Nga Prof. Dr. Kristo Frasheri/
Ka disa ditë që në Përmet disa priftërinj të krishterë ortodoksë të shoqëruar nga një grup qytetaresh apo qytetarësh të zbritur në qytet me autobusë nga Gjirokastra, Leskoviku, Erseka, vunë kujën sikur vajtonin para një “lipsani”, i cili ende nuk ishte varrosur. Kush nuk e di arsyen e kësaj kuje të jashtëzakonshme habitet kur mëson se nuk është fjala për një lipsan, për një njeri të vdekur, por për një Shtëpi Kulture, e cila nuk shembet, por kthehet në identitetin e saj. Përse atëherë kjo kujë e priftërinjve dhe e këtyre pak vajtorëve të grumbulluar me porosi nga lart? Për ata që nuk e dinë, le ta mësojnë!
* * *
Dikur në qendrën e qytetit të Përmetit, në periferi të Pazarit, ekzistonte një kishëz e vogël me dimensione afërsisht 6×5 m, kryesisht për pazarakët dhe për pronarët e dyqaneve të pazarit. Quhej Kisha e Shën Mërisë së Pazarit. Për qytetarët dhe familjet e tyre, ekzistonin dy kisha të mëdha, të cilat janë në funksion edhe sot – Kisha e Shën e Premtes dhe Kisha e Shën Kollit. Vlerë të veçantë ka pasur, ashtu siç e ka edhe sot, Kisha e Shën e Premtes. Në këtë kishë meshonte edhe Mitropoliti i Korçës, nga i cili varej edhe Kisha e Përmetit, kur ai vizitonte qytetin. Me sa thuhet, Kisha e Shën Mërisë së Pazarit është ndërtuar në shek. XVII. Nuk ka pasur vlerë historike apo artistike të veçantë. Pavarësisht nga kjo, ajo ishte një objekt i shenjtë për qytetarët.
Nuk dua të flas për rrethanat e dëmtimit që ajo pati kur Përmeti u dogj më 6 korrik 1943 nga fashistët italianë, mbasi ndonjë përmetar i moshuar mund të ketë tjetër pikëpamje. Unë e mbaj mend Kishën të parrënuar, siç ishte më 1938 kur unë kalova pushimet në Përmet, dhe të dëmtuar, kur shkova në Përmet më 1949. Rëndësi ka fakti se pas çlirimit qytetarët e Përmetit nuk patën mundësi ta rindërtonin Kishën, pasi qenë të angazhuar me rindërtimin e qytetit të bërë shkrumb e hi më 1943. Veç kësaj, përmetarët e paktë në atë kohë, nuk e ndjenin nevojën për rindërtimin e saj, mbasi dy kishat e tjera të qytetit kishin shpëtuar pa u dëmtuar.
Në planin urbanistik të hartuar pas luftës, më 1962-shin, për qytetin e Përmetit, në pjesën ku ndodhej Kisha e Shën Mërisë me disa baraka të parëndësishme që zëvendësuan objektet e djegura, shteti vendosi të ndërtonte dy objekte për të cilat kishin nevojë të ngutshme qytetarët – degën e Bankës së Shtetit Shqiptar dhe Shtëpinë e Kulturës në qytet, të rrethuar nga një lulishte e vogël. Trualli i Shtëpisë së Kulturës, e cila mori emrin “Naim Frashëri”, prej rreth 600 m², përfshiu edhe truallin e Kishës rreth 25 m². Qeveria komuniste e kohës mund të kritikohet përse nuk e rindërtoi Kishën, e cila u shërbente vetëm banorëve ortodoksë, por ndërtoi Shtëpinë e Kulturës, e cila u shërbente të gjithë banorëve, pavarësisht nga përkatësia fetare. Përgjigjen e kuptojnë të gjithë, po të kemi parasysh se shteti komunist deri më 1967 nuk interesohej për objektet fetare të çdo riti, kurse pas vitit 1967 ai jo vetëm i braktisi, por edhe u ngrit kundër tyre.
