Prof. Zymer Neziri
Shkurtore
Profesori amerikan Allbert Llord (Albert Lord), punoi më 1937 në Shqipëri të Veriut dhe mblodhi këngë të kreshnikëve edhe nga krahina e Plavës dhe e Gucisë. Ai punoi me lahutarët: Adem Brahimi-Mehmetkurtaj, Vuthaj; Musë Lushti-Çelaj, Vuthaj; Man Oruçi-Çelaj, Vuthaj; Brahim Haxhia-Hasangjekaj, Martinaj. Ademi, Musa e Mani, të larguar për shkaqe politike andej kufirit, vdiqën jashtë vendlindjes dhe u varrosën në Gurëz të krahinës së Kurbinit. Brahimi u kthye në vendlindje, por u burgos.
Këngët e tyre kanë veçoritë e përbashkëta të temave e të motiveve me këngët e tilla në krahinat e tjera: rrëfimi i gjatë epik për bëmat heroike të Mujit e të Halilit dhe të kreshnikëve të tjerë, prania e qenieve mitike, sidomos e zanave, formulat, poetika e kohës, poetika e hapësirës dhe karakteri legjendar.
Këto këngë nga Vuthajt e Martinajt, mbledhur nga A. Llordi, ruhen dorëshkrim në Koleksionin e profesorit të tij, Millmen Peri (Milman Parry), në Universitetin e Harvardit (The Milman Parry Collection of Oral Literature, Harvard University, Cambridge, Massachusetts), kurse kjo kumtesë është shkruar në bazë të hulumtimit që bëra gjatë qëndrimit tim studimor në Harvard, më 2002 dhe 2007.
Fjalë çelësa: Adem Brahimi-Mehmetkurtaj, Vuthaj; Musë Lushti-Çelaj, Vuthaj; Man Oruçi-Çelaj, Vuthaj; Brahim Haxhia-Hasangjekaj, Martinaj, Allbert Llord (Albert Lord), Universiteti i Harvardit.
Projekti i M. Perit për Ballkanin
Millmen Peri (MIlman Parry), në fillim të viteve ‘30 të shekullit të kaluar, mori përsipër realizimin e një projekti hulumtues në Ballkanin Perëndimor. Ai hulumtoi dhe mblodhi këngë epike në disa rajone të Ballkanit Perëndimor, më 1934-1935. Punën e vet e regjistroi në 3500 pllaka, të incizuara boshnjakisht, shqip, kroatisht e serbisht, që ruhen në Harvard. Por, siç dihet, qëllimi i Perit nuk ishte mbledhja e këngëve popullore epike në Ballkan, por ishte synimi që të dëshmojë se «Iliada» dhe «Odiseja» nuk janë vepra të një autori, por ato janë vepra të traditës gojore greke. Në këto hulumtime mori pjesë edhe ndihmësi i tij, Albert Llord (Albert Lord). Peri ishte profesor i Universitetit të Harvardit. Koleksioni i tij është i njohur në SHBA. Konsiderohet ndër më të mëdhenjtë e këtij lloji. Shumë dijetarë nga bota ka bërë hulumtime në materialet e këtij koleksioni.
Projekti i A. Llordit për Shqipërinë
Edhe pas vdekjes së papritur të M. Perit, më 1935, A. Llordi nuk iu nda punës në Ballkan, saktësisht në Shqipëri. Koleksioni i tij, i vitit më 1937, është vazhdim i projektit të M. Perit në vise të Shqipërisë së Veriut. Këngët e A. Llordit janë shënuar në dymbëdhjetë fletore të formatit të vogël. Janë të shkruara me dorë. Ai i quan libra. Tetë të parat janë me këngë të mbledhura prej tij, kurse tri fletore janë të dy bashkëpunëtorëve të tij, Qamil Hoxha dhe Murat Paci. Koleksioni ka 44 këngë të Ciklit të Kreshnikëve dhe 10 të tjera të dy bashkëpunëtorëve të tij. Koleksioni i tij i vitit 1937 e bën të shumë të njohur, sidomos në epikologjinë shqiptare.
Të dhëna për lahutarët e Vuthajve e të Martinajve
Adem Brahimi-Mehmetkurtaj, Vuthaj, ishte 57 vjeç, më 1937, kur u takua në Palç të Mërturit me A. Llordin. Kishte në repertor 18 këngë të kreshnikëve, por i këndoi vetëm dy. Ademi ishte i familjes Mehmetkurtaj.
Musë Lushti-Çelaj, nga Vuthajt, 30 vjeç, këndoi dy këngë të kreshnikëve për Llordin në Gurëz të Kurbinit. Kishte në repertor 10 këngë të kreshnikëve. Mbiemri i tij është shënuar gabimisht Alushi.
