Shkruan: Fadil LUSHI/
Dikur, në vitet gjashtëdhjetë të shekullit të kaluar, stacioni hekurudhor i Shkupit ndryshe quhej edhe si vendi i lotëve a “stacioni i shpresave të vdekura”(!?). Ishte një vend ku takoheshin familjet shqiptare nga Kosova, Maqedonia, Sanxhaku dhe nga Lugina e Preshevës. Ata pritnin trenin që do t’i degdiste pa kthim diku në “Ana-vatan”, gjegjësisht në Anadolli.
Në nënqiellin e Gadishullit Ilirik sot e kësaj dite lakohen ca refrene të një kënge shumë të vjetër qytetare. Dikur moti këtë këngë e dëgjonin nuset dhe nënat shqiptare, hiq mënjanë baballarët. Refreni i parë i kësaj kënge, paksa emotive, ishte kësisoj: “Kush ma s’pari bani, more djalë gurbetin, mos ja dhashtë allahi kurrë selametin…, pikë ma s’pari dola, pa bukë më shkoi dita, jabanxhi qëllova, ujë me lyp nuk dita, borë e shi tuj ramun në fund m’zuni nata…, jastëk guri pata…”. Sot kjo këngë nuk dëgjohet më në stacionin hekurudhor të Shkupit, po as në Kosovë, në veçanti në stacionin e autobusëve të kryeqendrës së saj…, aty ku nisen shpërnguljet biblike, trishtuese dhe tronditëse, aty ku grumbullohen njerëz të moshave të ndryshme, aty ku asnjeri nuk parashtron pyetjen: vallë ku do të shkojnë këta njerëz “taksiratli”, nuk pyesin sepse çdonjëri prej tyre e di vetëm atë të vërtetë se shkon drejt së panjohurës, drejt Evropës së lirë dhe të pasur, drejt demokracisë, drejt asimilimit, apo ndoshta edhe drejt një të ardhmeje më të mirë materiale (!??). Ata që janë më të moshuar dhe që kanë dalë atypari për t’i përcjellë “kurbetçinjtë allafrënga”, ashtu me dënesë do të thonë se: e gjithë kjo nuk është e moralshme nga ana e atyre që duhet të kujdesen për këta njerëz, e gjithë kjo nuk është e drejtë, e gjithë kjo nuk është me “tamam”, nuk është me vend…, ata do të thonë se: e gjithë kjo skenë është e llahtarshme, sidomos kur sheh foshnjat me lot në sy dhe të vendosura në “shporta thuprash”!??
“Arratisjet” a ikjet e shqiptarëve të Kosovës jashtë shtetit do të “pjellin”
qëndrime të ndryshme sidomos nga ana e gojëkëqijve, qofshin ata analistë, politikanë, nacionalistë provincialë dhe analfabetë. “Toptan” këta do të parapëlqejnë t’i shtrembërojnë lajmet burimore që janë trishtuese, por të besueshme…, ata këtyre lajmeve do t’ua heqin të gjitha të vërtetat duke i zëvendësuar ato me “fakte” të rreme a të sajuara. Disa do të thonë se, në gjithë këtë eksod biblik të shqiptarëve të Kosovës, kinse paska dorë a hise Serbia (!?) nga fakti se këtyre “dertlinjve” u mundësuaka ta shfrytëzojnë territorin e saj (!???)…, ca të tjerë do të thonë se pse autoritetet e Serbisë nuk i ndalojnë që të futen në tokën e tyre. Disa të tjerë do ta fajësojnë edhe shtetin e Hungarisë, se pse ajo i pranon shqiptarët nga njëra anë dhe, nga ana tjetër, pse nuk u krijon “kushte të mira strehimi azilkërkuesve shqiptarë!?” Të gjithë “harrojnë” të thonë se fillimisht këtë ndalesë duhet ta bëjë vetë shteti i Kosovës, nga ku arratisen këta njerëz…, ata harrojnë të thonë se në gjithë këtë katrahurë dhe eksod ka hise nëntoka serbe, ajo hungareze si dhe në veçanti ajo kosovare gjegjësisht kontrabandistët dhe sekserët kosovarë që janë sistemuar në Beograd, Suboticë, Horgosh, Segedin, Budapest si dhe në fshatrat përreth kufirit austro-hungarez…, aty…, ku i presin shqiptarët respe-ktivisht bashkatdhetarët e tyre që ashtu pamëshirshëm t’ua heqin a rrjepin lëkurën!
