
Dom Vlash Palaj
Famullitar i Shkodrës/
Më 16 tetor të vitit 1938, zbriti në portin e Durrësit, me cilësinë e Delegatit Apostolik të Selisë së Shenjtë, Imzot Leone Nigris. Kjo nuk ishte hera e parë gjatë atij shekulli që një përfaqësues i Papës vendosej në Shqipëri për të ushtruar misionin e tij apostolik.
Delegati Apostolik gëzon një rol të veçantë në hierarkinë e Kishës, pasi përfaqëson drejtpërdrejt lidhjen me Atin e Shenjtë – garantin e unitetit universal të Kishës Katolike – si dhe me kishat lokale, të udhëhequra nga ipeshkvijtë. Duhet theksuar se, në mungesë të Nunciaturave Apostolike, Delegatët marrin përsipër edhe funksionin e koordinimit të marrëdhënieve diplomatike ndërmjet një shteti dhe Selisë së Shenjtë, subjektit të së drejtës ndërkombëtare që përfaqëson Vatikanin. Edhe pse më herët, gjatë shekujve të sundimit osman, kishin mbërritur në Shqipëri vizitorë apostolikë me misione të përkohshme, prania e Delegatit të parë Apostolik shënohet me emërimin në këtë post të priftit misionar Ernesto Cozzi, nga Papa Benedikti XV, në fund të vitit 1920. Ai e ushtroi këtë detyrë deri në vitin 1926, kur ndërroi jetë.
Pas Cozzit, Papati emëroi Delegatë të tjerë – të gjithë nga rajoni i Friulit. Imzot Giovanni Battista della Pietra S.J. shërbeu nga 24 marsi 1927 deri më 19 mars 1936; Imzot Ildebrando Antoniutti mori detyrën nga 15 gushti 1936 deri në mesin e vitit 1938. Shërbimin e Delegatëve Apostolikë italianë e mbylli Imzot Leone Giovanni Battista Nigris (1884–1964), i katërti dhe i fundit Delegat Apostolik i huaj, i cili shërbeu në Shqipëri deri në pranverën e vitit 1945, kur u dëbua nga regjimi komunist si persona non grata. Selia e tyre ndodhej në Shkodër, pranë Kishës Katedrale, në atë ndërtesë që nga populli njihej si “Shtëpia e Delegatit.”
Prania e tyre kishte një rëndësi të madhe për Kishën tonë, pas pesë shekujve të vuajtjeve dhe qëndresës për shkak të pushtimit otoman. Ajo simbolizonte gjithashtu një liri të caktuar besimi dhe mundësinë e një komunikimi të drejtpërdrejtë të prelatëve shqiptarë me Papën.
Të gjithë Delegatët, përveç shërbimit të tyre apostolik dhe diplomatik, u dërguan në Shqipëri nga vetë Papa me një mision të veçantë: për të ndihmuar në ringritjen e të gjitha strukturave kishtare lokale, duke u mbështetur te kleri vendas.
Këto qëndrime profetike të Papatit, në fakt, dhanë shumë fryte. U rithemelua e gjithë hierarkia e Kishës nga kleri vendas. Meshtarë dhe ipeshkvij, sidomos nga Dioqeza e Shkodrës, do të japin kontribut në të gjitha trevat shqipfolëse – si në Kosovë, ashtu edhe në Maqedoni.
Pas një shkëputjeje të detyruar prej pesë dekadash nga Selia e Shenjtë, si pasojë e regjimit komunist, rivendosja e marrëdhënieve diplomatike me Vatikanin hapi rrugën për një periudhë të re shprese. Brenda jo më shumë se 35 viteve të një lirie të pjesshme të besimit, Kisha jonë jo vetëm që rifilloi jetën e saj shpirtërore dhe baritore, por edhe dhuroi një numër martirësh , një dëshmi unike besimi dhe qëndrese në historinë e saj.
Plotësohej kështu profecia e At’ Pjetër Meshkallës, e lindur në zemrën e errësirës së persekutimit komunist, kur priftërinj, murgesha dhe besimtarë të thjeshtë u burgosën, u torturuan dhe u vranë vetëm pse nuk hoqën dorë nga feja.