Man Oruçi-Çelaj, Vuthaj, u takua me profesorin Llord po ashtu në Gurëz, Kurbinit. Ishte lahutari më i vjetër nga grupi i Plavës e Gucisë. Kishte 60 vjet moshë. Dinte 9 këngë të kreshnikëve. Është i familjes Çelaj.
Brahim Haxhia-Hasangjekaj, Martinaj, ishte lahutari më i ri nga grupi i Plavës e Gucisë. Ishte 19 vjeç. Dinte 5 këngë të kreshnikëve. I vetmi nga ky grup u kthye në vendlindje, por pushteti jugosllav e burgosi. Më 1984 u shënua edhe një këngë e repertorit të tij.
Ademi nuk ishte i shkolluar. Të shkolluar nuk ishin as Musa, Mani e Brahimi. Këngët i kishin mësuar që nga rinia e hershme, në familje ose në rrethinë. Nga rinia e hershme kishin filluar edhe t’i binin lahutës.
Për Brahimin, Llordi shkruan: «Shkollë nuk ka bâ. Ka fillue me këndue ç’prej 10 vjeç. Ka mësue kangët prej babës dhe prej personave të tjerë, i bie lahutës dhe çiftelisë.»
Për Manin janë këto të dhëna të 12 tetorit 1937: «Man Oruçi, 60 vjeç, le në Vuthaj, Gusi, banues në Gurëz, bujk. Nuk din me këndue e me shkrue edhe shkollë nuk ka bâ.»
Për Musën, më 12 tetor 1937, Llordi shkruan: «Musa Alushi, vjeç 30, le në Vuthaj, banues në Gurëz, bujk, di me këndue e me shkrue por shkollë nuk ka bâ. Ka fillue me këndue kangat prej moshës 15 vjeç. Ka mësue kangat prej babës. Luen lahutën».
Për Ademin, të cilin e takoi më 16 shtator 1937, në Palç të Mërturit, Llordi shkruan: « Adem Brahimi, le ne Vuthaj, Gusi, Jugosllavi, vjeç 57, nuk din shkrim e këndim dhe shkollë nuk ka bâ. Ka mësue prej babës dhe njerëzve të ndryshëm. Ka qenë 16 vjeç kur ka fillue me mësue kangë.»
Temat, motivet dhe personazhet kryesore
Mbrojtja e kufijve të krahinës, mbrojtja kullotave, mbrojtja e kullave, mbrojtja e mallit dhe mbrojtja e nderit të familjes janë temat e këngëve në repertorin e këtyre lahutarëve të Plavës e të Gucisë, si gjetiu. Shumë sosh flasin edhe për martesat me miqësi, me pengesa e me grabitje. Kështu ndodh te kreshnikët dhe në taborin e kundërshtarëve të tyre. E pranishme është edhe zilia e inati, krahas burrërisë dhe nderit. Guximi dhe trimëria i japin ngjyrim secilës këngë. Veçohen sidomos dyluftimet. Qeniet mitike i japin vulë legjendaritetit dhe vjetërsisë së këtyre këngëve. Zanat janë të pranishme edhe në krahun e kundërshtarëve të kreshnikëve tanë. Aty shfaqen edhe kuajt, që e kuptojnë gjuhën e kreshnikëve.
-Personazhe kryesore në këngët e Manit janë: Halili e Dylberja e Kralit të Kotorrit, Arnaut Osmani, që bëhet dhëndër i Mujit, Hyseni, që grabit të bijën e kralit të Sejës, Ali Bajraktari, që bëhet dhëndër i Beg Ymer Begut, Muji e Halili që luftojnë me Kralin e Kotorrit, Gavran Kapetani, që i zapton bjeshkët e agëve, si dhe Kraleviq Marku e Muji.
-Te Musa janë: Muja e Behul Kapetani, Smililiq Ilia, që ia grabit nusen Mujit, Halili e Balozi i Detit, Gjergj Elez Alia e Balozi i Detit, Muja, që ia grabit nusen Ivan Kapetanit, Kotuz Belaxhia e Krali i Sejës, Galiq Galani e agët e Jutbinës, Aga Hasan Aga e Kral Kapetani, Urosh Kapetani, që ia grabit nusen Ali Bajraktarit, si dhe Çupërli Veziri, Kunja e Mujës dhe Kral Kapetani.
-Edhe në këngët e Brahimit janë: Muji e Sejane Ivani, Sokol-e Halili dhe Harapi i Detit, Galan Kapetani, që i zapton bjeshkët e Mujit, Sejan-e Ivani, që i lypë mejdan Plakut, si dhe Muji që e zë rop Kralin e Kotorrit.
