e dije ti – më thotë shoku Ramiz.

Në të vërtet unë s’e dija që Enver Hoxha e kishte kritikuar, por ma bëri të ditur poeti Fatos Arapi, kur unë i dhashë poemën ta lexonte për të dhënë ndonjë mendim ose sugjerim. Dhe ai më sugjeroi që titullin e poemës ta ndryshoja, t’i vija një titull tjetër, sepse shprehjen se uji nga lart vjen i kulluar, por e turbullojnë rrugës të cilën e kishin thënë klerikët në gjyq dhe, Enver Hoxha me ta mësuar, e kishte kritikuar thënie e tyre. Atëherë i hoqa poemës titullin «Burimi dhe rrëkerat»dhe i vura titullin «Dielli dhe rrëkerat». 

Pastaj shoku Ramiz më tha:

-Ti Faslli, kap tema të mprehta dhe bën mirë. Më kanë pëlqyer disa poezi të tuat në revistën “Nëntori”. Vetëm duhet të kesh një gjë parasysh. Duhet që këto tema të mprehta të trajtohen saktë nga nga ana ideologjike. Kritika të integrohet, të shkrihet në gjithë poezinë. Nuk duhet që një strofë të jetë pozitive dhe tjetra negative. Pozitivja dhe negativja të shkrihen në një, në tërë poezinë.

Ndërhyn Hamit Beqja:

-Lenini ka thënë se « jeta ka tmerret e veta. Po u more me këto tmerre, tmerron dhe të tjerët veten edhe ».

-Stalini, pasi kish lexuar poemën «Bataku» të Demian Biedni e cila merrej me anët e errëta të jetës i tha ati se ai kishte rënë vetë në batak.

-I ditke mirë këto, më thotë Shoku Rmiz! Pra duhet të jesh më i saktë ideologjikisht. Me këtë nuk dua të them që t’i hedhësh verës ujë, domethën të mos e zbusja kritikën.

Kjo shprehje më dha zemër. Edhe habija e Ramiz Alisë se unë i dija mirë vërejtjet që i bëheshin Demjan Bjednit nga Komiteti Qëndror i PKBS, personalisht nga Stalini, tek i cili poeti ankohej se i bëheshin kritika tendencioze, më dha zemër. Fillova të bisedoj më lirshëm, më me guxim. Ramiz Alia m’u duk shumë i komportueshëm, shoqëror, gati liberal. Me të mund të bisedoje gjërë dhe thellë. Ndjehej shpirti tolerant i tij. Me mendje krahasova pritjen që më bëri Rrap Gjermeni, me pritjen që po më bënte Ramiz Alia. Ku njëri, ku tjetri.

-Edhe një gjë të kesh parasysh, – më thotë Ramiz Alia. – Partinë nuk duhet ta fetishizomë, apo jo?

-S’e kam fetishizuar – i them – ja e kam konkretizuar:

“Partia dhe Enveri kanë vënë dorën aty ku pikon” i lexova gjithë strofën. Më thotë me seriozitet:

-Që ti je një poet i talentuar, kjo s’ka diskutim.

Më bëri përshtypje ky vlerësim i Ramiz Alisë. Edhe më erdhi mirë, por edhe se si m’u duk, sikur…

Tani pas 17 vjetësh më duket sikur unë e  politizova bisedën. Nuk e di në se kam të drejtë, por kështu m’u duk.

Ramiz Alia kishte folur mirë për disa poezi të miat, sidomos për ciklin e nëntorit të vitit 1971 dhe të vitit 1972.

I pari përshtypjet e Ramiz Alisë, m’i tha Dritëro Agolli në prani të Nirvanës, gruas sime duke ecur drejt Radio Tiranës, ku Dritëroi po shkonte për të dhënë një intervistë. Dritëroi më tha se për poezitë e mia atij i kishte folur Ramiz Alia, se i kishte vlerësuar ato. Atë ditë Dritëroi më foli me entuziazëm për krijimtarinë time. Këtë vlerësim të Dritëroit unë e mora si diçka etike. Meqë unë isha me gruan, ai në sytë e saj, më foli me superlativa  për poezitë.

Edhe Kadareja pasi lexoi kritikën për poemën më tha se:poema është në rregull, se për të i kishte folur mirë Ramiz Alia, kur kishte shkuar në shtëpinë e tij që ta uronte për lindjen e vajzës, Besianës. Në bisedë e sipër për letërsinë, ra fjala për poetët e rinj. Ramiz Alia, më pyeti për ty nëse të njihja apo jo. I thashë se e njoh, se jam kujdesur për botimin e librit të parë «Sot».   Dhe ja tani shoku Ramiz më foli vetë direkt për poezitë e botuar në revistën «Nëntori».

