
Irena Dragoti/
Letërsia, ndryshe nga shkencat ekzakte, nuk është fushë meritokratike ku talenti i pastër është garancia kryesore për sukses. Në të vërtetë, një shkrimtar mund të jetë gjeni i lindur, por pa mbështetje nga një mentor, një figurë e njohur e letërsisë, institucionet letrare apo politikat e sistemit dhe kohës ku atij i ra mosha të jetojë mund të mbetet edhe i panjohur, të mos botohet kurrë ndoshta apo të nënvlerësohet deri në demoralizim nga kritika e shtypi i kohës e rrjedhimisht edhe nga lexuesi. Nga ana tjetër, ndodh shpesh edhe e kundërta që një shkrimtar i patalentuar të promovohet nga qarqe të fuqishme letrare a politike dhe të marrë një famë e vëmendje të pajustifikuar. Pra roli i një mentori , kritiku apo institucioni letrar është thikë me dy presa për fatin e individëve që aspirojnë emrin shkrimtar dhe letërsisë në tërësi duke krijuar ose shkatërruar. Shumë kritikë letrarë dhe filozofë të kulturës, me qasjet e tyre mbi këtë çështje kanë dhënë analiza të faktuara për probabilitetin nëse një shkrimtar i talentuar të bëhet i njohur pa mbështetje.
E fillojmë me rolin e fuqishëm të një mentori në formësimin e një shkrimtari në letërsi…
Letërisa është ekosistem ku talenti i një autori shpeshherë nuk është i mjaftueshëm për të arritur suksesin. Harold Bloom, një nga kritikët më të njohur të shekullit XX, në veprën e tij “The Anxiety of Influence” (1973), argumenton se krijimtaria e një shkrimtari është e lidhur ngushtë me ndikimin që ai merr nga paraardhësit e tij. Sipas tij, një autor nuk mund të ekzistojë në izolim. Ai formohet nga dialogu me shkrimtarët e mëparshëm, nga mënyra se si i kundërvihet ose i ripërpunon ata. Në këtë kontekst, një mentor i fuqishëm jo vetëm që ndikon në stilin dhe zhvillimin e një shkrimtari të ri, por gjithashtu mund ta ndihmojë atë të depërtojë si i barabartë në skenën letrare.
Shembujt historikë e mbështesin këtë teori:
• Ezra Pound dhe James Joyce – Pound e ndihmoi Joyce-in të depërtonte në botën letrare duke e prezantuar me botues të njohur dhe duke promovuar punën e tij.
• T.S. Eliot dhe Geoffrey Faber – Faber, si botues, e mbështeti Eliot-in dhe e ndihmoi të bëhej një nga poetët më të rëndësishëm të shekullit XX.
Ekziston një probabilitet i madh që vepra e tyre të mos njihej gjerësisht, ose të ishte zbuluar pas vdekjes pa ndihmën e këtyre mentorëve. Por lind pyetja si mund të krijohet ky probabilitet pasi një shkrimtar i ri nuk mundet të tërheqë prej xhakete me pahir një mentor, kritik a shkrimtar të madh në interes të tij, kur të gjithë ne si krijues jemi dëshmitarë që përkundrejt shumë shkrimtarëve të mëdhenj nuk ke mundësinë e afrimit apo të leximit tënd prej tyre, kur shumë prej tyre për të zbuluar e ndihmuar një element të ri jo rrallëherë e kthejnë në biznes ku vlera e talentit është e papërfillshme përballë parave! Rëndom shohim që disa shkrimtarë të rinj me çmim famën përfundojnë duke ndërruar pozicionimin nga nxënës në argat pra përdoren nga mentorët e tyre si mjet për tju reklamuar vlerat e për të qenë “ masha” e tyre në çdo kohë në biznesin letrar. Do ndalesha sot në intervistën e një shkrimtari të njohur në një revistë letrare para pak muajsh ku ndër të tjera ai përmend emrat e dy autorëve për dy motive të ndryshme. Pak kohë më pas gjej po këta dy autorë me hapësirë letrare në të njëjtën revistë, gjë e pandodhur më parë për ta. Pra revista e mori të hipotekuar mendimin e shkrimtarit dhe nuk e peshoi vlerën e tyre reale duke i dhënë një suport të tillë që shumë shkrimtarë të talentuar nuk e kanë arritur prej vitesh. Ky është rasti kur pompohet një shkrimtar i ri nga një fjalë e vetme.