-As te Ademi nuk ka ndryshime të mëdha. Aty janë: Halili dhe martesa e tij ( dy këngë), Muja e Gjure Harambashi, Muja e Gjorgj Harambashi, Ali Bajraktari, Siratin Alia, Filip-e Maxharri, që i lypë mejdan mbretit në Stamboll, Sojan-e Ivani, Muja e Smililiq Ilia, Krali i Kotorrit, që e pret në besë Mujin, Krali i Junanit dhe Muji e Halili, Halili dhe çika e Kralit të Talires, Muja, që e mëson Imerin e Ri për mejdan, Osmani i Vogël, Beg Imer Begu e Begzadja e Bukur, si dhe Hysen Aga i Ri e Balozi i Detit.
Llordi ka vepruar në terren sipas metodës së përzgjedhjes së atypëratyshme. Nga 42 këngë të kreshnikëve të repertorit të këtyre katër lahutarëve të Vuthajve e të Martinajve, ka shënuar vetëm 5 sosh. Kështu ka vepruar edhe lahutarë të krahinave të tjera. Bie fjala, në Kelmend, ka gjetur 50 këngë të kreshnikëve në repertorin e pesë lahutarëve, por ka mbledhur vetëm 5 sosh.
Këtë metodë të përzgjedhjes së atypëratyshme e kanë zbatuar edhe mbledhës të tjerë. Përzgjedhja bëhej nga përmbajtja e shkurtër e këngës, ose nga përzgjedhja e rapsodit për këngën që atij i pëlqen, ose që u pëlqen dëgjuesve të tij. Kështu kanë vepruar edhe mbledhësit në Institutin Albanologjik. Metoda e gjithëpërfshrjes është zbatuar vetëm në dy projekte: ’’Epika legjendare e Rugovës (1979-1988)’’ dhe ’’Eposi i Kreshnikëve në pesë vende të Ballkanit (1912-2016)’’. Rezultatet me metodën e gjithëpërfshirjes kanë qenë jashtëzakonisht të mëdha. Në këto dy projekte kam mbledhur 30 vëllime material, që me rreth 60 vëllime të mbledhësve të tjerë, nga viti 1897, mbërrijnë në shifrën 90 vëllime, ose rreth 600 mijë vargje, sa ka fondi ynë kombëtar.
Prej katër lahutarëve të Llordit, të vitit 1937, të Vuthajve e të Martinajve, vetëm Brahim Haxhia la gjurmë në vitin 1984, pra rreth gjysmë shekulli më vonë, me një këngë të mbledhur nga Idriz Ulaj. Kënga e Brahimit ka titullin «Lum e lum, o i lumi more zot». Përveç këtij vëllimi të Idrizit, ku janë botuar 7 këngë të kreshnikëve nga kjo krahinë, dihet edhe për dorëshkrimet e këngëve të mbledhura nga Anton Çetta dhe Ali Ahmeti. A. Ahmeti është marrë edhe me studimin e këtyre këngëve në monografinë Këngë dhe vajtime nga krahina e Plavës dhe e Gucisë.
A. Llord, sipas studiuesit Agron Fico, ishte në Shqipëri, në qershor 1966. Mori pjesë, thotë, në Simpoziumin e Folklorit të Shoqatës së Studimeve të Evropës Juglindore në Tiranë. Kishte një kumtesë për epikën legjendare dhe për rolin e rapsodit në pasurimin e varianteve bazë. Kumtesa e tij u ndoq me interesim dhe ngjalli diskutime të shumta, thotë ai.27 Kjo thuhet edhe në një shkrim të Zihni Sakos, kronikë shkencore e vitit 1966, e botuar në rev. ’’Studime filologjike’’, se Llordi ka marrë pjesë me kumtesë, krahas studiuesve shqiptarë, bullgarë, grekë, hungarezë, rumunë, kroatë, në punimet e Komisionit Ndërkombëtar të Studimit të Këngës Popullore në Ballkan, AIESEE, në Tiranë, në Universitetin Shtetëror të Tiranës, më 17 e 18 qershor 1966. Nga Tirana qenë Androkli Kostallari, Aleks Buda, Zihni Sako, Efthim Dheri, Koҫo Bihiku, Qemal Haxhihasani.