Xhevahir Spahiu gjithashtu, më tha atëherë se për këto poezi të revistës  «Nëntori», kryeredaktori i «Zërit të popullit», Dashnor Mamaqi, kishte folur me entuziazëm para gazetarëve të Zërit…

Kjo poezi na duhet, iu tha Mamaqi gazetarëve.

Në fund të takimit shoku Ramiz më tha:

-Pra jemi dakort me kritikën që të bëhet në planin ideologjik, por nuk jemi dakort me kritikën që të bëhet në planin politik e personal. E kupton?

-E kuptoj – i them.

Takohemi. Më rrok në qafë. U ndam . Dola nga zyra. Poshtë në korridor më priste Kiço Blushi, i cili më shoqëroi gjatë gjithë peripecisë.

Një diçka.

Kiço Blushi insistoi dhe më nxiti që unë ta ngrija zërin kundër asaj kritike ultra denigruese. Bile i vinte inat që unë nguroja të takohesha me shokun Ramiz. Një nga arsyet që guxova të takohem me Ramiz Alinë ishte edhe nxitja e Kiço Blushit. Por nxitja më e madhe qe çasti kur Kiço më tha:

-Bisedoja një ditë me Ismail Kadarenë për punën tënde Faslli. Ismaili më thotë:

-More Kiço, pse është tulatur kaq shumë Faslliu, sikur të ketë ndonjë grup dhe ai të jetë kryetari i tyre.

I them Kiços duke qeshur:

-Si, si? Unë grup? Vërtetë kështu tha Ismaili?

-Po. Kështu tha. – Të betohem.

Të nesërmen kërkova takim me shokun Ramiz.

Ecja dhe mendoja. Para sysh më kalonin të gjitha telashet.

Pas leximit të kritikës së pashembullt që mund të ishte bërë për ndonjë krijues.

Kadare më thotë, mos u mërzit o Faslli Haliti. Mjafton të mos ia kemi me hile Partisë.M’u duk mjaft e sinqertë, inkurajuese kjo thënie e tij dhe me një formulim  që tregonte afërsi shoku, vëllai, madje. Sapo dola nga Komiteti Qëndror, bëra një copë rruge me Kiço Blushin.

-Hë, – më thotë, si vajti takimi.

-Shumë mirë, – i them, – shumë mirë.

Ecëm gjer te sheshi i Skënderbej. Aty u ndava me Kiçon.

Afër Lidhjes së Shkrimtarëve, përballë Kinema “Republika” takoj Ismail Kadarenë. Ishte me Luan Qafëzezin.

Hë, më tha, u takove me shokun Ramiz? U takova, i thashë. Si të priti? Shumë mirë, i them. Ç’të tha?  Më pyeti se mos titulli i poemës të kujton pak atë thënien se uji nga lart vjen i kulluar por turbullohet rrugës?

Kjo është e vërtetë, tha Kadare, pavarësisht se këta snuk duan ta pranojnë…

Unë u habita që Ismaili foli kështu në sytë e Luan Qafëzezit.

Po tjetër, më pyeti Ismaili. Tjetër, më tha, se nuk ka dyshim që ti je një poet i talentuar. Por të duhet të shprehesh më qartë kur trajton tema të guximshme, siç është lufta kundër shfaqeve të burokracisë apo kur kritikon kuadro të nomenklaturës…

-Po për Razi Brahimin të pyeti. Më pyeti, si s’më pyeti.

U habita që shoku Ramiz më pyeti për Raziun e zi, Gazmend Kongolin dhe për Hasanin, konatin e zëvendës ministrit të Ministrisë së Punëve të Brendshme.

Ç’kanë këta me ty?, më pyeti. Nuk e kuptoj, i them.

Po me Ismailin ç’kanë? Razi Brahimi e ka inatin me Ismail Kadarenë. Pse ç’ka Raziu me Ismailin? Raziu ka një urrejtje biologjike për Ismail Kadarenë. Po këta dy të tjerët, Gazmendi dhe Hasani, ç’kanë ?  Këta mbajnë anën e Raziut. Po Gazmendi si sillet me ty? Çkaaaaaa, i them duke e zvarritur fjalën çka.

