
Gezim Zilja/
Më 26.02.2022 i “arrestuar” nga dy miq të mi, u ndodha i paftuar në Dukat, në 54 vjetorin e lindjes së kryetarit të grupit polifonik “Jehona Labe,” njeriut fisnik me emër e mbiemër të njëjtë: Berdo Berdo. Nga i paftuar u ktheva në kryemik sipas traditës. Jo vetëm se më ulën në krye të tavolinës, ku ishin rreth dyzetë burra por edhe sepse pas gotave të para, më vunë para një alamet bishti zbukuruar sipër me ca brinjë të thekura, që do të mjaftonin për një “ushtri” të tërë. Berdua për të nderuar kryemikun e paftuar u ul pranë meje. Tek e shikoja, nga afër, me një trup mesatar,të shëndetshëm, tepër të fuqishëm, energjik, me kraharorin zbuluar, dukej si një copë shkëmbi i shkëputur nga malet. Më kujtoi pasardhësit e denjë të asaj race të pastër shqiptare, që përshkruan Evliha Çelebiu , udhëtar e dijetar i shek. XVII, për krahinën dhe djemtë e Dukatit: “… Ndërmjet Perëndimit e Jugut ndodhet krahina shqiptare e Dukatit me 100 katunde të pashtruar e të pabindur. Banorët e kësaj treve janë kokëzinjë dhe mbajnë feste… Janë ndër burrat më trima të kombit shqiptar…. Trimat e rinjë janë fodullë, vishen me rroba të shkurtëra ( poture dhe tirqe. Shën,im) dhe të ngushta. Për hir të zotit duhet thënë se janë luftëtarë të rreptë.Shumica e tyre lidhin kokën me çallmë të bardhë dhe rrinë me kraharorin zbuluar, që u piqet e rregjet prej rrezeve të diellit… Kanë shëndet të plotë e u shkëlqen lëkura nga ngjyra e kuqe. Përkth.shqip. Faqe 77-78.” Dikush po thoshte ca fjalë të thjeshta, për Berdon, dhe pas pak shpërtheu kënga labe. Kam qenë jo rrallë në ahengje e ziafete lebrish, po kurrë nuk e kam kuptuar sesi merren vesh kur fillon një këngë. Sapo marrësi ( këngëtari) kudo që të ndodhet fillon këngën, hedhësi dhe kthyesi të hazërtë, gjenden pranë tij. Zërat e grupit pushtuan gjithçka: dëgjohej vetëm kënga dhe isua e zgjatur me një harmoni të përkryer. Në pushimet midis njërës strofë e tjetrës ka një heshtje të pazakontë dhe sytë e të gjithëve janë te marrësi. Kënga vinte e avashme, shtruar, gati e përvajshme dhe kjo më çuditi pak. “Moj Labëria me derte /Pse e mban kokën mënjanë?/Vetëm fillikate mbete/Mbetën bosh ato divanë.” Epo kjo punë kështu? Sikur kishim ardhur për të festuar?! Vargu “mbetën bosh ato divanë”, kishte një domethënie rrëqethëse. S’dëgjohet zëri i pleqe/Ata burra festebardhë/Mbetën të rralla oxheqe/Rritet bari nëpër shkallë. Barin që rritej nëpër shkallët e shtëpive të braktisura, oxhakët e rrënuar, shkretimin, që mbulon vendin nga mungesa e njeriut e kisha vërejtur këtë verë në disa fshatra. Kënga ecën ende më e përvajshme: Boshatisur ato djepe/ Duarlidhur seç të lanë/Rinia nëpër kurbete/Nga malli gurët u çanë. Gjatë këtyre fjalëve marrësi, kthyesi dhe hedhësi e shndërruan këngën, në një ulërimë dhimbjeje, dhe kujeje. Dola jashtë, kërkova diku një cigare dhe strofën e fundit nuk e dëgjova, veç isos që ndihej deri jashtë.
“Pse e hapët me këtë këngë o Berdo?” i thashë kur u ktheva.“Po na ikën djemuria, po mbetet shkretë Labëria. Nuk gjen dot dhëndër për vajzë, si i thonë fjalës. Andaj e morën të parën …”u përgjegj mendueshëm Berdua. Ndërkaq një këngëtar tjetër me një zë tenori të shkëlqyer ia kishte marrë këngës himariote aq të famshme. “Vajz’ e bukuro’/Pa dil të të shoh/Moj Katina nina nina /vajz’ e dashuro’.” Atmosfera kishte ndryshuar plotësisht. Fytyrat e të pranishme, që disa çaste më parë ishin të ngrysura e të menduara, ndrinin nga kënaqësia dhe dëshira për të festuar. Tashmë isua ishte jo aq e zgjatur, sërish e shtruar por vinte ëmbël e ëmbël; ajo ajdee-deeeeeeeeeee e hedhësit të çonte në lëndinat plot gjelbërim të bregut, ku ka jetuar Katina e famshme dhe zëri i kthyesit me pasthirrmat oho-oho-ohoho, ku “o”-ja shpesh shndërrohej në një “ë” hundore, shprehte herë mall e herë nostalgji. “Syri yt më vret/Zëri yt më tret/ Moj Katina nina-nina / Bukuria vet!” Kënga mbyllet. Të gjithë urojnë marrësin e këngës: Të lumtë goja! Këngë e paç gjithë jetën! Rrëkëllejnë gotat mbushur me atë lëngun e bekuar, duke ngritur shëndete e mirësira pa mbarim. Në anën tjetër një grua bionde, ia mori këngës me një zë të pastër tingëllues. “Njëzetepesë vite/ veç na ke dhuruar/Këngë burrërore/ nga shpirti i kulluar/…” Këtë herë isua e dalë nga dyzetë burra, me një gojë të vetme, buçiti sa dukej sikur do të binte suvaja e thyheshin xhamat e dritareve. Tani filloi koncerti i vërtetë, mendova. Kthej kokën anash dhe shikoj sesi Berdo Berdo, ky burrë i rëndë, kishte sytë gjithë lot dhe as që i fshihte. Po kjo hata? E preka lehtë në në sup. “ Është këngë për mua? E kupton…?” belbëzoi midis lotësh. Në refren përsëriteshin titujt e këngëve, figurat e të cilave ai u dha pavdekësinë me zërin e tij prej baritoni dhe interpretimin e papërsëritshëm: Hamit Guga një pëllëmbë; Çobanët mbi gjeneralë; Del pasha se jam për udhë; Moj Vlorë e bukur në gropë. Ashtu si Osman Taka, që nuk e krijoi vallen e famshme Çamiko, por e intepretoi në mënyrë të tillë sa ajo u quajt Vallja e Osman Takës, edhe këngët e mësipërme, që janë kënduar edhe më parë, quhen sot “Këngët e Berdos.” Për këtë grupi polifonik “Jehona Labe” i ngriti këngë dhe e uroi: Me këngët e tua, i dhe historisë/Rrofsh sa të do zemra, bir i labërisë. “Ka lezet ta ngrenë këngën në gjallje,” më tha një i dukatas, “se po vdiq njeriu, s’ka ç’të shohë e ç’të gëzojë!”