Lushnja-Naftëtari 2-1
GOLAT: E.Korreshi 24′, Metushi 32′/ Alushi 86′
LUSHNJA: Spaho, Sula (Dabulla 46′), Stojkoviç, H.Korreshi, Bizhyti, Topi, Gjyla, E.Korreshi, Çela, Metushi (Kulli 46′), Canka. Trajner: A.Bano
NAFTËTARI: Mema, Hoxha, Daci (Gega 46′), Kaja, Hodaj, A.Gega, Alushi, Çela, Koroveshi, Zylyftari (Azizaj 46′), Olatunji (Marini 75′). Trajner: E.Koxhaj
KARTONË TË VERDHË: Stojkoviç 44′, Dabulla 89′
GJYQTARË: H.Llapica (Vlorë), N.Bregasi, E.Velo (Durrës)
VËZHGUES: E.Kalimeri (Tiranë)
DELEGAT: D.Bastari (Tiranë)
Pasi siguroi dy javë më parë ngjitjen në Superiore, Lushnja u shpall dje matematikisht edhe kampione e Kategorisë së Parë, dy javë nga përfundimi i kampionatit. Verdhejeshilët fituan dje 2-1 ndaj Naftëtarit në Kavajë dhe tashmë kanë nisur festën, e cila do kulmojë më 11 maj në sfidën e fundit të sezonit ndaj Partizanit, kur do të ngrenë edhe trofeun. E gjithë merita shkon për shkollën lushnjare të futbollit, që nga trajneri Bano deri te kapiteni Çela. Lushnja e Sefës, Gogonit, Banos e tjerëve mbetet një emblemë e Superiores. Ekipi ka në gjirin e vet edhe golashënuesin më të mirë të kampionatit deri tani, Mikel Canka, i cili është shumë pranë fitimit të “Këpucës së Artë”. Dje nuk arriti të shënonte.
Ndeshja – Lushnja ka hyrë në fushën e blertë me bindjen se do ta mundte Naftëtarin, që e ka prerë zyrtarisht biletën për në Kategorinë e Dytë. Loja ka nisur me dëshirën e verdhejeshilëve për të shënuar sa më shpejt. Rastet vijojnë njëri pas tjetrit dhe goli vjen vetëm në minutën e 24-t, kur Erlind Korreshi në hyrje të zonës lëshon një predhë të vërtetë duke e kaluar Lushnjën në avantazh. Miqtë pavarësisht dëshirës, nuk mundën dot të çanin mesfushën lushnjare ku kapiteni Gentian Çela si dikur në rininë e tij dirigjon në mënyrë perfekte lojën. Presioni lushnjar sjell edhe golin e dytë të shënuar nga Metushi, që fotokopjon Korreshin. Metushi godet nga jashtë zone dhe gjen rrjetën e Memës. Të dy trajnerët e nisin me nga dy ndërrime fraksionin e dytë. Bano fut në lojë edhe Dabullën. Ndryshe nga 45 minutat e para, miqtë reagojnë më mirë dhe Alushi e Gega duken sikur ndryshojnë manovrën sulmuese të miqve. Nga ana e tyre, lushnjarët të qetë se fitorja nuk u rrezikohej dot nga kundërshtari, mundohen të nxjerrin para portës golashënuesin Canka. Në fakt, lojtari arriti të dilte disa herë i lirë, por nuk ishte dita e tij. Kjo u pa qartë kur një prej goditjeve të tij u ndalua nga shtylla traversale. Dhe, kur lojës po i vinte fundi, 19-vjeçari Alushi i miqve kryen një veprim të bukur në zonë dhe shënon. Minutat e mbetura nuk sjellin asgjë dhe Lushnja fiton 2-1.
Bano: Merita është e të gjithëve
Pas ndeshjes së djeshme, trajneri i Lushnjës, Artan Bano u shpreh: “Ishte një fitore e merituar, të cilën nuk e diskutuam për asnjë moment. Kjo fitore na shpall kampionë. Për këtë sukses kanë kontribuar dhe kanë meritë të gjithë, që nga kryetari i Bashkisë së Lushnjës, donatorët, fansat tanë të zjarrtë dhe lojtarët. Ndihem i lumtur që munda të kontribuoj në rikthimin e Lushnjës në Superiore. Nuk më mbetet tjetër veçse t’i falënderoj të gjithë ata që kontribuan për këtë ekip. Para së gjithash, lojtarët tanë janë sjellë më shumë se profesionistë të vërtetë. Festën e vërtetë do ta zhvillojmë më 11 maj, kur do luajmë me Partizanin. Ia vlen që tifozët tanë të gëzojnë përballë një tjetër emri të madh, atij të Partizanit”.
Çela: Fitoi shkolla lushnjare
Kapiteni i Lushnjës, Gentian Çela, ka një arsye më shumë për të festuar dhe u ndjerë më se i lumtur. “Sigurisht që ndihem i lumtur. Para së gjithash bëmë detyrën, duke e rikthyer Lushnjën në Superiore dhe tani u shpallëm edhe kampionë. Nëse shihni formacionin, kuptoni se grupi është ‘Made in Lushnja’ që nga porta deri te trajneri Artan Bano. Këtë e çmoj si fitoren më të madhe, shkollën lushnjare. Megjithatë, meritë kanë të gjithë lojtarët, trajneri Bano, bashkia dhe donatorët. Sigurisht që një falënderim i madh shkon për të gjithë tifozët e kësaj skuadre dhe veçanërisht për ‘Ultrasit Lagunar’. Pa ata kjo Lushnjë kurrë nuk do të ishte rikthyer në Superiore, apo të fitonte titullin kampion”.
FERIZ FERIZAJ