Këshilli i Sigurimit diskuton raportin e sekretarit të përgjithshëm për situatën në Kosovë në të cilin bisedimet me Serbinë dhe Gjykata e Posaçme, zënë vendin kryesor/
Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara diskuton të martën raportin e sekretarit të përgjithshëm Ban Ki Moon mbi zhvillimet në Kosovë. Në debatin ku do të marrin pjesë ministri i jashtëm i Kosovës, Hashim Thaçi dhe ministri i jashtëm serb, Ivica Daçiç, përfshihet një periudhë tremuajshe e zhvillimeve në Kosovë, ku vlerësohet marrëveshja për sistemin e drejtësisë në veriun e Kosovës e arritur në muajin shkurt në bisedimet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në Bruksel.
Raporti i sekretarit të përgjithshëm vë theksin edhe tek themelimi i Gjykatës së Posaçme që do të trajtojë pretendimet për përfshirje të pjesëtarëve të ish Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në krime lufte. Në raport kjo çështje përshkruhet si “një çështje thelbësore për të ardhmen e Kosovës”, ndërsa mirëpriten veprimet e autoriteteve të Kosovës për ngritjen e saj.
Të premten, parlamenti i Kosovës pritet të diskutoje ndryshimet kushtetuese dhe ligjin për themelimin e Gjykatës së Posaçme, ideja për themelimin e së cilës pasoi hetimet e pretendimeve të të dërguarit të Këshillit të Evropës Dikc Marty për trafikim organesh në Kosovë, përkatësisht përfshirjen e disa prej ish-drejtuesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në krime të luftës.
Hetimet kishin nxitur reagime dhe protesta ne Kosovë, ku pohohet se në këtë mënyrë po bëhet barazimi me mizoritë e forcave serbe gjatë luftës së viteve 1998 1999.
Vëzhguesit thonë se debati i së martës në Këshillin e Sigurimit mund të përfshijë edhe ngjarjet e 9 dhe 10 majit në Kumanovë të Maqedonisë, ku humbën jetën nëntë shtetas të Kosovës dhe u arrestuan 21 të tjerë.
Përleshjet e armatosura në Kumanovë ndonëse ende të pasqaruara nxitën shumë reagime. Prishtina zyrtare ka bërë thirrje për një hetim të pavarur e gjithëpërfshirës, duke nënvizuar se hetimi duhet të mbështetet nga organet e drejtësisë ndërkombëtare. Autoritetet kanë mohuar çdo mundësi që të kenë pasur njohuri për mundësinë e shpërthimit të incidenteve të tilla, ndërsa kanë nënvizuar se Kosova nuk ka nxitur as mbështetur veprime kundër Maqedonisë.
Tirana zyrtare i kërkoi Maqedonisë, zbatimin e marrëveshjes së Ohrit, një marrëveshje e ndërmjetësuar nga komuniteti ndërkombëtar, që i dha fund luftës së vitit 2001 ndërmjet forcave qeveritare dhe kryengritësve shqiptarë që luftonin për më shumë të drejta në Maqedoni.
Tirana tha se dëshiron një Maqedoni shumetnike që do të jetë sa më shpejt në NATO dhe në Bashkimin, në përputhje me standardet që kanë ato dy organizata, ndërsa hodhi poshtë si të papranueshme deklaratat e ministrit të Jashtëm rus Sergei Lavrov, sipas të cilit Shqipëria dhe Bullgaria kanë synime për të ndarë Maqedoninë.(Sipas VOA)