Po  pse e vë dorën në zjarr, për atë maskara, mor Faslli Haliti, më tha Kadareja i cili i njihte mirë këtë xhongler, ambicjozt, xheloz dhe me karakter bitum.

***

Kur u ktheva në Lushnjë, më rrethuan shokët. Shtëpia u mbush plot. Djali im Helidoni që ishte i vogël, tre-katër vjeç, nuk e kuptonte pse vinin kaq shumë njerëz ato ditë në shtëpi. Manjola, vajza e mitur, gjithashtu. Plaka, nëna ime, e kuptonte se diçka e keqe vërtitej. Ajo  rrinte me gjak të ngrirë. Po kështu dhe gruaja ime, me të cilën bisedoja gjithçka.

Në qytet qarkullonin lloj-lloj mendimesh, fjalësh, supozimesh, pohime, mohime.

Dashamirësit thoshin se me porosi të Ramiz Alisë, mua më sollën me «Benz» nga Tirana në Lushnjë.

Ramiz Alia nuk e di ku ka kokën e vet, u thoshte me nervozizëm përkrahsve të poemës, vëllai i sekretarit të parë të komitetit të partisë që duke qenë vëllai i anëtarit të KQPPSH, anëtar i Presidiumit të Kuvendit Popullor i cili ishte në dijeni të disa zhvillimeve për të cilat nuk dinin gjë njerëzit e thjeshtë. Kritikuesit e poemës, beniaminët, militantët e komitetit të partisë dhe të sekretarit të parë, kishin përhapur versionin se mua nuk’më kishte pritur fare Ramiz Alia, se më kishin nxjerrë me shqelma nga zyra e tij

Por e vërteta qëndronte ashtu siç e tregova unë më sipër.

Shkurt 1973

PJEPRI I MADH

Gusht 1973

Mora në kooperativë një pjepër të madh, gati dhjetë kile. Më shumë e mora për bukuri, për të kujtuar ato vite kur xhaxhai binte nga Spolata pjepra dhe shalqinj të mëdhenj që na gëzonin shumë ne fëmijëve.

Doni u kënaq shumë kur e pa. Donte ta mbante para duarve, por pjepri ishte i madh, i rëndë. Shtëpia u mbush me erë të mirë. Nëna u kënaq. Mbase dhe asaj iu kujtuan ato vite kur ajo ecte nëpër bostanin e kopshtit dhe këpuste me dorën e saj pjeprin që i pëlqente më shumë.

Shtëpia binte erë fshat.

Doni luante me pjeprin si me një lodër origjinale që e kënaqte me formën, ngjyrën e verdhë dhe erën e mirë. Atë e tërhiqnin të tria. Unë i gëzohesha kënaqësisë së tij.

KANA ME UJË TË FRESKËT

Po gjatë gushtit

Punoja  në Barbullim. Gjatë gjithë verës, pas prashitjes, vapën e drekës e kaloja nën hijen e fikut të Mendu Beut. Kurse pjesëtarët e brigatës së arave e kalonin vapë në shtëpite e tre

Fiku ku unë veroja ishtë një fik i madh, i vjetër, plot degëza të thata, me hije të freskët. Nën të, të kapte veriu. Një veri i kulluar që vinte nga fushat i pastruar nga plepat, nga i gjithë blerimi. Fiku ndodhej në një kodër të bukur që rrihej e lahej nga veriu. Beu s’e kishte zgjedhur kot këtë kodër për ta mbjellur me fiq, ftonj, vreshta. Nuk e kishte mbjellur më kot fikun aty.

Kur shtrihesha nën fik mbrapsht me fytyrën lart. Shikoja fikun, degët dhe degëzat e tij. Para se të më kapte gjumi e shikoja gjatë atë kurorë dhe shihja në të lloj-lloj figurash që krijonin degëzat, boshllëqet, lojët e dritës.

Por fiku nuk kishte kokrra, kishte vetëm hije.

Një ditë më ndodhi diçka që unë nuk e mora vesh kurre.