Pas përmbysjes së regjimit komunist, kur u rimëkëmbën institucionet fetare, filloi dhe interesimi për rimëkëmbjen e faltoreve të rrënuara. Në këto rrethana, Kisha Ortodokse Autoqefale Shqiptare u interesua dhe për Kishën e Shën Mërisë së Pazarit të Përmetit. Organet e KOASH-it (Kisha Ortodokse Autoqefale Shqiptare) kërkuan kalimin në favor të Kishës së Përmetit jo të truallit të Kishës së Shën Mërisë, por të gjithë Shtëpinë e Kulturës “Naim Frashëri”, me motivacionin se ajo i takonte Kishës së Shën Mërisë, pasi kishte përfshirë edhe truallin e saj. Kisha siguroi një vendim të lëshuar në 26 maj 1995 nga Komisioni i Kthimit dhe i Kompensimit të Pronave. Komisioni i njohu asaj pronësinë vetëm mbi truallin. Kisha mbeti e pakënaqur, mbasi kërkonte të shtinte në dorë edhe ndërtesën. Këtë kërkesë Bashkia e Përmetit e quajti në atë kohë të padrejtë, për arsye se sipërfaqja e Shtëpisë së Kulturës ishte gati 25 herë më e madhe se trualli i Kishës së Shën Mërisë. Veç kësaj, edhe çmimi i Shtëpisë së Kulturës si objekt ndërtimor ishte shumë herë më i lartë se Kisha e Shën Mërisë, e cila, kur u ndërtua Shtëpia e Kulturës ishte gati gërmadhë. Bashkia e qytetit u orvat të hynte në kompromis. Kisha nuk pranoi të shpërblehej me një sipërfaqe me vlerë të barabartë sa ajo që kishte trualli i Shën Mërisë së Pazarit. Kështu, çështja u kaloi organeve gjyqësore. Gjykata e Shkallës së Parë i dha të drejtë Bashkisë së Përmetit, por Kisha nuk u kënaq dhe çështjen e ngriti në Gjykatën e Apelit në Gjirokastër, e cila e ripohoi vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë. Përsëri Kisha e Përmetit mbeti e pakënaqur dhe e ngriti çështjen në Gjykatën e Lartë, e cila e ripohoi në vitin 2002 vendimin e dy Shkallëve të tjera. Më në fund, me kërkesën e Kishës çështja i kaloi Gjykatës Kushtetuese. Edhe Gjykata Kushtetuese më 2004 ripohoi vendimet e tri Shkallëve të Gjyqësorit. Vendimi përfundimtar i kaloi për zbatim Zyrës së Përmbarimit të Përmetit. Pikërisht në këtë moment, çështja u bllokua. Për habinë e të gjithë qytetarëve, Zyra e Përmbarimit “me urdhër nga lart”, nuk e zbatoi vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Kjo do të thoshte se në Shqipërinë demokratike nuk vlen vendimi i Gjykatës Kushtetuese dhe se më tepër se Gjykata Kushtetuese vlen vullneti i një kryepeshkopi, i cili vazhdon të pretendojë se për çështjet e “shenjta” nuk vlejnë ligjet e shtetit, madje as Kushtetuta. Kështu, Shtëpia e Kulturës u kthye në mënyrë arbitrare në Kishë, kurse qytetarët e Përmetit mbetën pa Shtëpi Kulture. Veprimi i Zyrës së Përmbarimit, ishte jo vetëm një shkelje e padëgjuar e vendimit të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë nga një zyrë lokale si Zyra e Përmbarimit të Përmetit, por edhe diçka më tepër. Nga ana e arkitekturës, ajo ishte ndërtuar si Shtëpi Kulture me sallë për konferenca dhe sallë për bibliotekë, për zyra administrative dhe për ambiente pune, me korridore dhe me ambiente për nevoja personale. Orientimi i saj nuk ishte siç e kërkon Kisha Ortodokse, nga perëndimi në lindje, por nga veriu në jug. Dukej qartë se frymëzuesit e kësaj kërkese kërkonin ta linin Përmetin, këtë pararojë të Rilindjes Kombëtare, pa Shtëpi Kulture shqiptare. Ata kërkonin, siç vazhdojnë të kërkojnë, të zbojnë nga Përmeti Naim Frashërin për qëllime të errëta. Ndryshe nuk mund të kuptohet përse me fondet e shpenzuara për adaptimin e saj në Kishë mund të ndërtohej një Kishë ortodokse moderne, në vend të një karikature, siç doli e ashtuquajtura Kisha e sotme e Shën Mërisë së Pazarit.