Tjetër faktor vendimtar për suksesin e një shkrimtari është mënyra se si e pritet vepra e tij nga kritikët dhe botuesit. Pierre Bourdieu, në librin e tij The Rules of Art (1996), argumenton se letërsia funksionon brenda një “fushe kulturore”, ku pushteti shpërndahet midis botuesve, kritikëve dhe institucioneve letrare.
Shumë shkrimtarë që u refuzuan fillimisht nga kritika , koha provoi vlerën e tyre si psh Marcel Proust. – Kur Proust i dërgoi dorëshkrimin e “Në kërkim të kohës së humbur” botuesit André Gide, ai e refuzoi, duke e konsideruar vepër të pakuptimtë. Më vonë, Gide e pranoi gabimin dhe e quajti këtë refuzim “gabimin më të madh të karrierës së tij letrare”.
Apo Herman Melville – Moby-Dick u prit me indiferencë nga kritikët dhe dështoi komercialisht, duke e shtyrë Melville-in të largohej nga letërsia për dekada. Vepra e tij u vlerësua vetëm pas vdekjes së tij.
Në mes miqve të mi virtualë ndodhet një poete e cila në gjykimin tim është e talentuar por pa ndonjë strategji konkrete për artin e saj, me një prirje drejt poezisë së lirë e mungesës së kompromiseve me të “ mëdhenjtë” apo me grupimet a intitucionet ndaj prej kohësh e shoh të abandonuar ndërkohë që pa frikë e them se ka shumë Emily Dickinson brenda saj. Pyes vehten pse ndodh kjo kur duhet të ishte krenari e mbështetje vizuale e institucionale për të gjithë? A është kjo një vlerë e humbur për letërsinë shqip? Pse nuk mundet dikush që e do poezinë pa ekuivoke ti japë dorën jo për famën e saj të cilën me sa shoh nuk është duke e kërkuar por për letërsinë si pasuri. Mos vallë tremben nga konkurenca? Mos vallë mendojnë se drita e saj do ta futë në hije?
Pra ndodh të refuzohet dhe ana monetare nga një mentor për shkak të egos personale!
Dhe e kundërta ndodh kur në qarqet letrare promovohet mediokriteti letrar si vlerë. Roland Barthes, në esenë e tij “The Death of the Author “(1967), argumenton se lexuesi duhet të shkëputet nga figura e autorit dhe të fokusohet tek vepra. Megjithatë, në realitetin e botës letrare, figura e autorit dhe rrjetet e tij të ndikimit shpesh janë më të rëndësishme sesa cilësia e veprës. Disa shembuj realë kanë treguar se shkrimtarë të dobët janë promovuar për arsye ideologjike ose për shkak të lidhjeve të tyre me qarqe të fuqishme politike. Në epokat totalitare, njëjtë si vendi ynë për 50 vite shumë autorë që shkruanin sipas linjave të regjimit u bënë të famshëm, ndërsa shkrimtarët me talent të vërtetë u shtypën ose u censuruan dhe u burgosën a u pushkatuan. Në tregun modern të librave, shumë bestsellerë promovohen nga shtëpi botuese të mëdha për shkak të marketingut dhe jo për vlerën artistike të tyre.
Ky fenomen krijon një cikël ku letërsia e dobët merr vëmendje, ndërsa talentet e vërteta shpesh mbeten në hije.
Sa është probabiliteti që një krijues i talentuar të bëhet i njohur pa u mbështetur nga askush?- lind pyetja.
Nëse do shohim statistika e analiza realiste, probabiliteti që një shkrimtar i talentuar të bëhet i njohur pa mbështetje është shumë i ulët rreth 5% për shumë e shumë faktorë por unë po veçoj tre prej tyre.