Atë ditë kisha prashitur shumë misër hamullor. Vapa më ra në kokë. S’doja asgjë tjetër veç ujë dhe gjumë. Djersët më lanin gjithë trupin. Dukesha si një copë akulli që shkrinte. Sapo vajti ora e pushimit nxitova për tek fiku im mbi kodër. S’e zgjata. U shtriva mbrapsht me qëllim që veriu të më rrihte fytyrën e skuqur si tullë e sapo dalë nga kamina. Kisha një etje të lemerishme. Atë pagure me pak ujë që kisha me vete e piva. Uji i asaj pagureje më ndezi më shumë. Bëja të flija, s’më zinte gjumi. Nuk më linte etja. Dy buzët e mia ishin bërë si dy duna rëre të shkrumbuara. Megjithatë gjumi më zuri se isha i rraskapitur. Lodhja fitoi mbi etjen. Kuptova se lodhja më shpëtoi disi nga etja.

Kur më doli gjumi u çova. Ç’të shoh. Tek koka rrinte një kanë me ujë të freskët paksa e veshur, me pika djerse që binin poshtë si ca gjallesa që të shlodhnin me lëvizjet e tyre.

E kapa kanën e ujit me atë urgjencë që ka i eturi. Gati e piva të gjithë. Mora pak frymë dhe fillova të pi përsëri. Pashë që kana prej qelqi u tha.

E kisha pirë të gjithë me etje. Buzët nuk i kisha më të shkrumuara, të thara nga zhegu i vapës.

Kush të ma kishte sjellë atë kanë, atë çini, atë brokë me ujë të freskët? Kjo nuk m’u duk vetëm një çudi, por dhe. diçka i kalonte caqet e habisë dhe futej në kufijtë e përrallës.

Vërtetë ajo kanë me ujë të freskët te koka që më erdhi në kulmin e etjes, mund të merrej nga kushdo një ndodhi e pastër, e gëzueshme, si e zbritur nga qielli si një përkujdesje e ndonjerit nga pjesëtarët e brigatës së arave.që ma kish sjell te koka që kur të zgjohesha, të shuaja etjen… Kana mbulohej plot me pika uji që rridhnin poshtë si larva…

Pas kësaj u përpoqa që të mësoja se kush e kishte sjellë atë kanë me ujë të freskët. Gjatë përpjekjes për të mësuar se kush ishte njeriu që ma kishte sjellë, më zuri gjumi, një gjumë i thellë nën freskinë e hijes së fikut të Mendu Beut..

Kur u zgjova më vajti mendja se atë kanë me ujë mund të ma kishte sjellë Feruzja, një vajzë e re që mbase kishte konsideratë për mua ose i vinte keq që unë nga arsimtar isha bërë bujk, që kisha lënë nxënësit, që kisha lënë shkumësin me të cilin shkruaja temën e mësimit të ditës në dërras të zezë, dhe kishte rrokur kazmen për të prashitur, vaditur, për të hapur kanale, shkurt që bëja të gjitha punët që kishte kooperativa.

Sa i çuditshëm është njeriu. Mbase ajo vajzë që kishte kosideratë për mua a diçka përtej konsideratës, mbase ishte ajo që më kishte sjellë kanën me ujë të freskët në kohën e shpirtit, siç i thonë dhe ja unë nuk e mësova kurrë se kush ishte ajo, të paktën për ta falënderuar.

Pas dite filloi përsëri puna. Ali Krasniqi, shoku që më mbante afër më solli një shportë me fiq të zinj e të bardhë. Më gëzoi shumë. Do të shkoja në shtëpi me atë shportë apo kaçile. Sa do të gëzoheshin Lola dhe Doni. Sidomos Doni. Ai do ta merrte kaçilen. Do të lëvizte me të nëpër shtëpi gjersa të lodhej. Pastaj do të dilte t’u thoshte shokëve të shkallës se babai kishte sjellë fiq nga fshati.

Dal çdo gëzim e përhapte. Vetëm kështu e shijonte më shumë ai gëzimin që kishte.

Gëzimi i djalit dhe nderimi i fshatarëve

kooperativistë më përtërinin, më gjallëronitm më mbushnin me forca të çuditshme. Që nga kodra ku veroja në drekë shihja poshtë arat e mbjella me misër. Degët e misrit luanin me flladin e ndajnatës. Gjallëroheshin dhe ai gjallërim i tyre më përfshinte dhe mua.

