Hamid Alaj/
Populli i trevës së Krajës dhe asaj të Shestanit, si në të gjitha fushat e jetës së vet, edhe në art ka treguar talent dhe aftësi krijuese. Vlerat artistike që ka krijuar ky popull ndër shekuj në përgjithësi janë të shumëllojshme, ku ndërmjet tyre gjejmë edhe shumë këngë, valle, tregime popullore, lojra popullore, gjëza, proverba etj., e që në literaturën shkencore njihen me emrin folklor. Pra folklori është një pjesë e rëndësishme e krijimtarisë artistike të popullit që e krijon atë, të çfarëdo krahine, rethi apo treve qoftë ai. Prandaj ato mësohen nga shumë kush dhe ngjallin kënaqësi kudo: në punë, në shtëpi, në shkollë, në rrugë, në ndeja, në pushime etj., gjë që bën që populli i kësaj treve ta dojë artin folklorik.
Këngët folklorike nga treva Krajë – Shestan janë mjaft të vjetra dhe këndohen prej kohësh në këtë trevë. Janë të vjetra aqë sa vetë lashtësia e kësaj treve etnike shqiptare. Ato janë të shumta dhe të pasura nga vetë lloji i këngës. Si nga pikpamja ritmike po ashtu edhe nga pikpamja melodike, këngët folklorike nga treva Krajë – Shestan , paraqiten shumë të larmishme. Ato shquhen për nga bukuria, për nga madhështia si dhe për nga roli i tyre që kanë. Ato zënë një vend të rëndësishëm në përgjithësi, në kulturën e kesaj treve, por edhe më gjërë, si në tërësinë e kulturës sonë kombëtare. Populli i kësaj treve, këto këngë i këndon në variante të ndryshme, dhe dallojnë për nga ritmi i këndimit nga lloji i vetë këngës.
Populli i kësaj treve i ka çmuar shumë këngët e dashurisë dhe u ka dhënë një rëndësi të veçantë duke i pagëzuar me llojë-llojë fjalesh si: “moj e mira”, “moj e bukura”, “këngë dashurie”, “këngë jaranishte”, “këngë çobanash”, “këngë ashike”, etj. etj., që le të kuptohet se çdo emërim e ka kuptimin e vet simbolik.
Unë si bir i lindur dhe i rritur në këtë trevë dëshiroj të vë në dukje se gjatë punës sime mjaft serioze, por as pa mundime dhe me një kujdes të posaçëm, pa marr parasysh kohëzgjatjen e grumbullimit të këtyre këngëve, hasa në disa vështirësi të ndryshme, kur informatorët, pra treguesit e këngës, ndryshonin brendin e këngës, ndoshta nga harresa e saj apo nga frika se mos të preket dikush, sidomos tek këngët e dashurisë, të cilat pengesa, jo rallë më dukeshin të pakapërcyeshme. Mirëpo, duke e parë këtë pengesë, me aqë sa unë kam vërejtur gjatë grumbullimit të këtyre këngëve, mendoj se brendia e këngës fletë vetë. Megjithatë, këngët e botuara në këtë punim janë këngë të traditës gojore, të mbledhura kryesisht në terren nga subjekte të ndryshme, këngë të cilat mund të ndërrojnë ritmin e të kënduarit gjatë interpretimit të tyre, por kjo nuk do të thotë se është aqë me rëndësi sepse nuk mund ta ndryshojnë thelbin e tyre të burimsisë.
Kam besim se vetë lexuesi do të jetë i kënaqur me këtë material të grumbulluar në këtë punim aq me vlerë për ruajtjen e këngës folklorike të trevës së Krajës dhe të Shestanit. Gjthashtu kam besim se lexuesi do të më kuptojë nëse në këtë libër, apo koleksionim të këtyre këngëve, nuk kam arritur që t’i grumbulloj të gjitha këngët që i përkasin trevës në fjalë. Arsyet janë të shumta. Lexuesi duhet të jetë në dijeni se njiherit kjo çka u grumbullua në këtë punim, lindi si dëshirë e imja ndaj trevës sonë me qëllim të ruajtjes së vlerave kulturore të trevës.
Atëherë le të jetë një fillim i mbarë që në të ardhmen, dikush të vazhdojë në këtë rrugë të nisur, për të plotësuar këtë tempull, nëse më lejohet ta quaj kështu, të shenjtë e të bukur, të quajtur “KËNGËT FOLKLORIKE NGA TREVA KRAJË – SHESTAN”, për të mbajtur gjallë e për të vazhduar me dinjitet folklorin e pasur të kësaj treve.