1. Dominimi i institucioneve letrare – Kritika dhe botimet janë shpesh të mbyllura për emrat e rinj.
2. Tregu i librave – Botuesit shpesh zgjedhin autorë që sjellin fitim ekonomik me famën apo marketingun e tyre, jo domosdoshmërisht cilësi.
3. Mungesa e rrjeteve të promovimit – Një shkrimtar i panjohur e ka vështirë të depërtojë pa ndihmën e një mentori ose institucioni me ndikim. Askush nuk e lëshon vendin e parë, askush nuk “ngopet”me çka ka arritur duke e parë letërsinë si garë të vazhdueshme rreshtimi medaljesh, titujsh, shitjesh, lakimesh televizive.
. Siç thekson Harold Bloom, letërsia është një dialog mes autorëve dhe ndikimit të tyre. Për këtë arsye, përgjegjësia e kritikëve, botuesve dhe mentorëve është thelbësore për të ruajtur cilësinë e letërsisë dhe për të siguruar që talenti i vërtetë të mos mbetet në hije. Në letërsinë shqipe, ku sundoi diktatura komuniste për 50 vite dhe në letërsi përpos ndikimit të shkrimtarëve të njohur, letërsia është karakterizuar edhe nga ndikimi i ideologjive politike, duke çuar në kufizime të mëdha për ata që nuk u përshtatën me “lëndën ideologjike” të kohës , rrënim dhe shkatërrim të tyre duke i fshirë dhe përfundimisht nga kujtesa letrare. Edhe pas viteve 90 me nderrimin e sistemit duket se letërsia shqipe nuk i ka shpëtuar mentalitetit të idhujve ngritur nga propaganda politike, duket sikur dhe vet shkrimtarët e kësaj periudhe e kanë bindur veten se janë të pazëvendësueshëm se atë famë që zotërojnë e kanë veç nga talenti i tyre! Krahasimorja e larmisë dhe lirisë së botimeve jo pak lexuesve ua kanë lëkundur këto pozita. Ndërsa dikur lexonim me impomim çka na ofrohej sot lexojmë e krahasojmë. Ende vazhdon trumpetimi i orës së ndalur duke sjellë si argument anarshinë e letërsisë këto 33 vite! Aktivitetet e institucioneve letrare bëhen me ftesa nën rrogoz e në podiume sheh të njëjtat fytyra të 50 viteve! Në konkurset letrare sheh të marrin vendime njerëz që nuk kanë shkëlqyer kurrë në fushën e letrave! Kurse ata që u përndoqën, burgosën apo vranë ende nuk u ka ardhur koha për rehabilitim. Po njëjtë ndodh me autorët në emigrim të cilët bëhen të dukshëm nëse një atdhe tjetër i vlerëson apo i shtrin dorën. Pra një shkrimtar i ri e paska njëjtë vështirë sa një shkrimtar i persekutuar apo sa një shkrimtar në emigrim.
Pjetër Arbnori, një shkrimtar e një ish i burgosur politik shpesh ka theksuar se për shumë shkrimtarë të rinj, qasja e vështirë te botuesit dhe kritikët ka qenë një barrierë e pakalueshme. Shkrimtarët që janë “të papërkrahur” nga qarqet e fuqishme janë të detyruar të përballen me një treg të pasigurt me mungesë e bllokim rrugësh për t’u bërë të njohur. Në letërsi me pak fjalë sot në mungesë të atyre çka thamë më sipër ka mbetur veç kombinimi i talentit me shpirtin luftarak të shkrimtarit për të mbijetuar.
Shpesh dëgjoj të thonë që koha pluskon e nxjerr në sipërfaqe të vërtetën e vlerat , por kur kjo e vërtetë nuk ka dëshmi të gdhendura kur kjo e vërtetë nuk ka asnjë ofertë përtej virtualitetit për letërsinë e vendit të tij sot që është gjallë, çdo mbetet nesër veç ca kg letër e rrjete sociale.
Të “ ndërshkuarit” po i quaj këto kategori kanë nevojë për politika gjithëpërfshirëse, institucionale fillimisht e më pas ndërgjegjësore të njerëzve që e duan letërsinë me shpirt jo si përfitim moral e monetar.