Puna në bujqësi nuk më pengonte të mendoja për poezinë gjatë prashitjes apo korrjes. Kisha boll kohë të mendoje, por  jo të shkruaja… Kur Esenini filloi punë në një shtypshkronjë si radhitës, ankohej se ai nuk kishte kohë mendonte, pa le të shkruante…

 

 

Filed Under: ESSE Tagged With: «DIELLI DHE RRËKERAT» DHE, Faslli Haliti, takimi me Ramiz Aline

Të pathënat e takimit të Nënë Terezës me Ramiz Alinë

September 2, 2016 by dgreca

… dhe Nexhmije Hoxhën/

 -Bujar Kore: Ju rrëfej takimet e mia me Nënë Terezën. Të pathënat e takimit të Nënë Terezës me Ramiz Alinë dhe Nexhmije Hoxhën/

-Mu dukën të çuditshme përgjigjet e Ramiz Alisë dhe Nexhmije Hoxhës për fenë dhe misionin e saj/

-Ramiz Alia nuk lejoi që motrat e saj të çelnin misionin në Shqipëri në vitin 1989/

-Nexhmije Hoxha iu shmang kërkesës së Nënë Terezës, duke thënë, nuk vendos unë/

-Jam i pari operator shqiptar që kam filmuar vizitën e saj të parë historike më 1989/

-Kam mbi 10 orë xhirime me Nënë Terezën, por në arkiv është vetëm një orë, ish-drejtuesit i kanë shitur/

-19 tetor 2003 në Sheshin e Shën Pjetrit për lumturimin e Nënë Terezës, u njoh botërisht kush ishte Shqipëria/

1ok nene-tereza-1

Nga Albert Z. ZHOLi/

Ai mbetet në historinë e operatorëve shqiptarë, operatori i parë, i cili xhiroi vizitën e parë dhe të dytë të Nënë Terezës në Shqipëri. Emocionet e tij për këtë figurë gjigande shqiptare janë të jashtëzakonshme. Ai përshkruan me detaje të gjitha mbresat, takimet, lëvizjet, urimet, bekimet, komunikimin, dëshirat. Por e veçanta e tregimit të tij është se ai loton kur flet për këtë figurë të shquar, aq impresionuese kanë qenë ato xhirime. Për të, momentit magjik kur Nënë Tereza doli nga dera e avionit, bëri që Bujari për disa momente shtangu nga rrezatimi i figurës së saj, për disa momente nuk e vuri në lëvizje aparatin. Një nga momentet më magjike të saj është pritja që i bëri Papës në Rinas. Aty pa se si Nënë Terezën, Papa e puthi në ballë dhe nuk e lejoi t’i puthë dorën, pasi shenjtëria e saj ishte më e madhe, ndaj theksoi se “Nënë Tereza është Nëna e të gjithë Botës”.

 –Kur e keni takuar për herë të parë Nënën Terezë?

-Për herë të parë Nënën e Madhe të gjithë njerëzimit, e kam takuar në vitin 1989, kur ajo zbriti për herë të parë në aeroportin e Rinasit, në tokën shqiptare. ishte një vizitë historike, ku shtypi i huaj i dha rëndësi të madhe ndërsa media jonë e kaloi përciptazi. Ajo ishte e shoqëruar nga disa motra të saj. Ajo që më ra në sy ishte se atë nuk e priti asnjë zyrtar i lartë i kohës. Pra asnjë anëtar i Byrosë Politike apo Kryeministër, ndërkohë që në çdo vend të botës ku ajo shkonte pritej si Perëndi. Ishte një pritje e thjeshtë, tepër modeste për një grua të madhe. Ajo zbriti në Rinas ashtu shtatvogël por që linte pas një ndriçim prarues që të dukej se diçka ndriste në çdo hap që hidhte. Ecja e saj, veshja e saj, shikimi i saj ishte magjeps. Me të vërtetë ajo të shtangte. Bëja çudi kur një botë e tërë çohej në këmbë para saj në Shqipëri kjo lavdi ishte thuajse inegzistente. ishte koha kur ende feja në Shqipëri ishte e ndaluar dhe kultet fetare nuk ishin hapur dhe besimtarët luteshin fshehurazi nëpër shtëpi.

Kush e priti Nënë Terezën në Rinas?

-Ishte zv.minsitri i Shëndetësisë së asaj koha dhe kryetari Komitetit Ekzekutiv të Tiranës dhe nja dy tre të tjerë. Ishte një pritje e thjeshtë, pa shumë zhurmë dhe pa shumë ceremoni. Ajo ishte shoqëruar nga disa motra të Misionit te saj.

Ju atë kohë ishit i vetmi televizion në Shqipëri, si u ndjetë që ishit i pari operator, që keni xhiruar Nënë Terezën në Shqipëri?