* * *
Të vjen jashtëzakonisht keq kur mendon se Përmeti, qyteti i luleve, i kulturës rilindëse apo i këngëve dhe i dasmave të kulturuara, qyteti i harmonisë fetare dhe i bashkëjetesës kulturore, të nëpërkëmbet nga një rrufe në qiell të kthjellët. Këtu lind pyetja: Kush e shkrepi këtë rrufe në qiell të kthjellët? Dy qenë përgjegjësit hipotetikë: ose Kisha Ortodokse ose Gjykata Kushtetuese. Dihet se Kisha si institucion fetar, madje jo vetëm Kisha Ortodokse, por të gjitha institucionet fetare monoteiste – kanë pretenduar, sidomos gjatë Mesjetës, të përvetësojnë funksionet e shtetit. Pra, kanë pretenduar që ta mbërthejnë në kthetrat e tyre pushtetin politik, financiar, juridik, ushtarak dhe mbi të gjitha pushtetin shpirtëror mbi popullsinë e vendit të tyre.
Përkundrazi, shteti ka qenë dhe vazhdon të jetë shtet modern kur është shkëputur nga Kisha dhe e ka zhveshur Kishën nga pushteti i dikurshëm politik, ekonomik, juridik, ushtarak dhe e ka lënë të lirë të ushtrojë vetëm pushtetin e saj fetar. Madje, në viset ku ka pluralizëm fetar, pushteti i Kishës kufizohet nga shteti deri në atë masë sa ta ushtrojë veprimtarinë e saj vetëm brenda mureve të faltoreve. Kjo, për arsye se shteti është përgjegjësi kryesor i përparimit, i mirëqenies, i sigurisë, i pronës, i lëvizjes dhe i unitetit kombëtar të shtetasve që banojnë brenda kufijve të tij. Arma më e fuqishme juridike që ka shteti përballë institucioneve politike, ekonomike, shoqërore, ushtarake dhe fetare është Kushtetuta shtetërore dhe organi që vendos mbi të gjithë është Gjykata Kushtetuese.
Po të gjykojmë nga ky këndvështrim ngjarjet që ndodhën këto ditë në Përmet, duhet të pranojmë se veprimi i Kishës së Përmetit, i cili nuk e përfilli vendimin e Gjykatës Kushtetuese të vitit 2002 dhe ngriti dorë kundër tij, duhet dënuar juridikisht.
Ku e gjeti Kisha e Përmetit kurajën për të sfiduar Gjykatën Kushtetuese? Nuk ka dyshim se prapa Kishës së Përmetit qëndron kryepeshkopi Anastas Janullatos, i cili doli haptas kundër vendimit të Gjykatës Kushtetuese. Ai e justifikoi këtë aksion me argumentin e sajuar se Përmeti ka nevojë për Kishën e Shën Mërisë së Pazarit. Të vjen me të vërtetë rëndë kur dëgjon nga goja e një prelati, i cili ia ka falur jetën fesë së Krishtit, që të justifikohet prapa gënjeshtrave. Para së gjithash, Krishti nuk ka predikuar dhunë dhe mosbindje, por përulësi dhe urtësi. Në rast se dikush të godet në njërën faqe, Krishti të porosit t’i kthesh dhe faqen tjetër. Nuk ka dyshim se ata priftërinjtë e Përmetit që mashtruan Kryetarin e Bashkisë dhe përdorën dhunën ndaj policëve për të hyrë në Shtëpinë e Kulturës, Hirësia e tij duhej t’i dënonte publikisht dhe jo t’i ledhatonte. Me ç’kurajë Hirësia e tij deklaroi se në Përmet po përsëriteshin ngjarjet e shëmtuara të vitit 1967? Ngjarjet e vitit 1967 mos u përsëritshin kurrë, por ngjarjet e ditëve tona nuk kanë asnjë ngjasim me ato të vitit 1967. Më 1967 kishat dhe xhamitë pa përjashtim u mbyllën të gjitha, madje shumë prej tyre u rrënuan ose u adaptuan për funksione të tjera. Përkundrazi, tani në vitin 2013 nuk është e vërtetë ajo që thotë Hirësia e tij se Përmeti mbeti pa Kishë. Kjo është gënjeshtër me brirë. Përmeti ka dy kisha historike, të cilat funksionojnë rregullisht për besimtarët ortodoksë. Në Përmet nuk u ndalua Kisha Ortodokse, siç aludon zoti Janullatos, por u mbyll vetëm një ndërtesë, e cila përdorej abuzivisht si kishë. Askush nuk e pengon bashkësinë ortodokse të Përmetit që ta rindërtojë Kishën e Shën Mërisë së Pazarit, por jo atje ku ka qenë mbasi trualli i saj tani i përket Pallatit të Kulturës. Hirësia e tij Janullatos kërkon medoemos që Shtëpia e Kulturës në Përmet të kthehet në kishë, sepse në një cep të tij ndodhet trualli i Kishës së dikurshme të Shën Mërisë, të cilin perëndia e kishte kthyer në një truall të shenjtë. Shikoni djallëzinë: për 30 m² kërkon të marrë 600 m² dhe për një gërmadhë të marrë një pallat modern.