“Kjo është një gjë që na bën unik si komb dhe si Kishë në botë,” do të shprehej ai.
Relacioni i Imzot Leone Nigris më ra në dorë nëpërmjet një tjetër friuliani – të dërguarit të Selisë së Shenjtë për të përgatitur terrenin e rithemelimit të marrëdhënieve diplomatike ndërmjet Vatikanit dhe Shqipërisë menjëherë pas rënies së komunizmit, në fillim të vitit 1991.
Imzot Diego Causero, pjesë e Prelaturës Apostolike, të cilin pata fatin ta takoj në Udine, ma dorëzoi këtë relacion vetëm me të drejtë leximi, pasi do të publikohej më parë nga Dioqeza e Udines. Dhe në fakt, ashtu ndodhi. Istituto Paschini – Fonti per la Storia della Chiesa in Friuli e botoi atë në vitin 2022 nën redaktimin e Anesti Naci-t dhe prezantimin e Cesare Scalon, botoi relacionet nën titullin:’’Il drama dell’Albania nel racconto del Delegato Apostolico Leone G.B.Nigris (1938-1944)
Relacioni, në këndvështrimin historik, ka një vlerë të madhe, pasi pasqyron ngjarje jo vetëm të Kishës, por edhe të vetë vendit tonë, me një objektivizëm të detajuar dhe të kujdesshëm. Ndërsa në këndvështrimin kishtar ai çalon, pasi Delegati Apostolik, Imzot Leone Nigris, mendoj se nuk ishte figura më e përshtatshme për një detyrë të tillë. Ai shfaqi shenja paragjykimi ndaj Kishës lokale, me tendenca imponuese ndaj prelatëve vendas, duke e vendosur veten mbi ta, ashtu siç shkruante Dom Nikollë Mazrreku, duke iu referuar Atë Fluvio Cordignano S.J.: “…ma nalt ndër sferat e kullueta e të paqta t’Olympit.”
Këto qëndrime autoritare bënë që një pjesë e prelatëve shqiptarë ta anashkaloheshin deri në mospërfillje. Karakteri i tij i prerë dhe shpesh i rrëmbyer, tepër autoreferencial, mund të ketë ndikuar jo vetëm në mospërkrahjen nga ana e disa prej klerikëve dhe personaliteteve vendase të kohës, por edhe nga gjeneralët fashistë, të cilët u treguan indiferentë ndaj deklaratave të tij – ndonëse jo gjithmonë të pabaza – kundër qëndrimeve të tyre.
Duhet pranuar gjithashtu se situata në të cilën Imzot Nigris ushtroi misionin e tij apostolik ishte tejet e ndërlikuar. Pushtimi fashist i komprometonte jo vetëm pozicionin, por edhe figurën e tij si italian, edhe pse një pjesë e mirë e popullsisë – sidomos ajo katolike – e shihte këtë pushtim si njëfarë “shpëtimi”, duke e krahasuar me zgjedhën e gjatë osmane ose me masakrat e fqinjëve serbo-malazezë dhe grekë.
Këtë realitet, duket se e kuptonte edhe vetë Nigris. Edhe pse rrallë e shprehte haptazi, me qëndrimet dhe veprimet e tij linte të kuptohej se nuk shihte alternativë tjetër për mbrojtjen dhe mbijetesën e Kishës Katolike në Shqipëri, përveç bashkëjetesës me pushtimin italian.
Ky qëndrim solli përplasje të dukshme mes tij dhe prelatëve shqiptarë, të cilët, megjithëse ishin të lidhur shpirtërisht me Papën dhe kulturalisht me Italinë, besonin fuqishëm se fati i Shqipërisë duhej të vendosej nga vetë shqiptarët. Përplasje të tilla nuk pasqyrohen vetëm në këtë relacion, por edhe në shumë letra të tjera drejtuar Selisë së Shenjtë, ku shpesh vërehen tone kritike dhe qëndrime negative ndaj klerit dhe ipeshkvijve vendas.