-Sot kur e mendoj dhe e shikoj në retrospektivë them se kam lindur me fat së bashku me gazetarin Ferdinand Samarxhi. Ndoshta atë kohë atë moment duke pasur parasysh sistemin nuk pata ndonjë emocion, por sot kur shikoj famën, respektin, mirësitë, lavdinë e saj them se ndihem tepër i përkëdhelur. Por edhe ato moment i bëra shumë pyetje vetes. P.sh si ka mundësi që e presin një grua me emër dhe nuk i japin rëndësinë e duhur? Pse nuk pritet si priten shumë kryetarë partish komuniste apo anëtarë të Byrove Politike të vendeve ish-komuniste? E dija që feja ishte ndaluar tek ne dhe ajo ishte një shenjtore, por përderisa e linin të vizitonte Shqipërinë pse të mos bëheshin nderet e duhura?

-Si u ndjetë kur ajo zbriste shkallët e avionit?

-Kisha shumë kureshtje, kisha shumë mendime në kokë. Pritej një shenjtore. E mbaja kamerën në duar dhe prisja momentin të filmoja. Kur ajo zbriti shkallët e avionit për një moment u stepa. Nuk e shkela këmbëzën e filmimit. Kisha shumë kureshtje pasi hera e parë që isha në një pritje të tillë. Sa bëri hapat e para i thirra mendjes. Duhej të lija kureshtjen dhe të bëja detyrën. Unë nuk isha si ët gjithë pro me një detyrë specifike. E çoja kamerën me kujdes ku ajo shkelte. Prisja një gjigante, por ajo ishte e shkurtër e dobët, por kishte forcën e shpirt të madhe. Të impononte dëshirë për ta ndjekur, me atë fytyrë engjëllore dhe veshje specifike më bëri të tërin për vete.

Cili ishte qëllimi i vërtetë i Nënë Terezës në Shqipëri?

-Me sa mora vesh ajo kishte qëllim që misionin e Motrave të saj ta hapte dhe në Shqipëri. Donte patjetër që vendi ynë të ishte pjesë e këtij misioni fisnik. Por atë kohë ishte tjetër ideologji, jo çdo gjë mund të bëhej me një firmë. Feja ende ishte opium, ishte tejet e ndaluar. Ne në këtë drejtim ishim vendi më i pa fe në botë. Feja ishte tabu absolute.

Me cilët pati takime në atë kohë Nënë Tereza?

-Pati shumë takime, por unë do të veçoj dy. Takimi i parë ishte me Ramiz Alinë, vazhduesin e veprës dhe rrugës së Enverit (pra Sekretar i Parë i Komitetit Qendror të PPSH) dhe së dyti me Nexhmije Hoxhën. Takimi i parë u bë në zyrën e Ramiz Alisë dhe takimi i dytë në shtëpinë e Nexhmije Hoxhës. Në takimin me Ramiz Alinë Nënë Tereza i kërkoi shefit të PPSH për një vend apo ndërtesë për të hapur përfaqësinë e misionareve të saj në Tiranë. Të njëjtën kërkesë ja parashtroi dhe Nexhmijë Hoxhës.

Çfarë përgjigje i dha Ramizi dhe Nexhmija?

-Ata i dhanë afërsisht të njëjtën përgjigje. Ramizi i tha se nuk janë pjekur kushtet ën Shqipëri për ligjërimin e fesë dhe të misioneve të tilla fetare në Shqipëri, pasi është e ndaluar me Kushtetutë propaganda fetare. Ndërsa Nexhimja “më me diplomaci” ju përgjigj se nuk kishte ajo autoritetin dhe firmën për një diçka të tillë. Pra si duket ato ishin marrë vesh për të mos e lejuar hapjen e një misioni të tillë të Motrave në Nënë Terezës në Shqipëri. Por me sa shihja Nënë Tereza u habit dhe u mërzit shumë me këtë përgjigje, i dukej absurd. Kjo më tepër se misioni i Motrave të saj ishte përhapur në gjithë botën ku ajo respektohej si një Presidente. Më vinte keq shumë kur shihja fytyrën e saj që shprehte habi. Kishte besim se diçka pozitive do të ndodhte. Por…

A u dha lajm-kronikë në TVSH kjo vizitë?

-Eh…S’di ç’të them, por e vërteta ishte se u dha një kronikë vetëm 40 sekonda. Kronika përcillte se “ Sot në Tiranë erdhi për një vizitë Nënë Tereza….”. Pra shkurt, shkurt fare sikur bëhej fjalë për mbjelljen e domateve në një ndërmarrje bujqësore. Lajmin e përgatiti gazetari Ferdinand Samarxhi.

