
Nga FRANCESCO BATTISTINI DHE MILENA GABANELLI
2221 Baker Street. Të apasionuarit mbas librave të verdhë e dijnë se ajo adresë në qëndrën e Londrës është shtëpia e Sherlock Holmes. Pronari i fundit i pallatit quhej Rakhat Alijev: një ish ambassador që ishte martuar me Darigën, bijën e parë të të parit – e për 29 vite I vetmi president I Kazakistanit, Nursultan Nazarbajev. I rënë në fatkeqësi dhe i ikur n’Evropë, Alijev kishte mbërritur të padiste publikisht se sa i korruptuar ishte regjimi i ish vjehrrit. Në 2014 e arrestuan n’Austri, me padinë se kishte vrarë dy funksionarë kazakë. Tetë muaj më vonë, ndërsa priste gjykimin, e gjetën të varur në qelinë e tij në Vjenë. Pronar bankash e rafinerish, u zbulua se Alijevi ishte mbajtës i muzeut të Sherlock Holmes-it e të gjitha shtëpive të Baker Street që shkojnë nga numëri 215 në 237: vlera 215 milionë dollarë. Por pronësia e paluajtëshme e përgjithshme është prej 450 milion dollarësh. Është vetëm një pikë uji në detin e pafund të arit të klanit Nazarbajev.
Në Kazakistanin e pasur vuajnë nga uria
Në Kazakistan, më 2 janar, shpërtheu një kryengritje kundër shtrenjtimit të jetesës, aq e ashpër sa të bindëte Putinin të dërgonte ushtrinë në mbështetje të qeverisë mike. Më e pasura e më e shtrira nga republikat sovjetike n’Azinë Qëndrore – me më pak se 20 milionë banorë – është edhe eksportuesi më i madh botëror i uraniumit dhe ka rezervën e dytë më të madhe naftëmbajtëse të botës. Megjithatë e ardhura mesatare familiare e kazakëve nuk arrin as në 600 dollarë mujorë dhe gjysma e gjithë pasurisë kombëtare është në duart e 162 njerëzve. 81 vjeçari baba pronari i Kazakistanit e ka lënë kryesinë tre vite më parë, dhe mbas revoltës popullore, duket se nuk kontrollon më makinën e pushtetit, por klani i tij, nja pesëdhjetë vetë ndërmjet nipash e familiarësh, zotëron ende gjithshka: 40 miliardë dollarë vetëm në të holla. Sigurisht protestat për shtrenjtimin e gazit të lëngët i paskëshin shkaktuar një humbje prej 3 miliard dollarësh bijës së dytë të Nazarbajevit, Dinara, dhe bashkëshortit të saj Timur Kulibajev: njëri ndër mijë njerëzve më të pasur të botës, pronar i fondit sovran, i të gjithë hidrokarbureve e të një pjese të mirë të bankavet kazake.
Të gjitha bankat e klanit
Bankat, pikërisht. Në Kazakistan, vetëm gjashtë vite më parë ishin nëntë dhe kontrollonin 78 % të tregut: katër janë zhdukur, të tjerat kanë mbaruar në kuletën e klanit. Jysan Bank, njëra ndër më të mëdhatë, është e drejtuar nga dhëndërri i Nazarbajevit, e quhet si bankomati vetiak i tij, megjithëse ka në barkun e saj 44 % të borxheve të skaduara. Është pastaj rasti i Tengri Bank, e themeluar nga çifti më i përfolur i klanit, financieri Timur Kuanyshev dhe bashkëshortja e tij Alfija: i quajnë “të pasurit në të mbathura” që kur u vunë në pranga në Moskë me një milion dollarë të papohuara e të qepura në të brëndëshmet. Timuri dhe Alfija, miq të Princit Andrea, të ftuar të posaçëm në martesën mbretërore të William &Kate, në gusht i kanë shitur kinezëve kuotat e tyre të Tengrit: bash në kohë para se drejtuesit të arrestoheshin për përvehtësim fondesh. Së fundi është Italian Connection: një ish ministër i Nazarbajevit që tani nga Parisi drejton opozitën, Muhtar Abliazov, ka kujtuar rriskun e pabesueshëm bankar që çoi institutin më të madh bankar, Unicredit, të stërpagojë me 2,1 miliard dollarë një bankë (Atf) që i përkiste Bulat Utemuratovit, një ortak i Nazarbajevit. Gjashtë vite më pas, më 2013, vetë Unicredit e ka shitur Atf për 493 milionë një nipi të Nazarbajevit. Një veprim i kushtuar Unicreditit shifrën marramendëse të 1,6 miliard dollarësh që përfundoi në xhepat e diktatorit. Përse banka italiane pranoi të humbiste aq para? N’ata muaj regjimi padiste ENI-n se ishte në vonesë me kontratat e shfrytëzimit të puseve të Kashaganit dhe kërcënonte se do të bënte të paguante një shumë të madhe si dëmshpërblim. Mbas operacionit Atf, mrekullisht, Nazarbajevi hoqi çdo farë trysnie mbi ENI-n.
