

Rafaela Prifti/
Kur lufta e kaluar por aspak e fashitur vjen të turbullojë paqen, vegimet e romanit Gruaja që Vinte nga Mjegulla të autorit Luan Rama bëhen imazhe goditëse të marrëzisë që kërcënon jetën dhe dashurinë. Mund të kishte qenë, dhe, mbase një ditë, mund të jetë një film i ngadhënjimit të njerëzores mbi çmendurinë e fashizmit, nëse fati do ndjek dëshirën e skenaristit të mirënjohur të katër filmave me metrazh të gjatë, përveç shumë filmave dokumentarë, që janë vetëm një pjesë e veprës voluminoze të tij në letërsi, studime historike e publicistikë.
Fillesa erdhi gjatë xhirimeve në Kurvelesh në vitin 1986 kur Luan Rama “dëgjoi historinë e italianit që kishte mbetur pas lufte dhe këndonte opera italiane.” Menjëherë e tërhoqi subjekti për film por “kohët ikën,” thotë ai, dhe “kur nisën ndryshimet shkrova një tregim dhe më pas romanin.” I nisur nga ngjarje jetësore, romani shpalos, përmes protagonistes, jetën e të një të riu italian, student i konservatorit të Milanos, i cili thirret në armë në ushtrinë italiane dhe, me premtimin se do kthehet tek ajo, niset për në Shqipëri në vitet 40. Pas luftës konsiderohet i pagjetur ose i zhdukur derisa gati pesëdhjetë më vonë një lajm në gazetë në kohën e ndryshimeve i jep shkas të dashurës së tij të rinisë, sopranos Laura Simoni, të bëjë udhëtimi e kundërt që ka bërë Alberto i saj gjatë luftës. Ajo gjen familjen shqiptare që i ka shpëtuar jetën ushtarit të plagosur për vdekje dhe e ka adoptuar atë pasi ai ka humbur kujtesën e vetes.
Është historia e një dashurie të këputur e të humbur dhe e shumë jetëve të ndërprera nga marrëzia e luftës. Paqja e asnjërit nuk është e paprekshme nga luftërat e shkuara dhe atyre që mund të afrohen sakaq. Shfaqja e një anije me refugjatë shqiptarë në brigjet e Brindisit të Italisë, si edhe varka të tjera që lundrojnë me çarçafë si vela në kohët antike mjafton për të sjellë thirrjet e të përvuajturve të furtunave të fatit në vitet 90, ndërsa në kohën e luftës të rinjtë italianë shkonin në drejtim të bregdetit përkarshi ku do takonin fate të tjera. I veshur me uniformën fashiste kishte shkuar edhe i dashuri i saj, Alberto, dhe nuk ishte kthyer më. Fakte historike si riatdhesimi i eshtrave të ushtarëve italianë të rënë në Shqipëri gjatë luftës i përjetësuar tek Gjenerali i Ushtrisë së Vdekur dhe referenca të tjera janë ndërthurur mjeshtërisht nga autori, i cili është historian i apasionuar. Njoftimi në gazetat italiane për një tenor në fshat shqiptar i japin shtysën Laurës të niset me bashkëshortin e saj për ta gjetur të vërtetën për Alberton si një shlyerje fajësie dhe përmbushje drejtësie ndaj së kaluarës.
Mllefi dhe revolta e kaq viteve e pafashitur brenda saj vërshon vrullshëm nga Laura për ata “që i besuan demagogjisë së Musolinit dhe i shërbyen me zell,” një prej të cilëve ishte babai i saj. “Ju nuk bëtë asgjë për ta ndaluar Alberton kur qyteti ushtonte nën çizmet dhe marshet e këmishëzinjve të Musolinit,” i zbrazet ajo. Mbështetësit e së keqes e kanë të lehtë të qetësojnë fajësinë me arsyetimin se nuk kanë vrarë njeri ngaqë nuk kanë qenë asgjë më shumë se nëpunës të thjeshtë. “Verbëria juaj ndihmoi fashizmin. Ju e sollët atë në Itali!” kundërshton Laura. Ndërsa nëna e Albertos ka humbur shikimin, i ati nuk jeton më, edhe fatet e personazheve të tjerë, si shokët e Liceut dhe trupës së Operës mbartin dramat e shkaktuara nga lufta.
Me të drejtë autori e konsideron romanin “një himn për muzikën.” Novela është kompozuar e gjitha me një repertor të pasur operistik dhe arie klasike nga një botë që kumbonte me muzikë përpara se të zhytej në shurdhërinë e territ nën peshën e shuarjes së rinisë, njerëzve, dashurive, dhe jetës. Sintetizimi i muzikës me ngjarjet e romanit të Luan Ramës projektohet në përfytyrimin tonë dhe pyet veten: A ka qenë ti ndonjëherë Gruaja që Vinte nga Mjegulla?
Romani Gruaja që Vinte nga Mjegulla është botuar nga shtëpia Albas në 2023. Një vit më pas përkthimi frëngjisht është publikuar nga botuesi Le Petit Vehicule, Francë. Në 2025 në italisht nga botimet Montebone, Milano, Itali në 2025 dhe së fundi nga EMAL në anglisht. Foto nga Artan Malaj, qershor 22, 2025, shkrimtari Luan Rama dhe Rafaela Prifti, përurimi i novelës Epistolari i Zaratës, Katedralja e Shën Gjergjit, Boston.