Ju, sa orë filmuat kur e shoqëruat (total)?

-Ju thashë që pata fatin dhe nderin e madh që të filmoj këtë vizitë. Ajo ishte një Hyjneshë e zotit. E filmova në të gjitha vendet ku shkoi dhe takimet që bëri. E filmova kur zbriti në Rinas, kur Takoi Ramiz Alinë, kur takoi Nexhmije Hoxhën dhe në disa vizita që bëri në veri të vendit. Kam shumë kujtime të bukura dhe foto me të. Kur më prekte dorën apo më afrohej më dukej sikur zoti vetë më merrte në mbrojtje. Kishte një frymë të shenjtë. Shumë takime nuk u dhanë por unë i kam në arkivin tim. Shumë të tjera i kanë marrë televizionet e tjera dhe i përcjellin tek shikuesi si të tyre, pa emër autori. Kam bërë mbi 10 orë xhirime, njëra më e mirë se tjetra. Xhirime që më kanë lënë mbresa të mëdha. Por sot në arkivin e RTSH nuk gjen as një orë xhirime. Ish-drejtorët e asaj kohe me radhë i përvetësuan dhe nuk e di ku i kanë çuar këto xhirime për përfitime personale.

 Kur ka ardhur për herë të dytë Nënë Tereza?

-Për herë të dytë ka ardhur kur proceset demokratike kishin sjellë demokracinë në Shqipëri. Ishte 18 gushti i vitit 1992, kur President ishte Sali Berisha dhe Kryeministër Aleksandër Meksi. Tashmë shumë gjëra kishin ndryshuar. Në këtë vizitë Nënë Tereza u shpreh hapur se “Shqipëria është toka e gjakut tim” dhe “Në vend të urrejtjes dashuri”. Asaj prej shumë vitesh i ishte mohuar e drejta të vizitonte Shqipërinë dhe varrezat e të afërmve në Sharrë që nga viti 1928 kur ishte larguar. Ajo nuk kishte vendosur një tufë me lule në varet e të afërmve të saj në Sharrë. Ajo zhvilloi takime me Sali Berishën dhe me Aleksandër Meksin, të cilët i dhanë mbështetjen për hapjen e misionit të saj të bamirësisë së Tiranë.

Po takimi i tretë?

-Vitit 1993! Nënë Tereza priti Papa Vojtilan në Rinas. Më bëri çudi për rëndësinë dhe dashurinë e madhe që tregoi Papa ndaj Nënë Terezës, Ajo donte ti puthte dorën ndërsa ai u ul paksa dhe i puthi kokën (ballin). Një gjest shumë human dhe vlerësues. Papa theksoi se Nënë Tereza është simboli i gjithë shqiptarëve por edhe të gjithë njerëzve të vuajtur. Ajo i ka bërë shqiptarët të njohur kudo në botë me veprën dhe punën e saj. Shërbimet e saj për të varfrit kudo në botë janë shumë të mëdha tha Papa. Ai e quajti Nënë Terezën Nënë të të gjithë Botës.

Kush ishte e veçanta e Nënë Terezës?

E veçanta ishte se ajo nuk bënte dallime në besimet fetare. Ajo të gjithë i quante njerëz dhe takoi krerët dhe besimtarët e të gjitha besimeve fetare, mysliman, bektashinj, ortodoks apo katolik.

Nga xhirimet për të dhe gjatë vizitave të saj, çfarë të veçante do të kujtosh?

-Janë shumë, shumë. Mbaj mend se në takimet që mbajti në Pukë me popullin, një njeri e kishin sjellë me barela pranë saj pasi nuk ecte. Për çudi, sa e vendosën barelën pranë saj, ai i habiti njerëzit përreth kur u çua për disa moment në këmbë. ishte një mrekulli. Ajo vetë nuk e besonte. Por dua të veçoj thjeshtësinë dhe bujarinë e madhe të saj. Sa herë shkonte në Vatikan, afër tij Nënë Tereza kishte dhomën e saj të gjumit. ishte dhoma më modeste që kam parë në jetën time. Unë kam filmuar shumë detaje të jetës së saj pasi ne bëmë një dokumentar me gazetarin Engjëll Ndocaj. Në atë dhomë kishte një krevat të thjeshtë, një tavolinë një frigorifer, perde të zakonshme dhe mbulesë të zakonshme që mund ti ketë dhe njeriu më i varfër në botë. Ajo që më ka bërë përshtypje në këtë dhomë ishte një zemër e improvizuar plastike ku brenda kishte formën reale të zemrës së saj, ku nëpërmjet gypave plastik dukej ose përcillej ngjyra e gjakut të saj. Pra një simbol i dashurisë njerëzore.