A. Fico, në vitet ‘90, pak pas vdekjes së prof. Llord, ka vizituar Universitetin e Harvardit, ku ka punuar në Koleksionin e tij me këngë shqipe, më 1996, me ftesën e zonjës Mary Louise Lord, pas një artikulli që ky kishte shkruar për Llordin në gazetën ”Illyria”, më 1994.28
Plava e Gucia sot dhe lahutarët e saj të Eposit të Kreshnikëve
(8 lahutarë pas vitit 2012 dhe 3 rapsodë + 12 lahutarë para vitit 2012)
I. Plavë e Guci: 8 lahutarë e 3 rapsodë pas vitit 2012
1. Zeqir Smajli, 1921-2019, rapsod, vëllazëria e madhe Nikç, fisi Kelmend, katundi katundi Çerem, Vuthaj, Plavë e Guci, ad. Bajram Curri.
2. Rexhep Tahiri-Hasangjekaj, 1933, lahutar, vëllazëria e madhe Vukël, fisi Kelmend, katundi Martinaj, Plavë e Guci.
3. Mehmet Rama-Balidemaj, 1938-2019, lahutar, vëllazëria e madhe Selcë, fisi Kelmend, katundi Martinaj, Plavë e Guci.
4. Avdi Syla-Prelvukaj, 1936, lahutar, vëllazëria e madhe Vukël, fisi Kelmend, Martinaj, Plavë e Guci, nuk këndon, jeton në SHBA.
5. Nezir Muzlia-Hasangjekaj, 1938, lahutar, lahutapunues, vëllazëria e madhe Vukël, fisi Kelmend, katundi Martinaj, Plavë e Guci.
6. Rrustem Xhema-Ulaj, 1940, lahutar, vëllazëria e madhe Nikç, fisi Kelmend, katundi Vuthaj, Plavë e Guci, jeton në SHBA.
7. Hysni Tunxhi, 1952, rapsod, vëllazëria e madhe Nikç, fisi Kelmend, katundi Vuthaj, Plavë e Guci, ad. Bajram Curri.
8. Avdyl Zhujani, 1956, rapsod, vëllazëria e madhe Nikç, fisi Kelmend, katundi Vuthaj, Plavë e Guci, ad. Bajram Curri.
9. Deli Metushi-Gjonbalaj, 1962, lahutar, vëllazëria e madhe Nikç, katundi Vuthaj, Plavë e Guci, jeton në Trepoviq, Pejë.
10. Rexhep Brahimi-Hasangjekaj, 1964, lahutar, vëllazëria e madhe Vukël, fisi Kelmend, katundi Martinaj, Plavë e Guci, jeton në SHBA.
11. Florim Jakupi-Hasangjekaj, 1971, lahutar, lahutapunues, vëllazëria e madhe Vukël, fisi Kelmend, katundi Martinaj, Plavë e Guci.
Plavë e Guci: 12 lahutarë para vitit 2012
1.Azem Hazir Bajraktari, Martinaj, 1848 -1938, lahutar, vëllazëria e madhe Vukël, fisi Kelmend, katundi Martinaj, Plavë e Guci.
2.Makë Dema-Balidemaj, 1846 – 1936, lahutar, vëllazëria e madhe Selcë, fisi Kelmend, katundi Martinaj, Plavë e Guci.
3. Mehmet Brahimi-Prelvukaj, 1988-1970, lahutar, vëllazëria e madhe Vukël, fisi Kelmend, katundi Martinaj, Plavë e Guci.
4. Halil Mema-Kukaj, 1900-1950, lahutar, vëllazëria e madhe Nikç, fisi Kelmend, katundi Krushevë, lagjja Kukaj, Plavë e Guci.
5. Miftar Gali-Prelvukaj, 1900-1957, lahutar, vëllazëria e madhe Vukël, fisi Kelmend, katundi Martinaj, Plavë e Guci.
6. Selman Shpeni-Gjonbalaj, 1905-1978, lahutar, vëllazëria e madhe Nikç, fisi Kelmend, katundi Vuthaj, Guci.
7. Brahim Haxhia-Hasangjekaj, 1917-1988, lahutar, vëllazëria e madhe Vukël, fisi Kelmend, katundi Martinaj, Plavë e Guci.
8.Musli Rama-Ahmetaj, 1918 – 2002, lahutar, vëllazëria e madhe Nikç, fisi Kelmend, katundi katundi Vuthaj, Plavë e Guci.
9. Ujkan Sadria-Kukaj, 1919-2002, lahutar, vëllazëria e madhe Nikç, fisi Kelmend, katundi Krushevë, lagjja Kukaj, Plavë e Guci.
10. Halil Mehmeti-Prelvukaj, 1920-1998, lahutar, nuk ka kënduar, vëllazëria e madhe Vukël, fisi Kelmend, katundi Martinaj, Plavë e Guci.
11. Beqir Mushaku-Prelvukaj, 1933-1999, lahutar, i pushkatuar, vëllazëria e madhe Vukël, fisi Kelmend, katundi Martinaj, Plavë e Guci.