Ne dimë se perëndia e ka bekuar gjithë rruzullin tokësor. Para së gjithash, Zoti ka bekuar tokën e bukës e cila na mban gjallë. Tokën e kthen në një truall të shenjtë jo Zoti, por bashkësia njerëzore që e ndërton faltoren mbi të. Nga historia e krishterimit kemi mësuar se në truallin e saj dikur varroseshin shenjtorët ose vendoseshin eshtrat e tyre. Për këtë arsye, ato adhuroheshin si troje të shenjta. Dihet se shumica e kishave të sotme janë ndërtuar nga bashkësitë fshatare dhe qytetare për nevojat e tyre shpirtërore, pa pasur në truallin e tyre eshtra shenjtorësh apo dëshmorësh. Ato janë për besimtarët të shenjta, mbasi në to kryhen shërbesat liturgjike. Ka raste kur bashkësitë fshatare e kanë shpërngulur kishën e vjetër në një truall të ri dhe askush nuk e ka quajtur këtë veprim si sakrilegj. Kishën e bëjnë objekt të shenjtë ikonat ose afresket e shenjtorëve dhe të martirëve, të cilët zëvendësojnë eshtrat e tyre.
Tirana, kryeqyteti i Shqipërisë, dikur ka pasur dy kisha. Më e vjetra ishte Kisha e Shën Prokopit, trualli i së cilës tani ndodhet në sheshin “Nënë Tereza”. Tjetra, Kisha Katedrale e Hyjlindëses, e cila ndodhej afërsisht atje ku sot është ndërtuar Hotel “Tirana Internacional”. Në vitet ’60, plani urbanistik i kryeqytetit i shembi të dyja këto kisha. Ato u zëvendësuan me dy kisha të tjera. Pyesim Hirësinë e tij, përse nuk kërkon ta aneksojë Hotelin “Tirana Internacional”, i cili ka përfshirë në cepin e tij verior edhe truallin e Katedrales së Hyjlindëses? Ku vajti shenjtëria e truallit të Katedrales?
Tani le të kthehemi te Kisha Shën Mëria e Pazarit në Përmet. Pyesim: Përse zhurmë për një kishëz periferike dhe heshtje për një katedrale kryepeshkopale? Ne dyshojmë se në këtë mes lëvrijnë motive të tjera. Duket sheshit se këtu lëvizin motive politike, madje të një politike të djallëzuar. Përmeti është një qytet në të ashtuquajturin “Vorio-Epir”, trevë të cilën Athina e lakmon ta aneksojë. Meqenëse në Përmet nuk ka banorë grekë, nacionalistët e Athinës përpiqen ta helenizojnë me rrugë të ndryshme, me helenizimin e përmetarëve që banojnë në Greqi, me përhapjen e ritualit greqisht në kishat e qytetit, me anën e pensioneve sociale nga ana e administratës greke, me shkollat greke që Hirësia e tij mendon të hapë së afërmi dhe me rrugë të tjera. Në këto rrethana, Shtëpia e Kulturës e cila mban emrin e “Naim Frashërit”, nuk mund t’i shërbejë në asnjë çast platformës heleniste të Athinës. Kjo është arsyeja përse Hirësia e tij ngul këmbë që Shtëpia e Kulturës të kthehet në Kishë Ortodokse.
