
Virgjil Kule/
Meraku më i madh i Skënderbeut kishte të bënte me njohjen e tij si subjekt juridik, si në planin lokal ashtu edhe në atë ndërkombëtar. Kjo ishte një punë tepër e vështirë. Ai erdhi nga Perandoria Osmane, krejt i panjohur në Perëndim. Kriza e panjohjes juridike duhej kapërcyer me çdo kusht.
Duhej firmosur, herët a vonë, në prani të noterit, ndonjë traktat, ndonjë marrëveshje apo ndonjë dokument tjetër me vlerë juridike.
Po si i vendosi firmat?
Nëpërmjet diplomacisë dhe nëpërmjet betejave.
Firmën e parë, atë lokale, e vendosi në Kuvendin e Lezhës. Të dytën, atë ndërkombëtare, në traktatin e paqes që bëri me Venedikun, pas një lufte të ashpër kundër tij, në vitin 1448. Pastaj erdhi e treta, me Alfonsin e Napolit; e katërta, me Sulltan Mehmetin; e pesta, sërish me Venedikun… e kështu me radhë.
Kastrioti u bë palë juridike (me vulë e me firmë), si në marrëdhëniet me të vetët, ashtu edhe me perëndimorët e me osmanët. Një proces sui generis, i denjë për manualet juridike.
(Hollësitë te libri “GJ.K.S. – Kryqtari i Fundit”)