12. Bajram Miftari-Prelvukaj, 1937-1918, lahutar, nuk ka kënduar, vëllazëria e madhe Vukël, fisi Kelmend, katundi Martinaj, Plavë e Guci.
Shënim. Ndihmuan në kërkime në terren: Shaban Hasangjekaj dhe Leonorë Sh. Hasangjekaj, si dhe Hasan Gjonbalaj, Binak Ulaj, Ymer Kukaj, Rrustem Ulaj.
Lahutarë të tjerë, që kanë kënduar edhe boshjakisht ose vetëm boshnjakisht:
1. Mehmet Abo Kojiq, 1918 -1988, lahutar, katundi Përnjavor, Plavë. Ka jetuar edhe në katundin Prapaqan, Pejë. Ishte lahutar i zoti. Ishte i veshur kombëtarisht. Në fotografi shihet me tirq, xhamadan e plis të bardhë, por nuk ka kënduar shqip, thotë i biri, Rama. Dinte shumë këngë të kreshnikëve.
2. Ramë Mehmet Kojiq, 1964, i biri, i di shumicën e këngëve të babës, por lahutar nuk është. Nga kjo familje u dallua Mulla Agan Koja, atdhetar i njohur i Lëvizjes Kombëtare Shqiptare.
3. Omer Metjahiq, 1922-2000, lahutar, katundi Hakaj, Plavë, ka jetuar edhe në katundin Arbnesh (Vitomiricë), Pejë, si dhe në Nju-Jork. Ishte nipash Rugove, dhëndër i Vuthajve dhe lahutar i zoti.
Ndihmuan në kërkime në terren: Hasan Gjonbalaj, Nezir Gashi e Avdi Shkreli (2002).
Plava e Gucia dhe botimi i antologjisë shqip – anglisht në Harvard
Përkundër një pritjeje tejet të gjatë, tash kemi edhe librin shqip – anglisht në Harvard. Është botim i Koleksionit të Letërsisë Gojore të Millmen Perit, një antologji, sipas propozimit tim, e në emër të Institutit Albanologjik, më 2002, kur bëja punë kërkimore në fondet arkivore të Harvardit. Projekti u miratua aty, më 2003. Pra, më në fund, më 2021, pas rreth 400 vjetësh të ekzistncës së Harvardit, u botuan tekste këngësh në gjuhën shqfgipe nga koleksionet e Perit dhe të Llordit. Libri mban titullin ’’Wild Songs, Sweet Songs. The Albanian epic in the collections of Milman Parry and Albert B. Lord.’’ Edited by Nicola Scaldaferri, vith John Kolsti, Victor A. Friedman, Zymer U. Neziri. (përk. Këngë të egra, këngë të ëmbla. Epikë shqiptare në Koleksionet e Millmen Perit dhe të Allbert Llordit). Botues është Universiteti i Harvardit, 2021. Nga lahutarët e Plavës e të Gucisë, në këtë antologji kemi edhe Adem Brahimin. Në këtë vëllim janë edhe: Salih Uglla ose Ugljanin (Sanxhak i Pazarit), Fatime Biberi ose Biberoviq (rr. e Prizrenit), Gjergj Pllumi (Dukagjin i Alpeve), Marash Nika (Dukagjin i Alpeve), Sokol Martini (Mërtur), Ali Meta (Rr. i Dukagjinit), Adem Brahimi (Plavë e Guci), Rexhep Zeneli (Rr. i Dukagjinit).
Këta rapsodë të Eposit të Kreshnikëve, shumica të lindur në gjysmën e dytë të viteve 1800, këngët i kanë kënduar para afër një shekulli nga. Ata janë të të dy besimeve. Pa asnjë dallim, se dikur thuhej, pa të drejtë, se ato i këndojnë vetëm rapsodët e besimit islam. Viset e tyre janë: Sanxhaku i Pazarit. rrethina e Prizrenit, Dukagjini i Alpeve, Plava e Gucia, Mërturi, Rrafshi i Dukagjinit. Këngët janë epike, marrë nga Koleksioni i Milman Parryt dhe Koleksioni i Albert Lordit. Llojet e këngëve janë epike heroike legjendare, por ka edhe epike heroike historike dhe disa lirike. Pra, në këtë antologji të Harvardit përfaqësohet edhe Plava e Gucia me lahutarin e njohur Adem Brahimi.
Temat e motivet e këtyre këngëve janë nga jeta e kreshnikëve në viset e Ilirisë: mbrojtja e kullosave, e bagëtisë, e kullave dhe e nderit të familjes, kryesisht. Mbizotërojnë legjendarja, fantastikja e mitikja, si dhe qeniet mitike: Ora e Zana. Kanë bukuri poetike të rrallë. Kanë vlerë evropiane e botërore.