* * *
Shtypi ynë i përditshëm së bashku me median elektronike i ka dhënë hapësirë aksionit që ndërmorën priftërinjtë e Përmetit kundër Shtëpisë së Kulturës “Naim Frashëri”. Duke shfrytëzuar lirinë e shtypit, gazetarët tanë demokratë shkruajnë mbarë e mbrapsht për këto ngjarje. Së bashku me disa të vërteta, jo pak prej tyre përcjellin tek lexuesit edhe njoftime të pasakta, madje në ndonjë rast edhe të dëmshme për çështjen që ata mendojnë se e mbrojnë. Ngrihet një qytetar në Korçë dhe flet sikur është ministër apo kryeministër, kur thotë: “Në emër të Komunitetit Ortodoks të Shqipërisë, ne dënojmë veprën e Bashkisë së Përmetit, e cila e ka rrëmbyer Kishën e Shën Mërisë së Pazarit”. Dua ta pyes këtë korçar të fantaksur: Kush ta dha këtë të drejtë që të dënosh edhe në emrin tim Bashkinë e Përmetit? Ngrihet një tjetër gazetar, i cili shkruan në gazetën e vet se në Përmet ndodhi një përleshje midis banorëve ortodoksë dhe policisë private. Dua ta pyes këtë gazetar: Ku e gjete këtë të drejtë që dhjetë apo dymbëdhjetë njerëz të ardhur me autobus nga Gjirokastra apo Leskoviku u përleshën me policinë private të Bashkisë dhe këta t’i quash banorë të Përmetit? Përse jo pak gazetarë i fyejnë si pa të keq përmetarët duke i rreshtuar në falangat e Janullatosit? Një tjetër gazetar shkruan se në përleshjen midis përmetarëve ortodoksë dhe policisë private u plagosën dy vetë dhe kur jep emrat e tyre del se ata nuk janë përmetarë, por njëri nga fshati Musi e Sarandës dhe tjetri nga fshati Xarë po ashtu i Sarandës. Ju lutem, të dashur vëllezër gazetarë, mos e shpërdoroni penën tuaj, as lirinë demokratike duke nëpërkëmbur sikur lozni domino emrin e nderuar të përmetarit. Nuk dua të them se të gjithë përmetarët janë për t’u lavdëruar. Midis tyre ka edhe njerëz të mbrapshtë, por etiketojini si të tillë kur bëjnë prapësira.
Midis shkrimeve që këto ditë kam mundur të lexoj, më ka bërë përshtypje analiza që u ka bërë ngjarjeve të Përmetit personaliteti i njohur i minoritetit grek: Panajot Barka. Panajot Barka, në artikullin me titull “Kisha e Përmetit, puçi i Berishës për qeverinë e re”, botuar në gazetën “Shekulli” në datën 19 gusht 2013, shkruan ndër të tjera: “Në simbolikën e veprimeve që e bëjnë këtë ngjarje tepër të rëndë, tërheq vëmendjen fakti që u hoq (nga Shtëpia e Kulturës – K.F.) kryqi dhe u vendos flamuri kombëtar. U hoq emri i Shën Mërisë dhe u vendos emri i poetit të Rilindjes…(!!!)”.
Me gjithë respektin që kam për këtë militant të Partisë Socialiste, le të më falë por do t’ia them troç se po të mos kishte vënë emrin e tij në këtë shkrim do të mendoja se do ta kishte shkruar ndonjë prift grek, i paçliruar ende nga mentaliteti mesjetar, pasi vetëm për ta Shën Mëria vlen më tepër se një hero kombëtar, siç është Naim Frashëri. Arsyetimi im është i thjeshtë, i nderuar Panajot. Shën Mëria nuk më çliroi nga zgjedha osmane. Ai që më çliroi ishte Naim Frashëri. Vëlla, me bashkatdhetarët e mi të feve të tjera nuk më bëri Shën Mëria, por Naim Frashëri, madje ajo më përçau me bashkatdhetarët e mi të besimeve të tjera. Identitetin tim kombëtar nuk ma kaliti Shën Mëria, por Naim Frashëri me shokët e tij. Kjo nuk do të thotë se nuk e çmoj Shën Mërinë, por si yll polar kam Naimin dhe rilindësit e tjerë. E vlerësoj Shën Mërinë si nënën e Krishtit për dhembshurinë që ajo përhap tek njerëzit dhe për frymëzimin që më jep të dua atdheun.