19 tetor 2003 në Sheshin e Shën Pjetrit për lumturimin e Nënë Terezës, cilat ishin të veçantat?

Kjo ditë ishte historike. Gjithë bota në këtë ditë njohu më shumë Shqipërinë. Në këtë ditë flamuri shqiptar zaptoi Vatikanin. Vetëm flamuri kuq e zi mbizotëronte. Në Sheshin e Shën Pjetrit ishin mbi 10 mijë vetë ku pjesa dërmuese ishin shqiptarë. Një moment historik. Gjithë bota njohu se kush ishte Shqipëria. Kishte shumë njerëz që se njihnin dhe morën vesh se çfarë figure të madhe nxori një vend i vogël.

E veçanta e bekimit të Kishës së Shkodrës?

Kur në Shqipëri u zyrtarizua feja dhe besimtarët u çliruan nga izolimi shpirtëror 50-vjeçar, Nënë Tereza nëpërmjet ish-zv.ministrit të Jashtëm shqiptar të vitit 1991 dërgoi ujë të bekuar, për të bekuar muret e kishës së Madhe në Shkodër. Ky gjest u diskutua shumë në botë.

Në Ditën e Lumturimit

Më 19 tetor 2003, në Sheshin e Shën Pjetrit në Vatikan, të mbushur përplot me shqiptarë të ardhur nga të gjitha viset, së bashku me qindra mijëra shtegtarë të ardhur nga mbarë bota, Papa Gjon Pali II e shqiptoi formulën kanonike të Kishës që e lartonte Ganxhe Bojaxhiun – Nënën e Madhe të të varfërve të mbarë botës, në nderimet e altarit. Ja fjalët e çastit kulmor, shqiptimi i Formulës së Lumturimit nga Papa Gjon Pali II atë ditë të paharrueshme të 19 tetorit 2003:

“Ne, duke përmbushur dëshirën e Vëllait tonë Lukas Sirkar, Kryeipeshkëv i Kalkutës, si dhe të shumë vëllezërve të tjerë në Episkopat e edhe të shumë besimtarëve, pasi kemi marrë mendimin e Kongregatës për Çështjet e Shenjtërve, me Autoritetin Tonë Apostolik pranojmë që Shërbëtorja e nderuar e Hyjit, Tereza e Kalkutës, tani e tutje të quhet “E Lume” e që festa e saj të kremtohet në vendet e sipas rregullave të caktuara nga e drejta kanonike, çdo vit, në ditën e lindjes së saj për qiell, më 5 shtator”.

 

Filed Under: Featured, Interviste Tagged With: Albert Z. Zholi, Nene Tereza, takimi me Ramiz Aline

Artikujt e fundit

  • Kryeministri Kurti mori pjesë në mbledhjen komemorative të organizuar në nderim të Heroit të Republikës së Kosovës, Afrim Bunjaku
  • Presidentja Osmani takon të dërguarin e posaçëm të Gjermanisë, Manuel Sarrazin
  • Lot të bardhë…
  • UDHËKRYQET E KOSOVËS…
  • Çfarë është deliri madhështisë?
  • Nevoja urgjente për lidership
  • NJË KËSHILL MBARËKOMBËTAR, PËR TË KOORDINUAR STRATEGJITË DHE MBROJTJEN E INTERESAVE TË SHQIPTARËVE NË BALLKAN…
  • Woodrow Wilson: Do të bëhej një komb i harbuar…
  • Veprat bamirëse të Mehmet Ali Pashë Kavallës në vendlindjen e tij
  • “VATRA” DHE SHTETFORMIMI KOMBËTAR
  • Aktivitetet e Vatrës kanë gjurmë të fuqishme në historinë e re të Kosovës
  • SOT NE PERVJETORIN E VDEKJES
  • STATEMENT BY AMBASSADOR JEFFREY M. HOVENIER September 24, 2023
  • Sulmi terrorist serb ndaj policisë së Kosovës, sulm ndaj sovranitetit të Kosovës
  • Kryeministri Kurti me anëtarë të kabinetit ndezën qirinj në nderim të heroit, Afrim Bunjaku

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT