Robert Budina/
Për herë të parë në ekranin e televizionit vjen një film serial dramatik shqiptar, mbi përpjekjen e tre gazetareve investigative, që zbulojnë një mega skandal, se si politika në bashkëpunim me biznesin dhe duke përdorur krimin vjedh pasuritë e shqiptarëve. Çfarë fshihet pas këtij skandali? Sa do të rrezikojnë gazetaret tona? Filmi serial KATRORI I PUSHTETIT do të shfaqet nga e diela, datë 9 janar 2022 për tetë të djela rresht në TV KLAN. Filmi e merr frymëzimin nga realiteti i hidhur social politik shqiptar dhe sfidat me të cilat njerzit e përgjegjshëm në këtë vend duhet të përballen përditë, që nga mbijetesa, presionet e deri tek kërcënimet kur i kundërvihen një pushteti mafioz që po gllabëron përveç pasurive të vendit edhe fjalën e lirë.
Dy fjalë të regjisorit Robert Budina
Përpjekja për të qënë një krijues i pavarur dhe trajtuar problemet që shqetësojnë vendin tim ka qënë sfida e kahershme në të gjitha krijimet e mija, që kur isha student për regji teatri në Akademinë e Arteve në fundin e diktaturës. Të jetuarit në kohë me konflikte të mprehta politike e sociale, më bëri të reflektoj se krijimi artistik nuk është thjesht një shprehi estetike. Atë e kam konceptuar gjithmonë, si një faltore ku të mund të tregoj mëkatet e mia dhe të qenies njerëzore në përballje me të keqen, si një katharsis shoqëror. Pas një eksperience profesionale dhe njerëzore të gjatë, në përballje me mekanizmin e katrorit të pushtetit, vendosa ta rrefej shqetësimin tim si krijues, për mënyrën se si ai shfaqet në jetën tonë të përditshme, përmes një zhanri pak të eksploruar tek ne, ai i “filmit serial”. Përtej realitetit, ky projekt synon të ringjall besimin se media dhe gazetaria mbeten instrumenti i vetëm për të rrëfyer të vërtetën në favor të interesit publik pa kompromis. Të jesh kritik me pushtetin në Shqipëri është një sport i vështirë, dhe të bësh art duke qënë hapur kundër pushtetit është utopi. Pa lëre pastaj të bësh art të angazhuar. Ka nga ata, që e kuptojnë sikur po bën politikë dhe jo art, sepse realizmi socialist i ka rrënjët e thella dhe ende një pjesë e madhe filmin e shohin si propogandë. Mos flasim për autocensurën që shumë prej nesh nga frika e mbijetesës e japin gratis në këmbim të lirisë tyre. Arti nëse do të jetë i vërtetë dhe pro publikut, është i destinuar të jetë në opozitë, sepse duhet të trajtojë problemet që shqetësojnë një shoqëri nëse përndryshe nuk do të kthehet në propogandë.Arti ka qënë mjeti i parë opozitar që njerzimi ka shpikur. Link: https://we.tl/t-vuBqW6bs62