Në libër janë edhe katër punime studimore, që kanë peshë për epikologët. Në një të pestën e librit aty janë ndihmesat e Gjon Kolstit, Zymer Nezirit, Nikolla Skalldaferit, Viktor Fridmanit, pos Parathënies dhe Hyrjes, nga Nikolla Skalldaferi.
Në këtë antologji janë me interes edhe letrat e Llordit, shënimet, fotografitë, hartat, fjalorthi, treguesit e emrave të njerëzve e të vendeve. Pra, ky libër e ruan autoritetin e majave të shkollës me famë botërore, e njohur me emrin Universiteti i Harvardit.
Redaktorë menaxhues të librit janë Stephen Mitchell dhe Gregory Nagy, kurse redaktorë ekzekutivë janë Casey Dué dhe David Elmer. Merita të veçanta i takojnë Dejvid Ellmerit, i cili që njëzet vjet qëndron pranë përpjekjeve tona në fushën e epikologjisë.
Përurimi në Romë i antologjisë shqip – anglisht, botim i Harvardit
Në Romë, me nismën e ambasadores, znj. Lendita Haxhitasim, Ambasada e Republikës së Kosovës në Romë, Itali, u mbajt tryezë shkencore “Kënga epike shqiptare mes dokumenteve arkivore dhe praktikës” dhe u bë përurimi i librit “Këngët e egra, këngët e ëmbla” (Wild Songs, Sweet Songs ), antologji, shqip-anglisht, botim i Universitetit të Harvardit. Kembrixh, SHBA. Organizimi ishte në bashkëpunim me Institutin Qendror për Trashëgiminë Tingullore dhe Audiovizuale, Romë (ICBSA), më 26 tetor 2022.
Referues qenë: drejtori i Institutit ICBSA, dr. Antonello De Berardinis; ambasadorja, znj. Lendita Haxhitasim; drejtuesi i tryezës, prof. Giovanni Giuriati, Universiteti la Sapienza, Romë; prof. Francesco Altimari, Universiteti i Kalabrisë, Kozencë; prof. Zymer U. Neziri, Instituti Albanologjik, Prishtinë; prof. Nicola Scaldaferri, Universiteti i Studimeve, Milano.
Përurimi i parë i librit, ’’Wild Songs, Sweet Songs’’ (Këngë të egra, këngë të ëmbla), ishte gëzimi i radhës. Me lahutë ishte lahutari nga Rugova, Isë Muriqi (Isë Elezi – Lekëgjekaj). Ambasadorja Haxhitasim vuri ne pah ndërthurjen e bashkëveprimin mes studimeve të poezisë homerike dhe gjurmimeve në terren, që dëshmon edhe njëherë se Kosova ishte dhe mbetet një laborator krijimtarie, duke qenë në Evropë zemër e vazhdimësisë së qytetërimit të lashtë të Ilirisë.
Përfundim
Në Koleksionin e Llordit, të mbledhur më 1937, në Shqipëri të Veriut, janë me interes edhe këngët e kreshnikëve nga krahina e Plavës dhe e Gucisë. Llordi, duke punuar me katër lahutarë të asaj krahine: Adem Brahimi-Mehmetkurtaj, Vuthaj; Musë Lushti-Çelaj, Vuthaj; Man Oruçi-Çelaj, Vuthaj; Brahim Haxhia-Hasangjekaj, Martinaj, ka dëshmuar për herë të pare pasurinë e jashtëzakonshme poetike të Eposit të Kreshnikëve edhe në krahinën e Plavës e të Gucisë, kurse Adem Brahimi këndoi këngën më të gjatë në Koleksion, me rreth 2100 vargje. Ai ishte ndër më të mirët, më 1937, nga rreth dyzet lahutarë të Shqipërisë së Veriut.
E dhëna se Ademi, Musa e Mani, të larguar për shkaqe politike andej kufirit, vdiqën jashtë vendlindjes dhe u varrosën në Gurëz të krahinës së Kurbinit, pa praninë e familjes së gjerë, dëshmon se edhe lahutarët janë sakrifikuar për çështjen e atdheut. Edhe Brahimi kur u kthye në vendlindje, u burgos dhe një pjesë të jetës e kaloi në burgjet jugosllave.