Në didaktikë ekziston një fabul që u shërben arsimtarëve, pedagogë-ve, nxënësve dhe studentëve. Kjo përrallëz mund t’i shërbejë edhe analistit, edhe policit kufitar, edhe doganierit, edhe politikanit shqiptar, edhe makiavelistit, edhe pushtetarit si dhe të tjerëve, të cilët me të vërtetë nuk i dinë shkaqet e këtij eksodi biblik. Nëse vërtet nuk i dinë këto shkaqe, atëherë le t’i kërkojnë në tregimin e shkurtër në vijim, në tregimin që llafos konfliktet mes njerëzve a “kafshëve”(!?)…, shkaqet do t’i gjejnë tek ata që shkelin mbi fatet e fukarenjve, tek ata që ushqehen me koka njerëzish, këtu në Gadishullin Ilirik të trazuar.
Na ishte njëherë një njeri me emrin Mug. Ai një ditë, kur po qëndronte buzë lumit e po mprehte sëpatën, ia thumboi këmbën një grerëz. Mugu aq shumë u zemërua, saqë mori sëpatën dhe preu degën e lisit aty pranë. Lisi u zemërua, saqë e shkundi folenë e dallëndysheve të vogla, që gjendej në degën tjetër. Kur dallëndyshja e pa këtë, aq shumë u zemërua, saqë e quku me sqep gjarprin që ishte i shtrirë poshtë. Gjarpri u zemërua, saqë e kafshoi arushën që kaloi aty pranë. Arusha aq shumë u zemërua, saqë e përmbysi kasollen e plakës (së mëhallës sonë – nënvizimi ynë) qyqare.
“Oj arushë!”, bërtiti plaka e zemëruar, “Do të duhet të ma paguash patjetër kasollen”. “Jo kurrë!”, u përgjigj arusha. “Fajin e ka gjarpri, ai më kafshoi, prandaj ta përmbysa kasollen”. Plaka shkoi te gjarpri dhe, e zemëruar, i tha: “O gjarpër, do të duhet të ma paguash patjetër kasollen”. “Jo, kurrë!”, u përgjigj gjarpri. “Dallëndyshja është fajtore, sepse ajo më çukiti me sqep!”. Plaka shkoi te dallëndyshja dhe, i tha: “Oj dallëndyshe, do të duhet të ma paguash patjetër kasollen”. “Jo, kurrë!”, u përgjigj dallëndyshja. “Druri është fajtor se e shkundi folenë me të vegjlit e mi”. Plaka shkoi te druri dhe, e zemëruar, i tha: “O lis, do të duhet të ma paguash patjetër kasollen”. “Jo, kurrë!”, u përgjigj lisi. “Fajin e ka Mugu që ma preu degën më të madhe”. Plaka shkoi te Mugu dhe i tha: “O Mug, do të duhet të ma paguash kasollen”. “Jo, kurrë!”, u përgjigj Mugu. “Fajtore është grerëza që ma thumboi këmbën”.
Në fund, plaka shkoi te grerëza dhe, e zemëruar, i tha: “Oj grerëz, do të duhet të ma paguash patjetër kasollen”. Grerëza nuk kishte kë të akuzonte, por edhe nuk mund t’i ndihmonte plakës (së mëhallës sonë). Prandaj derisa plaka e qortonte, grerëza fluturoi në pyll dhe asnjëherë më nuk u pa atypari.
Se cili politikan kosovar mund të identifikohet me atë njeriun që kishte emrin Mug, ne nuk e dimë. Po edhe sikur ta dinim, nuk jemi aq “budallenj” t’ia themi emrin…, se kush ishte ajo “plaka qyqare dhe e zemëruar”, edhe këtë nuk e dimë, se kush ishte ai “zvarraniku pa këmbë dhe me trup të gjatë”, nuk e dimë, se “grerëza nga shkoi a ku vajti”, nuk kemi haber, se “kasollja e plakës (nuk) u rindërtua diku në Kosovën e çliruar”, një Zot i madh e di. Ne që thurëm këtë shkrim, paksa johuman, dimë vetëm një gjë: thonë se dallëndyshet largohen (nga Kosova) në vjeshtë për të shkuar në vende të ngrohta, ato nuk duken më atypari, ndoshta në pranverë nuk do të kthehen më, ato tanimë janë zëvendësuar nga fise shqiptare…, nga “shtegtarët e shekullit njëzetenjë”…, nga njerëz që largohen e që shkojnë në vende të FTOHTA të Evropës hileqare!?.
P.S. Ti, i nderuar lexues, nëse gabova diçka në këtë vështrim, më ndje…, dikur edhe unë isha një “bari shtegtar!? ”