
Prof.as.dr. Hasan Bello/
Në fjalorin enciklopedik “Kamusu’l-Alam” të botuar në Stamboll në vitin 1890, intelektuali dhe rilindasi i njohur Sami Frashëri i ndante qytetet shqiptare në tre kategori.
1-Shkodrën, Prizrenin, Manastirin dhe Janinën ai i konsideronte si qytete të kategorisë së parë, popullsia e të cilave ishte mbi 30 mijë banorë.
2-Pejën, Gjakovën, Prishtinën, Shkupin, Tetovën, Dibrën, Tiranën, Elbasanin, Beratin, Ohrin, Korçën, Kosturin, Gjirokastrën dhe Prevezën ai i konsideronte si qytete të kategorisë së dytë, popullsia e të cilëve ishte ndërmjet 10 mijë – 20 mijë banorë.
3-Ndërsa në kategorinë e tretë ai klasifikonte Lezhën, Gucinë, Plavën, Mitrovicën, Kumanovën, Gostivarin, Velesin, Prilepin, Resnjen, Krujën, Durrësin, Kavajën, Vlorën, Tepelenën, Përmetin, Delvinën, Konicën, Miçovën, Filatin, Ajdonatin, Margëlliçin dhe Pargën, të cilat i konsideronte qyteza me popullsi mbi 3 mijë banorë.
Katër qytetet e para ishin edhe qendrat e vilajeteve shqiptare, ku përveç administratës lokale ishte përqendruar një pjesë e madhe e popullsisë.
Ky kategorizim kishte një rëndësi të madhe për kohën, për shkak se krijonte një perceptim gjeografik e politik në opinionin publik të atyre viteve (dhe në studimet e mëvonshme), lidhur me territoret shqiptare në pjesën evropiane të Perandorisë Osmane.