Në artikullin tuaj ju shkruani: “Ortodoksia në Shqipëri është vënë në pozita inferiore. Inferioriteti buron prej pretendimit absurd të identifikimit të kësaj kishe me helenizmin”. Është e vërtetë ajo që thoni ju, se ortodoksia në Shqipëri është vënë në pozita inferiore. Kjo ndjenjë inferioriteti më ka prekur edhe mua, pasi i përkas me rrënjë e me degë bashkësisë ortodokse shqiptare, ndonëse në të vërtetë nuk jam ortodoks praktikant. E njoh ortodoksinë jo vetën nëpërmjet ambientit tim familjar, por edhe nëpërmjet historisë së saj. Ka disa vite që po merrem me historinë fetare të Shqipërisë, të cilën shpresoj ta botoj përpara se të mbyll sytë. Kam lindur në Stamboll më 1920 dhe jam pagëzuar në Kishën e Shën Triallës së Bejollës, e cila ndodhej në juridiksionin e Patriarkanës Ekumenike të Kostandinopojës. Im atë, Anastas Frashëri, më 1922 ka qenë korrespondenti i gazetës “Shqipëria e Re” të Kostancës, Rumani, kur zhvillohej Kongresi i Beratit, i cili themeloi Autoqefalinë (Pavarësinë) e Kishës Ortodokse Shqiptare. Madje, ai ka shoqëruar si gazetar delegacionin kishtar shqiptar në takimin që pati më 1922 me Patriarkun Ekumenik të Kostandinopojës. Prej tij kam mësuar jo pak hollësira rreth luftës që zhvillohej brenda për brenda Kishës Ortodokse Shqiptare për t’u shkëputur nga presioni i Kishës Ortodokse greke. Ndoshta ju mund ta dini, por unë dua ta përsëris për ata që nuk e dinë, se kisha ortodokse përvetësoi që në fillimet e saj se krishterimi u përket kombeve dhe jo një kombi të vetëm, sado që ky komb mund ta ketë konsideruar veten e vet të privilegjuar nga perëndia, siç mendojnë priftërinjtë grekë. Në bazë të këtij parimi universal, lindën kishat nacionale në çdo shtet-komb. Kështu, gjatë shekujve lindën Kishat Ortodokse Autoqefale bullgare, ruse, serbe, rumune, derisa erdhi viti i bekuar 1922, kur edhe kombi shqiptar shpalli Kishën e vet Autoqefale.
Parimi i dytë i ortodoksisë universale, të cilin duhet ta përsëris gjithashtu për ata që nuk e dinë, ka qenë dhe vazhdon të jetë solidariteti midis kishave ortodokse autoqefale të kombeve të ndryshme, por jo zgjedha e njërës nga tjetra. Secila kishë autoqefale e ka për detyrë të shenjtë të respektojë dhe jo të gllabërojë pavarësinë e simotrës kishtare. Me keqardhje jam i detyruar të them se Kisha Ortodokse Autoqefale greke nuk i ka respektuar asnjë nga të dyja këto parime ndaj KOASH-it. Ngjarjet që ndodhën para Luftës së Dytë Botërore, nuk është nevoja të përsëriten. Ato i ka përfshirë tashmë historia. Më në fund, Kisha Ortodokse greke u detyrua në atë kohë ta respektonte KOASH-in. Përkundrazi, pas Luftës, Athina si qeveri apo si kishë, kjo është punë e saj, u kthye qindra vjet mbrapa. Meqenëse Kisha Shqiptare ishte shthurur organizativisht nga regjimi komunist, ajo kishte nevojë të rimëkëmbej me institucione, me kuadro dhe me faltore. KOASH-i nuk kishte peshkopë për të krijuar një Sinod. Iu drejtua për ndihmë Patriarkatit të Kostandinopojës. Këtë nevojë të domosdoshme e shfrytëzoi Athina. Në bazë të porosisë së Patriarkatit të Kostandinopojës, Athina dërgoi në Shqipëri një misionar për ta ndihmuar si ekzark Kishën Shqiptare të rimëkëmbej. Ky misionar me emrin Anastas Janullatos do ta ushtronte misionin e vet si ekzark dhe jo si kryepeshkop, pra si misionar i përkohshëm. Si ekzark, sapo të realizonte detyrën e ngarkuar, pra sapo të formohej Sinodi i Shenjtë duhej të largohej nga Shqipëria. Me largimin e tij, Sinodi i Shenjtë duhej të zgjidhte kryepeshkopin e Shqipërisë. Ardhjen e tij me detyrë si ekzark, në Shqipëri e miratuan edhe Presidenti i Republikës, Ramiz Alia edhe kryeministri, Fatos Nano, edhe kryetari i opozitës, Sali Berisha. Por ç’ndodhi? Ju, i nderuar Panajot, duhet ta mbani mend, se Hirësia e tij e shkeli fjalën. Me kombinacionet e ndryshme që kurdisi mbrapa skenës dhe me një skenë teatrale që organizoi te Hotel “Tirana Internacional”, ai e shpalli veten Kryepeshkop i gjithë Shqipërisë. Me keqardhje të thellë duhet ta them se ai veproi si një hileqar.