Këngët e kreshnikëve, të kënduara nga këta lahutarë, kanë veçoritë e përbashkëta të temave e të motiveve me këngët e tilla në krahinat e tjera, që janë jehonë poetike e konfliktit paraosman me sllavët e jugut. Ato, krahas rrëfimit të gjatë epik për bëmat heroike të Mujit e të Halilit dhe të kreshnikëve të tjerë, të pranisë së qenieve mitike, sidomos të zanave, të formulave, të poetikës së kohës dhe të poetikës së hapësirës, ruajnë edhe karakterin e vet legjendar.
Përveç vlerës së madhe poetike, sidomos të figuracionit të pasur, të tablove poetike dhe të përshkrimit të mejdaneve, ato dëshmojnë praninë e Eposit të Kreshnikëve, krenari e trashëgimisë gojore shqiptare dhe monument etnokulturor me vlerë botërore, edhe në këtë krahinë të Alpeve Shqiptare. Ky koleksion i A. Llordit ruhet në Koleksionin e profesorit të tij, Milmen Peri (Milman Parry), në Universitetin e Harvardit , po ashtu i mbledhur e i incizuar në vitet ‘30 të shekullit të kaluar dhe i vlerësuar si më i madhi i këtij lloji nga Ballkani Perëndimor.
Bibliografi
AHMETI, Ali M. (2004). Letërsia gojore e krahinës se Plavës dhe të Gucisë, Prishtinë, Instituti Albanologjik i Prishtinës.
BUDA, Aleks (1986). «Eposi dhe historia jonë», në: Çështje të folklorit shqiptar, 2, Tiranë, Instituti i Kulturës Popullore, f. 46-55.
GJERGJI, Andromaqi (1986). «Etnosi ynë në epikën legjendare», në: Çështje të folklorit shqiptar, 2, Tiranë, Akademia e Shkencave e RPS të Shqipërisë, Instituti i Kulturës Popullore, f. 103-119.
Këngë kreshnike, I, (1974). Përgatitur nga Anton Çetta, Prishtinë, Instituti Albanologjik i Prishtinës.
Këngë kreshnike, II, (1991). Përgatitur nga dr. Rrustem Berisha, dr. Sadri Fetiu dhe dr. Adem Zejnullahu, Prishtinë, Instituti Albanologjik i Prishtinës.
Këngë kreshnike, III (1993). përgatitur nga Anton Çetta, Fazli Syla, Myzafere Mustafa dhe Anton Berisha, Prishtinë, Instituti Albanologjik i Prishtinës, 1993.
KOLIQI, Ernest (1942). «I canti eroici del Kossovo», në: La terre albanesi redente, I, Kossovo, Roma, Reale Accademia d’Italia, Centro studi per l’Albania, f. 83-92.
KOLSTI, Gjon (2003). «Këngët shqipe në Koleksionin e Millmen Perit në Universitetin e Harvardit», referim, Seminari XXII Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare, Universiteti i Prishtinës dhe Universiteti i Tiranës, Prishtinë, 28 gusht 2003.
LORD, Albert B. (1937). Lord Collection of Albanian Songs, 1937, Të dhëna për Adem Brahimin e Vuthajve, 57 vjeç, jeta dhe repertori, më 16 shtator 1937, në Palç, Mërtur, dorëshkrimi nr. 36, f. 250.
…………………………(1937). Lord Collection of Albanian Songs, 1937, Të dhëna për Brahim Haxhinë e Martinajve, 19 vjeç, jeta dhe repertori, më 12 tetor 1937, në Gurëz, Kurbin, dorëshkrimi nr. 93, f. 1119.
…………………………(1937). Lord Collection of Albanian Songs, 1937, Të dhëna për Man Oruçin, 60 vjeç, jeta dhe repertori, më 12 tetor 1937, në Gurëz, Kurbin, dorëshkrimi nr. 95, f. 993.
…………………………(1937). Lord Collection of Albanian Songs, 1937, Të dhëna për Musë Lushtin e Vuthajve, 30 vjeç, jeta dhe repertori, më 12 tetor 1937, në Gurëz, Kurbin, do,rëshkrimi nr. 96, f. 994.
…………………….(1960). The Singer of Tales, Cambridge, Massachusetts, Harvard University Press.
…………………… (2001). The Singer of Tales, Second Edition, Stephen Mitchell and Gregory Nagy, Editors, Cambridge, Massachusetts; London, England, Harvard University Press, 312 pp.
NEZIRI, Zymer Ujkan (2006). Studime për folklorin, I: Eposi i Kreshnikëve dhe epika historike (The study of folklore, I: the Heroic Epos and Albanian historical epics), Prishtinë, Instituti Albanologjik i Prishtinës.