Përfrikësime e ryshfete
Natyrisht është nafta ajo që parfumos paratë e Nazarbajevit. Ky bir barinjsh të thjeshtë, ish puntor i metalurgjisë së zezë dhe drejtues komunist, qe i fundit udhëheqës i një republike sovjetike që shpalli pavarësinë nga BRSS dhe më i shkathti për të nuhatur volitë. “Vinte në Moskë për të më kërkuar t’i shpjegonja të fshehtat e biznesit” kujton ish ambasadori amerikan Robert Strauss. Më 1993, i zgjedhur president prej pak kohe, Nazarbajevi i ofronte Perëndimit qindra raketa sovjetike me zbritje çmimi. Departamenti amerikan i Dejtësisë ka hetuar shpesh ish presidentin kazak për korrupsion, ndërsa miku i tij bankier, lobist në Washington, u arrestua për 78 milionë ryshfete të përvehtësuara nga shoqëritë e mëdha të naftës. I famshëm ryshfeti i një miliard dollarësh të ofruar nga vetë Nazarbajevi James Baker-it, në mes të një takimi zyrtar me sekretarin e Shtetit amerikan, që të ndihmonte një naftësjellës. Ose propozimi Bushit të ri, tre muaj mbas 11 shtatorit, për të hyrë në luftën kundër terrorizmit në shkëmbim të një ndihme të vogël për hallet gjyqësore në Shtetet e Bashkuara. Gjatë një ngrënie mëngjezi në Rockfeller Center, Nazarbajevi i kërkoi shoqërive të naftës të derdhnin ovullin për një investim të tijin të paluajtëshëm në New York, në këmbim të kontratave. Një nip i Nursultanit, Aisultan, biri 29 vjeçar rebel i Darigës me probleme të drogës, një ditë iku në Londër dhe zbuloi, ndërmjet gjërave të tjera, një ryshfet prej 1,5 miliardë të derdhur nga rusët e Gazpromit gjyshit të tij mbi një llogari të Singaporit. “Jam delja e zezë, do të më japin një helm e do të më vrasin”, paralajmëroi djali pak muaj para se të vdiste papritmas, e nuk u sqarua kurrë se si.
Këshilltarët: nga Blair tek Schröder
Në tridhjet vite, nga llogaritë e klanit Nazarbajev në Zvicër e në Ishujt e Virgjër kanë dalë para nga pak për të gjithë. Tridhjetë milionë përfunduan në fondacionin e Bill Clintonit, që më 2005 në vizitën e kryeqytetit kazak kishte thurur lëvdata publike. Të tjerë nëntë Tony Blair-it, i thirrur si këshilltar ndërkombëtar i regjimit. Në listën e këshilltarëve politikë qëndronin edhe Romano Prodi, ish kançelari gjerman Schröder, ai austriak Gusenbauer. Në listën e miqve italianë ishte veçanërisht Silvio Berlusconi. Presidenti Scalfaro i dorëzoi diktatorit urdhërin e Kryqit të Madh. Nga ana tjetër, prej vitesh Italia është partneri i dytë i çështjeve evropiane në Kazakistan. WikiLeacs në 2012 zbulon: ndërmarrjet italiane, për të punuar, janë të detyruar të paguajnë diktatorin.
Nga kështjellat në Zvicër tek Hotel Plaza
Bija Dariga kontrollon mediat dhe partinë e vetme. Së bashku me të birin Nurali, vjehrrin Aisultan, motrat Dinara e Alija, kunetërit Timur e Bolat, mbarështon pasurinë e stërmadhe të paluajtëshme të familjes. Një listë e vështirë për t’u përditësuar: kështjella e Bellerives dhe vila koloniale me tre kate në Anières, buzë liqenit të Gjenevës (të vlerësuara në 190 milionë dollarë); kuota në Hotel Plaza që zotëron Central Park në New York (20 milionë); shtëpitë në Wall Street, në New Jersey e në Florida (30 milionë); pronësitë angleze në Chelsea, në Ascot e në Surrey (165 milionë); (Tropikalja) e Cannes (34 milionë); pastaj çifliku spanjol i Lloret de Mar, hotelet e llixhave në Republikën Çeke, të tjerë 140 milionë të shpërndarë në pronësi që Agjensia Kombëtare britanike e Krimit i përcakton si “të blera me para nga fonde të paligjëshme”.
Mbas javësh mungese, e revolte të mbaruar, Nazarbajevi u shfaq në publik për t’a siguruar atë “se nuk ka luftë për pushtet” e që padroni ishte ende ai. Ndoshta jo, por sigurisht mbetet pronar i gjithshkaje që ka grabitur, ndërsa Kazakistani që le në trashëgim me vështirësi paguan faturën e gazit dhe është në të 113-tin vënd (ndërmjet 180) në klasifikimin e Transparency International të Vëndeve më të korruptuara. Në të 157-tin e atij të lirisë së shtypit. Ka pak të ngjajshëm për ndotjen nga mbeturinat bërthamore dhe substancat helmuese. Kazakët e quajnë bukën, “nan”, një ushqim i shenjtë që simbas zakonit, kur të mbarojë dreka nuk duhet të teprojë asgjë. Drejtuesi i kombit ka qënë më i zoti i të gjithëve për të mos lënë as edhe një thërrime.
“Corriere della Sera”, 26 janar 2022 Përktheu Eugjen Merlika