Hirësia e tij Janullatosi nuk është shqiptar, siç e kërkon Statuti i KOASH-it. Ai është grek jo vetëm nga kombësia, por edhe nga ideologjia nacionaliste greke. Ai nuk është misionar ortodoks por një agjitator i nacionalizmit grek, i cili ka për detyrë të përgatisë rrethanat e aneksimit të Shqipërisë së jugut nga Greqia. Kjo është arsyeja përse ai nuk shqetësohet për katedralen e Hyjlindëses së Tiranës, kurse po bën çmos që Shtëpia e Kulturës në Përmet të qëndrojë si kishë e Shën Mërisë. Atë e tërbon emri i Naim Frashërit.
I nderuar zoti Panajot! Në qoftë se do t’i gjykosh ngjarjet e Shqipërisë me syzet e Athinës, nuk ke për t’i kuptuar kurrë rrënjët e vërteta të ngjarjes. Ortodoksinë në Shqipëri nuk e kanë diskretituar të huajt, as priftërinjtë apo hoxhallarët e huaj. Ortodoksinë në Shqipëri e ka diskretituar vetë qeveria greke me politikën e saj antishqiptare, të cilën e ndihmon me sa mundet kryepeshkopi Anastas Janullatos. Aluzioni që bëni ju, zoti Panajot Barka, se Greqia do ta pengojë Shqipërinë të hyjë në Bashkimin Europian, mund të ndodhë. Ndoshta këtë kërcënim ju nuk e keni nga vetja juaj. Mbase është edhe porosi apo sugjerim. Por unë nuk e besoj. Europa nuk është Greqi. Udhëheqësit e Europës së përparuar nuk janë grekë të fantaksur. Nuk është Europa ajo që varet nga Greqia, i dashur Panajot, por është Greqia që varet nga Europa, sidomos tani që është e mbytur në borxhe. Udhëheqësit e Bashkimit Europian janë çliruar prej kohësh nga mentaliteti mesjetar ballkanik, i cili ua turbullon ende kokën ministrave dhe prelatëve të Athinës. Mjafton të kujtojmë atë që ndodhi të mërkurën, më 21 gusht. Në mëngjes Greqia, duke shkelur vendimin e Shengenit, ndaloi hyrjen e shqiptarëve në Greqi, kurse disa orë më vonë u detyrua të tërhiqet. Përfundimisht, britmat e priftërinjve të Përmetit janë shashka që trembin vetëm laraskat. E drejta nga çdo pikëpamje qëndron në anën shqiptare. Shqipëria ka për detyrë t’i kthejë Kishës së Përmetit tokën e Shën Mërisë së Pazarit, mbase dhe ndonjë pëllëmbë më tepër, kurse priftërinjtë që shkelën vendimin e Gjykatës Kushtetuese dhe prishën rendin publik, duhen dërguar para gjyqit. Ndërkohë, Hirësia e tij kryepeshkopi Anastas nuk është keq të përgatisë baulet dhe të shkojë nga ka ardhur. E siguroj se do ta përcjellim me një “udhë të mbarë!”. Atëherë, i them zotit Panajot Barka, do të shohë se si do të lulëzojë ortodoksia në Shqipëri. (e.m/GazetaShqiptare/BalkanWeb)
SAMI says
INDERUARI PROF DR FRASHRI PO KENI SHUM TËDREJT IPASKIT SPJEGUE TËGJITHA POR KTO FAJIN E KA KREU POLITIK SE JAN KRIMINALIZUE DHE IKAN DREDHUE GJËRAT PËR INTERESA INDIVIDUALE KJO I STAGNON DREJTIMIN KOMBTAR DHE ZHVILLIMIN E EKONOMIS .