……………………………. (2009). «Këngëtarët e Allbert Llordit (Albert Lord) nga Shqipëria e Veriut» (Albert Lord’s singers from Northen Albania, pp. 157-158), në: rev. ’’Gjurmime albanologjike, Folklor dhe etnologji,’’ 38, 2008, Prishtinë, Instituti Albanologjik i Prishtinës, f. 141-158.
………………………………(2009). «Ali. M. Ahmeti, Letërsia gojore e krahinës se Plavës dhe të Gucisë, Instituti Albanologjik i Prishtinës, Prishtinë, 2004, 285 f.», në: rev. ’’Gjurmime albanologjike, Folklor dhe etnologji,’’ 36, 2006, Prishtinë, Instituti Albanologjik i Prishtinës, f. 382-386.
……………………………..(2010). «Idriz Ulaj, Këngë dhe vajtime nga krahina e Plavës dhe e Gucisë, Instituti Albanologjik i Prishtinës, Prishtinë, 2007, 442 faqe», në: rev. ’’Gjurmime albanologjike, Folklor dhe etnologji,’’ 39, 2009, Prishtinë, Instituti Albanologjik i Prishtinës, f. 337-340.
………………………………(2021). Studime për folklorin, IV: Eposi i Kreshnikëve në Ballkan: Indeksi i Projektit E5, 2012-2016. Dëshmi dokumentare për UNESCO. (The study of folklore, IV: The Epos of Kreshniks in the Balkans: The Index of E5 Project, 2012-2016. Documentary facts for UNESCO), Prishtinë, Instituti Albanologjik.
PALAJ, Bernardin dhe Donat Kurti (1937). «Hymje», në: Visaret e Kombit, vëllimi II, Kangë Kreshnikësh dhe Legenda. Mbledhë e redaktuem nga At Bernardin Palaj dhe At Donat Kurti, Tiranë, shtypshkronja «Nikaj», f. III-VII.
PARRY, Milman (1935). The Milman Parry Collection of Oral Literature, Harvard University, Cambridge, Massachusetts.
The making of homeric werse. The collected papers of Millman Parry. Edited by Adam P a r r y, Clarendon, Oxford, 1971, 483 pp.
SAKO, Zihni (1966). ’’Mbledhja e Komisionit Ndërkombëtar të Studimit të Këngës Popullore në Ballkan, në Tiranë’’, në: rev. ’’Studime filologjike’’, nr. 3, Viti XX (III), rubrika Jeta shkencore, Tiranë, Universiteti Shtetëror i Tiranës, Instituti i Historisë dhe i Gjuhësisë, f. 206-207.
UÇI, Alfred (1986). «Epika heroike dhe roli i saj në folklorin shqiptar», në: Çështje të folklorit shqiptar, 2, Tiranë, Instituti i Kulturës Popullore, f. 5-45.
ULAJ, Idriz (2007). Këngë dhe vajtime nga krahina e Plavës dhe e Gucisë, Prishtinë, Instituti Albanologjik i Prishtinës.
Zymer Neziri, Institute of Albanology of Prishtina
Songs of the Frontier Warriors from the province of Plava and Gucia in Collection of Albert Lord, American professor at Harvard University
Summary
In Collection of Albert Lord, collected in 1937, in North Albania, there are also songs of the Frontier Warriors from the province of Plava and Gucia. A. Lord worked with lahutars four of that region: Adem Brahimi-Mehmetkurtaj, Vuthaj; Musë Lushti-Çelaj, Vuthaj; Man Oruçi-Çelaj, Vuthaj; Brahim Haxhia-Hasangjekaj, Martinaj. Adem features who has the longest song collection, with about 2100 verses. He was at the top of the list of forty lahutars in the North Albania better than the 1937.
Adem, Musa and Man, who left for political reasons from the border, native died and were buried outside the scale of the Gurëz, Kurbin, without the presence of extended family. Brahim was imprisoned and was part of switched Yugoslav prisons.
Songs of the Frontier Warriors, sang by these lahutars, have common features themes of songs such motives in other provinces, which are poetic echo of the conflict with the South Slavs of the Ottoman Empire’s invasion.
Lahutars these songs, along with the epic story of heroic feats of Muji and Halil and other heroes, the presence of mythical beings, especially the deities, the formulas, the poetry of time and the poetry of space, maintain its legendary character.
These songs, besides the great value of poetry, especially the comparison, metaphor, hyperbole, litotes etc., poetic and thumbnail descriptions of dogfights, indicate the presence of Heroic epos in this region of the Albanian Alps.
They are proud of oral legacy Albanian etno-cultural monument in the world and have value in the UNESCO site. Collection of A. Lord preserved in the Milman Parry Collection at Harvard, which was collected and recorded with the help of A. Lord in the ’30s of last century and is regarded as the largest of its kind in the Western Balkans.